“Por Faraoni refuzoi dhe nuk u bind. Më pas ktheu kurrizin dhe u orvat me të gjitha forcat, mblodhi njerëzit dhe deklaroi: “Unë jam zoti i juaj, më i larti” (En-Nazi’at 79, 21-24).
Sipas Fakhrud-din er-Razit, qenia ‘zot’ e pretenduar prej Faraonit të Egjiptit nuk nënkuptonte Zotin, “sepse është absurde që njeriu të mendojë për veten se është Krijuesi i qiejve dhe tokës, bimëve, kafshëve dhe njeriut. Ajo që donte të thoshte Faraoni ishte se nuk i takonte askujt përveç tij të lëshonte urdhëresa dhe ndalesa, se njerëzit duhej t’i nënshtroheshin dhe bindeshin vetëm atij, sepse ai ishte zot i popullit të tij, në kuptimin që ai e kishte rritur dhe kultivuar atë”.
Fjala e ajetit e përkthyer si ‘zot’, në arabisht është “rabb”, që “në origjinë të saj ka kuptimin e rritjes (“terbijeh”), dmth ngritjes së diçkaje hap pas hapi deri në përmbushjen e saj” (Er-Raghib el-Isfahani). “Prandaj në arabisht thuhet se shiu i kultivon (“jerubbu”) bimët dhe barërat e tokës, në kuptimin që i bën ato të rriten”. Fjala “rabb” nënkupton gjithashtu “zotëruesin e diçkaje, i cili ushtron autoritet dhe pushtet mbi të” (William E. Lane).
Termi “rabb” në Kuran, në më të shumtën e rasteve përdoret si atribut i Zotit, si në ajetin e parë të sures Fatiha, në të cilin Zoti cilësohet si “rabb el-‘alemin”, dmth “zotëruesi i botërave, i gjithë krijesave: njerëzve, xhinëve, engjëjve, kafshëve dhe çdo kategorie që mund të emërtohet si botë” (Xhelalud-din es-Sujuti).
Për shkak të idesë dhe ngarkesës kuptimore që bart fjala “rabb”, Zoti i përshkruan Profetët, engjëjt dhe besimtarët në Kuran tek i luten Atij nëpërmjet këtij atributi. “Edhe pse emri Allah është më i madh se atributi Rabb, Zoti ka veçuar këtë të fundit me rastin e lutjes, sepse duket sikur robi i thotë Zotit: “Isha në fshehtësinë e mos-ekzistencës së plotë dhe mohimit absolut. Ti më nxorre në ekzistencë dhe më kultivove (“rabbejteni”), prandaj bëje kultivimin tim nga ana Jote (“terbijjeteke”) ndërmjetësues te Ti, në mënyrë që të mos heqësh dorë, as sa pulitja e qepallave, nga kultivimi Yt, dashamirësia Jote dhe teprimi Yt në mirësi!” (Fakhrud-din er-Razi).
Duke qenë se Faraoni pretendoi atributet e Zotit të Vërtetë, ato të të qenurit zotëruesi, rritësi, kujdestari, edukuesi, kultivuesi, urdhëruesi e ndaluesi i popullit të tij, dhe kërkoi prej njerëzve që t’ia njihnin ato si të tilla, Zoti “e ndëshkoi me një ndëshkim ekzemplar” (En-Nazi’at 79, 25), “në këtë jetë dhe në botën tjetër, për shkak të fjalëve të tij “nuk di të keni hyjni tjetër përveç meje” (El-Kasas 28, 38) dhe “unë jam zoti juaj, më i larti” (Ibën Xharir et-Tabari). I tillë do të jetë fundi i çdo sunduesi që do të ndjekë shembullin e Faraonit dhe do të pretendojë se është zoti i popullit të tij. Por, “prej kësaj historie marrin mësim ata që i frikësohen Zotit” (En-Nazi’at 79, 26).
Përgatiti: G.Demneri