Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimi i takon Allahut i cili e bëri natën dhe ditën konkurrencë për ata që përkujtojnë e falënderojnë. I ka dhënë sukses kujt ka dashur prej robërve të Tij, të jenë të bindur, të punojnë punë të mira e të jenë të pranuar. I ka poshtëruar ata të cilët ia kanë kthyer shpinën përmendjes së Tij dhe ndoqën pasionet, përfundimi i të cilëve ka qenë Xhehenemi i turpëruar.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut i vetëm dhe i pa shok, Atij i përket sundimi dhe falënderimi dhe për çdo gjë që Ai dëshiron është e realizuar; si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, e ka dërguar Allahu para Kiametit si përgëzues e qortues, si dhe thirrës në rrugën e Allahut me lejen e Tij dhe pishtar ndriçues, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të mbi familjen e tij dhe shokët e tij, i përshëndesim ata me përshëndetje të shumta.
Frikësojuni Allahut, sepse frika ndaj Tij është gjëja më e madhe që ju fshihni dhe vepra më e bukur që ju shfaqni.
O ju muslimanë! Vitet, muajt dhe ditët janë masë përcaktuese e jetës, ndërsa koha e punëve mbaron ngadalë e shkojnë më pas të gjitha. Vdekja sillet përqarkë ditën e natën e nuk vonohet ndaj atij që i ka ardhur momenti dhe i kanë mbaruar ditët. Ditët tona janë magazinë ruajtëse e të gjitha atyre që kemi vepruar, e të cilat më pas do ti shohim në ditën e llogarisë, ditën kur çdonjëri do ta ketë përpara atë që ka punuar. Ditën kur Zoti i Gjithësisë do të thotë: “O robërit e mi! Gjithshka vjen nga veprat tuaja që Unë i shënoj, e pastaj për këtë do ti jap shpërblim që i takon. Andaj kush gjen mirë le ta falenderojë Allahun, ndërsa kush gjen diçka tjetër le ta fajësojë vetëm veten.” Muslimi.
Ja iku dhe muaji ynë me të gjitha ato që kemi kryer, ai vulosi të gjitha veprat e fjalët tona. Ai i cili ka punuar keq le të shpejtoj për tu penduar e punuar punë të mira para se ti mbyllet dera e ti paloset libri, ndërsa ai i cili ka qënë i përuluar ndaj Zotit të Tij e ka punuar mirë, të mos bëhet si ajo që e thur trikon e më pas e shqep atë. Sa i bukur është ai adhurim të cilin e pasojnë adhurime të tjera!
Sa hijeshi ka vepra e mirë tek e cila mblidhen të mirat. Përpiquni për pranimin e veprës më shumë se përpjekja që bëni për punimin e tyre, sepse Allahu i pranon veprat e atyre të cilët janë të devotshëm.
Sa e shëmtuar është veprimi i keq pas punëve të mira, dhe nëse të mirat i largojnë të këqiat, dijeni se të këqiat i shuajnë dhe i prishin të mirat.
O ju muslimanë!
Kemi qënë në muajin e bujarisë dhe mirësive, agjëronim në të ditën e faleshim natën, afroheshim ke Allahu me adhurime të ndryshme duke shpresuar shpërblimin e Tij e duke iu frikësuar dënimit, por ja tani që ato mbaruan na duket sikur kemi qënë në një ëndërr të cilën na e prishi zgjimi i mëngjesit, dhe kështu është e gjithë jeta e njeriut, ikën ditë pas dite derisa të na çojë në botën e përtejme.
Porse vazhdimi në adhurime dhe mirësi gjatë jetës është angazhimi i të mirëve, është arritja e qëllimit të devotshëmve. Dijeni se adhurimi nuk ka kohë të caktuar, përkundrazi ajo është e drejtë që i takon Allahut e me të cilën robërit e Tij mbushin gjithësinë përgjat gjithë kohërave; ndaj çdonjëri prej nesh duhet të vazhdoj të eci nëpër rrugët e udhëzimit dhe mirësisë edhe pas Ramazanit, sepse adhurimi i Allahut nuk është i kufizuar vetëm në Ramazan dhe robin nuk e shkëput nga adhurimi i Allahut asgjë tjetër veç vdekjes. Sa të mjerë që janë ata të cilët adhurojnë kohën e që nuk e njohin Allahun veçse në Ramazan.
O ju muslimanë!
Vërtet pranimi i punëve të mira në këtë muaj ka shenja të dukshme sikurse dhe mos pranimi i tyre ka shenjat e saj. Nga pranimi i veprave të mira në këtë muaj është veprimi i tyre edhe pas tij, e nga shenjat e këqia është veprimi i të këqiave pas veprës së mirë; ndaj pasoini të mirat me të mira, që të jenë shenjë e pranimit të tyre, shtoini këto të mira që të jenë shlyerje për të këqiat dhe mburojë nga e keqja e tyre:
“Vërtet veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat”. Hud, 114.
Ndërsa profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Frikësoju Allahut kudo që të jesh, të keqen pasoje me të mirë sepse ajo do ta fshijë atë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë”. Tirmidhiu
Ai që ka vendosur ti kthehet pakujdesisë pas Ramazanit, le ta dijë se Allahu është i gjallë dhe nuk e zhduk ndërrimi i ditëve e netëve, Ai është i kënaqur ndaj atyre që e adhurojnë në çdo muaj të vitit dhe zemërohet me ata që e kundërshtojnë, në çdo kohë e vend. Dijeni se lumturia arrihet me jetgjatësi dhe punë të mira, dhe angazhimi i muslimanit në punë të mira përgjatë kohërave e ditëve është argument më i madh për pranimin e punëve të tij.
Të nderuar muslimanë!
Edhe pse sezoni i Ramazanit ka mbaruar, agjërimi përsëri mbetet vepër e preferuar edhe gjatë muajve të tjerë, sepse nga sunetet profetike ka qënë agjërimi i të hënave dhe të ejteve dhe ai për këtë ka thënë: “Punët i paraqiten Allahut, çdo të hënë e të ejte dhe unë kam dëshirë që ti paraqitet puna ime e unë të jem agjërues”.
Profeti salallahu alejhi ue selem, e ka porositur Ebu Hurejrën të agjërojë tre ditë për çdo muaj ku thotë: “Kush agjëron tre ditë për çdo muaj, është sikur ka agjëruar të gjithë kohën”. Mutefekun Alejhi
Pasojeni agjërimin e Ramazanit me agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit, muajit ku ne jemi, profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai i cili agjëron Ramazanin, pastaj e pason agjërimin e tij me gjashtë ditë nga Sheuali, është sikur të ketë agjëruar gjithë kohën”. Muslimi
Falja përgjatë natës në muajin e Ramazanit mbaroi, porse ajo është e preferuar të vazhdojë në çdo ditë të vitit, profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu zbret në qiellin e dynjasë për çdo natë në një të tretën e mbetur të saj dhe thotë: “Kush më lutet që ti përgjigjem, kush më kërkon që që ti jap, kush kërkon falje që ta fal”. Dijeni se punët më të mira ke Allahu janë ato që janë të vazhdueshme e të pandërprera edhe nëse janë të vogla. I mashtruar është ai i cili i kthen shpinën adhurimit të Allahut dhe i privuar është ai që privohet nga mëshira e Tij.
“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. En-Nahl, 97.
Allahu më bëftë mua dhe ju dobi në ato që gjenden në Kuranin e madhështor, i kërkoj Allahut falje për vete e ju dhe ju kërkoini Atij falje se vërtet Ai është falës i Madh.
II
Falënderimi i takon Allahut për mirësitë që na ka dhuruar, i jemi mirnjohës Atij që na dhënë sukses e na ka udhëzuar; dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shok, qënia e të cilit është e madhëruar, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij; paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të mbi familjen e tij dhe shokët e tij, i përshëndesim ata me përshëndetje të panumërta.
O ju muslimanë!
Frikësojuni Aallahut, sepse frikësimi ndaj Tij është kreu i çështjes, adhurojeni Atë që të fitoni kënaqësinë e Tij, largohuni nga të ndaluarat që të shpëtoni nga zemërimi dhe dënimi i Tij. Mos u ktheni më në ndalesa e harame e të zhyteni në to, sepse ato ju sjellin dënimin e Tij.
Ne tashmë sa kemi përcjellë një sezon të begatë, e bujar; sezon tregëtie me Zotin tuaj me punët e mira, i cili i ka begatuar drejtuesit e kësaj Kibleje me rebesh të pashtershëm të mëshirës dhe bujarisë së Tij. Ai ka liruar njerëz duke i bërë të lumtur e të gëzuar, pasi të këqiat i kishin robëruar. Urime për atë që ka fituar çmimin e Zotit të tij, dhe sa keq për atë që është kthyer me humje dhe keqardhje.
E gjithë kjo të kujton se ja sikur po mbaroni së punuari e ditët e jetës tonë e tuajës po përfundojnë. Përgatituni të fitoni atë që keni punuar, sepse po vjen koha e paraqitjes përpara të Gjithpushtetshmit Madhështorit. Frymëmarjet tona tashmë janë të numëruara, dhe engjëlli i vdekjes pret urdhër se kë nga ne do të marë.
Allahu e mëshiroftë atë person i cili shikon në vetveten e tij dhe përgatitet që sot për të nesërmen e tij, ndaj të largohemi nga vendet e shkatërrimit e degjenerimit për në vendet e fitimit e gëzimit. Të mos mashtrohet askush prej nesh me shumicën e shthurur, e të mos na neveritet e mira për shkak të pakicës që e ndjekin. Falenderojeni Zotin tuaj që ua mundësoi ta përfundonit e ta mbyllnit detyrimin e Ramazanit, dhe dijeni se Allahu ju ka urdhëruar me diçka që e ka filluar vetë i pari, duke e pasuar me melaiket pastaj edhe ju, e ai është dërgimi i përshëndetjeve për profetin Muhamed:
“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! El-Ahzab, 54.
Bledar Haxhiu
Burimijetes.com
10.10.2008