HYRJE
Raportet tona me Muhammedin a.s., janë përtej datave dhe shënimeve ceremoniale. Muhammedi a.s., për ne është referencë e fesë, e cila na duhet çdo ditë, që nga momenti kur zgjohemi e deri në momentin kur shkojmë për të fjetur. Më qartë, Muhammedi a.s., për ne është fe. Ai është lajmëtar i Zotit të cilin duhet ta respektojmë. Pavarësisht kësaj, ekziston një linjë emocionale e cila këtë lidhje tonën me Muhammedin a.s., e çon në nivele tjera, në nivele të dashurisë e mallëngjimit për të. Sot, në këtë hutbe, nuk do të trajtojmë dashurinë për Muhammedin a.s., por një shkak në mesin e shumë të shkaqeve që na çon tek kjo dashuri për të plotësuar kështu shkaqet tjera që i kemi trajtuara në hutbe dhe ligjërata të mëparshme. Fjala është për lutjet e Muhammedit a..s, për ithtarët e tij.
BRENGOSJA E MADHE PËR UMMETIN
Muhammedi a.s., nuk ishte thjesht një kumtues. Në Kur’an, përkushtimi i tij emocional për ithtarët, e nxjerr si një prind të mëshirshëm, i cili vuan pse ithtarët lajthisin e devijojnë. Allahu xh.sh., thotë:
﴿لَقَدْ جَاءكُمْ رَسُولٌ مِّنْ أَنفُسِكُمْ عَزِيزٌ عَلَيْهِ مَا عَنِتُّمْ حَرِيصٌ عَلَيْكُم بِالْمُؤْمِنِينَ رَؤُوفٌ رَّحِيمٌ﴾
“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” [Teube: 28]
Edhe pse fetarisht puna e tij ishte e kufizuar vetëm në kumtim, ai dëshironte që të mos linte asnjë mundësi pa e shfrytëzuar vetëm e vetëm që njerëzit të mos devijojnë. E kur njerëzit vazhdonin me mëkate, ai e përjetonte rëndë këtë aq sa ky përjetim e kishte dërrmuar emocionalisht. Allahu xh.sh., i drejtohet në Kur’an:
﴿فَلَعَلَّكَ بَاخِعٌ نَّفْسَكَ عَلَىٰ آثَارِهِمْ إِن لَّمْ يُؤْمِنُوا بِهَـٰذَا الْحَدِيثِ أَسَفًا﴾
“A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuran)?.” [Kehf: 6]
LUTJA NË ÇDO NAMAZ PËR UMMETIN
Përkushtimi i Muhammedit a.s., për besimtarët ishte madh dhe i përhershëm. Nuk linte mundësi pa mos e lutur Allahun për t’i falur dhe drejtuar në rrugën e drejt. Këtë e mësojmë edhe nga një rast shumë i veçantë me Aishen r.a. Kjo e fundit rrëfen:
Një ditë e pashë Pejgamberin a.s., të disponuar andaj i kërkova: O i Dërguari i Allahut, lute Allahun për mua! Ai u lut:
قال اللهمَّ اغفرْ لعائشةَ ما تقدَّم من ذنبِها وما تأخَّرَ وما أسرَّتْ وما أعلنَتْ
“O Allahu im, falja Aishes mëkatet e mëparshme dhe të ardhshme, të fshehtat dhe të dukshmet!”
Aishja r.a., (nga gëzimi) qeshi aq shumë saqë koka e saj ra në prehrin e të Dërguarit të Allahut.
“A të gëzon duaja ime?”- iu drejtua Pejgamberi a.s.
E si të mos më gëzojë duaja jote- iu përgjigj Aishja r.a.
Atëherë Pejgamberi a.s., tha:
واللهِ إنها لَدَعْوتي لأُمَّتي في كلِّ صلاةٍ
“Pasha Allahun, ajo është lutja me të cilën lutem për ummetin tim në çdo namaz!”[1]
Pejgamberi a.s., po betohet në Allahun xh.sh., se në çdo namaz lutet për ne që të na falen mëkatet. Çfarë tjetër po këtij përkushtimi të madh për ne mund ta ketë bërë që mos të harrojë kurrë, në asnjë namaz, të lutet për ne?
LUTJA NË ARAFAT
Lutje në vend të rëndësishme, në të cilat shpresohet pranimi i lutjes më shumë se në vend tjera, është ëndërr e secilit besimtar. Një nga këto vende është edhe Arafati, vendi ku mëshira e Allahut xh.sh., ofrohet për besimtarët si kurrë më parë. Megjithëkëtë, edhe në këtë vend, Pejgamberi a.s., nuk mendonte për vete. Brengë e tij ishim ne.
Në një prej haditheve qëndron se në muzgun e Arafatit Pejgamberi a.s., ishte lutur që Allahu xh.sh., ta falë ummetin. Duaja e tij ishte plotësuar. Allahu xh.sh., i ishte përgjigjur:
قد غفرت لهم ما خلا الظالم فإني آخذ للمظلوم منه
“I kam falur të gjithë, me përjashtim të zullumqarit sepse do të hakmerrem ndaj tij në emër të atij që i është bërë zullum.”[2]
LUTJA PREMI
Frika e Muhammedit a..s, për fundin tonë ishte e madhe. Ishte i vetëdijshëm për sprovat dhe mundësitë e lajthitjes. Kjo madje e bënte edhe të qajë. Imam Muslimi në Sahih shënon se një ditë Pejgamberi a.s., lexoi këto dy ajete:
﴿رَبِّ إِنَّهُنَّ أَضْلَلْنَ كَثِيرًا مِنَ النَّاسِ فَمَنْ تَبِعَنِي فَإِنَّهُ مِنِّي وَمَنْ عَصَانِي فَإِنَّكَ غَفُورٌ رَحِيمٌ﴾
“Zoti im! Ata vërtet i shmangin (nga rruga e drejtë) shumë njerëz. E kush më respekton mua, ai është i imi (në fe), e kush më kundërshton mua, atëherë Ti je që fal dhe që mëshiron.“ (Ibrahim, 36);
…dhe:
﴿إِنْ تُعَذِّبْهُمْ فَإِنَّهُمْ عِبَادُكَ وَإِنْ تَغْفِرْ لَهُمْ فَإِنَّكَ أَنْتَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ﴾
“Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robër Tu, e nëse u falë atyre, Ti je i gjithëfuqishmi, i urti.“ (El-Maide, 118)
I lexonte këto ajete ndërsa qante. Allahu xh.sh., e dërgoi Xhibrilin a.s., dhe i tha: O Xhibril, pyete Muhammedin se përse po qanë? – ndërsa Allahu e di pse qanë. Zbriti Xhibrili dhe tha: O i Dërguari i Allahut, çfarë të ka bërë të qashë? Tha: Ummeti im! Ummeti im, o Xhibril! Xhibrili u ngrit tek Allahu dhe i tha: Po qanë për ummetin e vet, ndërsa Allahu e di. Atëherë Allahu i tha Xhibrilit: Zbrit tek Muhammedi dhe thuaji: “Ne do të të bëjmë të kënaqur me ummetin tënd!”
Kjo lidhje e tij me ne e kishte bërë që të ofronte për ne edhe gjërat më të rëndësishme, mundësitë më të arta, privilegjet më të larta. Për çfarë saktësisht bëhet fjalë, ta shohim këtë hadith të shënuar në koleksionin e Muslimit:
لِكُلِّ نبي دَعْوَةٌ مُسْتَجَابَةٌ، فَتَعَجَّلَ كُلُّ نبي دَعْوَتَهُ وإنى اخْتَبَأْتُ دعوتي شَفَاعَةً لأمتي يَوْمَ الْقِيَامَةِ
“Secili pejgamber pas pasur (në dispozicion) një lutje të pranuar dhe secili prej tyre e ka shfrytëzuar këtë mundësi. Ndërsa unë e kam fshehur lutjen time që të jetë ndërmjetësim për ummetin tim në Ditën e Llogarisë.”
- Pra edhe atëherë kur ishte në sexhde dhe idhujtarët i hodhën ndyrësira në shpinë, nuk e shfrytëzoi këtë mundësi.
- Nuk e shfrytëzoi as kur e gjakosën në Taif.
- Madje as kur e larguan me dhunë nga Mekka që aq fort e deshi nuk u lut.
- Nuk u lut me këtë dua as në momente betejash.
Përballoi çdo gjë vetëm e vetëm që ne, në ditën më të rëndësishme, në ditën e daljes para Allahut xh.sh., të shpëtojmë.
PËRFUNDIM
Nëse ky është përkushtimi i Muhammedit a.s., për ne, nëse kjo është sakrifica e tij për ne, a nuk meriton ta duam edhe ne, ta pasojmë, të ndjekim rrugën e tij, që të përfitojmë nga këto mundësi?
——————————————
[1] Albani në Essilsiletu essahihah, 5/324, e konsideron hasen.
[2] Hadithi ka sened të dobët megjithëqë, siç përmendin disa verifikues, rrugët e shumta të transmetimit të tij e ngritin në shkallën hasen.