Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.
Të dashur vëllezër!
Hutbeja e sotme e mban titullin: “Le ta bëjmë xhematin tonë si një koshere bletësh!”
Në një vend ishte një piktor i cili e kishte pikturuar një pikturë për të cilën mendonte se ishte e përsosur, pa gabime. Ai ishte aq i magjepsur me atë pikturë, sa që e mori dhe e vendosi në sheshin qendror dhe pranë saj shkroi: “Kush sheh ndonjë gabim në pikturë, le ta shënojë me ngjyrë të kuqe.” Kur piktori vjen në mbrëmje për ta parë pikturën, pa se piktura ishte krejtësisht e kuqe nga pikat e shumta. Ai u zhgënjye shumë. Nuk mund ta besonte atë që kishte ndodhur. Ashtu i zhgënjyer shkoi te mësuesi i tij të cilit i tregoi se çfarë kishte ndodhur. Mësuesi e dëgjoi me kujdes dhe i tha: “Vizato sërish të njëjtën pikturë, por tani shkruaje këtë: ‘Kushdo që sheh një gabim, le të marrë një brushë dhe ta bëjë një më të mirë!’” Piktori e pikturoi përsëri të njëjtën pikturë dhe e vendosi mbishkrimin që i tha mësuesi. Kur u kthye në mbrëmje, vuri re se askush as që e kishte prekur pikturën.
Të dashur vëllezër!
Ky është imazhi dhe mundësia e shumicës së komuniteteve, shumicës së xhemateve, madje edhe i komunitetit tonë dhe xhematit tonë.
Ekzistojnë tri grupe njerëzish.
Grupi i parë, që janë shumica e njerëzve, përbëhet nga ata që nuk përzihen në asgjë. Ata janë të mirë për të gjithë. Atyre nuk ju intereson, ose bëhen sikur nuk ju intereson, që fqinji ka bërë gjysmën e rrugës, dhe se ai djeg goma çdo natë dhe kështu na vret të gjithëve, përfshirë edhe veten. Atyre nuk ju intereson se si funksionon xhemati, si funksionon komuniteti, se si funksionon klubi. Ata thonë se të gjithë njerëzit janë të mirë, edhe ai që hedh mbeturina në arat, pyjet, lumenjtë dhe rrugët tona, edhe ai që i mbledh ato mbeturina, sepse nuk duan ta marrin mëri askend. Thonë se heshtja është flori. Nga njerëzit e tillë shoqëria nuk ka asnjë dobi. Ata nuk kundërmojnë as erë të mirë, as erë të keqe. Pejgamberi (a.s.) thotë: “Besimtari i cili përzihet me njerëzit dhe bën durim ndaj fyerjeve të tyre, është më i mirë sesa ai që nuk përzihet me njerëzit dhe nuk i duron fyerjet e tyre.”
Grupi i dytë, pak më i vogël, i njerëzve përbëhet nga ata që do të vendosnin pika të kuqe në çdo gjë që bëhet, qoftë në xhemat, në komunitet apo në klub. Për ata askush dhe asgjë nuk është e mirë. Të gjithë janë hajdutë, të gjithë janë injorantë, të gjithë janë të pandershëm… vetëm ata janë të mirë. Kurse kur u thuhet që të bëjnë diçka, për të treguar siç duhet, ata shmangen dhe thonë mos më thuaj mua, nuk dua unë të shkoj me hajdutët. Njerëzit e tillë jo vetëm që nuk i bëjnë dobi shoqërisë, por edhe janë të dëmshëm, sepse me bisedat e tyre dhe me energjinë e tyre negative fusin trazira në shoqëri. Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm, për shkak të hipokrizisë së tyre. Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!” (el-Bekare, 10-11)
Një i urtë ka thënë “Nuk ka nevojë për njerëz që japin këshilla, por ka nevojë për njerëz që japin shembull.”
Dhe grupi i tretë, më i vogli, por tek Allahu i Plotfuqishëm, grupi më i vlefshëm dhe më i mirë i njerëzve, janë njerëzit për të cilët Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Ata që kanë prirë (me besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet). – Ata janë të afërtit (tek Allahu), në kopshtet e kënaqësisë.“ (el-Vaki’a, 10-12) Ata janë njerëzit që janë aktivë në shoqëri; që janë të parët kur duhet për të bërë diçka, jo për të këshilluar, për xhematin, për komunitetin, për klubin; që janë të parët për të gjykuar ndonjë të keqe; që janë të parët kur fqinji ka nevojë për ndihmë; që janë të parët kur duhet për t’i hequr plehrat nga rruga.
Allahu i Plotfuqishëm në suren el-Asr thotë: „Pasha kohën! – Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.“
Të dashur vëllezër!
Këta njerëz nuk janë pa mëkate. Ata bëjnë shumë gabime. Por në vend që të heshtim nga shtrati i rehatshëm dhe kështu të jemi të mirë me të gjithë, apo vetëm të kritikojmë, le të bashkohemi me ata që janë të parët, gjithmonë të parët dhe t’i përmirësojmë gabimet e tyre me shembullin dhe punën tonë.
Vëllezër të dashur!
Mos të lejojmë që xhemati ynë dhe komuniteti ynë të jetë si shtëpia e merimangës, ku punon vetëm merimanga, por le të bëhemi si një komunitet milingonash apo si një koshere bletësh në të cilën të gjithë do të punojmë dhe do të përpiqemi sa të mundemi për të mirën e të gjithë neve. Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Vërtet, Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij, të radhitur si të ishin një ndërtesë solide.“ (es-Saff, 4)
I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na bashkojë në rrugën e vaprave të mira dhe të dobishme, kurse xhematin tonë, komunitetin tonë, klubin tonë dhe të gjitha shoqatat tona t’i bëjë unike, të forta dhe me prosperitet! Amin!!!