Florim ef. Mellova

Bismil-lahi’rr Rrahmani’rr Rrahim

Lavd-falënderimet, frikë- respektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është i Gjithëmëshirshëm në këtë botë e Mëshirues i Posaçëm në botën tjetër, Furnizues i Përgjithshëm e i Vetmi Bereqetdhënës. Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
O Allahu ! Kërkojmë mbështetjen Tënde nga katër gjëra: prej diturisë që nuk sjell dobi; prej zemrës që nuk frikësohet; prej një nefsi që nuk ngopet dhe prej lutjes që nuk pranohet! Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Sa herë që muslimanët e kanë lënë pas dore Kur’anin dhe Sunetin, kanë rënë pre e gjërave të ndaluara, fitneve, ngatërresave, mashtrimeve etj. Një prej këtyre dukurive që është shfaqur shumë herët dhe vazhdon të jetë e pranishme edhe sot në mesin e muslimanëve është edhe çështja e magjisë.
Jo rrallë herë ne dëgjojmë në ambientet tona familjare për njerëz të prekur dhe që vuajnë si pasojë e magjisë, për marrëdhëniet që kanë këta me magjistarët, për historitë e çuditshme që qarkullojnë rreth tyre, për bëmat dhe lëvizjet e pakuptimta të magjibërësve dhe klientëve të tyre.

Ç’është magjia?

S’ka diskutim që magjia është prej punëve të shëmtuara të shejtanit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Realiteti i saj konsiston në disa rite, veprime, fryrje, fjalë apo kode të caktuara që njihen dhe veprohen nga magjistarët.
Magjia është diçka e vërtetë që ekziston, por është mashtrim nga e cila veprohet. Ka për mision realitetin ta zhbën apo ta dominojë, Ajo ndikon në zemrën, mendjen, trupin dhe veprimet e njeriut të prekur prej saj. Ajo bëhet shkak për sëmundje, për ndarjen e burrit nga gruaja, grindje dhe mosmarrëveshje të ndryshme, konfrontime e përçarje në mes njerëzve madje në disa raste ajo bëhet shkak për vdekjen e personit, të gjitha këto vetëm me lejen dhe caktimin e Allahut të Lartësuar.
Magjia është shfaqja e së kotës në pamjen e së vërtetës.
Që magjia ekziston dhe është e vërtetë ne lajmërohemi nga ajetet kur’anore, prej të cilave përmendim ajetin 102 të sures Bekare.

“(E hodhën librin e Zotit) E ndoqën atë që e thonin djajt në kohën e sundimit të Sulejmanit. Po Sulejmani nuk ishte i pafé, shejtanët ishin të pafé, sepse u mësonin njerëzve magjinë. (ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babiloni dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thonin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bën i pa fé!” E, mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet, por pa lejen e Allahut me atë askujt nuk mund t’i bënin dëm …”
Muhamedi a.s thotë: “Largohuni prej 7 gjërave të cilat i shkatërrojnë punët tuaja…” Ndër to përmendi shirkun dhe magjinë.
Është e njohur edhe historia e Musait dhe magjistarëve të Faraonit. Gjithashtu, nga Kurani kemi edhe një argument tjetër në suren Felek:
“Mbrohem prej sherrit të atyre që fryejnë dhe lidhin nyja (magji).”

Si realizohet magjia?

Kjo është një marrëveshje mes magjistarit dhe shejtanit. Marrëveshje kjo e cila bëhet duke vepruar magjistari disa harame apo gjëra të ndaluara, të cilat ia kërkon këto shejtani si kusht për të bërë magjinë.
Këto të ndaluara janë nga më të ndryshmet e nga më të fëlliqurat, si: kufri, shirku, të shkruarit e ajeteve të Kur’anit me gjakun e menstruacioneve, të shkruarit e ajeteve të Kur’anit mbrapsht, të shkruarit e nuskave apo hajmalive me shkronja dhe fjalë të pakuptueshme, por me përmbajtje kufri dhe shirku, si dhe shumë e shumë gjynahe të tjera të pafundme. Të gjitha këto si bindje dhe nënshtrim për shejtanin në këmbim të magjisë.
Allahu na thotë në Kur’an:
“Ka pasur burra që kërkonin ndihmë prej xhinëve dhe ashtu ua shtonim arrogancën.” (Xhin, 5).
Argumentet e mësipërme tregojnë për realitetin e pamohueshëm të ekzistencës së magjisë, xhinëve e shejtanëve, të lajmëruar nga Allahu i Lartësuar dhe i dërguari i Tij (alejhi selam).

Magjia është sprovë

Duhet pasur parasysh se magjia është një nga sprovat e shumta që kalon njeriu në këtë botë, ashtu siç e përmendëm edhe më sipër kur dy engjëjt nuk ia mësonin askujt magjinë pa i thënë që ne jemi vetëm sprovë.
Sprova e magjisë mund t’i vijë çdokujt, nëse këtë e ka caktuar Allahu i Lartësuar. Pra, kjo do të thotë se magjia edhe pse me përpjekjen e magjistarit dhe njerëzve të tjerë smirëxhinj dhe të ligë, nuk mund të veprojë pa lejen e Allahut të Lartësuar.
Allahu i Lartësuar thotë: “…Por ata nuk mund ta dëmtonin askënd, përveç me vullnetin dhe lejen e Allahut…” Bekare, 102.
Ata të cilët merren me magji janë njerëz të prishur moralisht, të shëmtuar figurativisht, janë keqbërës të mëdhenj, shpirtligë, pabesimtarë, gjynahqarë,

Gjykimi i sheriatit për magjinë dhe magjistarët

S’ka dyshim që magjia është haram, rreptësisht e ndaluar. Ajo hyn në rrethin e shirkut për dy arsye:
-për shkak të përdorimit të xhinëve të cilët kërkojnë nga magjistari në këmbim të magjisë kryerjen e gjynaheve midis të cilave edhe kryerjen e shirkut.
-ajo përmban në vetvete pretendimin e njohjes së dijes së fshehtë (gajbit) nga dikush tjetër përveç Allahut dhe, padyshim, që kjo gjë konsiderohet kufër, ndaj dhe sipas sheriati magjistari duhet të vritet.
Muhamedi a.s na ka tërhequr vërejtjen për të mos shkuar tek magjistarët. Madje na ka lajmëruar për rrezikun që ata mbajnë e përhapin tek njerëzit.
Kështu, të gjithë ne jemi dëshmitarë për dëgjimin e ngjarjeve të ndryshme, për ata persona që frekuentojnë magjistarët, për sherrin, të keqen dhe fitnen që ata përhapin, si duke thënë që filani të ka bërë magji, duke futur përçarje midis burrit e gruas, vjehrrës e nuses, farefisit e të afërmve, etj.

Si të mbrohemi nga magjia?

Kjo gjë është e lidhur me praktikum dhe zbatimin e fesë. Muhamedi a.s na ka treguar si të mbrohemi dhe të shërohemi nga magjia.
Trajtimi me anë të Kur’anit dhe duave, është baza për shërimin e magjisë. Prej këtyre ne po përmendim leximin e sures Fatiha, ajetin kursij, dy ajetet e fundit të sures Bekare, dy suret e fundit të Kur’anit, si dhe ajete të tjera të shkëputura prej Kur’anit, sipas llojit të magjisë.
Duam të vëmë në dijeni se shërimin e magjisë me anë të Kur’anit nuk mund ta bëj kushdo. Këtë mund ta bëjnë dijetarët, nxënësit e dijes, të cilët kanë njohuri të mjaftueshme për të trajtuar secilën lloj të magjisë, kohëzgjatjen e trajtimit, si dhe elementë të tjerë të nevojshëm të mjekimit ligjor të magjisë.

O Allah ne të falenderojmë dhe nga Ti xhenetin Firdevs kërkojmë.
O Allah ne të gjithë po të lutemi që nga sehiret të ruhemi
O Allah po të lutemi dhe kërkojmë që sa të jemi gjallë me Kur’an të jetojmë.
O Allah me iman na forco dhe nga mëkatet na largo.
O Allah nga të mirat e Tua na furnizo dhe vizitën e Qabës na mundëso.
O Allah të sëmurit na shëro të vdekurit na mëshiro
Lutjet tona na prano dhe të gjithëve në xhenet na bashko.
O Allah zbukuroje moralin tonë Ashtu siç zbukurove krijimin tonë

Me 21.01.2011
Xhamia e Hadumit
Gjakovë.

Burimi