Të dashur besimtarë! Si popull kemi përjetuar ndodhi e momente të vështira dhe kemi kaluar nëpër kriza e luftëra, por kemi mbijetuar duke ruajtur identitetin tonë. Ndihemi krenar se i përkasim një kombi, ku në momentet më të vështira të ekzistencës së tij, ka ditur të bëjë kthesa në jetë që lanë gjurmē të pashlyera në historinë e kombit tonë.
Njëra prej atyre momenteve të rëndësishme është Lidhja e Prizrenit, e cila në momentet më të vështira që po kalonte kombi ynë, diti të ngritë zërin për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar dhe e ngriti çështjen e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare!
Të nderuar besimtarë!
Lidhja e Prizrenit (1878) ishte një nismë e hoxhollarëve, muderrizëve dhe intelektualëve myslimanë të vendit tonë, të cilët të prirë nga besimi dhe ideali i tyre u bashkuan për interesin e shqiptarëve. Ata ishin burra që kishin iman dhe ia kishin dhënë besën Zotit:
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut…”
Sa frymëzuese janë aktet e disa njerëzve që arrijnë të përdorin urtësinë dhe mençurinë e tyre në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe në mënyrën e duhur, për ta shpëtuar një popull të tërë. Myderrisi haxhi Ymer ef. Prizreni, kishte marrë përgjegjësinë që popullin shqipëtarë ta ruaj nga skenarët e kobshëm që ishin përgaditur nga armiqët tanë.
Vëllezër besimtarë!
Historianët, politikanët dhe njerëzit tanë që iu vjen turp të identifikohen si myslimanë, vazhdimisht janë munduar ta mbulojnë të vërtetën, duke mos treguar se Lidhja e Prizrenit është organizuar nga hoxhollarët dhe prijësit fetar. Ata nuk treguan se Lidhja e Prizrenitu mbajtë në xhami dhe në hapësirat e Medresesë. Ata nuk treguan se Lidhja e kishte të unifikuar identitetin kombëtar e fetar. Ata nuk treguan se kryetari i Lidhjes ishte hoxha dhe myderrisi i njohur Ymer Prizreni.
– Mësimet dhe mesazhet e lidhjes
1. Uniteti
Myslimanët ishin të bashkuar dhe uniteti i tyre nga të gjitha trojet shqiptare dha kontribut të çmuar. Çdoherë kur myslimanët ishin të bashkuar dhe pranë njëri-tjetrit, kjo sillte rezultat. Allahu përherë na thërret në unitet e bashkim:
“Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e Allahut, e mos u përçani!…”
2. Udhëheqja
Lidhja e Prizrenit udhëhiqej nga hoxhollarë e myderrizë të njohur të asaj kohe. Kjo nuk mund të fshihet e as të mohohet. Nuk duhet të ikim nga identiteti ynë fetar e as të kemi komplekse. Përkundrazi duhet mburrur e ndier krenar me identitetin tonë fetar. Ishte figura e pastër e myderrizit Ymer Prizreni që bashkoi myderrizët dhe intelektualët e asaj kohe. Kjo na tregon se kur lideri është figurë e pastër dhe shembëlltyrë, atëherë pasuesit e kanë më lehtë të mblidhen rreth tij. Ai që iu prin masës duhet të jetë shembëlltyrë për të qenë i pranuar në popull. Zatën nuk e përmendi kot Allahu shembëlltyrën e Muhamedit a.s.: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut…”
3. Përkujtimi
Përkujtimi i asaj ndodhie na bën që të mos e harrojmë të kaluarën tonë dhe të mos largohemi prej identitetit tonë shekullur. Ai që e harron të kaluarën dhe ndodhitë e saj, mund t’i përsëritën të njëjtat. Kur kujtojmë të kaluarën, ndërtojmë të sotmen dhe kemi vizion për të ardhmen. Historia e lidhjes së Prizrenit na kujton se ishte një kohë e errët që armiqtë tanë kishin vendosur copëtimin e trojeve tona, e disa burra nga të gjitha viset u mblodhën dhe kundërshtuan një gjë të tillë. Kujtimi i saj na bën më syqelë dhe më të vëmendshëm, përndryshe nëse e harrojmë të kaluarën, mundet lehtë të na përsëritet.
4. E drejta nuk vdes përderisa ka njerëz që e kërkojnë atë
Mësimet e Allahut na tregojnë se duhet të jemi këmbëngulës në kërkimin e drejtave tona. Ato nuk vijnë nga lartë duke ndejtur ne, por ato fitohen kur ne nuk heqim dorë prej tyre. Ndoshta rezultati vonohet, por gjithsesi do të vijë. Ajo e drejtë që u kërkua në Lidhjen e Prizrenit nuk u ndal kurrë së kërkuari derisa pas më shumë se një shekulli u çlirua vendi ynë falë përpjekjeve të vazhdueshme për çlirim nga okupatori serb.