Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.
Të dashur vëllezër!
Hutbeja e sotme e mban titullin: “Lini gjurmë të mirë këtu në këtë botë dhe furnizohuni me kapital të dobishëm për botën tjetër!“
Sado që të jetoni, nuk do të bëheni pronar të tokës, por do të bëheni tokë (dhé). Por, edhe kur të bëheni dhé, ju nuk do të pushoni së ekzistuari, ju do të ekzistoni. Për këtë botë, për dynja, ju ekzistoni përmes veprave që keni bërë, kurse për botën tjetër, për ahiret, jetoni në kushtet për të cilat jeni angazhuar në jetën tuaj të kësaj bote. Kujtimi për ju mund të jetë i bukur ose i shëmtuar, në varësi të veprave që keni bërë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Thuaj: “Unë jam vetëm një vdekatar si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (el-Kehf, 110)
Mufesirët thonë se ky ajet ishte ajeti i fundit i shpallur i sures el-Kehf dhe se në të Allahu i Plotfuqishëm i drejtohet Pejgamberit (a.s.) me mesazhin: thuaju atyre që mohojnë pejgamberllëkun tënd se ti je vetëm njeri, se kurrsesi nuk i di sekretet e së kaluarës, siç janë tregimet për të rinjtë nga shpella, për Dhul-Karnejnin etj., nëse Allahu i Plotfuqishëm nuk do të kishte treguar për këtë. Zoti ynë është Një Zot, Ai nuk ka të barabartë me Të. Pra, kushdo që dëshiron ta takojë Atë, le të bëjë vepra të mira dhe në asnjë mënyrë të mos e barazojë askënd me Krijuesin gjatë kryerjes së veprave të mira.
Ka dy kushte që vepra jonë e mirë të pranohet tek Allahu i Plotfuqishëm. Kushti i parë është, që nijeti të jetë i pastër dhe i sinqertë, kurse kushti i dytë është, që vepra të jetë në përputhje me sheriatin. Në fakt, një vepër mund të jetë (dhe është) vepër e mirë, por është kryer në një kohë që nuk e lejon sheriati, ajo vepër nuk bën mirë, p.sh., agjërimi është vepër e mirë, por agjërimi në ditët e bajramit nuk e bën veprën të mirë. Prandaj, është e rëndësishme që çdo vepër të cilën e bëjmë t’i përmbushë dy kushtet themelore, në mënyrë që vepra jonë të jetë kapitali ynë kur të takohemi me Zotin e botëve.
Imam Ahmedi transmeton nga Sejjidi r.a., i cili thotë: “Shpesh rrinim me Pejgamberin (a.s.) duke folur për shumë gjëra. Një ditë mendimet tona ndryshuan për disa çështje, meqë rast Pejgamberi (a.s.) na tha: ‘A doni që t’ju tregoj atë që kam frikë për ju më shumë se dallimet tuaja në mendime?’ Ne i thamë: ‘Po, duam, o i Dërguari i Allahut.’ Atëherë, ai tha: ‘Nga shirku i fshehur, që ndonjëri prej jush të falet ose të bëjë një vepër të mirë, për hir të dikujt tjetër dhe jo për hir të Allahut.’
Transmetohet nga Ibni Mesudi (r.a.) se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush falet bukur para njerëzve, ndërsa kur është vetëm, falet shëmtuar, shpejt, pa e plotësuar namazin, atëherë kjo është mosrespekt ndaj Krijuesit.”
Transmeton Ebu Hurejre (r.a.) nga Pejgamberi (a.s.), nga Allahu i Plotfuqishëm, që do të thotë, se është fjala për hadith kudsijj, në të cilin thuhet: “Kush bën një vepër të mirë për hir të dikujt tjetër, Unë e refuzoj atë, sepse vepra i përket atij për të cilin është bërë.“ Imam Gazaliu në traktatin e tij “O djalosh!” i numëron këshillat drejtuar djaloshit, në fakt, të gjithë neve, duke dashur që kur të takohemi me Zotin e botëve, të jemi të furnizuar me vepra të mira. Ai thotë: “Sillu ndaj Allahut të Plotfuqishëm, ashtu siç dëshiron që shërëtori yt të sillet me ty; mos bëj atë që nuk do të doje që shërëtori yt të ta bënte ty.” E thjeshtë për t’u kuptuar dhe për t’u mbajtur mend. Prandaj, kur i bën diçka tjetrit, mendo dhe vepro ashtu sikur ai po ta bën ty, sepse nuk do të jesh besimtar i vërtetë derisa të dëshirosh për tjetrin atë që dëshiron për vete. Në atë fabrikë, në atë vend pune ku je, puno ashtu siç do të dëshiroje që dikush tjetër të punonte për ty. Imam Gazaliu vazhdon duke këshilluar dhe thotë: “Qëllimi yt kryesor në nxënien e diturisë le të jetë që ta jetosh atë që e ke mësuar.” Çfarë dobie ka dituria që nuk jetësohet, çfarë dobie ke nëse ti e di se duhet të falesh dhe di të falesh, por nuk falesh. Çfarë dobie ke nëse e di se agjërimi është farz, i di rregullat e agjërimit, por nuk agjëron. Çfarë dobie ke nëse e di se çka është mëkati, i di pasojat e tij katastrofike, kurse të njëjtin e vepron. Çfarë dobie ke nëse ke mësuar se si pirja e alkoolit është e dëmshme për trupin, se si e shkatërron familjen, se si e shkatërron edhe shoqërinë, por ti përsëri atë e vepron.
Kur ta takojmë Allahun e Plotfuqishëm, të gjithë do të përballemi me pyetjen: “A ke vepruar sipas asaj që ke ditur?” Është e lehtë t’i mbajmë në mend këshillat që na i thotë imam Gazaliu: „Le të jetë qëllimi yt kryesor gjatë marrjes së njohurive, që ta jetësosh atë që ke mësuar.“ Po ashtu imam Gazaliu na thotë: „Sundoje pasurinë tënde, mos lejo që ajo të të sundojë ty, mos grumbullo pasuri, por grumbullo vepra të mira! Veprat janë gjurma jote në ketë botë dhe kapitali yt në botën tjetër. Lini gjurmë të mirë këtu në këtë botë dhe furnizohuni me kapital të dobishëm për botën tjetër!“
O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo që të gëzohemi në takimin me Ty! Amin!
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini