Lehtësia e Islamit

Rezymeja e hutbes:

Islami është përmbyllje e ligjeve qiellore; synimi i lehtësimit; nocioni lehtësi dhe vështirësi; shenjat e lehtësimit në Kuran; manifestimi i lehtësimit te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem; lehtësimi sipas principeve dhe besimit të fesë; manifestimi i lehtësimit në dispozitat fetare; synimi nga adhurimet; detyrohemi të jemi të butë në të gjitha sferat; manifestimi i lehtësimit në raportet ndërnjerëzore; shkaqet e fanatizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit; kuptime të gabuara të lehtësimit.

Ju porosi dhe vetveten të jeni të devotshëm.

Keni frikë All-llahun, All-llahu ju mëshiroftë.

Kujdes nga shkujdesi, sepse secili njeri do të vdes e do të llogaritet. I përcjellim xhenazet, ndahemi prej tyre te varrezat, i kalb toka, kurse ne mbetemi pas tyre sikur do të jetojmë përgjithmonë. Andaj, merrni mësime, zgjohuni, sepse pas krenarisë ka poshtërim, pas jetës vdekje, e pas dynjasë ahiret. Çdo gjë ka llogari, çdo afat është i caktuar, çdo e mirë ka sevap, e çdo e keqe azab. Bëhuni gati për telashet e vdekjes, përmirësoni atë që ju ka ikur:

“A menduan ata, të cilët vepruan në të këqija, se në jetën e tyre dhe në vdekjen e tyre do t’i bëjmë të barabartë me ata që besuan dhe bënë vepra të mira? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre?”. (El-Xhathije: 21).

Musliman të nderuar!

Sheriati islam është përfundim i sheriateve, të cilin All-llahu, azze ve xhel-le, e ka sjellë për mbarë njerëzit, për mbarë botën, për meshkujt dhe femrat, për të fuqishmin dhe të dobëtin, për të pasurin dhe të varfërinë, për të shëndoshin dhe të sëmurin. Për këtë edhe ka ardhur i lehtë për ta kuptuar dhe zbatuar, vlen për mbarë njerëzit dhe të gjithë njerëzit mund ta zbatojnë. Feja islame është lehtësim pas vështirësisë, butësi pas ashpërsisë dhe ngritje e telasheve nga umeti.

Lehtësimi është synim i kësaj feje dhe veti e përgjithshme e sheriatit, ky lehtësimi vjen në lidhje me dispozitat dhe besimin e fesë, moralin dhe raportet ndër njerëzore, bazat dhe degët e fesë. Zoti ynë me begatinë dhe fisnikërinë e Tij nuk i ka ngarkuar me gjëra të vështira, nuk synon lodhjen e njerëzve, e ka zbritur fenë në bazë të principit të butësisë dhe lehtësimit.

Sheriati i All-llahut është besimdrejtë në tevhid, tolerante në vepra, andaj Atij i takon falënderimi dhe mirënjohja.

“… All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju…”. (El-Bekare: 185).

“All-llahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’u përballuar epsheve)”. (En-Nisa: 28).

“… Ai ju zgjodhi ju (ju përcaktoi për të luftuar për rrugën e Tij) dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi, në fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai edhe më parë, e edhe ky (Kur’an) ju quajti myslimanë, …”. (El-Haxh: 78).

Dispozitat e sheriatit gdhendin tek besimtari tolerancën dhe largimin nga spitullimi dhe stërngarkimi, varshmërinë e ngushtë nga All-llahu, mëshira dhe falja e tij.

“… All-llahu nuk ngarkon askënd, vetëm aq sa i ka dhënë; mirëpo pas vështirësisë All-llahu sjell çlirim (begati)”. (Et-Talak: 7).

Lehtësim është çdo vepër e cila nuk e lodh njeriun, kurse vështirësi çdo vepër e cila e lodh dhe dëmton njeriun.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Kjo fe është e lehtë, hyni në te butë”. (Ahmed, hasen).

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë:

“Feja më e mirë është më e lehta. Feja më e mirë është më e lehta. Feja më e mirë është më e lehta”. (Ahmed, hasen).

Musliman të nderuar!

Shenjat dhe manifestimet e lehtësimit shihen qartë në Librin Fisnik dhe personalitetin e Muhamedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, edhe atë në bazat dhe degët e fesë.

Sa i përket Kuranit, All-llahu, azze ve xhel-le, e ka lehtësuar leximin, kuptimin, analizën dhe meditimin.

“Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndokush që merr mësim?”. (El-Kamer: 17).

“Ne e bëmë atë (Kur’anin) të lehtë me gjuhën tënde vetëm që me të t’i përgëzosh të devotshmit, dhe me të t’i tërheqish vërejtjen një populli që është kryeneç”. (Merjem: 97).

Libri i All-llahut është i lehtë për ta futur në kujtesë, e perceptojnë mendjet, i nënshtrohen zemrat, kënaqen veshët me dëgjimin e tij dhe aspak nuk lodhen edhe pse në te ka sekrete dhe dije të imta të veçanta për dijetarët e thelluar në dije.

Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, All-llahu, azze ve xhel-le, e ka dërguar mëshirë për mbarë botën, ai është i mëshirshëm dhe i butë ndaj besimtarëve, kujdeset për ta, i dhemb ajo që i rëndon dhe u sjell vështirësi, ua largon prangat dhe përkufizimet që i kanë patë më herët.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“All-llahu nuk më ka dërguar të rënduar dhe fanatik, por më ka dërguar mësues dhe lehtësues”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ky Pejgamber ka thënë për veten e tij:

“Unë agjëroj dhe ha, falem natën dhe flejë dhe martohem me gra, andaj ai që largohet nga syneti im nuk është prej meje”. (Buhariu dhe Muslimi).

Sa i përket bazave të fesë dhe çështjeve të besimit, kërkesat e tyre janë të lehta dhe të qarta, siç është besimi në All-llahun, në ditën e mbrëmë, në caktimin e All-llahut për të mirë e për të keqe. Argumentet për këtë gjë janë të qarta, mjafton të shikojmë qiellin dhe tokën, e krijesat tjera, mjafton të shëtitmi anë a mbanë rruzullit tokësor e të marrim mësim nga popujt e mëhershëm, duke ndjekur hapat e muslimanëve të parë, të cilët nuk stërngrakoheshin me gjëra të kota e as që merreshin me parashtrimin e pyetjeve të shumta e as me divergjencat e ndryshme.

Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thotë:

“Kujdes nga fanatizmi dhe teprimi, e kapuni për fenë e vjetër”. (Daremiu).

Feja e vjetër, domethënë, feja në të cilën na la Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe në të cilën ishin shokët e tij të ngushtë. Kjo fe është e lehtë dhe larg fanatizmit, spitullimit, ekstremizmit dhe stërngarkimit.

Sa i përket dispozitave të sheriatit edhe ato kanë parasysh gjendjen e njerëzve dhe situatat e tyre, e dallojnë varshmërish me gjendjen e tyre duke patë në konsideratë a janë të shëndoshë a të sëmurë, vendas apo udhëtar, janë në zor apo jo. Adhurimi më i madh dhe më i rëndësishëm pas tevhidit është namazi. Kohët namazit kanë të bëjnë me agimin e mëngjesit, lindjen, hijen dhe perëndimin e diellit. Mes lindjes dhe perëndimit është kibleja. Nëse uji arrin dy kut atë nuk e ndytë asgjë. Nëse e ka vështirë ta përdor ujin, përdor tejemumin. Muslimani falet në këmbë e nëse nuk mundet në këmbë, atëherë falet ulur, e nëse nuk mundet as ulur, atëherë falet i shtrirë, sepse:

“… All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij,…”. (El-Bekare: 286).

Kur ka nevojë bën bashkimin e dy namazeve, drekën me iqindinë dhe akshamin me jacinë. Kur të është udhëtar namazin prej katër rekateve e shkurton në dy rekate.

Një herë i treguan Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për një grua e cila shumë falte namaz, kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, u përgjigj:

“Kujdes! Merrni përsipër veprat që mund ti realizoni. Pasha All-llahun, All-llahu nuk mërzitet derisa nuk mërziteni ju”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ai që del si imam para njerëzve le të falet lehtë, sepse pas tij falet ai që është i sëmurë, i dobët dhe ai që ka punë.

Agjërimi kërkohet vetëm nga ai që është i shëndosh dhe vendas, kurse për atë që është i sëmurë dhe udhëtar ka lehtësim:

“… E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju…”. (El-Bekare: 185).

Zeqati, haxhi dhe xhihadi janë obligim vetëm për ata që kanë mundësi. Haxhi, therja e kurbanit dhe bajrami bëhen së bashku me muslimanët.

Për gruan ka dispozita të veçanta që i përshtaten natyrës së sajë.

Lapsi nuk i regjistron veprat e të çmendurit, fëmijës, atij që është në gjumë, atij që gabimisht dhe në haresë e bën një vepër dhe atij që detyrohet ta bëjë ndonjë vepër.

Në origjinë çdo vepër është e lejuar dhe e pastër, vështirësia e sjell lehtësimin.

“… E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat…”. (El-Bekare: 173).

E keqja regjistrohet si një e keqe ose ia fal All-llahu, kurse e mira regjistrohet dhjetëfish e ma shumë.

Qëllimi i adhurimeve dhe veprave të mira është orientimi i shpirtit dhe ruajtja e tij nga devijimi dhe lakimi, e nuk është qëllimi numërimi e regjistrimi i tyre. Muslimani duhet të përpiqet dhe mundohet mesatarisht ti kryej detyrat dhe obligimet, nëse përqendron në rrugën e drejtë fiton.

Stabiliteti në fe arrihet me një sasi të lehtë të veprave të mira, të cilat e zgjojnë dhe i japin kënaqësi në adhurime, sepse kur njeriu futet në vështirësi dhe vepra të mërzitshme e humbë kënaqësinë e adhurimit dhe largohet nga shtytësit e frikërespektit. Sheriati na ka caktuar adhurime dhe vepra të mira të cilat natyrisht i pranon shpirti, madje e zgjerojnë gjoksin dhe gëzohen me to, sikurse është gëzimi me dy bajramet e në ditën e xhuma, ku lahemi, stolisemi e zbukurohemi me rroba të bukura dhe parfumohemi me parfume të këndshme, ne dhe xhamitë tona, e këndojmë Kuranin dhe e zbukurojmë zërin gjatë leximit të tij dhe gjatë thirrjes së ezanit.

“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin). Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që All-llahu i krijoi për robtë e vet?” Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në ditën e Kijametit janë të posaçme për ta. Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton”. (El-A’raf: 31- 32).

Musliman!

Muslimanët duhet të marrin rrugën e butësisë, përdëllesës dhe lehtësimit në të gjitha çështjet, pa lajka, pa bërë qejf e as neveri kundrejt të vërtetës dhe rrugës së drejtë. Lehtësoni në arsimim, edukim dhe thirrje në fe të All-llahut, silluni butë ndaj nxënësve dhe atyre që i thirrni.

Musai, alejhisselam, i ka thënë njeriut të mirë:

“…A pranon të vijë me ty, që të më mësosh nga ajo që je i mësuar (i dhuruar) ti: dituri të drejtë e të vërtetë?”. (El-Kehf: 66).

Pastaj i tha:

“…A nuk të thashë se nuk do të mund të kesh durim me mua?”. (El-Kehf: 72).

Lehtë tregoni detyrat e njerëzve, mos i ngarkoni me gjëra të rënda, përgëzoni e mos largoni, lehtësoni e mos vështirësoni, sepse çdo kund ku është butësia aty është edhe bukuria, kurse çdo kund ku mundon butësia aty është shëmtia.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“I ndalohet zjarrit të djeg secilin njeri të lehtë, të butë, të shoqërueshëm dhe të afërt me njerëzit”. (Sahih, Tirmidhiu).

Dijetarët, All-llahu u dhashtë sukses, duhet të kujdesen për këtë princip gjatë dhënies së fetvave, duhet të kanë parasysh gjendjen e atyre që pyesin dhe duhet t’i largojnë nga pozitat e vështira, normalisht duke mos injoruar të vërtetën dhe të saktën.

Rufjan Theuriu, rahimehullah, thotë:

“Dija është lehtësimi që të vjen nga njeriu i besueshëm, sepse vështirësimin e zoton secili”. (shiko Ibën AbduleBerin në Temhid).

Ibrahim Nehaiu, rahimehullah, thotë:

“Kur të vërsulen dy gjëra, mendo se më e dashura te All-llahu është më e lehta”.

Kurse Shabiu, rahimehullah, thotë:

“Nëse ke mëdyshje mbi dy gjëra, dije se më e lehta është më afër te All-llahu”.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“… All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju…”. (El-Bekare: 185).

Ai që hip në minber e merr kryet e kuvendit duhet të flet me butësi, të këshillon me urtësi e tu ndihmon njerëzve të kenë mendim të mirë për Zotin e tyre.

Feja më e mirë është ajo e lehta. Sjellja e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, me beduinin i cili urinosi në xhami është shembull për këtë gjë.

U tha shokëve të tij në lidhje me këtë rast:

“Mos e ndërpre, sepse jeni dërguar të lehtësoni”. (Buhariu dhe Muslimi).

Kjo është mëshirë gjatë thirrjes, fuqi gjatë argumentimit, sinqeritet gjatë këshillës dhe mirësi gjatë porosisë.

Musliman të nderuar!

I tërë sheriati i All-llahut është lehtësim dhe tolerancë. Mejdanet e lehtësimit nuk mund të numërohen. Sidomos në kapitullin e marrëdhënieve ndër njerëzore aty më së shumti del në shesh dhe më shumë kërkohet, andaj, All-llahu ju mëshiroftë, jeni të lehtë në kërkesat financiare gjatë përcaktimit të dhuratave martesore, mehrit, shpenzimit për familjen, kërkimin e borxhit, të drejtave, jepuni afat borxhlive, sepse ai që i lehtëson një borxhliut në dynja ia lehtëson All-llahu atij në dynja e ahiret, kurse ai që ia largon një brengë muslimanit, All-llahu i largon atij brengat e ditës së Kijametit, e ai që i mbulon muslimanit një të metë, All-llahu e mbulon në dynja e ahiret.

Lehtësoni punëtorëve, argatëve, nëpunësve, shërbëtorëve, e mos i angazhoni sa nuk munden, e nëse i angazhoni, atëherë ndihmojuni.

Paria, udhëheqësi, prindërit, burrat dhe secili që ka ndonjë përgjegjësi duhet të sillet butë ndaj atyre që i ka nën udhëheqjen e tij, të jetë i drejtë dhe tua fal, sepse kështu na mëson All-llahu, azze ve xhel-le, duke thënë:

“… po le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që All-llahu t’u falë ju?” (En-Nur: 22).

Të keqen kthejeni me të mirë, kurse nëse do të respektohesh urdhëro gjëra që mund të zbatohen, mos largo e as mos vështirëso, sepse:

“… e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, …”. (Ali Imran: 159).

Mos i llogarisni rrëshqitjet, pranoni arsyetimet, shikoni mes gishtave dhe pranoni njerëzit si të mirë.

Mundohuni tu përmbaheni këtyre rregullave me aq sa mundeni dhe përgëzoni, sepse All-llahu, tebareke ve teala, thotë:

“All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar!” (El-Bekare: 286).

Na bëftë dobi Kurani Fisnik dhe udhëzimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. E them këtë që dëgjuat dhe kërkoj falje te All-llahu për mua, për ju dhe për mbarë muslimanët për çdo mëkat dhe gabim, andaj edhe ju kërkoni falje prej Tij, sepse Ai është Falës dhe i Mëshirshëm.

II

E falënderojmë All-llahun, i cili e thotë të vërtetën dhe udhëzon në rrugë të drejtë. Atë e falënderoj dhe Ai më mjafton, sepse mbështetësi më i mirë është Ai.

Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka kush meriton të adhurohet përpos All-llahut, i cili është Një, pa ortak dhe rival dhe dëshmoj se zotëria dhe Pejgamberi ynë, Muhammedi, është rob dhe i dërguari i All-llahut, i cili ka sjellë lehtësimin, butësinë dhe përdëllesën. Paqja dhe lavdi qofshin për te, familjen e shokët e tij, të cilët ishin të udhëzuar, të devotshëm dhe të vlefshëm dhe pasuesit e tyre në mënyrë më të mirë deri në Ditën e Kijametit.

Vështirësimi, ngarkimi, fanatizmi dhe radikalizmi vjen nga mungesa e dijeve të thella dhe të mëdha të fesë, mos njohja e objektivave të sheriatit dhe synimeve të fesë. Kësaj mund ti bashkëngjitet edhe epshi i njeriut.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Çdo kush që do ta shtrëngon fenë, ajo do ta mundë atë, andaj hyni në te butë”. (Buhariu).

Ibën Muniri, rahimehullah, duke e komentuar këtë hadith thotë:

“Në këtë hadith kemi shenjë të pejgamberisë së Muhammedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, sepse e kemi parë ne dhe ata që kanë qenë para nesh se secili njeri ekstremist në fe është larguar nga feja. Kjo asesi nuk domethënë kërkimin e më të mirës dhe më të plotës në fe, sepse këto gjëra janë të lavdëruara, por ka për qëllim ndalimin e teprimit i cili e mërzit njeriun dhe teprimin në vepra vullnetare, i cili e shpien në braktisjen e më të mirës”. (shiko: “Fet’hul-Bari”).

Pa dyshim se prej shenjave të mungesës së kuptimit të fesë është edhe angazhimi i disa njerëzve dhe preokupimi me disa çështje dhe dispozita sekondare të fesë që kanë të bëjnë me adhurimet, kurse neglizhojnë dhe shpërfillin mëkate të mëdha dhe të njohura si të tilla te krejt, sikurse është Tibeti, bartja e fjalëve, shpifja, zilia, hulumtimi i gabimeve të tjerëve, kurthet ndaj atyre që u kundërvihen, ngrënia e pasurisë së njerëzve pa të drejtë, etj.

Musliman të nderuar!

Thirrja në lehtësim dhe vërejtja ndaj vështirësimit nuk domethënë thirrje në liberalizim total në çështjet e fesë, qoftë ajo që ka të bëjë me besimin, dispozitat apo moralin, apo ç’veshje totale nga dispozitat e islamit dhe mungesë e kontributit për përhapjen e fesë dhe ngadhënjimin e të vërtetës.

Nuk është lehtësim shpërfillja e edukimit të djemve dhe vajzave, braktisja e tyre në kthetrat e rrymave të ndryshme afetare dhe nihiliste, largimi i tyre nga mësimet e fesë, ose dhënia pas degjenerimit moral dhe pasionit me pretekst të civilizimit dhe mos komplikimit të gjërave.

Nuk është lehtësim kur dikush e paraqet tolerancën e islamit para armiqve të islamit kurse vet është i ç’veshur nga çdo rregull i Islamit e nga ana tjetër është maksimalisht i ashpër ndaj njerëzve të devotshëm dhe fetar, madje pretendimin e lehtësimit e shfrytëzojnë si mjet për luftë kundër njerëzve fetar, pengimin e thirrjes në fe dhe bllokimin e të vërtetës me pretekst të përputhjen me kohën dhe ndryshimet e shekullit.

Keni frikë All-llahun, lehtësoni e mos vështirësoni, jeni të matur dhe mesatar, e do t’ia arrini qëllimit.

Dërgoni salavate dhe selame Pejgamberit, i cili është sihariqdhënës, llambë ndriçuese dhe mëshirë e dhuruar për mbarë botën, sepse kështu ju ka urdhëruar Zoti juaj, duke thënë:

“Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam”. (El-Ahzab: 56).

Paqja dhe lavdi qofshin mbi robin dhe të dërguarin Tënd, Muhammedin, familjen e tij të pastër dhe shokët e tij fisnik. Amin!

Salih ibën Abdullah ibën Humejd, Imam dhe Hatib i Mesxhidul-Haramit, Mekë

Përshtati: Bekir Halimi

Salih ibën Abdullah ibën Humejd,
23.11.2007