Kush është burrë?!
Një ditë, para meje paramendova një djalë të ri, i cili më drejtoi me insistim një pyetje: “Kush është burrë?!”.
Normalisht, nuk është edhe gjithaq lehtë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Fillova të mendoj, të konsultohem, ta shfletoj Kur’anin dhe hadithin, me qëllim që kësaj pyetje t’i jap përgjigje sa më të plotë. Përgjigjja e kësaj pyetjeje është e gjatë dhe e llojllojshme, andaj secili mund të japë një përgjigje që do të dallonte nga përgjigjja e tjetrit. Andaj për të e hartova këtë tekst të mëposhtëm.
Ty, o djalosh, shpejt do të kalojnë ditët dhe netët e do të bëhesh sa babai yt me gjatësi dhe me trup. Allahu [subhanehu ve teala] do të dhurojë shëndet dhe trup. Ditët do të kalojnë, e nëse nuk të godet diçka që mund të të godasë në jetën tënde, do t’i kalosh të gjitha etapat e jetës, ashtu siç thotë Allahu [subhanehu ve teala]:
“Ndersa atë që e dëshirojmë Ne e përqendrojmë në mitër deri në një afat të caktuar, e mandej u nxjerrim foshnje dhe ashtu të arrini pjekurinë tuaj”. (El-Haxhxh: 5).
Nëse Allahu [subhanehu ve teala] ka caktuar diçka tjetër, atëherë ti je prej atyre për të cilët Ai thotë:
“Ka që dikush prej jush vdes herët,…”.
Mirëpo, mos harro se këto etapa janë të shpejta dhe të kalojnë përnjëherë, andaj mundohu t’i kapësh dhe të marrësh prej tyre nozull për në ahiret. Ti veçse e ke bërë hapin e parë në etapen e rinisë dhe pjekurisë. Kjo etapë është shumë e rëndësishme, andaj edhe Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] këtë e ka veçuar në hadith:
“Nuk do të lëvizin këmbët e birit të Ademit Ditën e Kijametit derisa nuk pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij, ku e ka harxhuar; për rininë e tij, ku e ka shfrytëzuar….”. (Hadithi është sahih, transmeton Tirmidhiu).
Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] e ka veçuar këtë etapë për shkak se kjo etapë është etapa më produktive në jetën e njeriut, etapa më frytdhënëse, etapa e kreativitetit dhe inovacionit. Djalosh i ri! Mizani i burrërisë dallon nga dallimi i botëkuptimeve dhe nga dallimi i qëndrimeve tua ndaj shoqërisë, familjes dhe rinisë. Ndokush burrëri e konsideron humbjen e kohës dhe kalimin e jetës pa dobi, tjetri burrëri e konsideron vrapimin pas epsheve, i treti burrëri e konsideron vrasjen e vëllait të vet për një grimcë, e tjetri burrëri e konsideron forcën për akuzim dhe shpifje, e dikush burrëri e konsideron edhe spiunimin, e kështu me radhë. Kurse, burrëri e vërtetë, burrëri e njerëzve ambiciozë, me ideale të larta dhe me qëllime e aspirata fisnike, është burrëria që të nxit të vraposh pas Xhenetit, gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka. Kjo kërkon të mësosh aq sa të nevojitet, të kesh sjellje sa më tëpër, të zbukurohesh me principe burrash, duke iu larguar pengesave dhe gropave që i ke në rrugë. Nga përvoja e dimë se njeriu bëhet burrë kur i përmbush principet e dukshme të burrërisë: zgjerimin e trupit, shkëlqimin e lëkurës, shtimin e forcës, daljen e mustaqeve dhe mjekrës etj. Megjithatë, ne e dimë se të gjithë njerëzit e rritur i fitojnë këto gjëra në këtë kohë: edhe të mirët edhe të këqijtë, edhe muslimanët edhe jomuslimanët, e bile-bile edhe disa kafshë. Prandaj, ti duhet të bëhesh burrë i dalluar dhe i veçuar, burrë musliman. Nëse dëshiron të bëhesh i tillë, para teje i ke të hapura horizontet, rruga e hajrit të është e hapur dhe e lehtë. Ty të është afruar koha për ta korrë mbjelljen e diturisë. Eja dhe merr nga ky frut sa më tepër po dëshirove të jesh burrë ashtu siç kërkon Islami, ashtu siç kërkon Allahu [subhanehu ve teala]. Për këso burra ka nevojë ummeti, familja, shoqëria, thjesht të gjithë kanë nevojë për burra të mirë dhe mirëbërës. Ky din ka nevojë për burra, pra jo për meshkuj, por burra trima dhe durimtarë, burra që e bartin dertin e da’vetit, e luajnë rolin e tij dhe durojnë në atë që sprovohen. Ai mundohet vazhdimisht të ngrihet në shkallët e diturisë, me gjuhë të ndershme dhe me gjymtyrë të pastra. Atij i nxitojnë këmbët kur dëgjon ezanin; përsërit në vete ajetet e Kur’anit, është larg teoretizimit dhe përpilimit të fjalëve të ndryshme. Unë dëshiroj t’i përmendi vetëm disa gjëra, e ti nëse vepron sipas tyre, pasha Zotin e Qabes do të shpëtosh:
1). Ti je krijuar për të realizuar një synim të ndershëm:
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë”. (Edh-Dharijat: 56).
2). Namazi – është shtylla e dytë e fesë, rukni i dytë në Islam. Nuk ka pjesë në Islam ai që nuk fal namaz, andaj mos u bëj përtac dhe mos u dembelo nga kryerja e namazit me xhematin e muslimanëve.
Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Marrëveshja mes nesh dhe jush është namazi, kush e lë namazin ka bërë kufër”. (Hadithi është sahih).
Mërzitesh dhe dëshpërohesh, brengosesh dhe pikëllohesh nëse të humb ndonjë gjë e kësaj bote ose po të humbi kuleta, mirëpo aspak nuk brengosesh kur të kalon tekbiri fillestar, kur të kalon namazi me xhemat, ose kur të kalon një namaz i tërë.
3). Burri nuk humb kohë dhe nuk e harxhon jetën kot, ashtu siç veprojnë njerëzit e humbur, njerëzit pa ambicje dhe vullnet, njerëzit pa aksion dhe kreativitet. Kujdesu për kohën tënde më shumë sesa kujdesesh për pasurinë tënde, edhe pse pasurinë tënde mund ta investosh në ndonjë projekt dhe ta rikthesh atë që e ke humbur, por këtë gjë s’mund ta bësh me kohën. Humbja e kohës është vrasje dhe frymëmarrje që nuk kthehen.
4). Dituria është rruga që të shpie në devotshmëri, andaj nxito të nxësh dituri me të cilin e mëson metodën se si t’i kryesh obligimet tua fetare. Edhe po mësove shkenca ekzakte, mos harro që të bësh nijet se këtë gjë e bën për t’i ndihmuar ummetit, për të kontribuar për Islam dhe për muslimanët, nëse veç dëshiron të fitosh shpërblim nga kjo.
5). Sjellje të mirë.
Shprehja e mirë është e lehtë për gjuhën, mirëpo gjatë përzierjes së njeriut me njerëz, shumë rëndë është të gjesh të atillë që e aplikojnë atë si duhet. Nuk duhet të harrosh se sjellja e mirë është kurrizi i këtij dini. Andaj, sillu mirë me prindërit tu, sillu butë me vëllain tënd, bëj mirë shokut tënd, kujdesu për fqiun tënd etj.
6). Pasi të krijosh një prapavijë të urtë kulturore, atëherë shprehi mendimet dhe idetë tua për t’u ndihmuar me to muslimanëve dhe për t’u dalë përballë atyre që mundohen ta sulmojnë këtë din në çfarëdo mënyre.
7). Zgjidh për vete ndonjë shembëlltyrë shkencore që të ecësh pas tij, të veprosh sipas porosive të tij, të përcjellësh rrugën e tij, e kështu me radhë. Vallë, kush mund të jetë shembëlltyra jote? A ka shembëlltyrë më të mirë për muslimanin se sa Muhammedi s.a.v.s., se sa sahabët e tij dhe se selefus-salihët.
8). Ti gjithsesi synon një të nesërme më të lumtur, një lumturi të përhershme me hije të vazhdueshme, andaj bëhu i devotshëm në jetën tënde sekrete dhe në jetën publike, sepse devotshmëria është porosia e njerëzve të parë dhe të fundit dhe është rruga e shpëtimit në Ditën e Kijametit
“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”. (En-Nahl: 97).
9). Bëhu njeri me vullnet të fortë dhe vendosmëri të paluhatshme! Largoje shikimin nga gjërat që janë haram, largohu prej rrezilleqeve, largohu prej vendeve të dyshimta. Duhet të posedosh forcë të brendshme të cilën do ta shfrytëzosh për ta pastruar veten tënde, për ta kulluar brendësinë tënde. Këtë mund ta arrish duke pasur parasysh kontrollin e përhershëm të Allahut mbi ty dhe duke bërë punë të mira.
10). Duaja është ibadeti kulminant. Sa shumë nevojë ke për Zotin tënd! Me lutje të zgjerohet dhe të qetësohet gjoksi. Vetëm prej Allahut kërko ndihmë dhe nga askush tjetër përveç Tij. Mos harro të bësh lutje dhe largohu prej gjërave që e pengojnë realizimin e lutjes. Nëse ndonjëherë harron të bësh lutje, kujto sesa shumë janë lutur pejgamberët. O ti djalosh! Mos të trishtojë ndryshimi i kohës. Do të vijë dita kur para teje do të ndalet djali yt dhe do të të pyesë: “Kush është burrë o babai im?!”. Besoj se pikëfillimi i përgjigjes së kësaj pyetjeje është ajo të cilën e vepron sot dhe ajo që ia vizaton vetes për nesër. Shembëlltyra e gjallë është shembulli më i mirë për ata që janë përreth teje. Fillo dhe kërko ndihmë prej Allahut.
Kështu mund të bëhesh burrë, i cili zhytet në thellësitë e jetës duke mos u frikësuar nga humnerat e ndryshme përgjatë kësaj rruge. Kështu bëhesh burrë prej burrave të cilët Allahu i ka lavdëruar në disa vende në Kur’an:
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi”. (El-Ahzab: 23).
“Ata janë burra që nuk i pengon as tregtia e largët as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zekatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet”. (En-Nur: 37).
“….aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e Allahu i do të pastërit”. (Et-Teube: 108).
“Ne as para teje nuk dërguam tjetër, përveç burra, të cilëve u dhamë shpallje. Ju (idhujtarë) pyetni pra dijetarët (e Tevratit e të Inxhilit) nëse ju nuk dini”. (En-Nahl: 43).
“Musai zgjodhi nga populli i vet shtatëdhjetë burra për kohën që Ne ia caktuam takimin….”. (El-A’raf: 155).
“Një burrë besimtar nga familja e faraonit që e fshehte besimin e vet, tha: “A doni ta mbytni një burrë vetëm pse thotë Zoti im është Allahu, derisa prej Zotit tuaj u ka sjellë argumente? Nëse ai është gënjeshtar, për vete e ka gënjeshtrën, e nëse është i drejtë, juve do t’ju goditë diçka nga ajo që ai ju premton. S’ka dyshim se Allahu nuk udhëzon në rrugë atë që e tejkalon dhe është gënjeshtar”. (Gafir: 28).
Shkroi: AbdulMelik Kasim | 10.11.2000
Përktheu: Xhemal Jakupi,