Ka ngjarje në histori që ndryshojnë rrjedhën e saj dhe lënë mësime të qëndrueshme. Një prej ngjarjve më të mëdha është migrimi i Profetit,  paqja dhe bekimet qofshin mbi të, i cili na mëson një parim të madh islamik: marrjen e masave paraprake- sebebet, shkaqet materiale. Edhe pse Profeti Muhamed, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ishte i  mbështetur nga shpallja, ai nuk i la asgjë rastësisë. Përkundrazi, ai vendosi në një mënyrë praktike rëndësinë e planifikimit si një pjesë integrale e besimit. Në këtë artikull, ne frymëzohemi nga migrimi i tij se si të balancojmë përpjekjet e pandërprera me mbështetjen e thellë te Zoti.

Detajet e marrjes së masave paraprake gjatë udhëtimit të migrimit

Ndër sebebet-masat  që Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ndoqi në migrimin e tij ishin: fshehja nga sytë e armiqve që e përndjeknin; zgjedhja e një shoku që do t’ia bënte më të lehtë vështirësinë e udhëtimit; zgjedhja e një udhërrëfyesi që kishte përvojë mbi rrugën nga Meka në Medinë, pasi ishte një udhëtim i mbushur me rreziqe që kërkonte rrugë të panjohura, por të sigurta; zgjedhja e një vendi ku Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, do të strehohej në mënyrë që Kurejshët të ndalonin së kërkuari për të; zgjedhja e dikujt që do të bartte furnizimet e nevojshme për këtë qëndrim dhe dikujt që do të  sillte lajmet mbi të cilat do të bazohej vendimi për të vazhduar ose ndaluar, dhe  masa  tjera që u zgjodhën me shumë kujdes.

Të gjitha këto shkaqe u ndërrmorën prej një Profeti të mbështetur nga Zoti i Plotfuqishëm nëpërmjet shpalljes. Ai i mori ato ndërsa zbatonte një urdhër hyjnor për të mbështetur fenë e Zotit dhe për të mbrojtur muslimanët. Pavarësisht kësaj, ai bëri gjithçka që kishte në dorë për të siguruar suksesin e migrimit.

Dallimi i  besimtarit që merr masat e nevojshme nga të tjerët

Njerëzit racionalë marrin masa paraprake, duke filluar me planifikimin, zbatimin, ndjekjen dhe vlerësimin e situatave. Pra, cili është ndryshimi midis njerëzve që marrin masa paraprake dhe profetëve dhe njerëzve të mirë që marrin këto masa paraprake?

Dallimi është se marrjen e masave paraprake , profetët dhe besimtarët e  mirë, e konsiderojnë si një akt adhurimi përmes të cilit ata i afrohen Zotit të Plotfuqishëm. Përpara se të ndërmarrin diçka, ata i kërkojnë Zotit të Plotfuqishëm t’u ofrojë mjetet më të mira të mundshme dhe e dinë se çdo mjet mund të çojë në qëllimin për të cilin po përpiqen, por edhe mund të mos ndihmojë,  madje mund të kthehet kundër tyre.

Shembull  i kësaj mund të jetë  ajo që  një burrë kërkon te një grua  e cila do t’ia gëzojë zemrën, e i ndihmon në jetë, dhe me të do të ndërtoi familje e fëmijë në të cilët mund të mbështetet në të ardhmen, dhe me të cilët ndërton lavdi si dhe do ta gëzojë bamirësinë e tyre në pleqëri. Megjithatë, realiteti është se disa gra dhe disa fëmijë janë shkaktarë të mjerimit dhe pakënaqësisë. “O ju që besuat, vërtet, disa nga bashkëshortet tuaja dhe nga fëmijët tuaj janë armiq tuaj, andaj kini kujdes ndaj tyre.” [Et-Tegabun: 14] Gruaja dhe fëmija në këtë rast janë  por ata janë luftë, jo ndihmë.

Lidhur me jobesimtarët, Allahu i Plotfuqishëm thotë: Mos t’iu bën përshtypje as pasuria e tyre, as fëmijët e tyre! Allahu dëshiron vetëm t’i ndëshkojë ata nëpërmjet tyre në jetën e kësaj bote dhe që shpirtrat e tyre të dalin duke qenë jobesimtarë. [Et-Teube: 55]. Në sytë e njerëzve, gruaja dhe fëmijët janë shkak lumturie, pra si mund të jenë ata shkak ndëshkimi në këtë botë para botës tjetër? Shkaku në këtë rast është shndërruar në të kundërtën e tij.

Le të kthehemi te pyetja jonë: Cili është ndryshimi midis njerëzve që marrin shkaqet dhe profetëve e njerëzve të drejtë  kur marrin këto shkaqe? Njerëzit e tjerë janë të lidhur pas shkaqeve deri në pikën e varësisë. Nëse e humbasin shkakun, ata humbasin edhe shpresën dhe bëhen të hutuar, të dëshpëruar dhe të hutuar.  Ata as nuk mund të shohin e as të dëgjojnë siç duhet.  Ndërkohë, profetët dhe besmitarët e drejtë e shohin se shkaku nuk e tejkalon që qenurit shkak, dhe se nuk është ai arsyeja e vetme që do t’i çojë ata drejt qëllimit të tyre. Ka shkaqe të tjera që ne nuk i dimë apo nuk i shohim, të cilat Allahu i Plotfuqishëm i përgadit për robërit e Tij të drejtë. “Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës; Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë!” [El-Feth: 7] ,  ”Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd.” [El-Muddeththir: 31]

Kur shkaqet materiale shterren: Një mësim nga Shpella e Thevrit

Le të kujtojmë   Profetin dhe shokun e tij në shpellë, kur përderisa politeistët i arritën ata  Ebu Bekri i tha: Nëse ndonjëri prej tyre do të shikonte nën këmbët e tij, do të na shihte. Këtu ai i tha: “ Çfarë mendon, o Ebu Bekr, për dy njerëz që Zoti është i treti i tyre? ” [Sahihul Buharij: 3653].

Ata humbën mjetet e tyre tokësore ndërsa ishin në shpellë, pasi nuk kishte askush që t’i mbronte nga zemërimi i jobesimtarëve dhe nuk kishte asnjë mjet komunikimi përmes të cilit ata mund të kërkonin ndihmë nga dikush që do t’i ndihmonte. Megjithatë, Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, nuk e humbi bindjen  e tij në Zotin e tij, mbështetjen e tij tek Ai dhe besimin e tij se thesaret e Allahut të Plotfuqishëm janë plot mëshirë, mirësi dhe mbështetje. Besimtari nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të jetë me Zotin e tij në mënyrë që Allahu i Plotfuqishëm të jetë me të. Realisht ndodhi ajo që Allahu i Plotfuqishëm na ka treguar: “Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” [Et-Teube: 40]

E teprojmë kur mbështetemi te dashuria ose interesat dhe ndërtojmë shpresa të mëdha të cilat i fryn era që në provën e parë. Mbetemi të shkatërruar sepse planifikimi ynë ka dështuar dhe shkaqet tona janë shkatërruar. Ndërkohë, besimtari rivlerëson mbështetjen e tij te Zoti dhe bazimin e tij   vetëm tek Ai. A ishte i sinqertë në këtë? Ai gjithashtu rivlerëson arsyet e tij në lidhje me zgjedhjen e tyre dhe përdorimin më të  mirë të mjeteve të tij. A ishte koha e duhur që ai të ndërmerrë veprimin që synonte?

Kur shohim masat paraprake të Profetit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, na kujtohet thënia e të Plotfuqishmit: “Prandaj, kini frikë Allahun sa të mundeni” [Et-Tegabun: 16] dhe thënia e e të Plotfuqishmit: “Allahu nuk e ngarkon askënd përveçse me atë që është brenda mundësive të tij]” [El-Bekare: 286].

Pasi Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të , bëri gjithçka që mundi për t’i përgatitur ushtarët e tij shpirtërisht, psikologjikisht dhe ushtarakisht, ai hodhi një grusht dhe mbi armiqtë e tij në Betejën e Bedrit , duke thënë: ” U shëmtofshin ( i kaploftë llahtaria) fytyrat e tyre! O Zot, tmerroji zemrat e tyre dhe dridhjau këmbët! Kështu armiqtë e Zotit u mundën, nuk u kthyen prapa, ndërsa muslimanët vrisnin dhe merrnin robër. Asnjëri prej tyre nuk mbeti, përveçse fytyra dhe sytë e tij ishin të mbushura, duke mos ditur se kah po shkonin shkau i syve të tij.”[ Sahih Muslim:1777]

Sa e fortë mund të ishte Merjemja kur lindi fëmijën e saj, dhe i erdhën dhimbjet e lindjes, e ku e di ti se çfarë janë dhimbjet e lindjes?! Megjithëatë  i Bekuari dhe i Lartësuari i tha asaj: “ Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!” [Merjem: 25] Kjo fjali fisnike kuranore na udhëzon drejt faktit se pavarësisht se sa i dobët është një person, Zoti i Plotfuqishëm i jep atij forcën për të ruajtur jetën e tij.

Kur një musliman me të vërtetë kërkon strehim tek Allahu i Plotfuqishëm, Allahu zbret bekimet e Tij dhe  nga e pakta bën  shumë . Sa iu përket besimtarëve Allahu thotë: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” [El-Bekare: 261] Ajo që ata shpenzojnë është në përshtatshmëri me atë që kanë, dhe Allahu e pranon atë me pranim të mirë dhe shumëfishon frytet e saj në këtë botë dhe në botën tjetër. Në të kundërt, Allahu i Plotfuqishëm i pengon përpjekjet e jobesimtarëve: “Në të vërtetë, jobesimtarët e shpenzojnë pasurinë e tyre për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë, por në fund ajo do jetë vetëm dëshpërim për ta, sepse do të jenë të mundur. Ata që nuk besojnë, në Xhehenem do të tubohen,” [El-Enfal: 36] Këta shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e Allahut, nërsa  ata shpenzojnë pasurinë e tyre për t’i larguar njerëzit nga rruga e Allahut.

Shkaqet-sebebet specifike të myslimanëve  për të shtuar bekimet dhe zhvillimin

Përderisa njerëzit në përgjithësi kanë arsyet e tyre rreth të cilave janë pajtuar, myslimanët kanë edhe  arsyet e tyre specifike që ata i ndjekin. Ata e mësojnë këtë nga feja e tyre, realiteti dhe mjedisi i tyre përreth. Ata zgjedhin shkaqet  që do t’i çojnë drejt qëllimeve të tyre. Jo çdo mjet është i përshtatshëm për t’u përdorur, pavarësisht se sa efektiv mund të duket. Një qëllim fisnik duhet të ketë edhe mjetet fisnike, pasiqë qëllimet fisnike nuk i justifikojnë  mjetet e liga.

Ndër arsyet që myslimanët përdorin për të arritur qëllimet e tyre të zhvillimit është thënia e Profetit, paqja dhe bekimet qofshin mbi të   : “Ruajtja e lidhjeve familjare, karakteri i mirë dhe të qenit një fqinj i mirë i begaton-gjallëron shtëpitë, dhe rrit jetëgjatësinë.”[Essilsetu Ssahihah: 519]

Planet e zhvillimit marrin në konsideratë burimet e disponueshme, të cilat mund të menaxhohen përmes huamarrjes ose partneriteteve, dhe mbështeten në kërkimin e burimeve, vendosjen e taksave ose shfrytëzimin optimal të energjive ekzistuese njerëzore dhe natyrore, uljen e shpenzimeve e kështu me radhë.

Muslimanët, në planet e tyre të zhvillimit, mbështeten në metodat e lartpërmendura por edhe në shkaqet  e përmendura në këtë hadith fisnik. Ne kemi parë se si ata që i ruajnë lidhjet familjare në bindje ndaj urdhrit të Zotit dhe kujdesit për farefisninë, ndërtojnë besim dhe e transformojnë marrëdhënien në forcë, rritje dhe mirësi që u sjell dobi të gjithëve.

Karakteri i mirë, të cilin Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, e konsideronte si shkak të zhvillimit, do të thotë, ndër të tjera: drejtësi sociale , mundësi të barabarta, bashkëpunim, ofrim mbështetjeje psikologjike dhe materiale, dashuri për të mirën ndaj të tjerëve, bamirësi. Poashtu nënkupton edhe dëlirësi, me anë të së cilës personi që e ka atë refuzon të shtrijë dorën e tij për sadaka, por përkundrazi krenohet me Zotin dhe punon shumë për të mos ia shtrirë dorën askujt. Kështu, fuqia punëtore rritet, radha e të varfërve zvogëlohet dhe forca e shoqërisë shtohet në fushën e dijes e punës, dhe pastaj rrota e zhvillimit kthehet përpara.

Lidhur me fortifikimin e qytetërimit dhe mbrojtjen e tij nga rreziqet, Zoti ynë tha: “ Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni,” [El-Enfal: 60], dhe Profeti i Tij tha: “ A triumfoni dhe furnizoheni   përveçse nëpërmjet të dobëtëve tuaj ?!” [Sahihul Buharij: 2986]

Çfarë mund të ofrojnë të dobëtit në një botë në të cilën fuqitë janë në konflikt? Personi i dobët e ndjen dobësinë e tij dhe është i sigurt se nuk ka fuqi as forcë përveçse me Zotin, ndërsa ai që mashtrohet nga forca e tij nxiton përpara me mendjemprehtësinë e tij të errësuar dhe rrugët e mendimit të bllokuara, ku as nuk dëgjon këshilltar dhe as nuk është në gjendje të vlerësojë forcën e armikut të tij, kështu që arroganca e vet e mposht atë më shumë sesa armiku i tij. Pastaj personi i dobët, pavarësisht se sa i dobët është, mund të  bëjë dua me sinqeritet dhe përkushtim, dhe ai mund të ofrojë këshilla dhe  shërbime që i përshtaten energjisë, aftësisë dhe përvojës së tij. Përveç kësaj  dëshira për shpërblimin e mirë te  Zoti e bën atë të pranojë punën dhe t’i përkushtohet asaj, përderisa  mund të gjeni të fortët, arrogantët që ikin prej punëve më të thjeshta nga përtacia ose frika.

Sa herë që një musliman ndriçohet nga drita e bindjes në Zotin e Plotfuqishëm dhe lutet: “O Zot, kërkoj strehim tek Ti nga shqetësimi, trishtimi, paaftësia dhe përtacia”, ku kërkon ndihmë nga Zoti i Plotfuqishëm, Zoti i Plotfuqishëm do ta ndihmojë, do t’i sigurojë mbështetje nga Ai. Kështu besimtari dhe do t’i përmbahet udhëzimit të Profetit, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të: “Kërko ndihmë nga Zoti dhe mos u bëj i paaftë.”[Sahih Muslim: 2664]

Allahu nënshtron  shkaqe të papritura

Ndërsa Islami ofron shkaqet e veta për cilësinë e jetës, përveç asaj që njihet nga njerëzimi, Allahu i Lartësuar, nga mirësia e Tij e madhe, ndodh të na jep  midis shkaqeve për të mirën e muslimanëve disa njerëz që edhe pse nuk besojnë në Allahun, Allahu, Më i Larti, i bën ata të nënshtruar ndaj Tij. Për shembull, kur muslimanët dhe  me ta të bijtë e Hashimit  dhe të Mutalibit duruan rrethimin në luginën e Ebu Talibit, Allahu, Më i Larti,  nënshtroi për ta  gjatë rrethimit disa që u dërgonin ushqim, sikurse që nënshtroi të atillë që do të ndihmonin në përfundimin e këtij rrethimi të padrejtë. Kësisoj një grup kurejshësh të cilët edhe pse nuk kishin hyrë  në Islam u ngritën dhe denoncuan dokumentin e padrejtë në të cilin kurejshët ranë dakord të embargonin Profetin, paqja dhe bekimet qofshin mbi të , dhe ata që ishin me të, derisa arritën ta ndërpresin këtë rrethim.

Muhamed Atijeh

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve