Falënderimi i takon vetëm se Allahut, Atë e lavdërojmë dhe vetëm nga Ai falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e Pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.

Nga tradita e Allahut në njerëzit është që t’i nënshtrohen njëri-tjetrit dhe nuk ka mundësi që të plotësohet lumturia e tyre përveç se nëpërmjet bashkëpunimit dhe lidhjeve miqësore mes tyre dhe nuk mundet të rregullohet jeta e tyre përveç se nëpërmjet përhapjes së dashurisë dhe butësisë mes tyre. Kur i forti sillet me butësi ndaj të dobëtit dhe kur shumica janë bamirës ndaj pakicës atëherë realizohet lumturia dhe dashuria kurse dëshpërimi dhe belat nuk vijnë vetëm se kur përhapet në mesin e njerëzve shkëputja e lidhjeve mes tyre dhe ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit dhe nuk i intereson askujt për askënd po secilit i intereson vetëm se vetja dhe nuk ia jep të drejtat tjetrit.

Vështirë është për shpirtin e një besimtari fisnik të sheh një të mjerë i cili vesh rroba që as pjesët e turpshme nuk ia mbulon, apo ta sheh një këmbëzbathur që gurët e tokës ia lëndojnë gishtat e tij, apo të vëren një të uritur i cili sytë ia drejton një ushqimi dhe në fund nuk mundet ta merr dhe mbetet i pikëlluar. Kur përhapen në shoqëri gjendje të tilla dhe ata që kanë mundësi të ndihmojnë nuk ndihmojnë dhe të pasurit nuk kujdesen dhe shpenzojnë atëherë si pret të jetë gjendja në shoqëri? Dhe parashtrohet pyetja se ku është stimulimi i brendshëm i besimit?

Mirëpo Allahu nga mëshira e Tij kur e krijoi të mirën ia krijoi asaj edhe njerëzit që merren me të dhe ua bëri të dashur në zemrat e tyre dhe i drejtoi ka ajo e mirë sikurse e drejton ujin ka toka e vdekur dhe nëpërmjet atij ujit ajo tokë ngjallet dhe ngjallet çdo gjë në të. Kur Allahu ia do një robi të mirën ia mundëson që t’i ndihmon njerëzve kur ata janë nevojtar dhe sa më shumë që shtohen begatitë e Allahut mbi robin aq më shumë lidhen njerëzit për të. Nëse i shfrytëzon ato begati për hir të Allahut dhe ua jep hakun vetëm se e ka falënderuar Allahun për ato të mira dhe është përkujdesur për to kurse nëse është i shkujdesur dhe neglizhent ndaj tyre vetëm se është bërë shkaktar për largimin dhe humbjen e atyre begative dhe për largimin e fytyrave të njerëzve nga ai.

Përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Janë disa njerëz që Allahu i ka veçuar me begati që t’i ndihmojnë robërve të Tij dhe ato begati qëndrojnë tek ata deri sa i shpenzojnë dhe nuk i kursejnë, mirëpo kur fillojnë të mos i shpenzojnë dhe i kursejnë atëherë Allahu ua tërheq dhe i transferon tek të tjerët”. 

Ibën Abasi, Allahu e mëshiroftë, përcjell me një hadith se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nuk ka rob që Allahu ia ka dhuruar një begati dhe ia ka plotësuar atë dhe pastaj e ka bërë që nevojtarët t’i drejtohen atij për ndihmë e ai nuk u ka dal në ndihmë nevojtarëve vetëm se e bëri Allahu që ato begati t’i largohen dhe të humbin nga ai”.   

O ju robërit e Allahut, në fenë e Allahut ka ligje të qarta dhe të përkryera për realizimin e marrëdhënieve dhe lidhjeve mes njëri-tjetrit të cilat e edukojnë shpirtin në mirësi dhe udhëzojnë në dhënien e ndihmave dhe kryerjen e shërbimeve të mira.

Ka ardhur me  një hadith të saktë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam,  ka thënë: “Kush ia lehtëson një hallexhiu në dynja, Zoti do ia lehtësoje atij hallet e botës tjetër. Kush ia lehtëson gjendjen nevojtarit, Zoti do t’ia lehtëson atij në dynja dhe ahiret. Kush ia mbulon të metat një muslimani në dynja, Zoti do ia mbulojë të metat në botën tjetër. Allahu është në ndihmën e robit, përderisa ky i fundit është në ndihmën e vëllaut të tij musliman”.

Poashtu me një hadith tjetër të saktë ka ardhur se i Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, kështu që ai as nuk duhet t’i bëjë padrejtësi atij dhe as nuk duhet t’ia dorëzojë atë shtypësit apo armikut. Kush i plotëson nevojat e vëllait të vet, Allahu do t’ia plotësojë atij nevojat. Kush e nxjerr vëllanë e vet nga shqetësimi dhe vështirësitë, Allahu do ta nxjerrë atë nga shqetësimi e vështirësitë Ditën e Kiametit dhe kush mbulon një musliman, Allahu do ta mbulojë atë ditën e Kiametit“.

Dijetarët pasi se çështja është shumë madhështore dhe precize e cekin se nxjerrja e një muslimani nga vështirësitë është më madhështore se sa lehtësimi nga ajo, për arsye se nxjerrja aludon në largimin e vështirësisë dhe brengës kurse lehtësimi në lehtësimin e saj. Shpërblimi meritohet sipas veprës, kush e nxjerr vëllanë e vet nga shqetësimi dhe vështirësitë, Allahu do ta nxjerrë atë nga shqetësimi dhe vështirësitë e tij, kurse shpërblimi i atij që ia lehtëson vëllaut gjendjen është lehtësimi i brengave të tij. Shpërblimi i atij që ia lehtëson gjendjen nevojtarit në dynja është lehtësimi i gjendjes së tij në ahiret dhe mjafton ajo që na e rrëfen Allahu i Madhëruar për atë ditë dhe se sa ka nevojë njeriu që atë ditë t’i lehtësohet gjendja e tij: “Ajo do të jetë një ditë e rëndë. Për jobesimtarët nuk do të jetë aspak e lehtë”. Mudethir 9-10.

Më një hadith që e përcjell imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush dëshiron që Allahu ta shpëton nga vështirësitë e Ditës së Kiametit le t’ia lehtëson gjendjen nevojtarit apo le t’ia largon atë”. Dhe poashtu me një hadith tjetër: “Kush i jep afat nevojtarit ose ia falë atë Allahu do ta vendos nën hijen e Tij, ditë ku nuk ka hije tjetër përveç hijes së Tij”.

Besimtari për besimtarin është sikurse ndërtesa, pjesët e të cilës e mbajnë fort njëra-tjetrën. Krijesa më e dashur tek Allahu është ajo e cila është më e dobishme për njerëzit dhe ai që i shërben të tjerëve me të mira është i mbrojtur nga të këqijat.

Disa nga njerëzit e mençur thanë: “Belaja më e madhe është që të kesh mundësi të bësh një të mirë dhe mos ta veprosh atë”.

Aliu, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thonte: “I lartësuar je o Zot. Sa shumë njerëz janë distancuar nga të bërit mirë! Çuditem me atë njeri të cilit i vjen vëllau i tij musliman me ndonjë nevojë dhe kërkesë dhe ai nuk e sheh veten të aftë për t’i bërë mirë!! Edhe po që se nëpërmjet bamirësisë nuk e shpresonim xhenetin, dhe nuk i frikoheshim xhehenemit, dhe nuk i shpresonim shpërblimet, dhe nuk i frikoheshim dënimit, do të duheshim që nëpërmjet saj t’i kërkojmë virtytet e larta të moralit për arsye se ato aludojnë mbi rrugët e shpëtimit”. U ngrit një njeri dhe i tha: “O i prijës i muslimanëve, a e dëgjove këtë nga i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam? U përgjigj: “Po. Një ditë na i sollën robët e luftës nga Taji dhe në mesin e tyre ishte një robëreshë e bukur e cila iu afrua të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i tha. O Muhamed, unë jam vajza e zotërisë së popullit tim, prindi im e lironte nevojtarin, i mbronte gjakrat, e gostiste mysafirin, e ngopte të uriturin, i nxjerrke njerëzit nga vështirësitë, e ushqente të varfrin, e përhapte selamin dhe nuk e kthente asnjëherë dorën e nevojtarit. Unë jam bija e Hatim et Tait. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, tha:“O ti robëreshë, këto janë cilësitë e besimtarit. Lirojeni për arsye se prindi i saj i donte virtytet e larta të moralit”.    

O ju musliman, dyert e mirësisë janë të shumta dhe nevojat e njerëzve janë të llojllojshme. Ushqimi i të uriturit, veshja e bredhacakut, vizita e të sëmurit, mësimi i të paditurit, zgjatja e afatit nevojtarit, ndihma e të pa aftit, largimi i një brenge nga i vëllau, përkujdesja e jetimit, ndihma e të vejave, falënderimi për bamirësinë, falja e ofendimeve, marrja pjesë në lirimin e një të burgosuri, mbrojta e gjakut, lehtësimi i vështirësive, durimi në kohë të rënda, siguria gjatë frikës, përmisimi mes dy kundërshtarëve, udhëzimi i udhëtarit, etj, këto  të gjitha janë vepra të mira dhe në të gjithat ka shpërblime dhe bamirësi dhe të gjitha janë solidaritet i ndërsjellë në mirësi dhe dobi dhe në lehtësim të vështirësive. Nëse nuk e posedon asnjërën nga këto atëherë të mbetet fjala e mirë ose mos bërja dëm njerëzve.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë. “Buzëqeshja jote në fytyrën e vëllait tënd është lëmoshë, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja është lëmoshë, udhëzimi që ia jep njeriut që ka humbur rrugën është lëmoshë, heqja e pengesës, e gjembave dhe e eshtrave nga rruga është lëmoshë dhe hedhja e ujit nga kova jote në kovën e vëllait tënd është lëmoshë”.

Po o ju robër të Allahut, çdo vepër e mirë është lëmoshë, bamirësit në dynja janë bamirësit në ahiret. Lëmosha e fik zemërimin e Zotit, lidhja farefisnore shton në jetë, pasurinë nëse nuk e shfrytëzon për të bërë mirë apo për t’ia larguar nevojtarit nevojën dhe nëse ajo nuk bëhet shkak për fitimin e shpërblimeve, dije se ajo do të mbetet ose për trashëgimtarin ose për dikë tjetër. Koprraci i cili ka të holla në dynja, jeton në të si fukara kurse në ahiret llogaritet me llogari të pasanikëve dhe për këtë arsye, o ti i pasur, mos u bën depozitues dhe arkëtar për tjetrin.

Jeta e kësaj dynjaje do të përfundon, lodhjet e  jetës dhe mundimet e saj nuk janë monopol vetëm i një populli po ajo i përfshin të gjithë, llogaria e ahiretit është shumë e rëndë dhe braktisja e muslimanit është çështje shumë e madhe.

Muslimanët u poshtëruan si individë dhe u poshtëruan si Umet kur u dobësua lidhja vëllazërore mes tyre dhe kur filloi të dominon në zemrat e tyre vetëpëlqimi dhe atëherë filluan të paraqiten edhe sëmundjet e zemrës të cilat ishin pengesë e madhe për t’i ndihmuar të tjerëve. Ka prej atyre me zemra të ngurta që të mjerët dhe të dobëtit i shikojnë me sy tjetër, me sy të nënçmimit dhe përqeshjes. A nuk mendojnë ata se me kalimin e kohës ka mundësi që gjendja e tyre të ndryshon dhe pasuria e tyre të zhduket dhe prej  krenarisë të kalojnë në nënçmim apo të ndodhë e kundërta që ata fukara të bëhen pasanik dhe nga poshtërimi të kalojnë në krenari.

Për këtë arsye tentoni që të përmisoni zemrat e juaja që ato të jenë të pastra dhe duart e juaja që ato të jenë më bujare dhe bëni tregti fituese me Allahun dhe jepni sa më shumë lëmoshë që ajo të shtohet edhe atë haptazi dhe fshehurazi, ditën dhe natën: “Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen”.Bekare 274.

Mos harroni respektimin e drejtave të vëllezërve të juaj dhe mos i harroni ato begati të Allahut mbi ju. Kush është bekuar që të jep sa më shumë lëmoshë dhe të bën mirë le të banë atë me fytyrë të buzëqeshur dhe pamje të mirë dhe le të tenton që ta fsheh sa të mundet atë mirësi me qëllim që ta ruan sinqeritetin dhe t’ia mbron fisnikërinë dhe fytyrën vëllaut të vet musliman.

Etika dhe edukata e arrijnë kulminacionin e tyre kur bamirësi e din se atë që e jep është e drejtë e tyre dhe se Allahu atë e ka bërë vetëm se sebep dhe për këtë nuk pret nga ta falënderim dhe shpërblim.

Përcillet se një njeri kishte shkuar deri tek disa bamirës që t’ia lehtësojnë nevojat e tij dhe pasi që njëri nga ta i ndihmon, filloi nevojtari ta falënderon. Bamirësi i thotë: “Për çfarë arsye po na falënderon? Ne e shohin se për nevojtarin duhet të jepet zeqatë ashtu siç jepet për pasurinë zeqatë. Nëse atë mirësi e pason përmendja dhe fyerja vetëm se humbet shpërblimi dhe shkatërrohen sevapet”.

SHEJH DR. SALIH EL HUMEJD

Nga arabishtja: Irfan JAHIU