Me te vërtetë lavdia i takon Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Kërkojmë prej Allahut të na mbrojë nga sherri i vetes tonë dhe të këqijat e veprave tona. Atë që e udhëzon Allahu, s’ka kush e devijon dhe atë që e devijon, s’ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka Zot që meriton adhurimin, përpos Allahut të vetmit, të pa shoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut.

O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” Ali Imran 102

O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra shumë e gra. Dhe kini frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju.“ Nisa 1

O ju besimtarë, pëmbajuni mësimeve të Allahut dhe thuani fjalë të drejta. * Ai (Allahu) iu mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh.“ Ahzab 70, 71

Fjala më e vërtetë është Libri i Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, salAllahu alejhi ve selem, veprat më të këqia janë ato të shpikurat, e çdo vepër e shpikur (në fe) është risi (bidat), e çdo bidat shpie në Zjarr.

E në vijim:

E falënderojmë Allahun që na bëri musliman dhe pjesëtarë të umetit të Muhamedit, salAllahu alejhi ve selem. Allahut ia kushtojmë të gjitha falënderimet që na dhuroi dhuratën më të shtrenjtë, besimin dhe udhëzimin në këtë fe të vetme të pranuar tek Allahu.

Nga kushtet e besimit është të besuarit në Ditën e Kijametit. Dita e Kijametit përfshin më tepër se një kapitull. Ajo i përmbledh temat prej; vdekjes, parashenjat e Kijametit, Kijametin, ringjalljen, llogarinë, xhenetin dhe xhehenemin.

Biseda e jonë sot në këtë ditë të bekuar është; se si ndikon përkujtimi i llogarisë te besimtarinë përmirësimin e tij.

Të gjithë ne e dimë me bindje se do të pyetemi në varr. Poashtu do të pyetemi edhe në Ahiret. Do të gjykohemi për çdo gjë të imët dhe të madhe.

Ndikimin e llogarisë njerëzit më tepër e ndiejnë kur arrijnë pleqërinë, por, e vërteta është se këtë ndikim duhet ta ndiejë secili besimtar gjatë tërë jetës së tij, pasi që vdekja vjen befas dhe se askush prej nesh nuk e din se kur do të vdes.

Një mbret i cili e kishte kuptuar realitetin e dhënies së llogarisë në Ditën e Kijametit dhe se në varr do t’i parashtrohen pyetje, në pleqëri i ishte rritur frika nga ajo gjendje kur në varr do të jetë i vetmuar dhe do të vijnë melekët për ta pyetur. Ai i kishte porositur djemt e tij që kur të vdes ai, natën e parë mos ta vorosin, por në varrin e tij të hyjë dikush tjetër e ta pyesin atë, e pastaj këtë ta vorosin natën tjetër.

Pasi vdes mbreti, djemt e tij kërkojnë nga shërbëtorët ndonjëri të hyjë natën e parë të flejë në varrin e babait të tyre, por këtë gjë nuk e pranoi asnjëri. Ata ofruan pasuri të madhe, por megjithkëtë nuk pranonte askush. Ata dolën jashta kështjellës dhe filluan të kërkonin ndonjë të varfër, skamnorë me shpresë se do ta bindin për këtë gjë në këmbim të një shume të madhe të pasurisë. Më në fund e gjejnë një të varfër i cili kishte një gomar, një sopatë dhe një litar. E bindin duke i thënë se bëhet fjalë për vetëm një natë dhe të nesërmen do të bëhet i pasur. Ai pranon dhe futet në varr. E kalon natën aty ku e kishte zënë gjumi dhe kishte parë një ëndër se si i vijnë dy melek dhe e pyesin për gomarin nga e ka marrë, ku e kullotë, a e kullotë në livadhet e tija, apo të huajat, prej nga i ka fituar paratë që e ka blerë gomarin? E kështu me radhë. Pastaj, sopatën ku e ka marrë, prej nga  i ka pasur paratë që e ka blerë ku prenë dru me të? E kështu me radhë. Pastaj litarin prej nga e ka, si e ka fituar, me çfar parash e ka blerë?

Të nesërmen kur e nxjerrin nga varri, ai del i shqetësuar dhe menjëherë dëshiron të ikë. Ata orvaten ta ndalin dhe t’ia japin shumën e premtuar. Por e refuzon dhe dëshironte të largohet që aty. Ata të habitur e pyesin pse nuk dëshiron ta mer pasurinë? Ai u thotë se: natën i kishin ardhur dy veta dhe e kishin pyetur për gomarin, prej nga e ka blerë, me çfarë parash, sopatën ku e ka marrë, ku bën dru me të, litarin me çfarë parash e ka fituar? E kështu me radhë. Ai kishte pasur vetëm këto tre gjëra dhe të gjitha këto pyetje për ato, e si do të jetë gjendja po të ketë më shumë pasuri?

Nuk është qëllimi që ne të frikësohmei nga pasuria hallall, por besimtari duhet që çdo herë ta kujton llogarinë dhe se do të pyetet.

Ky besim, kjo bindje duhet të jetë çdo herë në zemrën e besimtarit. Derisa ajo është prezente tek ai, do të reflektojënë  jetën e tij shkëndija të moralit të lartë dhe ajo do të jetë shkak për të shpëtuar në Ditën e kijametit.

Transmeton Muslimi në sahihun e tij nga Ebu Hurejreja se i dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve selem, ka thënë: Një njeri e kishte tepruar në mëkate, e kur iu afrua vdekja, i porositi bijtë  e tij dhe u tha: kur të vdes unë, më digjni, më bëni pluhur, e pastaj më hudhni në erë pranë detit, se pasha Allahun, po të mundet Allahu të më zëjë, do të më dënojë me dënim që se ka ndëshkuar asnjërin ashtu. Në vazhdim i dërguari thotë: ata e bënë me të ashtu siç i kishte porositur. (E Allahu) I ka thënë tokës, ktheje atë që e ke marrë, dhe ja del ai njeriu i paraqitur në këmbë. (Allahu I Madhëruar) e pyet: Çfarë të shtyri ta bësh këtë? Ka thënë: frika prej teje o Zot, apo ka thënë: droja ndaj Teje. Dhe Allahu ia ka falë me të.

Ky njeri edhe pse kishte gabim në esencë, të mendojë se nuk mundet ta zëjë Allahu, mirëpo ai e kishte pasur besimin dhe bindjen se do të ketë llogari në Ditën e Gjukimit.
Ne e lusim Allahun e Madhëruar që të shtojë bindjen në Ditën e gjykimit dh eta llogarisim veten para se të llogaritemi në atë ditë.

Allahu thërret për në xhennet, dhe atë që do, e vë në rrugë të drejtë.

Hutbeja e dytë

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, a salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjes së tij dhe sahabët e tij.

“Eshtë e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” Ahzab 56

Vëllezër të nderuar besimtarë, ne të gjithë besojmë në Ditën e Kijametit dhe jemi të bindur në të. Allahu i Madhëruar ka thënë për besimtarët:

“ … dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër (Ahiretin). “ Bekare: 4 .

Mirëpo, përsëri kemi nevojë për ta shtuar bindjen edhe më tepër.

Ibrahimi, alejhi selam, i ka thënë Allahut:

Përkujto kur Ibrahimi tha: “Zoti im, më mundëso të shoh se si i ngjallë të vdekurit”? Ai (Zoti) tha: “A nuk je i besueshëm”? Ai (Ibrahimi) tha: “Po, por desha që zemra ime të ngopet (bindje)”! Bekare: 260

E lusim Allahun e Madhëruar të bëjë besimtarë të sinqertë, të na përforcon zemrat në fenë e Tij, të na mëshirojë me mëshirin e Tij dhe të na mbrojë nga Zjarri i xhehenemit.

Lutje:

O Zot ynë, na jep në dynja të mirën dhe në Ahiret të mirën dhe na mbro nga zjarri i xhehenemit.
O  Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në ditën e llogarisë.
O Zot ynë, jepja shpirtërave tanë devoshmërinë dhe pastroi se Ti je më i miri që i pastron, Ti i ke në kujdes dhe je miku më i mirë i tyre.
O Allah, na bëj ta shohim të vërtetën dhe na furnizo me pasimin e saj  dhe na bëj ta shohim të kotën dhe na furnizo ti largohemi asaj.
O Allah i Plotfuqishëm, shëroi të sëmurët tanë, liroi të burgosurit tanë, udhëzo rininë tanë në rrugë të drejtë, ndimoju besimtarëve muslimanë në mbarë botën!
O Allah, fali besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët nga ata dhe të vdekurit.
O Allah forcoe islamin dhe muslimanët.

Përgatiti Hoxhë Ali Shabani