Didmar ef. Faja

Te gjitha falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut (xh.xh.). Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi Pejgamberin e Tij, që e dërgoi mëshirë dhe drejtues të njerëzimit. Dëshmoj se nuk ka Zot përveç Allahut, dhe se Muhammedi (a.s.) është shërbëtori i dërguari i Tij. I bëj thirrje vetes time në fillim dhe pastaj secilit nga ju, që t’i përkushtoheni devotshmërisë.
Sytë dhe veshët, janë dy organe për të cilat njeriu padyshim që do japi llogari Ditën e Gjykimit për përdorimin e tyre. Atë ditë kur njerëzit do dalin para Krijuesit, do ketë nga ata të cilët do mohojnë veprat e tyre të bëra në këtë botë dhe në atë moment, Allahu (xh.sh.) do vulos gojët e tyre dhe do urdhërojë gjymtyrët e trupit të individit të dëshmojnë për të. Një përshkrim të këtij realiteti bën Surja Jasin në ajetin 65, ku Fuqiploti thotë:
ٱلۡيَوۡمَ نَخۡتِمُ عَلَىٰٓ أَفۡوَٲهِهِمۡ وَتُكَلِّمُنَآ أَيۡدِيہِمۡ وَتَشۡہَدُ أَرۡجُلُهُم بِمَا كَانُواْ يَكۡسِبُونَ
“Sot Ne ua mbyllim gojët e atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.”
Në Islam, shqisat që posedon njeriu, ashtu siç shumë pjesë të tjera të trupit, konsiderohen si pjesë mirësie që Zoti i ka dhënë njeriut dhe jo pa qëllim, Ai e mbyll Suren Tekathur me këtë verset:
ثُمَّ لَتُسۡـَٔلُنَّ يَوۡمَٮِٕذٍ عَنِ ٱلنَّعِيمِ
“Pastaj në atë ditë do të pyeteni për të mirat (e dynjas).”
Ky ajet fare qartë konsiston përgjegjësinë e përdorimit të mirësive që posedojmë.
Më lejoni t’ju pyes: Përse secili nga ne, gëzon një respekt të madh për Kur’anin, duke mos e vendosur atë në vende të papërshtshme, duke e filluar leximin e tij me Eudhu Bil-lah dhe Bismil-lah, duke mos u përtypur gjatë këndimit të tij etj. Përgjigjja është se ne e konsiderojmë atë, mirësi nga mirësitë e Allahut. Po a nuk janë dhe shikimi dhe dëgjimi mirësi nga Allahu? Jo në nivelin e Kur’anit, por megjithatë janë mirësi nga mirësitë e Tij, prandaj kemi përgjegjësi për shfrytëzimin e këtyre mirësive. Në Kuran, (Sure Isra, Ajeti 36) thuhet:
وَلَا تَقۡفُ مَا لَيۡسَ لَكَ بِهِۦ عِلۡمٌ‌ۚ إِنَّ ٱلسَّمۡعَ وَٱلۡبَصَرَ وَٱلۡفُؤَادَ كُلُّ أُوْلَـٰٓٮِٕكَ كَانَ عَنۡهُ مَسۡـُٔولاً۬
“Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, se të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.”
Shikimi
Për sa i përket shikimit, Hz. Isa (a.s.) u shpreh: “ Kujdes me shikimin, se ai mbjell në zemër ndjenja të cilat të dërgojnë në sprova.” Pra, shumë gjëra fillojnë me shikimin e parë. Nëse individi, me shikimin e tij, arrin ta kënaq epshin e tij, ambicia fillon të pushtojë zemrën e tij. Në lidhje me këtë, mund t’i referohemi ajetit 30 të Sures Nur:
قُل لِّلۡمُؤۡمِنِينَ يَغُضُّواْ مِنۡ أَبۡصَـٰرِهِمۡ وَيَحۡفَظُواْ فُرُوجَهُمۡ‌ۚ ذَٲلِكَ أَزۡكَىٰ لَهُمۡ‌ۗ إِنَّ ٱللَّهَ خَبِيرُۢ بِمَا يَصۡنَعُونَ
“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.”
Nëse do bëjmë një analizë të shkurtë të fjalës “Ezkaa”, e cila përmendet në këtë ajet dhe që rrënjët e saj i ka nga fjala “Zekaa”, e cila përmban dhe fjalën Zekat, do gjejmë të paktën dy kuptime në fjalorin Arab. Kuptimi i parë është “rritje” dhe i dyti “pastrim”. Ashtu siç dhënia e Zekatit pastron dhe shton pasurinë e besimtarit, ashtu ulja e shikimit në të ndaluarën pastron zemrën e tij dhe bëhet shkak për shtimin e veprave të mira. E kundërta ndodhë kur njeriu nuk e ulë shikimin e tij në të ndaluarën. Zemra e tij mbushet me dyshime dhe punët e tija nuk kanë Bereqet. I dërguari i Allahut u shpreh kështu:
إِنَّ النَّظَرَ إِلَى الْمَرْأَةِ سَهْمٌ مِنْ سِهَامِ الشَّيْطَانِ مَسْمُومٌ ، فَمَنْ أَعْرَضَ عَنْهَا أَبْدَلَهُ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ عِبَادَةً يَلَذُّهَا فِي قَلْبِهِ .
“Të hidhurit e shikimit në bukurinë e një gruaje, është një nga shtizat helmuese të djallit. Allahu i dhuron kënaqësi në adhurim, atij që qëndron larg atyre.” (nga Amr – Hadith Mektu’)
Të nderuar besimtarë! Në shekullin e teknologjisë dhe zhvillimit të saj, mjediset perëndimore, por dhe mjediset tona, janë bërë të tillë që të kesh neveri të gjendesh në to, ose dhe thjesht të kalosh në këto mjedise. Modestia është bërë fjalë aliene. Për këtë, prindërit, të moshuarit, mësuesit dhe dijetarët duhet ta ngrejnë zërin vazhdimisht dhe jo të ndalen së foluri rreth kësaj. Ne e dimë që feja është këshillë. Dhe sikur disa mos të dëgjojnë, ti o besimtarë, dërgoje në vend Amanetin Profetik.
Në botën perëndimore kohët e fundit ka filluar të shfaqet si fenomen veshja e grave të moshuara njësoj si ajo e të rejave. Kur bëj fjalë për të rejat, e kam fjalën për ato që janë 18 vjeçare ose më të reja. Të moshuarit dhe prindërit duhet të jenë shembull për të rinjtë.
Tregohet në një tregim qesharak se ishte një fëmijë që po shikonte lakuriqësira në ekranin e kompjuterit. Papritmas hyn babai i tij në dhomë dhe menjëherë fillon duke i bërtitur dhe midis të tjerash i thotë: “ Biri im! Mos shiko lakuriqësira se do qorrohesh. I biri i përgjigjet: “ O baba! Unë jam këtu. Aty para teje ke murin.”
Të nderuar vëllezër dhe motra! Ulja e shikimit nuk kufizohet vetëm në mos shikimin e lakuriqësirave, por ajo përfshin dhe shikimin xheloz, ngase ai shikim rrënjos xhelozi në zemrën tënde. Gjithashtu, përfshin dhe shikimin me ambicie të punëve të këqija dhe që kontribuon në prishjen e zemrës së njeriut.
Imam Gazaliu në librin e tij “Minhaxhul Abidiin” shkruan për disa mënyra pozitive që ndikojnë tek njeriun në uljen e shikimit në rastin e duhur. Ai përmend, se kur individi përballet me diçka që ai e ka të ndaluar ta shikojë ose dëgjojë, atëherë të mendojë Ditën e Gjykimit, kur gjymtyrët e trupit të tij do dëshmojnë para Allahut (xh.xh.). Imami përmend dhe njeriun, i cili shpreson të shikojë Allahun, me vizionin që do i dhurohet në botën tjetër. Ai duhet ta ruaj shikimin e tij, se vetëm sytë e pastër mund ta shohin Atë në atë ditë. Njeriu duhet të mendojë se Ai është Dhuruesi i këtyre shqisave për përmbushjen e qëllimeve kryesore në këtë botë.

Dëgjimi
Dëgjimi, ashtu si shikimi duhet të kontrollohet me vëmendje. Të mos-kontrolluarit, ç’rregullon veprat e adhurimit dhe ndikon negativisht në botën shpirtërore të njeriut. Një mangësi tjetër që mund të vijë nga dëgjimi i të ndaluarave është se, jo vetëm njeriu që flet keq bën gjynah, por dhe dëgjuesi që nuk largohet, por vazhdon ta dëgjojë, ka pjesën e tij në atë gjynah.
Prej bisedave, ose fjalëve nga të cilat besimtari duhet të qëndrojë larg janë: përgojimi, grindja, gënjeshtrat, bisedat e kota, të cilat bëhen me qëllimin e kalimit të kohës, etj.
Një burrë i urtë i thotë djalit të tij: “ Mësoje artin e dëgjimit, ashtu siç mëson artin e të folurit.”
Dijetari Islam, Abdul Fettah Ebu Guddeh (Zoti e mëshiroftë), në librin e tij “ Sjelljet Islame” shkruan rreth dëgjimit: “ Të dëgjuarit mirë do të thotë ta ndjekësh me shikim folësin, të lejosh folësin ta mbarojë fjalën dhe ta përmbash veten nga dëshira për t’ia ndërprerë fjalën.”
Imam Gazaliu bën një krahasim interesant. Ai tregon rreth ushqimit, i cili kalon përmes fytit dhe pastaj në bark dhe pastaj kthehet në jashtëqitje. Megjithatë, ne i kushtojmë ushqimit një rëndësi të madhe duke u siguruar për freskinë e tij, duke bërë kombinimet e ndryshme të ushqimeve në mënyre që t’i shijojmë sa më shumë, duke i balancuar ata me kripë ose sheqer, duke preferuar disa lloje nga të tjerat, etj. Ja pra sa vëmendje i kushtojmë ushqimit. Po për dëgjimin, i cili kalon përmes veshëve tonë? Ku mbërrin vallë ai? Nëse ne i kushtojmë vëmendje, dëgjimi do mbërrijë në zemrën tone. Prandaj, ç’ka gjendet në zemër ka më shumë rëndësi se ç’ka gjendet në stomak.
Përsa i përket dëgjimit të udhëzimeve kur’anore dhe traditës profetike, besimtari duhet të dëgjojë në atë mënyrë që ato mësime të nguliten në zemër dhe jo thjeshtë ta dëgjojë fjalën e mirë dhe ta harrojë atë, ose të bëjë të kundërtën. Allahu (xh.sh.) në Suren Nisa, ajeti 46 përshkruan një cilësi të keqe të disa çifutëve,
وَيَقُولُونَ سَمِعۡنَا وَعَصَيۡنَا
“ …dhe thonë: Dëgjuam (fjalën tënde) dhe kundërshtuam (thirrjen tënde…)”
Kjo ishte përgjigjja që i jepej zotëriu i njerëzimit, Muhamedi (a.s.) kur i fliste atyre rreth Islamit.
Dëgjimi me zemër, dhe bindja janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Allahu (xh.xh.) na sjell një shembull tjetër, duke pasqyruar realitetin e djajve, që përmendet në Suren Shuara, ajeti 212
إنَّهُمۡ عَنِ ٱلسَّمۡعِ لَمَعۡزُولُونَ
“Ata janë të penguar edhe për ta dëgjuar (Kur’anin).”
Jo se ata nuk mund ta dëgjojnë fjalën e Allahut, por se ajo nuk depërton në zemrat e tyre, ashtu siç nuk depërton dhe në zemrat e shumë njerëzve, megjithëse ata i dëgjojnë versetet e tij.
E lus Allahun (xh.sh) të na mundësojë shikimin e Tij në Xhennetin Firdevs, të na bëjë nga ata që e dëgjojnë fjalën e mirë dhe e zbatojnë atë dhe të na mundësojë dëgjimin e asaj që i pëlqen Atij.

Ligjërata Xhumasë,
Greenway Masjid
Qershor, 2011



Burimi