Transmeton Xheriri, i cili thotë ishim duke qëndruar me Pejgamberin në mes të ditës dhe erdhën disa njerëz të zbathur të zhveshur , me rrobe të leshta, të vendosura shpatat në belat e tyre (gjendje e rëndë e varfërisë), shumica prej tyre ishin prej Mudarrit (vend në periferi të Medinës). Kur i pa Pejgamberi ndryshoi fytyra e tij , duke shprehur keqardhje për gjendjen e tyre të rëndë. Hyri i Dërguari i Allahut në shtëpinë e ti dhe pastaj doli dhe urdhëroi Bilallin që të thërras ezanin. U ngrit Pejgamberi, fali namazin, pastaj u ngrit në Minber dhe iu drejtua njerëzve: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju” (Nisa’1).
Pastaj lexoi fjalën e Allahut: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! (Hashr 18). Njerëzit filluan të tubojnë lëmoshën e tyre. Filluan njerëzit të japin nga pasuria e tyre, dinarë, dërhem, grurë, hurme. Njëri prej Ensarëve erdhi me qese të madhe, mezi e barte dhe e dha lëmosh. Pastaj pas tij filluan njerëzit të japin gjersa pash dy tuba të mëdha nga ushqimi dhe veshmbathja. Thotë transmetuesi, pashë fytyrën e Pejgamberit shndrite nga gëzimi sikur të ishte prej ari. Atëherë i Dërguari i Allahut tha: “ kush fillon në Islam një punë të hairit ka shpërblimin e asaj pune dhe të atyre që e punojnë atë punë, pa iu munguar shpërblimi atyre që veprojnë atë punë. Ndërsa kush fillon një punë të keqe, ka mëkatin e veprimit të asaj pune dhe mëkatin e atyre qe e pasojnë në atë punë të keqe, pa iu munguar mëkati atyre që veprojnë atë punë të keqe.
Të nderuar besimtarë:
Nga ajo që kemi mësuar prej fesë sonë është që sadaka (lëmosha) të jepet fshehtë. Sa që i Dërguari i Allahut atë njeri i cili e jep lëmoshën e tij fshehtë e llogarit prej atyre të cilët do të fitojnë hijen e Arshit të Allahut në ditën e gjykimit. I Dërguari i Allahut ka thënë: “ … dhe një njeri i cili jep lëmoshën e tij fshehtë sa që nuk e din e majta se çka ka dhënë e djathta. Të japësh lëmoshën fshehtë është më afër sinqeritetit dhe më afër pranimit të veprës. Por në ngjarjen që shënuam më lartë shohim se i Dërguari i Allahut publikisht ka bërë thirrje që njerëzit të vinë me lëmoshat dhe ndihmat e tyre. Dhe njerëzit filluan të afrojnë ndihmën e tyre publikisht, para syve të njerëzve, që të nxisin njëri tjetrin në shtimin e lëmoshës dhe në garimin në vepra të mira. Njëri prej tyre erdhi me disa dinarë, tjetri me disa dërhem, tjetri me rrobe, tjetri me ushqim, tjetri me një qese të madhe dhe kështu me radhë. Momenti ishte i rëndë, nevoja e njerëzve ishte e madhe për ndihmë, nuk mjaftonte që të mbetet në brendësinë e njerëzve dhe në fshehtësinë e tyre që të kontribuojnë fshehtë. Ishte momenti i garës në vepra të mira, ishte momenti i nxitjes, ishte momenti i shpejtimit të dhe ndryshimit të kësaj gjendje, dhe për këtë i Dërguari i Allahut kërkoi që njerëzit publikisht ti japin lëmoshat e tyre. Ndërsa Allahu thotë në Kuran: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë” (Bekare 271). Nga ky kontest kanë thënë dijetarët se nga njëherë ndoshta bëhet edhe obligim që lëmosha të jepet haptas, me qëllim që të nxiten myslimanët në të dhe të garojnë në vepra të mira. Shumë herë kur është lënë lëmosha në mënyrë të fshehtë është dhënë një kontribut i mirë, por kur ajo është bërë publikisht është shtuar edhe disa herë më shumë dhe është bërë një punë e madhe me të. Ose raste tjera kur është publikuar që lëmosha të jepet haptas, janë tubuar një sasi e madhe e ndihmës. Pastaj është kërkuar që ajo të bëhet në mënyrë të fshehtë dhe pastaj është vërejtur se nuk është tubuar as gjysma e asaj që është tubuar haptas. Sepse është natyrshmëri dhe dëshirë e njeriut për të dhënë më shumë kur sheh se dikush ka dhënë më shumë se ai. Ndoshta njeriu ka 10 euro për ti dhënë lëmosh, ndërsa shoku i tij është më i pasur dhe kur ky që është më i varfër i jep 10 euro atëherë shoku i tij që është më i pasur i vi keq që ti jep vetëm 10 euro dhe shton edhe më shumë sasinë e dhënies. Ndoshta sikur të lihet në brendësinë dhe fshehtësinë e njerëzve, i pasuri do të thoshte se janë mjaftë 10 euro.
Në këtë kontest edhe i Dërguari i Allahut e tha këtë fjalë: “Kush fillon në Islam një punë të hairit ka shpërblimin e asaj pune dhe të atyre që e punojnë atë punë, pa iu munguar shpërblimi atyre që veprojnë atë punë”.
Dijeni o ju besimtarë se pasurinë të cilën ne posedojmë është prej Allahut. Allahu na e ka dhënë atë që të shoh se si veprojmë ne me të. Pastaj Allahu do të na pyes për të se si e kemi fituar, dhe ku e kemi shpenzuar. Allahu ka nxitë në lëmosh dhe shpenzimin e pasurisë në atë që është e hairit. Përmes lëmoshës ndihmohet kjo fe dhe ndihmohen ata myslimanët që kanë nevojë.
Dije se lëmosha njeriun e ruan nga shumë të këqija dhe fatkeqësi të cilat janë të caktuara të ndodhin te njeriu. I Dërguari i Allahut thotë: “Lëmosha i mbyllë shtatëdhjetë dyer të të këqijave”. Lëmosha është ajo e cila e ruan trupin ton nga shumë sëmundje. I Dërguari i Allahut thotë: “Shëroni të sëmurit e juaj me lëmosh”. Është vërtetuar praktikisht prej shumë ngjarjeve të ndryshme dhe tregimeve të vërteta se të sëmurit nga të cilët mjekët nuk kanë patë sukses janë shëruar me lëmoshë.
Lëmosha rritë dhe shumëfishon shpërblimin te Allahu. Allahu thotë në Kuran: “Ata që japin lëmoshë e që i japin Allahut një hua të mirë, qofshin burra ose gra, do t’u shumëfishohet përfitimi dhe do të kenë një shpërblim fisnik” (Hadid 18). Ata të cilët japin lëmosh nuk dëshirojnë ta ndiejnë vetën më të ngritur se ai që merr atë lëmoshë, nuk veprojnë me njerëzit kështu, por ata dëshirojnë ti japin borxh Allahut. A ka ndjenjë më të mirë se sa njeriu të mendoj se me lëmoshën e tij po i jep borxh Atij i Cili është i Pasur dhe që nuk ke nevojë për askënd? A ka ndjenjë më të madhe se sa njeriu të mendoj se me lëmoshën e tij po krijon raporte me Pronarin e kësaj gjithësie? Si do ishte gjendja e ndonjërit prej nesh sikur të jepnim një borxh ose sikur të futeshim në një ortakëri me dikën i cili të garanton vetëm fitimin dhe të vjen ty fitimi edhe shtatëqind fish më shumë se investimi yt, e edhe më shumë. Allahu thotë: “Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish? Allahu e shtrëngon (riskun) dhe e liron, tek Ai do të ktheheni. (Bekare 245). Po ashtu fjala e Allahut: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm (Bekare, 261).
Lëmosha shton bereqetin, shton furnizimin, shton pasurinë. Allahu thotë në Kuran: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im i jep begati të bollshme kujt të dojë nga robërit e Tij dhe ia pakëson kujt të dojë. Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë” (Sebe’39). I Dërguari i Allahut thotë: “Nuk ka ndonjë ditë që ngritët robi i Allahut në mëngjes, përveç se dy melaqe zbresin. Njëra prej tyre thotë: O Zot! Atij që jep shtoja edhe më shumë. Ndërsa ati që bëhet koprrac pakësoja”. I Dërguari i Allahut ka thënë: “ Betohem në tre gjëra do të ju tregoj juve dhe mësoni mirë ato: “Nuk pakësohet pasuria e njeriut prej lëmoshës. Nuk i bëhet dikujt padrejtësi e që bënë sabër në të, përveç se Allahu do ta ndihmoj atë. Nuk hap dikush derën e lypjes, përveç se Allahu do të ja hap derën e varfërisë.
Lëmosha e ruan njeriun nga dënimi dhe e fut atë në xhenet. I Dërguari i Allahut thotë: “Kur i vdekuri vendoset në varrin e tij, ai dëgjon trokitjen e këpucëve të njerëzve që e kanë përcjell, duke u kthyer dhe duke e lënë vetën. Nëse ka qenë prej besimtarëve, namazi do ti vjen te koka e tij në varr, agjërimi i ulet në anën e djathtë, zekati i ulet në anën e majtë, ndërsa punët e hairit prej lëmoshave, lidhjeve farefisnore, urdhërimeve në të mira ulen te këmbët e tij. I vihet prej kokës së tij, ndërsa namazi thotë prej kësaj ane nuk keni mundësi ti bëni gjë. I vihet prej anës së djathtë, agjërimi thotë nuk keni mundësi ti bëni gjë prej kësaj ane. I vihet nga e majta, zekati thotë nuk keni mundësi ti bëni gjë nga kjo anë. I vihet nga këmbët, veprat tjera të mira prej lëmoshës, lidhjes farefisnore, mirësitë ndaj njerëzve i thonë prej kësaj ane nuk ke mundësi ti afrohesh”.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati