- Kurani i madhërishëm është i ndarë në kapituj, por nuk është i ndarë në tema. Në fakt, duke qenë Fjalë e Allahut e Pakrijuar, pra Cilësi e Tij, nuk mund të ishte tjetërlloj,as nuk mund të përfytyrohej të ishte ndryshe, pra mosnjësimi i temave me kapitujt është veti e Kësaj Cilësie Hyjnore. (Le të kujtojmë që përveç sureve të shkurtra të Xhuzit Ame, emërtimet e sureve, nuk kanë funksion tematik por thjesht funksion topologjik: tregojnë vend, pra kanë karakter sinjalizues për të organizuar hapësirën e ligjërimit: historia e popullit të Musait a.s. me lopën është përafërsisht 1/30 e Bekares, sures të cilës i jep emrin.)
- Pra kemi një pohim me siguri absolute: Kurani ka një mënyrë të organizimit të ligjërimit të pakushtëzuar nga temat, nga i cili rrjedh sëpaku një pohim tjetër i një sigurie absolute: Kurani nuk është një traktat-një libër studimor (duke ditur se kompozimi tematik është cilësi bazë e traktateve). Kjo nuk do të thotë se Kurani nuk duhet të studiohet apo aq më pak që është i pastudiueshëm, por do të thotë se studimi iTij, është vetëm njëra nga format e marrëdhënies me Të dhe që si rregull është përmbushur nga Tradita e Madhe e Tefsirit. Nisur jo vetëm nga sa më lart, por edhe nga kuptimi i emrit Kuran si emrër i Librit të Zotit, vjen nga folja karra’e që do të thotë Lexim. Dhe megjithë kompetencën e dobët në arabishte të shkruesit të këtyre rradhëve, duket se për aq sa emri Kuran vjen nga fjala lexim, nuk bëhet fjalë për leximin në vetmi, kryesisht pa zë, që është kuptimi standard i termit lexim në shqipe dhe në përgjithësi në në gjuhët moderne dhe as për kuptimin e përzier që referon njëherazi edhe tek leximi pa zë edhe tek leximi me zë: bëhet fjalë ekskluzivisht për leximin me zë. Pra Libri i Zotit e ka emrin Kuran, sepse forma bazë e marrëdhënies sonë me të është leximi me zë.
- Nuancime të tilla të kuptimit terminologjik të emrit Kuran të Librit të Zotit, janë të rëndësishme (madje me një rëndësi të pallogaritshme), për aq sa mund të bëjmë fjalë për tri forma apo mënyra të marrëdhënies sonë me Fjalën e Zotit: Lexim me Zë, Lexim pa Zë dhe Lexim Meditues. Të trija format janë komplementare (përplotësuese), pra nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Por të thuash këtë kërkon të dish se a ka një rend apo rregull apo strukturë, për këtë përplotësim; pra duke qenë përplotësuese, a janë këto forma ekuivalente-njësoj të ndërkëmbyeshme mes tyre, apo ka një lloj rendi apo hierarkie që i dallon? Që do të kërkonte paraprakisht edhe mundësinë për të treguar se secila prej këtyre formave mundëson një marrëdhënie të ndryshme me Kuranin.
Ne duam të themi këtu se në fakt ka një hierarki të tillë, njohja e së cilës e përmirëson marrëdhënien tonë me Fjalën e Zotit, (dhe duke kërkuar ndjesë paraprakisht nëse rezulton e gabuar), mendojmë se forma kulmore e marrëdhënies së muslimanëve me Librin e Zotit është Leximi me Zë. Për aq sa janë komplementare, dy format e tjera janë në shërbim të kësaj forme bazë, në njëfarë mënyre janë të prejardhura prej saj (pra Leximi pa Zë dhe Leximi Meditues janë të prejardhura prej Leximit Me Zë). E rëndësishme është ta themi menjëherë premisën metodologjike që po ndjekim: në varësi të përcaktimit të duhur ose jo të kësaj hierarkie, përcaktohet nëse kemi ndërtuar marrëdhënien e duhur me Kuranin. - Si argumente në mbështetje të kësaj teze, si dy argumente, vijnë çfarë kemi thënë deri më tani më lart.Së pari pra argumenti etimologjik apo terminologjik, që vjen nga kuptimi preciz i termit Kuran në arabisht: meqenëse ky është emri i posaçëm me të cilin Zoti Vetë ka caktuar të emërtojë Fjalën e Vet, dhe duke qenë se me sa dimë kjo fjalë në arabisht do të thotë parasëgjithash Lexim me Zë, ose Lexim i Jashtëm apo Lexim i Dukshëm, apo Shqiptim (spelling), atëherë ka vend të pohohet se leximi me Zë është forma zanafillore e të qenit të Librit të Zotit (sa kohë jemi të pavetëdijshëm për dallimin thelbësor mes leximit me zë dhe leximit pa zë, mund edhe ta kalonim pa reflektim përse Zoti e quan Librin e Tij Kuran – që do të thotë Lexim me Zë; por posa bëhemi të vetëdijshëm për dallimin, emri Kuran i Librit të Zotit merr një domethënie të paçmuar.
Në të vërtetë duket se kjo pavetëdijshmëri ka përcaktuar një prej mangësive të muslimanëve në lidhje me Fjalën e Zotit : Leximi me Zë i Kuranit i është atribuuar ritualeve-përkatësisht namazit, fitimit të sevapeve dhe shijimit estetik të një retorike të pakrahasueshme.Nuk është vendosur lidhje domosdoshmërie mes Leximit me Zë dhe përpjekjes për t’u thelluar në kuptimet kuranore, sepse është marrë e mirëqenë se ky thellim vjen nga Leximi pa Zë dhe Leximi Meditues.Se në të vërtetë prej tyre vjen, për këtë nuk ka asnjë dyshim, por po aq e vërtetë është se pa asnjë dyshim këtë e bën edhe Leximi me Zë, madje mbërritja e kuptimeve përmes Leximit me Zë, është edhe kulminacioni i marrëdhënies sonë me Kuranin.
Për ta shpjeguar këtë duhet paraprakisht të shpjegohet diçka tjetër. Leximi me Zë është një term i përafërt ,nëmos i njëjtë me termin recitim, (që në shqip ka hyrë nga latinishtja dhe ka të njëjtin kuptim si në të gjitha gjuhët evropiane) i cili përmbushet përmes dy elementeve, mësimit përmendsh dhe deklamimit -shqiptimit me zë. Dhe në këtë kuptim ,nëse do të përktheheshsh si kalk, si fjalë e arabishtes dhe jo si emër i posaçëm për Fjalën e Zotit, në të gjitha gjuhët me leksik të rëndësishëm latin, emri Kuran do të përkthehej Recitim.Po ashtu termi recitim, e ka origjinën e tij tek termi citim i cili do të thotë riprodhim besnik i fjalëve apo tekstit të dikujt tjetër. Në frëngjisht madje ,prej termit citim, ka derivuar jo vetëm termi reciter-recitim, por edhe termi recit- tregim apo rrëfim. Rrënja e përbashkët dhe farefisnia semantike e termave reciter dhe recit konfirmohet përmes logjikës që të dyja janë riprodhim i deklamuar- me zë: recitimi është riprodhim i një teksti, kurse rrëfimi riprodhim i një ndodhie.Por ne na intereson në këtë moment çfarë kanë të ndryshme: si riprodhim i një teksti recitimi është riprodhim përmendësh, kurse si riprodhim i një ndodhie a situate, rrëfimi është riprodhim i përshtatur dhe i përllogaritur hap pas hapi i strukturës së realitetit për të cilin po raporton.
Për aq sa u bë e qartë e përbashkëta dhe e ndryshmja tek termat recitim dhe rrëfim, që të dyja të prejardhura nga termi cite- citim, mund ta përdorim për të vijuar shpjegimin e tezës sonë për ligjiërimin kuranor. Në përgjithësi ,ne si muslimanë e kemi bërë leximin me zë të Kuranit si një Recitim , pra si një formulë gjuhësore e riprodhuar besnikërisht në një moment të dytë pasi është mësuar më parë përmendsh. Pra leximi me zë i Kuranit ka qenë thjesht një akt verbal- i besnikërisë së riprodhimit, i dobisë joimediate dhe shijimit estetik. Kurse mundësia që Fjala e Zotit në Kuran përmes intensifikimit të kuptimeve të pashtershme që bart, të depërtojë, zbërthejë dhe strukturojë realitetin i është lënë Leximit pa Zë, kryesisht Leximit Meditues.
Problem është fakti se Leximi Meditues me të vërtetë e zgjeron dhe thellon në mënyrë të begatë fushën kuptimore të Kuranit, por duke qenë një lexim i parapërgatitur, që kërkon kohë ekstra,kontakt me burimet dhe referencat dhe sigurisht edhe qetësi e veçim, ai e ka të vështirë të jetë Me Kuran përgjigje e drejtpërdrejtë e realitetit, ngjarjeve dhe situatave ku përfshihen muslimanët. Kështuqë shpesh ky lexim rezulron të jetë recitim, riprodhim verbal dhe analogji po në rrafshin verbal mes formulave, pa ia dalë dot të bëhet një lloj tjetër citimi. Pra pa u bërë dot rrëfim, që do të thotë akt verbal që nuk riprodhon vetveten, por realitetin e ri me një tekst të përhershëm.Që është në thelb Ixhtihadi.
Këtë mund ta realizojë vetëm Leximi me Zë, leximi i përhershëm, i vazhduar i fjalës së Zotit, ashtu siç rekomandon vetë emërtimi që Zoti i ka vënë. Leximi me Zë nuk ka nevojë për një kohë shtesë, nuk ka nevojë për skrupulozitetin e referencave, nuk ka nevojë as për qetësi dhe veçim.Ai është I përhershëm dhe operativ si frymëmarrja , ndodh në të njëjtën kohë me realitetin dhe në mënyrë të natyrshme e synon atë.Por vetëm kaq nuk mjafton; Leximi pa Zë është gjithmonë një recitim, pra një riprodhim përmendsh, por fakti se nuk duhet të mjaftohet me këtë, nuk do të thotë se nuk ka nevojë për të, përkundrazi:nis dhe kalon medoemos përmes tij. Po ashtu, Leximi me Zë ka nevojë për njohje sa më të plotë të kushteve të përgjithshme të ligjërimit që po citon, në këtë rast të Kuranit, kështuqë ai nuk mund të neglizhojë njohjen e apologjetikës dhe skolastikës kuranore: esbabe, tefsir, referenca të standardizuara, struktura retorike, port ë gjitha këto janë pjesë e fondit që duhet të zotërojë paraprakisht, së bashku me hivzin, për të kulmuar me një Lexim me Zë, të pandërprerë, të angazhuar dhe inspiruar, ku shpallet me Fjalët e Përhershme të Zotit, e Vërteta e ndryshueshme e Realitetit.
Pra ky është rendi mes tri formave të Marrdhënies sonë me Fjalën e Zotit si Kuran: e nisim me Leximin me Zë si Recitim verbal përmendësh, e vazhdojmë me Leximin me Zë shoqëruar me Leximin e thjeshtë pa Zë dhe me Leximin Meditues dhe e finalizojmë me Leximin me Zë si Rrëfim, pra si përshkrim me një tekst deshifrues i kodeve gjithmonë në ndryshim që strukturojnë aktualitetin, pra si Ixhtihad që Me Kuran i jep formë realitetit. - Dhe fakti që Kurani nuk mund të ishte i ndarë në tema, jo thjesht se ai nuk është një Libër studimor, ku në përputhje me tezat që do të mbrohen renditen argumentet, por edhe sepse para se të jetë një Libër për t’u studiuar, ai është një Libër për t’u lexuar. Me një mënyrë leximi të veçantë pra me një lexim të përhershëm apo të vazhduar,ku recitimi-pra Leximi me Zë, është forma bazë. Me këtë lexim të vazhduar shpjegohet se përse në fakt është i ndarë në kapituj: kapitujt janë forma të organizimit – ndërtimit të ligjërimit (njësoj si ajetet) që shërbejnë si referenca apo sinjale për orientimin apo rregullimin e secilës herë të këtij leximi të vazhduar.
Ndarja në kapituj për jo në tema, do të thotë se temat janë të shpërhapura nëpër kapituj dhe kapitujt, që në thelb janë forma ndërmjetësuese për ta bërë të rrokshme formën e përgjithshme të Librit të Zotit, shërbejnë edhe si referencë e përafërt tematike.
Mosndarja në tema, shmang që lexuesi ta hapë Librin vetëm në ato raste kur ka një çështje të posaçme për të shqyrtuar apo kuptuar, duke shmangur kështu rrezikun e një sjellje që mund të nënkuptojë se Leximi i Librit, bëhet me raste, pra për konsultim, verifikim apo konsultë.Përkundrazi, kjo strukturë e Kuranit siç është, lejon si të natyrshëm vetëm leximin e vazhduar-pandërprerë, Me Zë, sepse e tillë, e vazhduar- e pandërprerë, duhet të jetë marrëdhënia e krijesës me Fjalën e Krijuesit.
Po ashtu, ky lexim i vazhduar-i pandërprerë, lejon si të natyrshme që lexuesi Të jetë tek Fjala e Zotit dhe jo Të shkojë atje herëpashere. Që mundëson që lindja e një shqetësimi apo e një çështjeje të ndodhë jo më përpara (dhe më pas vjen Kurani për ta zgjidhur) po gjatë kohës së Leximit të Librit. (Mund të supozosh se ti e gjen vetë se cila është gjëja të vërtetën e së cilës ke nevojë ta zbulosh, dhe pasi bindesh për këtë shkon tek Kurani. Kjo është diçka që ka ndodhur dhe do të ndodhë, por nuk është më e mira, sepse e limiton shumë potencialin kuptimformues të Kuranit).
Dhe kështu nevoja për ta zgjidhur këtë çështje shpërhapet përgjatë gjithë Leximit, me të trija Format njëherazi dhe me synim kulmimin e Leximit me Zë, duke shërbyer kështu si sebep për të rritur nevojën për ta kuptuar Kuranin në tërësinë e Tij, pra përmes leximit të vazhduar të Tij.Dhe vetëm kështu Kurani nuk është një libër biblioteke, por një libër jete,një ligjërim i gjallë që duke qenë i shkrirë me lexuesit e tij (sipas shembullit të Muhamedit a.s., si një Kuran që ecën) zbulon në kohë reale kuptimin dhe vlerën e botës dhe e ndryshon duke e rimodeluar këtë botë.
Pra vetë mënyra e organizimit të Ligjërimit Kuranor, nuk inkurajon që ai të jetë një libër kabineti që studiohet për të zbuluar ligje dhe formuluar parime e rregulla (pra pohime universale për çështje universal) paçka se Kurani e bën edhe këtë, por të jetë një libër që zbulon ligje të reja për realitete të reja. Analogjikisht: nuk është një Libër njohja e të cilit të bën studiues, por është një libër njohja me të cilin të bën aktualizues të realitetit.
Pra edhe organizimi jotematik i ligjërimit kuranor, na tregon të njëjtën: që marrëdhënia me Kuranin duhet të jetë permanente, në kohë reale me marrëdhënien që ka muslimani me kohën që jeton: Tëdyja këto marrrdhënie duhet të jenë njësoj intensive, se kjo është e vetmja mundësi që temat e shpërndara në Kuran të fitojnë të vërtetën e tyre: një organizim që apo një structure që nuk i zbulohet përveçse atij që nuk e neglizhon këtë fjalë për asnjë moment. Për ta thënë me termat tashmë të njohura prej nesh: Kurani është i gjithi i citueshë, gërmë për gërmë, fjalë për fjalë, ajet për ajet: ndarja në tema do të bënte që lexuesit t’i afroheshin me sigurinë e rreme të atij që ka një ide paraprakisht se çfarë ka aty.