Manifestimi i dashurisë ndaj Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]

Dashuria është vepër e zemrës, mirëpo manifestohet dhe publikohet nëpërmjet sjelljes dhe veprave të njeriut.

Kjo dashuri manifestohet nëpërmjet këtyre gjërave:

Një: Përkrahja dhe nderimi

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ne të dërguam ty (Muhammed) dëshmitar, përgëzues dhe qortues. Që ju (njerëz) t’i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe atë ta përkrahni e ta respektoni, e (All-llahun) ta madhëroni për çdo mëngjes e mbrëmje”. (El-Fet’h: 8- 9).

Ibn Tejmiu [rahimehull-llah] tregon se fjala “tazir” është “emër përmbledhës i ndihmës, përkrahjes dhe mbrojtjes nga çdo gjë që e dëmton”. Kurse fjala “teukir” është “emër përmbeldhës i çdo gjëje që në vehte përmban qetësi, rehati nga madhërimi dhe nderimi. Të sillet me te me nderim, respekt dhe madhërim, duke e mbrojtur që mos të del nga dinjiteti”. (Sarimul-Meslul, fq. 422).

Nderimi i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka disa forma, prej tyre janë edhe këto:

1- Mos ngritja e zërit përmbi zërit të tij, [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“O ju që keni besuar, mos ngreni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju”. (El-Huxhurat: 2).

Saib ibn Jezidi thotë:

“Isha duke qëndruar në xhami e më ra me një gurë të vogël, e kur e ktheva koka, pashë se ishte Omer ibn Hattabi. Më tha: shko mi sjell ata dy njeri. I solla ata dy te ai, kurse ky i pyeti: nga jeni? Thanë: nga Taifi. Tha: po të ishit vendas do t’ju rrahja shumë fortë, e ngritni zërin në xhaminë e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]”. (Buhariu).

2- Dërgimi salavate mbi te.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam”. (El-Ahzab: 56).

Ky ajet na urdhëron të dërgojmë salavate mbi Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kurse urdhërimi domethënë se kjo vepër është obligim. Andaj Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Koprrac është ai që kur përmendem në praninë e tij nuk dërgon salavete mbi meje”. (Sahih, Ahmedi dhe të tjerët).

Dhe thotë:

“I nënçmuar qoftë njeriu që kur përmendem te ai nuk dërgon salavate mbi mua”. (Sahih, Ahmedi dhe të tjerët).

Dy: Mbrojtja e tij dhe sunnetit të tij.

Mbrojtja dhe përkrahja e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është një shenjë shumë e madhe e dashurisë dhe madhërimit të tij.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“(Ajo pronë) U takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe prej pasurisë së tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë prej All-llahut, dhe që ndihmojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, të tillët janë ata të sinqertit”. (El-Hashr: 8).

Sahabet [radijall-llahu anhum] kanë dhënë shembujt më të shkëlqyer në ktë drejtim. Ata kanë flijuar çdo gjë për te, kanë flijuar pasurinë, fëmijët edhe shpirtin, kanë flijuar për te në bollëk dhe në vështirësi, në kohë të volitshme dhe të pavolitshme. Librat e sires janë përplot me tregime të këtij llojit, gjëra që tregojnë kulmin e dashurisë dhe altruizmit. Sa fjalë të bukur tha Enes ibn Nedri [radijall-llahu anhu] ditën e Uhudit, kur u tërhjekën muslimanët:

“All-llahu im, kërkoj falje për atë që kanë bërë këta burrë (domethënë shokët e tij) dhe diferencohem nga ajo që kanë bërë ata (domethënë idhujtarët), pastaj u drejtua kah Sadi e i tha: O Sad ibn Muadh, xhenneti, pasha Zotin e Nedrit. E nuhas erën e xhennetit në Uhud. Sadi tha: o I dërguar i All-llahut, nuk munda të bëjë atë që bëri ai. Enes ibn Maliku thotë: Në trupin e tij i gjetëm tetëdhjet e ca goditje me shpata, shigjeta dhe shtiza. E gjetëm të vrarë dhe e kishin masakruar idhujtarët. Askush nuk e njohi përveç motrës së vet, e cila e njohu nga majat e gishtave”. (Buhariu).

Prej mbrojtjes së sunnetit të tij është: nxënia përmendsh, pastrimi i tij, mbrojtja nga devijantët, deformuesit dhe injorantët. Refuzimi i akuzave të të pafeve dhe atyreve që mundohen ta çvlerësojnë sunnetin e tij. Sqarimi i gënjeshtrave dhe hileve të tyre.

Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është lutur për ata që e bartin sunnetin e tij duke thënë:

“All-llahu ia shndërrit fytyrën njeriut që dëgjon thënien time dhe e kumton ashtu siç e ka dëgjuar. Sepse ndonjë njeri që i vjen lajmi i kumtuar e kupton më mirë se ai që e ka dëgjuar fillimisht”. (Sahih, Ahmedi dhe të tjerët).

Shkujdesi dhe mospërfillja në këtë segment është tradhti dhe aludon në dobësinë e besimit, madje edhe mosekzistimit të tij. Ai që pretendon dashurinë dhe nuk shihen te ai gjurmët e xhelozisë në nderin dhe sunnetin e tij, ai është rrenacak në këtë pretendim.

Tre: Besimi në lajmet që na i ka treguar.

Prej bazave të besimit dhe shtyllave të tija kryesore është besimi në pagabueshmërinë e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], në pastërtinë e tij nga gënjeshtra ose shpifja. Besimi në çdo gjë që na ka lajmëruar ai, qoftë ndodhi e kaluar, e tashme ose e ardhshme.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Pasha yllin kur ai bie (prej së larti poshtë)! Shoku juaj (Muhammedi që ju e njihni) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar (nga e vërteta). Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet”. (En-Nexhm: 1-4).

Thatësi e madhe, madje edhe kufër i madh është, nëse e akuzojmë ose e përgënjeshtrojmë atë që na e lajmëron. Andaj All-llahu [subhanehu ve teala] i ka qortuar idhujtarët duke thënë:

“Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos All-llahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve. Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Silleni pra ju një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”. Por ja, ata përgënjeshtruan atë (Kur’anin) pa e kuptuar dhe pa ju ardhur shpjegimi i tij. Po kështu, gënjenin edhe ata që ishin më përpara. Shiko si ishte përfundimi i zullumqarëve”. (Junus: 37- 39).

Në këtë kontekst është mirë të përmendet pozita e lartë që kanë pasyr dy pleqtë e sahabeve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Një ditë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u tregoi shokëve të tij një tregim duke thënë:

“Një çoban duke i ruajtur dhentë e tijai erdhi një ujk, ia mori një dele. Kurse ky e kërkoi derisa e ktheu mbrapa. U kthye ujku kah ai dhe i tha: kush mundet t’i ndihmojë sot kur ska çoban tjetër përveç meje? Kurse një njeri duke ecur me lopë të ngarkuar, iu drejtua lopa e i tha: unë nuk jam krijuar për këtë punë, por jamë krijuar për të lëvruar. Njerëzit thanë: subhanall-llah! Kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: unë i besoj kësaj edhe Ebu Bekri dhe Omer ibn Hattabi [radijall-llahu anhuma]”. (Buhariu).

Katër: Pasimi, respektimi dhe udhëzimi me udhëzimin e tij.

Në origjinë të gjitha veprat dhe fjalët e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duhet pasuar.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun”. (El-Ahzab: 21).

Ibn Kethiri [rahimehull-llah] thotë:

“Ky ajet është bazë e madhe për pasimin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në fjalët, veprat dhe gjendjen e tij. Andaj All-llahu [subhanehu ve teala] i ka urdhëruar njerëzit të pasojnë Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ditën e Ahzabit në durimin, qëndrimin, përgaditjen, luftën dhe pritjen e rrugëdaljes nga Zoti i tij [Azze ve xhel-le]”. (Ibn Kethiri, 3/ 475).

All-llahu [subhanehu ve teala] na ka urdhëruar ta pasojmë Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në shumë ajete, prej tyre është edhe ky ajet:

” Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merrnie, e çka t’ju ndalojë, përmbanju “. (El-Hashr: 7).

All-llahu [subhanehu ve teala] respektimin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e konsideron respektim të All-llahut, duke thënë:

“Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur All-llahut, e kush e refuzon, Ne nuk të dërguam ty roje kundër tyre”. (En-Nisa: 80).

All-llahu [subhanehu ve teala] na ka urdhëruar të kthehemi te ai gjatë mosmarveshjeve duke na këshilluar:

“O ju që besuat, bindjuni All-llahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te All-llahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë”. (En-Nisa: 59).

Hadithet e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] janë aq të shumta saqë arrinë gradën e tevaturit, të cilat na nxisin në pasim, respekt, udhëzim, madhërim të urdhërit dhe ndalesave të tij. Prej tyre janë edhe klëto hadithe:

“Kapuni për sunnetin tim dhe sunnetin e halifeve të drejtë dhe udhëzues. Kapuni për te me dhëmballë. Rujuni nga gjërat e shpikura, sepse çdo shpikje është bidat e çdo bidat është lajthitje”. (Sahih, Ahmedi dhe të tjerët).

Poashtu thotë:

“Faluni ashtu sikurse më shihni duke u falur”. (Buhariu).

Ose:

“Merne prej meje Haxhxhin tuaj”. (Muslimi).

Pra, respekti i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është shembull i gjallë dhe i vërtetë i dashurisë ndaj tij. Aq sa ma shumë shtohet dashuria ndaj tij aq ma tepër shtohet respekti ndaj tij. Andaj All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. (Ali Imran: 31).

Respekti është fryt i dashurisë.

Poeti thotë:

Bën mëkat ndaj Zotit, e pretendon dashurinë e Tij

Kjo me të vërtetë nuk pranohet me logjikë

Poqëse ke dashuri të sinqertë do ta respektoje

Sepse i dashuruari të dashurin e respekton.

Pesë: Gjykim me sunnetin dhe sherijatin e tij.

Gjykimi sipas sunnetit të tij është bazë e dashurisë dhe pasimi. Nuk ka besim ai që nuk gjykon sipas sunnetit dhe sherijatit të tij e i dorëzohet tërësisht këtij gjykimi.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht”. (En-Nisa: 65).

All-llahu [subhanehu ve teala] na ka sqaruar se prej shenjave të devijimit, lajthitjes dhe nifakut është largimi nga sunneti i tij, lërja e gjykimit sipas tij.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“A i vure re ata që mendojnë se besuan atë që të zbriti ty, dhe atë që zbriti para teje, se si dëshirojnë që mes tyre të gjykojë djalli, e duke qenë se janë të urdhëruar që të mos e besojnë atë. E djalli dëshiron t’i humbë në pafundësi. Kur u thuhet atyre: “Ejani (për të gjykuar) te ajo që e zbriti All-llahu dhe te i dërguari!” i sheh se si dyfytyrëshit ta kthejnë shpinën”. (En-Nisa: 60- 61).

Autor: Ahmed Suvejan

Përshtati: Bekir Halimi

Bekir Halimi,
24.5.2003