Prishtinë, më 9 shtator 2024
Më 7 shtator 2024, organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Vakëfeve të Malajzisë, u mbajt Simpoziumi virtual me temë “Vakëfet në vendet e Ballkanit”. Në këtë Simpozium nga Kosova mori pjesë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili foli rreth vakëfeve në Kosovë, duke përmendur kështu kontekstin historik të zhvillimit të tyre, uzurpimin dhe shkatërrimin e pasurisë së vakëfit nga regjimet e mëparshme deri në luftën e fundit, si dhe ringritjen e vakëfeve pas luftës, ku përmendi se pothuajse të gjitha vakëfet e shkatërruara janë restauruar dhe rindërtuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Ai më pas foli edhe rreth promovimit të vakëfeve dhe rritjes së tyre, duke theksuar se si rezultat i promovimit intensiv të vakëfit në media, është rritur numri i vakëfeve vendore, gjë që forcon edhe më shumë projektet e Bashkësisë Islame dhe jep më shumë shpresë për zhvillimin e ardhshëm të vakëfeve.
Në këtë Simpozium morën pjesë edhe përfaqësues të vendeve të ndryshme të Ballkanit, komuniteteve islame dhe institucioneve të vakëfeve, si nga Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, e të cilët diskutuan për gjendjen aktuale të vakëfeve në rajon, si dhe për sfidat dhe mundësitë që lidhen me ruajtjen dhe zhvillimin e tyre.
Simpoziumi ofroi mundësi për bashkëpunim rajonal dhe shkëmbim të përvojave ndërmjet institucioneve në fushën e vakëfeve.
Një nga konkluzionet e Simpoziumit ishte edhe vazhdimi i bashkëpunimit të institucioneve të vakëfeve nga Ballkani dhe mbajtja e rregullt e takimeve, në të cilat do të diskutohen temat e rëndësishme të vakëfeve.
Pas prezantimeve nga pjesëmarrësit, u mbajt edhe një diskutim, në të cilin profesorët e shquar, dr. Muhamed Arnauti dhe prof. dr. Sami Salahati, paraqitën analizat e tyre, në të cilat ofruan sugjerime dhe propozime cilësore për ruajtjen dhe përmirësimin e vakëfeve në vendet e Ballkanit.
Këtë Simpozium e udhëhoqi dr. Abdulhalim Zejdani, ekspert i njohur i projekteve sociale dhe zhvillimit ekonomik të vakëfeve.
Rubrika e informacioneve sjell lajme nga aktivitetet që organizojnë institucione islame, organizata islame, thirrës apo ngjarje të tjera me interes për komunitetin musliman. Sjellja e informacioneve nuk nënkupton pajtueshmëri të redaksisë së Thirrja.org me ngjarjet apo përmbajtjen e informacioneve që sillen.