Falënderimi i takon All-llahut. Atë efalënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje ngaAll-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush eudhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran:102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e
gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin,se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.”
(En-Nisa:1)

“O jubesimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) jumundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.”  (El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut, kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr…

 

    Ligjet e Allahut mbi krijesat e Tij

Siç ka përcaktuar ligjet në gjithësi të cilën e krijoi, Allahu, xhelle shanuhu, gjithashtu ka vendosur ligjet dhe ka caktuar dispozita të cila nuk mund t’i ndryshojë asnjë nga krijesat e Tij.

Ai, subhanehu ve te’ala, do t’i marrë në pyetje krijesat për atë që kanë bërë dhe nga kjo marrje në pyetje nuk do të përjashtohen as pejgamberët, as të devotshmit. Allahu, xhelle shanuhu, thot:

Ne patjetër do të marrim në përgjegjësi ata, të cilëve u është dëguar (pejgamber), e do t’i marrim në pyetje edhe të dërguarit. Dhe duke e ditur mirë Ne do t’u rrëfejmë atyre (për atë që punuan), se Ne nuk ishim që mungonim (ishim të pranishëm) (7:6,7).

Prej ligjeve të pandryshueshëm të Allahut është se ai që e pason rrugën dhe fenë e Tij do të jetë i shpëtuar dhe do të ketë udhëheqje madje edhe nëse është rob, ndërsa ai që e braktisë udhëzimin e Tij dhe e pason rrugën e shejtanit do të devijojë dhe do të shkatërrohet, madje edhe nëse është sundimtar.

Ky është ligj i Allahut dhe në të nuk ka ndryshime. Ai, subhanehu ve te’ala, nuk i ka dhënë dënim një populli pos pas mëkateve të tyre, dhe Ai, ‘azze ve xhelle, nuk i ka shpëtuar nga dënimi pos për hir të teubes së tyre të sinqertë.

Ajo që ka të bëjë me individët në ligjin e Allahut, gjithashtu ka të bëjë edhe me popuj. Kështu populli i cili e pason udhëzimin, rrugën e shpëtimit dhe ligjin e Allahut, ai popull do të ketë sukses, do të ndihmohet në begati dhe mirësi ndërsa Allahu, xhelle shanuhu, do ta shtojë fuqinë dhe forcën e tij.

Mirëpo, nëse ai popull do t’ia kthejë shpinën udhëzimit të Allahut dhe do të pasojë devijimet, ai është shkatërruar dhe do të asgjësohet e poshtërohet. Mbi te do të mbretërojë vuajtjet për shkak të mëkateve të cilët i bëjnë dhe mosbindjeve ndaj Krijuesit i cili din çdo gjë.

Duke komentuar ajetin:

All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) për derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre (13:11). – Ibnul Xhevzijj deklaron: “Allahu, xhelle shanuhu, nuk do ta mënjanojë vuajtjen nga një popull përderisa ai të mos e braktisë mëkatin. Ndryshim nuk ka pos me ndryshim. Mbi ne lëshohen vuajtje për shkak të dhunës të cilën e shkaktojmë dhe mëkateve tona. Në këtë mënyrë Allahu hakmirret me dhunë.”

Duke komentuar ajetin:

Cfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqia), e për shumë të tjera Ai u falë (42:30). – Ibni Kethiri në tefsirin e vet e transmeton këtë hadith: “Kur është shpallur ky ajet, Resulullahu, sal-l All-llahu alejhi ve sel-lem, tha:

“Pasha Ate në dorën e cilit ndodhet shpirti i Muhammedit, nuk ka gërvishtje, as derdhje të djersës, as përdredhje të këmbës, pos për shkak të mëkatit, ndërsa Allahu falë shumë prej tyre.”

Ndërkaq El-Kurtubi duke komentuar ajetin e sipërshënuar në tefsirin e vet e thekson hadithin vijues:

“Cfarëdo vujajtje t’ju godasë, dmth. sëmurje, dënim ose bela në dynjallëk, kjo është për shkak të asaj që kanë fituar duart tuaja.”

Shembuj të tillë në Librin e Allahut ka shumë. Në çdo ajet ka porosi, në çdo rrëfim për popujt e kaluar është kanosje për ata cilët kanë vetëdije, cilët dëgjojnë dhe janë dëshmitarë të asaj. Ata që largohen nga Allahu, subhanehu ve te’ala, dhe i përkushtohen vetëm dynjallëkut, ata i pret shkatërrimi dhe dënimi i cili është i paevitueshëm. Ummeti islam është bartës i udhëzimit dhe udhëheqjes. Atë e ka zgjedhur Allahu, xhelle shanuhu, për bartës të shpalljes së Tij më të famshme dhe ia ka shpallur Librin më të famshëm i cili është dritë e qartë dhe porosi e urtë. Atij ia ka dhënë Pejgamberin më të famshëm, të zgjedhurin e Vet, Muhammedin, sal-l All-llahu alejhi ve sel-lem. Allahu, xhelle shanuhu, këtë ummet e bëri ummet i cili do të jetë dëshmitar:

Për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush (2:143).

Allahu, ‘azze ve xhelle, e ka zgjedhur këtë ummet dhe Ai, subhanehu ve te’ala, e din më së miri kujt ia jep Shpalljen e Tij. Ky është ummeti i cili e ka marrur sinqerisht emanetin mbi vete, e ka transmetuar vendosmërisht shpalljen dhe ka luftuar me xhihad të vërtetë në këtë rrugë. Prandaj Allahu, ‘azze ve xhelle, e ka nderuar dhe e ka bërë më të mirin nga të gjithë që janë lajmëruar ndonjëherë ndër njerëzit. Si Allahu, subhanehu ve te’ala, që i ka hapur zemrat kah islami, para tij i ka hapur portat edhe të shumë fortesave në të cilat kanë hyrë si ndërtimtarë, e jo si shkatërrimtarë, si ndihmtarë, e jo si kolonizatorë, si ata që vëllazërojnë, e jo si ata që sjellin përçarje dhe ndasi. Pushtetin dhe udhëheqjen e kanë pasur më se trembëdhjetë shekuj, e pastaj shteti i tyre u shkatërrua kur pushoi hilafeti. Mbi ta u sulën popujt jobesimtarë, siç sulen bishat mbi ushqimin e tyre, dhe i përçanë dhe i ndanë në popuj, pasi që ishin një ummet.

Kjo fe është e juaja dhe është e vetmja fe (e shpallur), kurse Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua (21:92).

Shtëpitë e tyre u ndanë midis shteteve, pasi që ishin një shtet në krye me kalifin në unitet dhe besim në një Krijues. Vuajtje pas vuajtjes u derdhën mbi ummetin tonë dhe njeriut i bëhej se ato nuk shkonin tjerakah pos në shtëpitë e tyre. Palestina, Kashmiri, Avganistani, Filipinet, Bosna, një pas një, gjithënjë në shtëpitë tona. Anarkia politike, ideore, morale, shoqërore… C’u bë me neve që i shikojmë të gjithë këto sikur të mos ishim fëmijë të këtij ummeti, fëmijë të parëve të famshëm të cilët e ngritën bajrakun e xhihadit dhe pushtuan duke e lartësuar dhe duke ofruar paqë, siguri dhe besim të vërtetë. Atëherë udhëheqja ndodhej në duart e tyre dhe zenin më se një të katërtën e botës duke u shtrirë në tre kontinente. Kur jepnin ndonjë urdhër, u bindej mbarë bota dhe kur ftonin në diçka u përgjigjeshin të gjithë.

C’ndodhi që kemi rënë në këtë hall? Jemi përçarë dhe mbi ne janë vërsulur armiqët siç sulen ujqit mbi viktimën e tyre. Njerëzit e prapë na kanë mposhtur dhe sundojnë mbi neve. Mirëpo, duhet ditur a jemi mbi ta dhe se ata janë të pavlerë te Allahu, ‘azze ve xhelle, ngase na jemi të zgjedhurit e Allahu, siç thot:

Ai ju zgjodhi ju (ju përcaktoi për të luftuar për rrugën e Tij) (22:78).

Ummeti ynë është shkatërruar, është ndarë dhe është paralizuar, është bërë plaçkë që është ndarë në popuj. Cilët janë shkaqet që na kanë sjellur në një dobësi kaq të madhe?

Këtu nuk do të bëjmë fjalë për shkaqet nga aspekti i sociologjisë dhe asaj që përmendë ajo si shkaqe të prapambeturisë dhe progresit. Gjithashtu, nuk do të bëjmë fjalë as për shkaqet historike të cilët kanë sjellur dobësi ndër muslimanë dhe humbjen e tyre të prioritetit të cilin e kanë gëzuar midis popujve tjerë. Me këtë shqyrtim i kthehemi bazës kryesore, ligjit kryesor, e ai është Sheriati i cili është burim i madhështisë sonë, bazë e krenarisë dhe historisë sonë, mbështetje jona dhe qëllim i jetës sonë. I kthehemi islamit, duke dashur të dëshmojmë për pikëpamjen e tyre në mënyrë që të kuptojë gjendjen në të cilën ndodhemi. Na është e njohur se Allahu, subhanehu ve te’ala, i ka vendosur ligjet e pandryshueshëm në botën në të cilën jetojmë, në gjithësi, në jetën e popujve, individëve dh bashkësive.

Ummeti i cili e pason rrugën e Udhëzimit, rrugën e famës, i cili frikohet nga Allahu, ‘azze ve xhelle, ai ummet e arrin qëllimin e caktuar dhe ate Allahu, ‘azze ve xhelle, e mbron dhe e ndihmon.

Gjithashtu na është e ditur se midis Allahut dhe krijesave të Tij nuk ka privilegje të posaçme. Allahut i afrohet ai që i bindet, ndërsa është poshtëruar ai që nuk i bindet. Ai që e pason rrugën e Allahut, xhelle shanuhu, atij Allahu do t’i japë fuqi, madhështi dhe do t’ia zbukurojë jetën.

Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij jetë të mirë (në këtë botë) (16:97).

Të vërtetën e ka thënë Allahu i Madhëruar, e çka ka më të mirë se jeta e muslimanit, çka ka më të dashur për Zotin e tij se jeta e tillë? Ky është caku të cilin e dëshirojmë në dynjallëk dhe në ahiret, ndërsa Allahu, ‘azze ve xhelle, është me ata që frikohen dhe me ata që kryejnë vepa të mira.

E dijmë se të pasuarit e shejtanit njeriun e shpie në poshtërim dhe shkatërrim. Prandaj për Allahun nuk ka krijesa më të shëmtuara se ata që e kanë braktisuar fenë e Tij dhe urdhërin e Tij.

Ahmedi në Musnedin e tij shënon nga Abdurrahman ibni Xhubejr ibni Nufejri, nga babai i tij, që thot: “Kur e pushtuam Kiprin banorët e tij u shpërndanë, andaj vajtonin njëri për tjetrin. E vërejta Ebu Derda’in se si rrinte vetëm dhe qante, andaj i thash: “O Ebu Derda, përse po qanë në ditën në të cilën Allahu e nderoi islamin dhe muslimanët?” Ai u përgjegj: “Mjerë ti o Xhubejr, për Allahun nuk ka krijesa më të neveritshme se ato që e kanë harruar fenë e Tij, ndërsa kanë qenë të fuqishëm dhe kanë pasur pushtet, mirëpo e braktisën urdhërin e Allahut dhe u bënë siç po sheh.”

Fjalët e Ebu-Derda’it na sqarojn shkaqet dhe arsyet e fshehura të shkatërrimit të ummeti tonë i cili ka pasur pushtet, fuqi, armë, fjalë e cila është dëgjuar, e kur jepnin ndonjë urdhër, mbarë dynjallëku u bindej. Mirëpo, kur e braktisëm urdhërin e Zotit tonë, i kundërshtuam kërkesat e fesë duke ndjekur rrugën e cila nuk na është caktuar, pësuam atë që po e shikojmë me sytë tanë: përçarje, poshtërim, vuajtje dhe shkatërrim. A ka në dynjallëk dhe ahiret ndonjë e keqe, e që shkaktarë të saj të mos jenë mëkatet, mosbindja dhe braktisja e urdhërave të Allahut? A ka përjetuar ndonjë popull, në të kaluarën dhe në të sotmen, ndonjë vuajtje pos për shkak të mëkateve dhe a ka dalur nga kjo krizë pos me pendim të sinqertë?

Nëse shikojmë në rrëfimet e Kur’anit, do të përballemi me shumë pyetje. Cka e nxorri Ademin dhe gruan e tij nga Xhenneti, shtëpisë së të mirave, në shtëpinë e vuajtjeve pos mëkateve dhe mosbindja ndaj Allahut të Madhëruar?

Biri i Nuhut është fundosur, ngase veprat e tij nuk kanë qenë të mira dhe nuk i bëri dobi mirësia e babait të tij. Cka e shkaktoi vallë erën që e përfshiu Adin duke shkatërruar çdo gjë para vete, duke bërë që të vdekurit të mbesin shtrirë në tokë si trupa të zbrazët palmash. Shtëpitë, të lashtat dhe arat e tyre të shkatërruara janë mësim për ata që vijnë pas tyre. Kjo është për shkak të asaj që kanë fituar duart e tyre, ndërsa Allahu, ‘azze ve xhelle, askujt nuk i bën të padrejtë.

Cka ishte shkak i dërgimit të zërit shurdhues në Themud, ashtu që zemrat u këputën, pos mëkatet dhe mosbindja ndaj Allahut?

Cka e ngriti vendin e popullit të Lutit ashtu që melekët ta dëgjojnë ulërimën e qenve të tyre, e pastaj Allahu, ‘azze ve xhelle, bëri që ajo që është lart të jetë poshtë, dhe t’i shkatërrojë, e pastaj mbi ta të derdhen shkëmbij nga qielli, duke u dërguar dënim të cilin nuk ia dërguar askujt më parë. Cka i ka sjellur deri te ajo që mëkatet dhe mosbindja ndaj Allahut të Madhëruar?

Cka ia zuri frymën faraonit të mallkuar dhe ushtrisë së tij në deti dhe ua transferoi shpirtrat në Xhehenem pos fodullëku dhe mëkatete?

Vallë nuk shikon vëlla i dashur, çka i ka gjetur popujt e mëparshëm prej dhimbjes, dënimit, deformimit, zjarreve katastrofike dhe mbytjes në det? A ka qenë kjo pos për shkak të mëkateve të tyre, ndërsa sot po kjo është lëshuar mbi ne ngase bëjmë mëkate të cilët i kanë bërë edhe ata. Disave ky mendim mund t’u duket i çuditshëm, ndërsa jemi zhytur deri në fyt në mëkate, Perëndimi na ka magjiosur dhe na i pasojmë të gjithë zakonet jobesimtare, traditën dhe mënyrën e jetës së tyre. Ajo që është e ndaluar nuk e konsiderojë të ndaluar, as haramin mëkat të madh. Përkundrazi, me disa mëkate madje krenohemi dhe stolisemi me disa harame.

Për këtë nuk duhet çuditur, meqë jetojmë në kohën e korrupcionit, kohën e telasheve, vuajtjeve dhe mungesës nga islami, kurse ata që e kanë përqafuar shoqëria i ka braktisur, gjersa në anën tjetër ekzistojnë të tillë që qartë ftojnë në Xhehenem.

Ibni ebi-Dunja e përmend transmetimin e Xha’fer ibni Muhammedit, nga babai tij, nga gjyshi i tij, thot: “Aliu kishte thënë: ‘Do të vijë koha për njerëzit kur nuk do të mbetet gjë nga islami pos simptomave të tij, as nga Kur’ani pos emrit të tij. Mesxhidët e tyre atëherë do të jenë përplot, ndërsa janë larg nga e vërteta, kurse të diturit janë keqësia nën kupën qiellore, prej tyre rrjedh përçarja dhe atyre do t’u kthehet.”

Përmendet hadithi nga Semaka ibni Harbi, nga Abdurrahman ibni Abdullah ibni Mes’udi, nga babai i tij:

“Kur të paraqitet kamata dhe zinallëku (kurvëria) në një vend, Allahu, ‘azze ve xhelle, i jep leje Vetes që ta shkatërrojë.”

Nga fjalët e Hasan el-Basriut janë: “Ku njerëzit të tregojnë dituri, por nuk do të punojnë sipas tyre, kur të dashurohen me fjalë, kurse me zemra të urrejnë dhe këpusin lidhjet familjare, Allahu, ‘azze ve xhelle, do t’i mallkojë dhe do t’i bëjë të shurdhër dhe të verbër.”

Ibni Maxhe shënon hadithin nga Abdullah ibni Omer ibni el-Hattabi, radijallahu ‘anhum:

“Kam qenë i dhjeti ndër muhaxhirë te Resulullahu, sal-l All-llahu alejhi ve sel-lem, kur Resulullahu, sal-l All-llahu alejhi ve sel-lem, u kthye kah na dhe foli: ‘O Muhaxherë, i lutem Allahut për pesë cilësi të mos i përjetoni:

– nuk është paraqitur korrupcioni në një popull, të cilin e kanë kryer publikisht, e të mos jenë sprovuar me murtajë dhe sëmurje të cilat nuk ishin të njohura te të parët e tyre.

– nuk e ka prishur asnjë popull marrëveshjen, e që Allahu të mos i ketë bërë që armiku t’i sundojë dhe ta përvetësojë pasurinë e tyre.

– nuk ka vjedhur asnjë popull në matje, e të mos jetë sprovuar më thatësi, uri të madhe dhe tirani të sundimtarëve.

– nuk e ka kundërshtuar një popull dhënien e zekatit për pasurinë e vet, e të mos u është ndalur lëshimi i shiut nga qielli, e po të mos ishte bagëtia kurrë nuk do t’u kishte rënë shi.

– nëse paria e tyre nuk gjykon sipas asaj që Allahu ka shpallur në Librin e Tij, Allahu do të bëjë që midis tyre të mbretërojë armiqësia.”

Të gjitha këto janë kanosje të rrezikshme dhe shembuj të denjë që njeriu të mendojë në mënyrë që muslimani t’i largojë prej veti shkaqet e shkatërrimit që i kanë përfshirë popujt tjerë, e të cilët kanosen të përsëriten mbi të gjithë ata që bëjnë atë që e kanë bërë edhe ata. Prandaj Kur’ani na tregon për popujt e kaluar në mënyrë që tiranët i pret dënim i madh, ndërsa Allahu, xhelle shanuhu, thot;

Përpara jush kanë kaluar popujt ndaj të cilëve janë zbatuar ligjet, ndaj, udhtoni nëpër tokë dhe shikoni si qe përfundimi i atyre që përgënjeshtruan. Ky (Kur’ani) është sqarim për njerëzit, është udhëzim dhe këshillë për të devotshmit (3:137,138).

Rrëfimet kur’anore ua ngrijnë zemrat atyre që tallen, mendjelartëve dhe mijsharëve duke përmendur prapësitë e Mushrikëve të cilët e injoronin Librin, të cilët gënjenin dhe talleshin. Allahu, ‘azze ve xhelle, thot:

A e vërejtën ata sa gjenerata para tyre i shkatërruam që Ne u patëm mundësuar atyre (komoditet) në tokë çfarë juve nuk ju mundësuam; u patëm lëshuar nga qielli shi me bollëk dhe u patëm bërë që të rrjedhin lumenj ndër ta, e për shkak të mëkateve të tyre i shkatërruam dhe pas tyre sollëm (breza) tjerë (6:6).

Gjithashtu na rrëfen edhe për faraonin dhe popullin e tij dhe thot:

Sa kopshte e kroje kanë lënë! Edhe ara të mbjella e vende të bukura. Dhe sa të mira që i kanë përjetuar. Ja, ashtu atë ua lëmë në trashëgim një populli tjetër. Për ta nuk qajtën as qielli e as toka dhe atyre nuk iu dha afat (44:25-29).

Pas faraonit trashëgimia i përket Davudit, alejhi-s-selam, i cili pendohet Zotit të vet, i bindet Atij dhe kryen vepra të mira, ndërsa Zoti ia bën hekurin të butë dhe i jep pushtet:

Ne i patëm dhënë Davudit dhuratë të madhe nga ana e jonë: “O male dhe shpezë, lartësoni (me tesbih) së bashku me të!” Ne ia zbutëm atij edhe hekurin (si brumë). (34:110)

(I thamë) Puno këmisha të plota (nga hekuri) dhe thurri me precizitet ato. Dhe bëni vepra të mira (o familja e Davudit), se Unë vëzhgoj atë që ju punoni (34:111).

Transmetohet nga Katade, radijallahu ‘anhu, që duke komentuar ajetin:

All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) për derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre (13:11) – të jetë thënë: “Ndryshimi vjen nga njerëzit, ndërsa lehtësimet nga Allahu dhe mos e ndryshoni atë që e keni nga begatitë e Allahut!”

Transmetohet nga Aliu, radijallahu ‘anhu, se Resulullahu, sal-l All-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Allahu i Madhëruar thot: ‘Pasha madhështinë, famën dhe ngritjen Time mbi ‘Arsh, nuk ka banor të një vendi, as shtëpi, as njeri në shkretirë që kanë bërë atë që e urrej dhe kanë shprehur mosbindje ndaj Meje e që pastaj janë kthyer duke bërë atë që e dua nga përkushtimi ndaj Meje, e të mos ua kam shndërruar atë që e urrejnë nga dënimi Im në atë që e adhruojnë nga mëshira Ime. As ka banor të një vendi, as shtëpi, as njeri në shkretirë, që kanë punuar atë që e dua nga përkushtimi ndaj Meje dhe pastaj janë transformuar duke bërë atë që nuk e urrej nga mosbindja ndaj Meje, e të mos ua kam shndërruar atë që e adhurojnë nga mëshira Ime në atë që e urrejnë nga dënimi Im!”

Shembuj të kësaj ka shumë në Kur’an dhe sunnet, ndërkaq që jemi dëshmitarë që mosmirënjohja për begatitë sjell zhdukjen e tyre, gjersa bindja ndaj Allahut, ‘azze ve xhelle, dhe mirënjohja për begatitë e Tij e shton begatitë dhe që robi më shumë i falënderon Allahut, subhanehu ve te’ala, Allahu ua shton furnizimin.

Para veti kemi Librin e Allahut i cili është i saktë dhe i cili na sqaron ç’ka ndodhur me popujt e mëhershëm, godinat e tyre të mëdha, kopshtet dhe pasuritë. Kur u larguan nga udhëzimi i Allahut dhe i pasuan pasionet e tyre, Allahu ua vulosi zemrat dhe begatitë ua zëvendsoi me dënim, sigurinë e tyre me frikë, pasurinë me varfëri, të mirën me të keqe, dhe krejt këtë për shkak të mëkateve të tyre. U shkatërruan, ndërsa Allahu, xhelle shanuhu, thot:

Populli Sebe pati një begati në vendbanimin e vet: kishin nga të dy anët kopshte, nga ana e djathtë (e luginës) dhe nga ana e majtë. Hani (u thamë) nga begatitë e Zotit tuaj dhe falënderonju Atij. Qytet i mirë dhe Zot mëkatfalës. Po ata i kthyen shpinën, e Ne e lëshuam kundër tyre rrjedhën e pendës dhe dy kopshtet e tyre i shndërram në dy kopshte me fruta të idhët, drunj të thatë dhe diçka pak bari të egër. Atë dënim ua dhamë atyre për shkak se nuk besuan, e Ne nuk dënojmë, përveç mohuesit (34:15-17).

Ky është vetëm një shembull i asaj që u ka ngjarë disa popujve kur u prapsën nga rruga e Allahut. Në këta ajete është përmendur tabloja e qartë e cila dëshmon për porosinë e madhe, argument kundër atyre që e pasojnë të pavërtetën, ndërsa udhëzimin atyre zemrat e cilëve e pranojnë të vërtetën.

Sura El-‘Ankebut na rrëfen për disa popuj të cilët Allahu, xhelle shanuhu, i dënoi për shkak të mëkateve të tyre, korrupcionit dhe mosbindjes ndaj Mëshirëplotit. Allahu, ‘azze ve xhelle, thot;

E pastaj, në ditën e kijametit pranë Zotit tuaj do të grindeni mes vete.

E kush është më mëkatar se ai që flet të pavërtetën ndaj All-llahut dhe se ai që kur i erdhi e vërteta e përgënjeshtroi? A nuk është në Xhehennem vendqëndrimi për jobesimtarët? E ai që e solli të vërtetën dhe ai që e vërtetoi atë, të tillët janë të ruajturit.

Ata te Zoti i tyre kanë çkado që dëshirojnë, e ai është shpërblimi i bamirësve. All-llahu do t’ua shlyej atyre edhe më të keqen që e punuan dhe do t’u jepë shpërblime më të mira për ata që punuan. A nuk i mjafton All-llahu robit të vet? E ata të friksojnë ty me të tjerët pos Tij. Po atë që e ka humbur All-llahu, për të nuk ka udhëzues! Atë që All-llahu e drejton, atë nuk ka kush e humbë; a nuk është All-llahu i gjithëfuqishëm që ndërmerr ndëshkime? Po nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e tokën, sigurisht ata do të thonë: “All-llahu!” Ti thuaju: “Më tregoni pra, për ata që i adhuroni, pos All-llahut, nëse All-llahu më godit mua me ndonjë të keqe, a munden ta largojnë ata atë të keqe, ose, nëse All-llahu dëshiron ndonjë të mirë ndaj meje, a munden ta pengojnë ata të mirën e Tij?” Thuaju: “Mua më mjafton All-llahu. Vetëm Atij i mbështeten të mbështeturit”. Thuaj: “O populli im, veproni sipas gjendjes suaj, e edhe unë veproj sipas times e më vonë do ta dini, se cilit do t’i vijë dënimi që e poshtëron dhe do ta goditë dënim i përjetshëm!” (39:31-40).

Populli që i gëzonte të mirat pa falënderim u dënua në mënyrë që t’i rikthehet së vërtetës dhe të bëhet mirënjohës, mirëpo janë të pakët ata që behën mirënjohës. Njeriut që bën mëkat i ndalohet furnizimi dhe nuk gjen kënaqësi në ibadet për shkak të kësaj. En-Nesaiu, Ibni Maxhe dhe Ahmedi shënojnë se Resulullahu, sal-l All-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Me të vërtetë njeriut i ndalohet furnizimi për shkak të mëkateve të cilët i bën.” Ndërsa Vuhejb ibnul Verdi deklaron: “Nuk gjen kënaqësi në ibadet ai që është mos mirënjohës ndaj Allahut, subhanehu ve te’ala, as ata që janë të pabindur.”

Ibrahim ibni Ed’hemit, rahimehullah, i kanë thënë: “C’u bë me neve, bëjmë dua, por nuk na pranohen, ndërsa Allahu, tebareke ve te’ala, thot: “Më lutni, unë do t’u përgjigjem!” Ai tha: “Kjo është për atë që zemrat i keni të vdekura.” I thanë: “Po çka i bëri të vdekura?” Ai tha: “Tetë cilësi:

– e keni njohur të drejtën e Allahut, por nuk e keni zbatuar,

– lexoni Kur’an, por nuk punoni sipas kërkesave të tij,

– deklaruat se e adhuroni Resulullahun, sal-l All-llahu alejhi ve sel-lem, por nuk punoni sipas sunnetit të tij,

– deklaruat se i frikoheni vdekjes, por nuk përgaditeni për të,

– Allahu, xhelle shanuhu, thot; “Vërtetë shejtani është armiku juaj dhe merreni si armik!”, andaj iu bindët shejtanit në mosbindje ndaj Allahut të Madhëruar.

– deklaruat se i frikoheni zjarrit, ndërsa trupat tuaj i keni shpenzuar në punët që meritojnë zjarr,

– deklaruat se e doni Xhennetin, por nuk punoni për këtë,

– kur të ngriteni nga shtrati turpet tuaja flakni pas shpine, ndërsa ato të huaja i shpaloni para vetes, – dhe me këtë e zemëroni Zotin tuaj, andaj si do t’u ndihmojë?”

Në bazë të fjalëve të këtij besimtari të madh mund të themi se edhe te ne hasen këto veçori, kështu që edhe më të devotshmit prej nesh bëjnë dua, mirëpo ato nuk pranohen. I lutemi Allahut, ‘azze ve xhelle, të na mbrojë nga vuajtja dhe shkatërrimi i cili i gjen të pakujdesshmit që janë zhytur në mëkate.

shkëputur nga libri “Tema Islame”- Salih el-Kurdi

përktheu: Selim Sylejmani

©Drita e jetës-Gjilan-2001-Zekerija Abdullahu

Salih el-Kurdi,
6.4.2001