Allahu ka zbritur Kuranin që të jetë udhëzues dhe ndriçues i jetës së njeriut. Meditimi i fjalës së Allahut është thelbi i kuptimit të Kuranit. Kurani erdhi që ta rregulloj jetën e njeriut. Përmes udhëzimeve të Kuranit njeriu e bënë jetën e lumtur, të begatshme dhe të rehatshme. Nuk ka dikush që e njeh qenien e njeriut më mirë se Krijuesi i tij. Për këtë Allahu përshkruan në Kuran në mënyrë detaje njeriun. Përshkruan dobësinë e tij, pa aftësinë e tij, egon e tij, pasionet e tij, koprracinë e tij, mendjemadhësinë e tij, tejkalimin e kufijve.
Allahu thotë: “E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!” (Mulk 14).
Nëse dëshiron një studim të thuktë të qenies njeri, lexoje Kuranin në trajtimin që i bënë kësaj teme. Vetëm udhëzimi Hyjnor është ai i cili e shëron njeriun nga këto cilësi të liga. Njeriu i përfiton këto cilësi të liga atëherë kur largohet nga udhëzimet Hyjnore. Bëhet i dobët atëherë kur nuk ka besim në Allahun, bëhet egoist atëherë kur nuk e njeh Allahun, bëhet mendjemadh atëherë kur nuk e njeh Allahun. Allahu nuk e lë pas dore njeriun përderisa ai nuk e len vetën e tij. Allahu e ka pastruar vetën e Tij nga cilësitë e liga dhe të mangëta. Ashtu sikur i ka thënë Musai Faraonit, kur Faraoni i kërkoi Musait që ta përshkruaj Zotin në të cilin ai po i thërret popullin Benu Israil, tha “Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!” (Ta Ha: 52).
Ashtu sikur i ka thënë Allahu Pejgamberit, Muhamedit alejhi selam: “Dhe Zoti yt nuk harron kurrë”. (Merjem 64).
Por, Allahu e harron njeriun, atëherë kur njeriu e harron Allahun dhe vetën e tij. “Ata e kanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata. (Tevbe: 67).
Harresa, nuk është cilësi e Allahut, por Allahu e ka cekur për të treguar se ata të cilët e harrojnë Allahun dhe vetën e tyre, edhe Allahu nuk kujdeset më për ta.
Nëse të lenë pas dore shteti yt. Nëse të lenë pas dore institucioni yt. Nëse të lenë pas dore familja jote. Nëse të lënë pas dore fëmijët e tu, të gjitha këto janë të vështira dhe të rënda. Pa përkrahjen e tyre jeta bëhet e papërballueshme. Në kësi situata njeriu ndoshta e dëshiron vdekjen më shumë se jetën. Por, është shumë më e rëndë dhe shumë më e vështirë nëse Allahu të lenë pas dore, nëse Ai nuk kujdeset më për ty. Nëse Ai të harron. Kur ndodhë kjo? Kjo ndodh atëherë kur njeriu harron Zotin e tij, harron mësimet e Tij, kur njeriu harron vetën e tij. Allahu në ditën e gjykimit i thotë njeriut, i cili ka harruar Allahun dhe vetën e tij, i cili nuk ka përfillur mësimet e Zotit, këtë njeri Allahu do ta ngjall të verbër dhe do ti thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Ta Ha 126).
Duke hulumtuar dhe duke medituar në lidhje me këtë temë hasa në fjalën e Allahut, në kaptinën Hashr, i Cili thotë: “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut)”. (Hashr 19).
Sa preciz përshkruan Allahun gjendjen e njeriut në ditët e sotme, kur ne shohim shumë nga njerëzit të cilët e kanë harruar vetën e tyre, për shkak se kanë harruar Krijuesin dhe Zotin e tyre.
Me të vërtetë është një gjë e çuditshme që njeriu ta harroj Zotin, Krijuesin e tij, të harroj qëllimin e krijimit mbi këtë tokë, të harroj se çka ai duhet të veproj mbi këtë sipërfaqe, të harroj rrugëtimin e patjetërsueshëm drejt largimit nga kjo botë, deri te Krijuesi i tij. E vetmja e cila e thyen egon dhe epshin e njeriut është meditimi i sinqertë në udhëtimin të cilin njeriu e ka filluar qysh me ardhjen e tij në këtë botë. “Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot, atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh”? (Xhathije 23).
Sa dënim i madh është që Krijuesi yt me të harru dhe me të bë që ti me harru vetën tënde, me harru se kush je, për çka je krijuar dhe ku është fundi yt.
Harron njeriu se është rob, në pronësinë e Allahut, nuk posedon për vetën e tij as dëmin e as dobinë, nuk posedon as jetën e as vdekjen, e as ringjalljen, harron se ai nuk është krijuar për lojë dhe dëfrim, por është krijuar që ta adhuroj Allahun.
Harron njeriu se është shumë i dobët edhe nëse është më i fuqishmi prej të gjithëve, edhe nëse është më i pasuri, edhe nëse është me pozitën më të lartë se të gjithë. Ky është Faraoni, i cili harroi vetën e tij, harroi se duhet të jetë adhurues i Allahut, Allahu e bëri që ai ta harroj vetën e tij, vdiq në formën më mizore, u fundos në det, “Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!” (Kasas 40).
Harron njeriu se është i varfër. Në çdo moment ka nevojë për Krijuesin e tij. Sikur Allahu ta merrte një begati prej begative të trupit tënd, me një herë jeta do të ishte e pakuptimtë. Sikur Allahu të donte ta marr pasurinë tënde, prej nga do ta fitosh atë? Një këmbë me ta marr Zoti, ti do të kesh nevojë për një mjetë mbajtës sepse nuk mund ta mbash drejtpeshimin tënd.
Harron njeriu se do të kthehet te Krijuesi i tij, qoftë me një herë apo më vonë. Dhe se kjo botë nuk është asgjë tjetër përveç ashtu sikur ka thënë Nuhi alejhi selam, i cili kur u pyet për jetën e tij të gjatë, 950 vite vetëm si Pejgamber, tha e kamë parë këtë botë sikur unë kamë hy në një shtëpi e cila i ka dy dyer, kamë hyrë prej njërës dhe kamë dal prej tjetrës.
Kur njeriu harron vetën e tij, fundoset në oqeanin e jetës, humb shenjat treguese të rrugës, tretet në zjarrin e pasioneve dhe epsheve, mundohet, djersitet dhe lodhet nga vështirësitë e rrugës, por nuk përfiton asgjë.
Kur njeriu harron vetën e tij humb çdo vlerë, moral, normë, humbë edhe ndjenjat për gjërat e mira. E sheh njeriun në këtë gjendje, arrogant, i padrejtë, vjedhë, shkatërron, kalon kufijtë, bënë çdo gjë që i thotë epshi i tij. Por, në fund kthehet pa rezultat dhe pa përfitime, qoftë edhe për atë për të cilën i ka bërë të gjitha këto të këqija.
Kur njeriu harron vetën e tij, në vend që ta adhuroj Zotin ai adhuron vetën e tij. Bënë çdo gjë vetëm që të kujdeset për vetën e tij. Mbytë fëmijë, gra, pleq, bënë luftëra, beteja, prish, shkatërron vetëm që ta ruaj vetën e tij.
Kur njeriu harron vetën e tij largohet nga e mira dhe nga ajo e cila i bënë dobi. Largohet nga lumturia e vërtetë, të cilën Allahu e ka bërë në adhurimin dhe respektimin e Tij. Për këtë Ibrahim b. Ed’hemi, një njeri i njohur i gjeneratës pas shokëve të Pejgamberit tha: “ sikur ta kuptonin mbretërit dhe bijtë e tyre se çka ne bartim në gjokset tona nga lumturia dhe rehatia, do të na kishin luftuar me shpata”. Ibnul Xhevzij, duke komentuar fjalën e Ibrahim b. Ed’hemit thotë: “ Të vërtetën e ka thënë Ibrahim b. Ed’hemi. Vërtetë mbretërit nëse han diçka, frikohen se mos dikush ka hedh helm në ushqimin e tyre. Nëse flenë frikohet se mos dikush po e likuidon. Jeton i mbyllur në pallate nuk ka mundësi të dal dhe të shëtis i lirë. Nëse del, del i frikësuar shqetësohet edhe prej njeriut më të afërm, kënaqësinë që e ndien shpejt ftohet”. Sa e bukur është fjala e Ibën Tejmijes i cili ka thënë: “ Në këtë botë është një xhenet. Ai i cili nuk ka hyrë në të nuk do të hyjë në xhenetin e botës tjetër”.
Myslimani ndoshta bënë mëkat, por ai i bie pishman, pendohet dhe kërkon falje. Ndoshta e marrin problemet e kësaj bote kohën e tij, por ai shpejt kthehet te Zoti i tij. Myslimani në asnjë gjendje nuk e harron Krijuesin e tij, asnjëherë nuk e humbu busullën e tij.
“Vëlla besimtar mos e harro Zotin tënd që pastaj ta harrosh vetën tënde”.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati