Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam përveç kontributeve në fushën e studimeve kërkimore në fushën e kulturës, filozofisë dhe artit Islam, është përqëndruar në trajnimin dhe përmirësimin e kurrikulave të teologëve, hoxhallarëve, imamëve dhe mësuesve të mësim-besimit islam, me qëllim të krijimit të kapaciteteve sa më të larta njerëzore dhe institucionale, për të ofruar një shërbim kombëtar më të avancuar në fushën e edukimit islam.
Në këtë kuadër AIITC organizoi më datë 26 mars 2013, në sallën e Amfiteatrit të AIITC seminarin me temë: “Lidershipi dhe të menduarit strategjik”, referues i të cilit ishte Dr. Abdurrahman Yamani nga Arabia Saudite. Qëllimi kryesor i këtij seminari ishte njohja e pjesëmarrësve me kuptimin e vërtetë të lidershipit dhe të të menduarit strategjik, me vlerat dhe virtytet morale e intelektuale që duhet të ketë një lider, për të ofruar një kontribut të suksesshëm, dhe për të përballuar me sukses sfidat që paraqiten para tyre.
Hapjen e këtij seminari e bëri zv.drejtori i AIITC Alban Kodra, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve në këtë trajnim të rëndësishëm për këdo, dhe më pas bëri një prezantim të referuesit, por gjithashtu dhe një prezantim të të pranishmëve për ligjëruesin e këtij trajnimi. Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm edhe Kryetari i Bordit të AIITC, Dr. Faruk Borova, Këshilltari Shkencor pranë AIITC, Bedri Telegrafi, si dhe i gjithë stafi efektiv i këtij instituti. Seminari u nda në katër seanaca: në seancën e parë u përcollën hapat e parë për përparimin e një lideri, ndërsa të tre seancat e tjera u përqendruan tek të menduarit strategjik.
Pas çdo seance pati pushime të cilat u shoqëruan me koktejle, në të cilat pjesëmarrësit patë mundësinë për të shkëmbyer opinionet e tyre në lidhje me çka u përcoll në seancën paraprake. Në seminar u trajtuan aspekte nga fusha ndërdisiplinare të komunikimit e mësimdhënies dhe të adminstrimit të resurseve të liderëve të nesërm për të rikompozuar idetë e thirrjes islame te gjithsecili pjesëmarrës, me teknika të komunikimit që përputhen me epokën sociale, teknologjike dhe industriale që po kalon bota sot. Në këtë mënyrë thirrësi islam që zotëron njohuri të avancuara rreth lidershipit në shoqërinë postmoderne, do iu mundësojë atyre përfshirjen aktive në ecejakjet e shoqërisë shqiptare dhe më gjerë, duke i bërë ata ekspertë të përshtatjes me shoqërinë dhe bashkë-ndërtues të së ardhmes.
Në këtë seminar morën pjesë hoxhallarë dhe teologë të mirënjohur shqiptarë, të cilët kryejnë detyrën dhe misionin e tyre në qytete të ndryshme të Shqipërisë si: Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë etj. Referuesi i këtij seminari, Dr. Abdurrahman Yamani, u përcolli të pranishmëve informacione, mënyra, rrugë dhe manuale adekuate për të qenë liderë të suksesshëm dhe për të pasur një vizion të gjerë dhe largpamës përgjatë të menduarit strategjik. Dr. Yamani është një figurë e njohur në Arabinë Saudite. Ai ka mbajtur poste të rëndësishme si: Drejtor Ekzekutiv i Burimeve Njerëzore dhe Sigurisë Industriale; Anëtar i Këshillit Bashkiak të Xhid-des, etj. Për momentin mban postin e zv.Kryetar i Kontrollit Qendror në kompaninë Ma’aden.
Në ceremoninë mbyllëse të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i AIITC, Dr. Ramiz Zekaj, duke i falënderuar për pjesëmarrjene në këtë aktivitet dobiprurës. Në përfundim të këtij trajnimi të pranishmit u pajisën me çertifikatë pjesëmarrjeje, ndërsa referuesit nga Arabia Saudite iu akordua një çertifikatë mirënjohjeje dhe vlerësimi nga AIITC, të cilën ia dorëzoi vetë drejtori i AIITC, Dr. Ramiz Zekaj. Punimet e këtij seminari ishin mjaft të suksesshme, ndërsa leksionet e çdo seance u pritën me mjaft interes nga pjesëmarrësit, të cilëve në përfundim të trajnimit iu dhurua nga një komplet librash nga botimet e AIITC.