Pikat e hutbes:
Dëshira e shoqërive të ndërgjegjshme për të realizuar ngritje financiare
Kujdesi i sheriatit për zhvillim ekonomik të ndershëm
Përkufizimi i korrupsionit financiar dhe administrativ dhe pasojat e secilit
Roli i udhëheqësit në trajtimin e korrupsionit financiar dhe administrativ
Mënyrat efektive për trajtimin e problemit të korrupsionit financiar dhe administrativ
Falënderimi i takon Allahut, të Madhit, të Lartësuarit, Atij i përket lavdia e plotë dhe përsosmëria. Ai është Bujar ndaj robërve të Tij me dhurata dhe mirësi. Atij i përket krijimi dhe urdhri, dhe tek Ai është kthimi dhe përfundimi. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një e të Vetëm, pa ortak dhe pa të ngjashëm; dhe dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij, fisnik në moral, i lartë në cilësi; foli dhe tha të vërtetën, veproi dhe veprimi i tij ishte shembulli më i mirë. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi bashkëshortet e tij, shokët dhe familjen e tij, si dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tyre dhe ndjekin udhëzimin e tyre në çdo kohë dhe në çdo gjendje; shumë selame qofshin mbi ta.
E më pas: O njerëz, kini frikë Allahun me devotshmërinë e vërtetë, kapuni fort pas Islamit me lidhjen më të fuqishme dhe ruhuni nga gjynahet dhe mëkatet; sepse shmangia prej tyre është shkallë për t’ju çuar drejt fitores së Xhenetit. “E sa për atë që i frikësohet qëndrimit para Zotit të tij dhe e ndalon veten nga pasionet, atëherë Xheneti është vendbanimi.” (En-Naziat: 40–41).
O robër të Allahut, nuk ka asnjë shoqëri nga shoqëritë e umetit tonë që të mos synojë ngritje financiare, nga e cila të marrë burime, si dhe rregullim administrativ që ta ngritë në horizontet e përparimit, seriozitetit dhe suksesit; sepse pasuria është arteria e jetës, ndërsa administrimi është shtylla e disiplinës. Kur ndershmëria financiare dhe paanshmëria administrative bashkohen, ato mbyllin çarjen e korrupsionit financiar dhe çarjen e korrupsionit administrativ, dhe e drejtojnë anijen e shoqërisë, të lundrojë krenare, drejt bregut të ekuilibrit, mjaftueshmërisë, amanetit dhe vënies së interesit publik mbi interesat vetiake. Kushdo që e vështron ligjërimin e butë të Islamit, gjen në të atë që i ndihmon njerëzit për çështjet e fesë dhe të dynjasë së tyre; gjen në të atë që e përmirëson marrëdhënien mes robit dhe Zotit të tij, si dhe atë që e përmirëson marrëdhënien e tij me shoqërinë. Nuk ka ndarje mes këtyre marrëdhënieve, sepse çdo përmirësim në to është i lavdërueshëm dhe çdo prishje është e qortueshme. Nëse marrëdhënia mes robit dhe Zotit të tij është ndërtuar mbi falje dhe mëshirë, atëherë marrëdhëniet tokësore mes njerëzve janë të ndërtuara mbi përplasje interesash. Për ta larguar dhe parandaluar këtë përplasje, sheriati i Islamit ka ardhur me luftimin e korrupsionit administrativ dhe korrupsionit financiar, të cilët, nëse përhapen në një shoqëri, e rrënojnë ndërtimin e saj, e prishin ekuilibrin dhe shkaktojnë tek ajo kaos, plogështi dhe paaftësi, gjëra që janë të dukshme për çdo vëzhgues. Asnjë mendje e shëndoshë nuk dyshon se korrupsioni financiar dhe korrupsioni administrativ janë murtaja e ekonomisë dhe e udhëheqjes, kanceri i ndërgjegjeve, i përgjegjësive morale dhe i etikës, dhe shkatërruesi i pasurive, arritjeve dhe të drejtave.
Rezultati pozitiv i shoqërive të vetëdijshme që synojnë ngritjen dhe fisnikërinë me energjitë dhe pasuritë e tyre varet nga shkalla e zbatimit të parimit të amanetit në administrim dhe të parimit të ndershmërisë në pasuri. Ndershmëria, pa dyshim, është një cilësi fisnike rreth së cilës nuk ka mospajtim; ajo përbëhet nga krenaria e shpirtit, drejtësia, kënaqësia me të pakën dhe mungesa e lakmisë. Me të gjitha këto së bashku ndërtohet amaneti i brendshëm tek individi, tek bashkësia dhe tek personaliteti juridik.
Korrupsioni financiar dhe korrupsioni administrativ, o robër të Allahut, përkufizohen shkurtimisht si keqpërdorim i autoritetit publik nga ana e atij që është ngarkuar nga udhëheqësi për interesin e njerëzve, duke zëvendësuar shërbimin ndaj interesit të përgjithshëm me shërbimin e shkëmbimit të interesave private. Në korrupsionin financiar ka shpërdorim të pasurisë publike që i është besuar, si dhe neglizhencë në dhënien e përparësisë për përdorimin e saj në fushat për të cilat është ngarkuar i besuari nga udhëheqësi dhe sundimtari i njerëzve. Njerëzit, sa i përket kësaj pasurie, janë dy llojesh: njëri e merr atë me emrin e vjedhjes dhe përvetësimit, pa u shqetësuar fare, madje e sheh si një rast të volitshëm që nuk pranon vonesë as lënie. Ndërsa lloji tjetër e justifikon atë që ta nxjerrë nga emri i vjedhjes dhe përvetësimit dhe ta fusë nën emrin “dhuratë”, ose “shpërblim”, ose “lehtësim”, e të ngjashme. Dhe sado që i korruptuari ta mbulojë korrupsionin e tij me lloje zgjuarsish dhe petka të shndritshme, dhe ta quajë me emra të tjerë, kjo nuk do t’ia mbulojë turpin dhe nuk do ta ndryshojë aspak realitetin e tij.
Në korrupsionin administrativ shpërfaqet rreziku i tij qartazi në neglizhimin e vënies së prioritetit administrativ te lehtësimi për njerëzit, te cilësia dhe te arritja e rezultateve. Përkundrazi, i korruptuari zhduk mundësitë për njerëzit kompetent, përhap frymën e oportunizmit dhe përdor ndikimin e tij, në mënyrë që trajtimi i individit të vlerësohet sipas marrëdhënieve, lidhjeve dhe interesave personale që ka, e jo sipas aftësisë, prioritetit dhe kompetencës së tij. E gjithë kjo paralajmëron një prapakthim të sigurt të shoqërisë, padrejtësi dhe mungesë të sinqeritetit në punë dhe në performancë, duke u shndërruar në pengesë për çdo krijimtari, zhvillim dhe inovacion. Si rrjedhojë, kjo reflektohet negativisht në interesin e përgjithshëm, me dështim e humbje, derisa individi, për shkak të të gjitha këtyre, ndien se nuk ka asnjë mundësi për të arritur synimet e tij pa pengesa administrative, pa favorizime dhe pa ndërthurje interesash, të cilat u mbyllin rrugën atyre që janë më të merituar se ai. Madje, i dëmtuari nga kjo gjendje nuk arrin të përfundojë një nevojë të tijën pa to, nuk udhëton pa to, nuk studion pa to, nuk bën tregti pa to, nuk mjekohet pa to dhe nuk i zgjidh punët pa to.
Sikur të mençurit e atij korrupsioni ta shfrytëzonin zgjuarsinë e tyre në atë që i sjell dobi shoqërisë dhe ua pastron ndërgjegjet, do të ishin nga gjenitë e shoqërive dhe ndërtuesit e tyre, e jo nga kazmat që i tronditin dhe i shembin ato. Mjerë zemra që nuk mbart veçse koncepte të tilla të dëmshme e shkatërruese, të cilat janë nga tradhtitë më të rënda ndaj Allahut të Lartësuar dhe pastaj ndaj përgjegjësisë publike e cila iu është besuar atyre për pasurinë dhe administrimin; sepse korrupsioni financiar është shkatërrim i pasurisë publike, ndërsa korrupsioni administrativ është shkatërrim i drejtësisë shoqërore. “Allahu nuk e do shkatërrimin” (El-Bekare, 205).
Dijeni, Allahu ju mëshiroftë, se thelbi i asaj që u përmend më sipër na bën të kuptojmë se korrupsioni është një fjalë që e refuzojnë gjuhët e shëndosha dhe veshët e pastër; ai është e kundërta e rregullit dhe të mirës, një zjarr përvëlues që gëlltit rritjen dhe përparimin, duke i kthyer ekonomitë dhe administratat e shoqërive në kashtë që e shpërndajnë erërat e njerëzve me ndërgjegje të mangëta dhe shpirtra pa fre fetar. Korrupsioni financiar dhe administrativ përhapet atëherë kur individët humbin ndjenjën e detyrës së tyre ndaj interesit të përgjithshëm; nuk e bëjnë veten pasqyrë të organeve të kontrollit, të ndershmërisë dhe të luftës kundër korrupsionit, dhe nuk e ngarkojnë veten me përgjegjësinë morale për të raportuar korrupsionin te institucionet përkatëse. Nuk ka dyshim se hezitimi dhe parapëlqimi i “shpëtimit personal” në zbulimin dhe denoncimin e tij janë shkaqe të qarta për jetëgjatësinë dhe shtimin e peshës së korrupsionit, derisa ai të bëhet sëmundje e rrënjosur. Njeriu, nëse thith vazhdimisht korrupsion financiar dhe administrativ, bie në varësi; ajri i pastër nuk i mjafton më, dhe kështu ai i ndërton interesat e tij mbi mentalitet oportunist me shprehjen “merr e jep”, madje lakmia mund ta çojë në atë shkallë sa të njohë vetëm shprehjen “jep e jep”, ta mbushë xhepin dhe ta fshehë turpin, duke u bërë si i pangopuri që ha e nuk ngopet, ose si ai që pi ujë të kripur e sa më shumë pi aq më shumë i shtohet etja. Këta e të ngjashmit me ta nuk e kanë prekur fare frenën fetare në thellësinë e zemrave të tyre; kërcënimi i Kur’anit nuk i ka frikësuar dhe ndalesat e Sunetit nuk i kanë penguar. Prandaj, me të drejtë zbatohet për ta ajo që Maliku transmeton në “El-Mudevvene”, se Uthman ibn Affani, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Allahu ndalon me pushtet çfarë që nuk ndalon me Kur’an.” Ibnul-Kasimi thotë: e pyeta Malikun: ç’do të thotë “e ndalon”? Ai tha: “e frenon”. Prej kësaj, o robër të Allahut, është edhe fjala e Allahut – i Lartësuar –: “Dhe u tubuan për Sulejmanin ushtritë e tij prej xhindëve, njerëzve dhe shpendëve, dhe ata u mbaheshin në radhë” (En-Neml, 17); domethënë: ndaleshin, pengoheshin dhe shtyheshin, të parët ktheheshin te të fundit. Disa prej dijetarëve të mëdhenj të tefsirit kanë thënë: “Në këtë ajet ka argument për nevojën e caktimit nga imami përgjegjës të atillë që e frenojnë shoqërinë dhe i pengojnë njerëzit nga tejkalimi dhe padrejtësia ndaj njëri-tjetrit.” Hasen el-Basriu ka thënë: “Njerëzit patjetër kanë nevojë për një frenë”, domethënë për një pushtet që i ndalon.
Për këtë arsye, o njerëz, Allahu ia ka ngarkuar atij që është në krye të çështjeve të muslimanëve detyrën për ta zhdukur korrupsionin, për t’ia shkulur rrënjët dhe për ta luftuar me vendosmëri e këmbëngulje; sepse kjo është një detyrë fetare dhe një përgjegjësi kombëtare, për mbrojtjen e pasurisë publike dhe të të mirave të saj, si dhe për ndalimin e përfitimit të paligjshëm, i cili bie ndesh me atë që ka sjellë feja jonë e pastër në etikën e punës dhe në kërkimin e furnizimit. Sepse përgjegjësia është e tillë që: për hallallin ka llogari, ndërsa për haramin ka ndëshkim. Allahu – i Lartësuari – thotë: “ O besimtarë! Mos ia ndaloni vetes gjërat e mira, të cilat Allahu jua ka lejuar dhe mos e kaloni kufirin! Vërtet, Allahu nuk i do ata që e kapërcejnë kufirin. Hani nga ato gjëra të lejuara e të mira që ju ka dhënë Allahu! Frikësojuni Allahut, të Cilit ju i keni besuar!” (El-Maide, 87–88).
Allahu na bekoftë mua dhe ju me Kur’anin e Madhërishëm, dhe na bëftë dobi mua dhe juve me atë që përmban prej ajeteve dhe përkujtimit të urtë. Këtë fjalë e them dhe kërkoj falje nga Allahu për veten time dhe për ju, si dhe për mbarë besimtarët dhe besimtaret, për çdo mëkat dhe gabim; kërkoni falje prej Tij dhe pendohuni tek Ai, se Ai është Zoti im, Falës dhe Mëshirëplotë.
Hutbja e dytë:
Falënderimi i takon Allahut me një falënderim të bollshëm, të pastër dhe të bekuar, ashtu siç e do dhe e pëlqen Zoti ynë. Paqja dhe bekimi qofshin mbi robin dhe të zgjedhurin e Tij.
Disiplina financiare dhe administrative për shoqëritë është si dy krahët e shpendit; fluturimi i tij nuk rregullohet veçse me të dyja, dhe kur këta dy krahë, ose njëri prej tyre, pësojnë çrregullim, rënia bëhet e pashmangshme dhe nuk ka më fluturim të qëndrueshëm.
Është e padiskutueshme se përhapja e një plage të tillë në një shoqëri nuk i lë asnjë mundësi për t’u ngritur dhe nuk ruan asnjë gjurmë të dobishme të kapaciteteve të saj për interesin e përgjithshëm. Kjo i sjell shoqërisë varfëri, prapambetje, përzgjedhje të padrejtë dhe oportunizëm, dhe ndez në mesin e saj zjarrin e zilisë, urrejtjes, përçarjes dhe grindjes. Për këtë arsye, është detyrë për këdo që është i ngarkuar me menaxhim buexhetesh apo administrim, ta përgatisë veten për të ruajtur një ekuilibër serioz mes dëshirave personale dhe kryerjes së detyrës së tij, të mos lejojë që dyshimet t’i hapin rrugë përmes tyre dhe ta kuptojë se ndër mjetet më të rëndësishme të sigurisë financiare dhe administrative është zbatimi i parimit të “qeverisjes së mirë”, e cila nuk e lejon individualizmin absolut që e çon njeriun në pasoja të qortueshme. Meqë korrupsioni financiar nuk qëndron veçse mbi dhënësin e ryshfetit, marrësin e tij dhe ndërmjetësin, atëherë për ta ka ardhur mallkimi; dhe çdo vepër për të cilën ka ardhur mallkim është nga mëkatet e mëdha, siç e kanë theksuar dijetarët e konsideruar. Te Tirmidhiu dhe Ebu Davudi transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka mallkuar dhënësin e ryshfetit dhe marrësin e tij, dhe në një transmetim tjetër edhe ndërmjetësin që ndërhyn mes tyre.
I Dërguari i Allahut ﷺ caktoi një njeri për të mbledhur sadakanë e fisit Benu Sulejm, i quajtur Ibnul-Lutbijje. Kur u kthye, e thirri në llogari dhe ai tha: “Kjo pasuri është për ju, ndërsa kjo është dhuratë për mua.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Pse nuk u ule në shtëpinë e babait dhe të nënës sate, derisa të të vinte dhurata jote, nëse je i sinqertë?” Pastaj na mbajti një fjalim, falënderoi Allahun dhe e lavdëroi Atë, e më pas tha: “Unë e caktoj ndonjërin prej jush në një detyrë nga ato që Allahu m’i ka besuar, e ai vjen e thotë: kjo është pasuria juaj dhe kjo është dhuratë që m’u dha mua. Pse nuk u ul në shtëpinë e babait dhe nënës së tij derisa t’i vinte dhurata? Pasha Allahun, askush prej jush nuk merr diçka pa të drejtë, veçse do ta takojë Allahun duke e mbajtur atë në Ditën e Kiametit. Do ta njoh patjetër njërin prej jush që ta takojë Allahun duke mbajtur një deve që ulërin, ose një lopë që pëllet, ose një dele që blegëron.” Pastaj ngriti dorën e tij derisa u pa bardhësia e sqetullës dhe tha: “O Allah, a e përcolla?!” (transmeton Buhariu).
Gjithashtu, Muslimi transmeton nga Adij ibn Umejre el-Kindiu se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: ‘Këdo që e caktojmë prej jush në një detyrë e ai fsheh prej nesh qoftë edhe një gjilpërë apo diçka më shumë, ajo është përvetësim i padrejtë që do ta sjellë me vete në Ditën e Kiametit.’” Ndërsa nga Ebu Humejd es-Sa’idi transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Dhuratat e zyrtarëve janë përvetësim i padrejtë” (transmeton Ahmedi).
Allahu ka thënë të vërtetën, e kush është më i vërtetë në fjalë se Allahu: “Është e pamundur për ndonjë profet që të përvetësojë në mënyrë të pandershme prenë e luftës. Kushdo që bën një gjë të tillë, do të vijë (i ngarkuar me të) në Ditën e Kiametit e pastaj do t’i jepet çdokujt ajo që ka merituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi. ” (Alu Imran, 161).
Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salate dhe selam, mbi më të mirin e krijesave dhe më të pastërin e njerëzimit, Muhamedin, birin e Abdullahut, zotëruesin e Havdit dhe ndërmjetësimit, sepse Allahu ju ka urdhëruar për këtë, kur ka thënë: “O ju që besuat, dërgoni salavate mbi të dhe përshëndeteni me përshëndetje të plotë” (El-Ahzab, 56).
O Allah, dërgo paqe dhe bekime të shtuara mbi robin dhe të Dërguarin Tënd Muhamedin, me fytyrën më të ndritshme dhe ballin më të shndritshëm. Ji i kënaqur, o Allah, me katër halifët e tij: Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Alinë, me të gjithë shokët e Profetit tënd Muhamed ﷺ, me pasuesit dhe me ata që i ndjekin me mirësi deri në Ditën e Gjykimit, dhe na përfshi edhe ne me ta me faljen, bujarinë dhe mirësinë Tënde, o Më i Mëshirshmi i mëshiruesve.
O Allah, forcoje Islamin dhe muslimanët, forcoje Islamin dhe muslimanët, poshtëroje shirkun dhe idhujtarët, ndihmoje fenë Tënde, Librin Tënd, Sunetin e Profetit Tënd dhe robërit e Tu besimtarë.
O Allah, lehtëso shqetësimet e të shqetësuarve nga muslimanët, largoju brengat e të sprovuarve, shlyeja borxhet borxhlinjve, shëroji të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, me mëshirën Tënde, o Më i Mëshirshmi i mëshiruesve.
Shejh Suud bin Ibrahim esh-Shurejm
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



