Allahu e urdhëroi Muhamedin ﷺ t’ua tërhiqte vërejtjen të afërmve të tij (t’i thërriste në fe). Allahu thotë:

﴿وَأَنذِرْ عَشِيرَتَكَ الأَقْرَبِينَ، وَاخْفِضْ جَنَاحَكَ لِمَنِ اتَّبَعَكَ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ، فَإِنْ عَصَوْكَ فَقُلْ إِنِّي بَرِيءٌ مِّمَّا تَعْمَلُونَ

Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty! E, nëse nuk të dëgjojnë, thuaju: “Unë nuk jam përgjegjës për ato që bëni ju.” (Kurani: Esh Shuara, 214-216)

Kështu, Muhamedi ﷺ filloi ta zbatojë urdhrin e Zotit duke thirrur njerëzit publikisht në fe dhe duke ua tërhequr vërejtjen të afërmve (nga dënimi i Zotit, nëse nuk besojnë). Muhamedi ﷺ u bë protagonist i një sërë qëndrimesh, nëpërmjet të cilave, në njërën anë, Allahu i Madhëruar shfaqi madhështinë e fesë islame, dhe, në anën tjetër, urtësinë e guximin e Muhamedit ﷺ si dhe çrrënjosjen e idhujtarisë, disfatën e idhujtarëve dhe poshtërimin e tyre deri në Ditën e Kiametit. Prej këtyre qëndrimeve të urta do të veçonim:

 

2.1. Ngjitja në kodrën Safa dhe thirrja publike

Ibn Abasi, radijallahu anhuma, rrëfen: “Kur qe shpallur ajeti:

﴿وَأَنذِرْ عَشِيرَتَكَ الأَقْرَبِينَ

“Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm” (Kurani: Esh Shuara, 214),

Profeti ﷺ qe ngjitur në kodrën Safa dhe pati filluar të thërrasë: “O bijtë e Fihrit! O bijtë e Adijit!” – i thërriste kurejshët, derisa u tubuan. Ata që nuk mund të shkonin personalisht, angazhonin ndokënd që të shkonte në vend të tyrin dhe të shihte çfarë ka (ngjarë që po thërret). Vajti Ebu Lehebi dhe kurejshë të tjerë. Atëherë ai (Profeti ﷺ) tha:

Çfarë mendoni? Nëse ju them se në luginë gjenden kuaj (kalorës) që duan t’ju sulmojnë, a do të më besonit?!

-Po, – ia kthyen, dhe shtuan: -Asnjëherë nuk na ka rënë të të provojmë ndryshe vetëm sesi të sinqertë dhe korrekt.

-Atëherë, unë, – tha Profeti ﷺ- jua tërheq vërejtjen para një dënimi të rëndë!

-Qofsh shkatërruar dhe të shkoftë huq e tërë dita! A për këtë na paske mbledhur?, – tha Ebu Lehebi.

Atëbotë, Allahu i Madhëruar shpalli:

﴿تَبَّتْ يَدَا أَبِي لَهَبٍ وَتَبَّ * مَا أَغْنَى عَنْهُ مَالُهُ وَمَا كَسَبَ

“Iu thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka! Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera.” (Kurani: El Mesed, 1-2)[1]

Në motërzimin e transmetuar nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu, qëndron se Profeti ﷺ i kishte thirrur të gjitha familjet, duke i thënë secilës familje (përfaqësuesit e saj): “Shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri…” Pastaj kishte thënë: “Oj Fatime (ime bijë), shpëtoje veten nga Zjarri, sepse unë nuk mund t’ju ndihmoj tek Allahu me asgjë, por thjesht jam familjar juaji dhe do t’i mbaj lidhjet (familjare mbi këtë bazë).[2]

Kjo thirrje universale është në kulmin e kumtimit dhe paralajmërimit (tërheqjes së vërejtjes për ndëshkim në rast mosbesimi). Profeti ﷺ ua shpjegoi njerëzve të tij më të afërm se lidhjet me të mund t’i mbajnë të gjalla vetëm nëse e vërtetojnë (besojnë në) këtë mision. Profeti ﷺ ua bëri me dije se fanatizmi farefisnor, për të cilin njiheshin arabët, ishte zhdukur apo shkrirë nga nxehtësia (serioziteti dhe objektivizmi) i këtij paralajmërimi të përcjellë nga Allahu i Madhëruar. Profeti ﷺ në këtë ngjarje madhështore i ftoi që ta pranonin Islamin për fe, siç i ndaloi nga adhurimi i idhujve, i nxiti për në Xhenet si dhe ua tërhoqi vërejtjen nga Xhehenemi. Meka pothuajse shpërthente nga zemërimi. Ishte përgatitur për ta “frenuar” këtë thirrje madhështore, e cila do të lëkundte me rrënjë adetet, traditat dhe trashëgiminë e saj prej injorance (xhahiliete). Por, i Dërguari i Allahut ﷺ nuk u mor shumë me qëndrimet dhe pozicionimin e tyre. Ai është i Dërguar e urdhri i Allahut duhet çuar në vend, edhe nëse e kundërshton tërë bota. Dhe kështu bëri ai ﷺ.[3]

I Dërguari i Allahut ﷺ vazhdonte ta kumtonte Islamin, ditën dhe natën, fshehurazi dhe haptazi, asgjë nuk e ndalte dhe nuk e pengonte nga kryerja e misionit të tij. I ndiqte njerëzit në takimet, tubimet dhe manifestimet e tyre. E shfrytëzonte sezonin e haxhillëkut, thërriste këdo që takonte: të lirin e robin, të fortin e të dobëtin, të pasurin e të varfrin, sepse për të të gjithë njerëzit ishin njësoj. 

Kurejshët e fuqishëm nuk kursyen ushtrimin e dhunës psikike dhe fizike, ndërsa Meka donte të shpërthente nga hidhërimi, ngase nuk mund ta paramendonte ndarjen nga adhurimi i putave dhe idhujve.[4] Por, përkundër kësaj trysnie e dhune, Muhamedi ﷺ nuk iu nda misionit të tij. Nuk e braktisi edukimin dhe përgatitjen e atyre që hynë në Islam. Takohej me ta në shtëpitë e tyre në nivel familjesh, por larg syve të kurejshëve. Përgatiste heronj, të cilët do të ishin të aftë dhe të gatshëm për ta bartur barrën e misionit dhe detyrimet që dilnin për përhapjen e Islamit. Kësisoj rrodhi themelimi i një shtrese të caktuar të besimtarëve të parë, të dalluar dhe të veçuar për besimin e tyre të fortë, për nivelin e lartë të përgjegjësisë, për nënshtrimin ndaj urdhrit të Zotit, për dëgjueshmërinë ndaj eprorit, për zbatimin dhe jetësimin e çdo gjëje që vinte prej tij ﷺ me dëshirën, dashurinë dhe vullnetin më të madh të mundshëm.

Me këto qëndrime plot urtësi dhe këtë edukim të shëndoshë e të çiltër, Muhamedi ﷺ ia arriti ta çonte amanetin në vend, të përçonte mesazhin, të këshillonte umetin, të angazhohej në rrugën e Allahut e të vendoste një metodologji dhe rrugë, të cilën do ta përshkonim në misionin, predikimin dhe raportet tona. Kjo, se ai është shembulli dhe prijësi ynë, sipas udhëzimit të të cilit veprojmë dhe me urtësinë e të cilit ndriçojmë.

Misionin e filloi me disa komponentë, që i zgjodhi e i edukoi dhe të cilët ia pranuan thirrjen e i besuan, për të vazhduar më pas me njerëzit në përgjithësi. Gjatë kësaj thirrjeje (këtij misioni) u fokusua tek ata që shihte ose shpresohej se kanë mundësi (ta bartin misionin), kështu që, nga komponentët në fjalë, rezultoi bërthama e bazës së fortë, mbi të cilën u vendosën shtyllat e davesë.[5]

Me gjithë këtë kontribut madhor, Muhamedi ﷺ,edhe pse kishte mundësi, nuk përvetësoi komplotin politik si mënyrë, as komplotin ndaj individëve të caktuar. Muhamedi ﷺ kishte mundësi të angazhonte ndonjë sahab për të mbytur ndokënd prej kokave të idhujtarëve, si: Velid ibn Mugire Mahzumiun, apo të tjerë, si: As ibn Vail Sehmiun, Ebu Xhehl ibn Amër ibn Hishamin, Ebu Lehebin, Nadër ibn Harithin, Ukbe ibn Ebu Muajtin, Ubej ibn Halefin, Umeje ibn Halefin etj. Këta, ndonëse ishin prej më të zëshmëve kundër myslimanëve, madje ishin prej atyre që ushtronin dhunë fizike kundër tyre, Profeti ﷺ nuk urdhëroi as vrasjen e tyre, as të ndonjë tjetri prej armiqve të myslimanëve. Kjo, se veprime sikurse këto mund të kenë efekte të rënda negative: mund të shuajnë njëherë e përgjithmonë komunitetin mysliman apo mund të vënë pengesa të pakapërcyeshme. Në këtë periudhë Profeti ﷺ nuk u urdhërua të luftonte kundër tyre, ngase kësisoj urdhëronte Allahu, më i Urti dhe më Dijshmi prej të gjithëve!

Kjo duhet të jetë metodologjia e thirrësve të çdo kohe e të çdo vendi. Ata duhet ta përvetësojnë metodologjinë profetike, pavarësisht se a bëhet fjalë për periudhën para apo pas migrimit. Rruga e qëlluar e davesë është t’u përmbahemi vlerave, udhëzimit, virtyteve, urtësive dhe veprimeve të Profetit tonë ﷺ, ashtu siç synonte, dëshironte e manifestonte ai.[6] 


[1] Ngjarjen e shënon Buhariu në Sahihun e tij, libri Et tefsir, kreu: “Ve endhir ashireteke-l-akrebine”, 8/501, hadithi numër 4770. Po ashtu, e shënon edhe Muslimi në Sahihun e tij, libri El Iman, kreu: Ajeti: “Ve endhir ashireteke-l-akrebine”, 1/194, hadithi numër 208. Shënim: Sa herë që përmenden koleksionet e Buhariut dhe Muslimit, për qëllim janë edhe komentarët e tyre, gjegjësisht Fet’hu-l-Bari, për Buhariun, dhe Sherhu-n-Nevevi, për Muslimin. Përkthyesi.

[2] Shih: Buhariu në Sahihun e tij, libri Et-Tefsir, kaptina Esh-Shuara, kreu: “Ve endhir ashireteke-l-akrebine”, 5/382; 8/501. Po ashtu, e shënon edhe Muslimi në Sahihin e tij, libri El Iman, kreu: Ajeti: “Ve endhir ashireteke-l-akrebine”, 1/192, hadithi numër 206.

[3] Shih: Err-Rrehik el-mahtum (f. 78); Fikhu-s-sireh, të Muhamed Gazaliut (f. 110) dhe Es-Siretu en-nebevijjetu durusun ve iber, të Mustafa Sibait (f. 47).

[4] Shih: El-Bidaje ve-n-nihaje (3/40).

[5] Shih: Et-Tarih el-islamijj, të Mahmud Shakirit (2/56).

[6] Shih: Et-Tarih el-islamijj, të Mahmud Shakirit (2/56).