Marrëdhënia e amanetit me besimin, në ekzistimin dhe mungesën e tij/ Tradita e Profetit ﷺ në forcimin e pozitës së amanetit / A është posti  përgjegjësi apo nder? / Humbja e amanetit është nga shenjat e Kiametit / Humbja e amanetit është shkak në prapambetjen dhe rënien tonë / Reshje të zakonshme shiu  zbulojnë korrupsionin / Mjete ndihmëse për ndalimin e këtij korrupsioni 

Falënderimi i qoftë Allahut, i Dijshmi dhe i Urti,  Ai i sprovon robërit e Tij me të mira dhe me të këqija, që të shfaqet falënderuesi nga mohuesi,  durimtari nga ai që ankohet tepër. “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (El-Enbija, 35). E falënderojmë për atë që na dha dhe për atë që na ndaloi, e falënderojmë për atë me të cilën na sprovoi dhe për atë nga e cila na mbrojti; Ai është i lavdëruar në çdo gjendje. E mira është në dorën e Tij, dhe e keqja nuk i atribuohet Atij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar veç Allahut, të Vetëm e pa shok, i Urtë në veprat dhe caktimet e Tij, nuk cakton gjë për besimtarët, veçse ajo është e mirë për ta, dhe nuk i dënon robërit e Tij, përveçse për atë që kanë punuar duart e tyre. “Dhe çdo fatkeqësi që ju godet është për shkak të asaj që kanë bërë duart tuaja, megjithse  Ai fal shumë.” (Esh-Shura, 30).

Dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij, i besuari i Tij për shpalljen dhe këshilluesi për robërit e Tij; nuk ka të mirë veçse e ka udhëzuar ummetin drejt saj, dhe nuk ka të keqe veçse i ka paralajmëruar prej saj. Na ka lënë në një rrugë të ndritshme, nata e së cilës është si dita; nuk devijon prej saj veçse i humburi. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe shokët e tij, ata që ishin të vendosur në të vërtetën, zbatonin drejtësinë dhe largonin padrejtësinë, qofshin ata nga ensarët apo muhaxhirët; dhe mbi ata që i pasuan dhe pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

Pas kësaj hyrje:  Keni frikë Allahun dhe bindjuni Atij, dhe njihni të drejtën e Tij ndaj jush; sepse Ai ju krijoi, ju furnizoi, ju udhëzoi dhe ju mësoi. “O njerëz, kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush! A ka krijues tjetër përveç Allahut, që ju furnizon nga qielli dhe toka? Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij. Si pra shmangeni?” (Fatir, 3).

O njerëz: Kur dobësohet feja, zhduket amaneti, shfaqet tradhtia, shiten ndërgjegjet, ulet vlera e jetës së njerëzve dhe dhunohen të drejtat e tyre. Nga kjo lind prishja e gjendjeve, prapambetja e zhvillimit dhe rënia e civilizimit; sepse sundojnë njerëzit e padijes dhe mashtrimit, ndërsa spostohen ata të dijes dhe këshillës. Kjo është nga shenjat e Ditës së Kiametit. Dhe nëse tradhtia dhe moskryerja e amanetit dëmtojnë rëndë në të drejtat individuale, atëherë si do të jetë kur mungesa e amanetit dhe njollosja me tradhti arrijnë tek çështjet e përgjithshme që ndikojnë në një numër të madh njerëzish?!

Amaneti nuk gjendet veçse aty ku ka drejtësi, dhe kur sundon padrejtësia lind bashkë me të tradhtia. Me drejtësi dhe amanet lulëzon civilizimi, përparojnë shtetet dhe popujt, dhe njerëzit i njohin të drejtat dhe detyrimet e tyre. Në Kuran gjejmë urdhër për amanetin, ndalim nga tradhtia dhe ashpërsi në këtë çështje; po ashtu gjejmë se urdhri për amanetin vjen i lidhur me urdhrin për drejtësi, sepse janë të pandarë, ashtu siç janë tradhtia dhe padrejtësia të lidhura mes tyre. “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët!” (En-Nisa, 58). Kështu që Ai urdhëroi për drejtësi dhe amanet.

Allahu i Lartësuar e lavdëroi kryerjen e amanetit me përgjegjësi dhe e bëri atë nga cilësitë e besimtarëve dhe të atyre që falen: “Ata që janë të kujdesshëm për amanetet dhe premtimet e tyre.” (El-Mu’minun, 8). Dhe Ai i ndaloi besimtarët nga tradhtia: “ O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije.” (El-Enfal, 27). Në Kuran është gjithashtu: “Allahu nuk i do tradhtarët.” (El-Enfal, 58). Dhe aty thuhet: “Allahu nuk e udhëzon dredhinë e tradhtarëve.” (Jusuf, 52). Profeti ﷺ kërkonte strehim te Allahu nga tradhtia dhe thoshte: “Dhe kërkoj mbrojtje te Ti prej tradhtisë, sepse ajo është shoqe e keqe.” E transmeton Ebu Davudi.

Në një hadith tjetër vjen mohimi i besimit te tradhtari, sepse imani e shtyn njeriun drejt amanetit dhe e ndalon nga tradhtia. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Asnjëherë nuk na mbajti hutbe Profeti ﷺ pa thënë: Nuk ka iman ai që nuk ka amanet…” (E transmeton Ahmedi dhe e saktësuan Ibn Huzajme dhe Ibn Hibani).

Për shkak të madhështisë së amanetit në përmirësimin e umetit, rregullimin e gjendjes  dhe lulëzimin e civilizimit të tij  Profeti ﷺ  rrënjosi amanetin në zemrat e shokëve të tij duke përmendur tregime për njerëzit e ndershëm nga popujt e mëparshëm. Siç vjen në hadithin e Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga i Dërguari i Allahut ﷺ: “Një burrë bleu një pronë nga një burrë tjetër, dhe blerësi gjeti në atë pronë një qyp me ar. Ai i tha shitësit: Merre arin tënd prej meje, unë prej teje kam blerë tokën, jo arin. Ndërsa shitësi i tha: Unë ta kam shitur ty tokën dhe gjithçka që gjendet në të. Atëherë ata shkuan për gjykim te një burrë. Ai që u gjykonte u tha: A keni fëmijë? Njëri tha: unë kam një djalë. Tjetri tha: unë kam një vajzë. Gjykatësi tha: Martojeni djalin me vajzën dhe jetoni prej atij ari, dhe jepni sadaka.” E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Në një hadith tjetër të Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të,  nga Profeti ﷺ: “Një burrë nga beni Israilët i kërkoi një tjetri nga beni Israilët t’i jepte hua një mijë dinarë. Huadhënësi i tha: Më sill dëshmitarë që t’i vë dëshmi. Ai tha: Mjafton Allahu dëshmitar. Pastaj i tha: Më sill garantues. Ai tha: Mjafton Allahu garantues. Ai i tha: Ke thënë të vërtetën. Kështu ia dha paratë për një afat të caktuar. Ky doli në det, i kreu punët e tij dhe kërkoi një anije për t’u kthyer në kohën e përcaktuar, por nuk gjeti. Mori një copë druri, e hapi një vrimë në të, vendosi aty mijë dinarët dhe një letër për shokun e tij, e mbylli vendin dhe e hodhi në det. Pastaj tha: O Allah, Ti e di se unë mora hua nga filani një mijë dinarë; ai më kërkoi garancë dhe unë i thashë se Allahu mjafton garantues, dhe ai u kënaq me Ty. Dhe më kërkoi dëshmitar, e unë i thashë se Allahu mjafton dëshmitar, dhe ai u kënaq me Ty. Unë u përpoqa të gjej anije për t’ia dërguar paratë e tij, por nuk gjeta. Prandaj po ta besoj Ty këtë amanet. Pastaj e hodhi drurin në det dhe u largua duke kërkuar anije. Huadhënësi doli duke shpresuar se ndonjë anije kishte sjellë paratë e tij. Ai gjeti atë copë druri që e mori për dru zjarri. Kur e hapi, gjeti paratë dhe letrën. Pas një kohe erdhi huamarrësi me një mijë dinarët e tjerë dhe tha: Pasha Allahun, unë jam përpjekur gjithë kohën të gjej një anije për t’i sjellë paratë e tua, por nuk gjeta asnjë para anijes me të cilën erdha tani. Ai i tha: A më kishe dërguar mua ndonjë gjë? Ai i tha: Po të tregoj se nuk gjeta anije para kësaj me të cilën kam ardhur. Huadhënësi i tha: Allahu t’i ka kthyer ty paratë që dërgove nëpërmjet drurit, prandaj kthehu me mijë dinarët e tu i udhëzuar.” E transmeton Buhariu.

Përmendja e këtyre dy tregimeve të mëdha nga popujt e mëparshëm në kryerjen e amanetit është bërë me qëllimin që ai që i dëgjon dhe i lexon të ndjekë gjurmët e njerëzve të ndershëm dhe të marrë shembull prej tyre, që të zbukurohet me amanet në të gjitha çështjet e tij.

Në fillim të këtij umeti ka shembuj të ndritshëm të korrektësisë fetare, të kryerjes së amanetit dhe largimit nga tradhtia dhe edhe në brezat pas tyre pati burra të emanetit. E mira nuk pushon së ekzistuari në umetin e Muhamedit ﷺ. Ata morën përgjegjësi në të cilat pasuri të mëdha ishin nën disponimin e tyre dhe në duart e tyre, por nuk morën asgjë që nuk u takonte, e nuk ia mohuan askujt të drejtën e tij. Kur u sollën thesaret e Kisrasë te Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ai dhe muslimanët u habitën nga sasia dhe shumëllojshmëria e tyre. Umeri tha: “Me të vërtetë  njerëz të ndershëm janë ata që i sollën këto!” Atëherë Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha: “Ti u tregove i ndershëm, prandaj edhe populli yt u tregua i ndershëm,  por sikur ti të ishe i dhënë pas dynjasë, edhe ata do të ishin të tillë.”

Ijad ibn Ghanm, Allahu qoftë i kënaqur me të, u caktua në një post udhëheqës në Shamin e kohës së Omer ibn el-Khattabit, Allahu qoftë i kënaqur me të. Kur mori detyrën, erdhën tek ai disa njerëz nga fisi i tij që kërkonin ndihmën dhe bujarinë e tij. Ai i priti me buzëqeshje, i uli dhe i nderoi. Qëndruan disa ditë, pastaj i kërkuan ndihmë dhe i treguan për mundimin e udhëtimit që kishin bërë duke shpresuar në bujarinë e tij. Ai u dha secilit prej tyre nga dhjetë dinarë,  dhe ata ishin pesë veta. Por ata ia kthyen me zemërim, madje eedhe e qortuan. Ai tha: “O bij të xhaxhait tim, për Zotin, unë nuk e mohoj afërsinë tuaj, as të drejtën tuaj, as lodhjen e udhëtimit tuaj. Por, pasha Allahun, ajo me të cilën ju dhashë nuk arrita tek ajo veçse duke shitur shërbëtorin tim dhe duke shitur gjëra të cilat nuk mund të rri pa to, prandaj më arsyetoni.” Ata thanë: “Jo, për Zotin, nuk të arsyetojmë. Ti je vali i gjysmës së Shamit dhe i jep secilit prej nesh diçka që mezi i mjafton ta çojë në shtëpi!” Ai tha: “A më urdhëroni që të vjedh pasurinë e Allahut? Pasha Allahun, që të çahem me sharrë ose të gdhendem siç gdhendet druri, më është më e dashur sesa të tradhtoj qoftë edhe një qindarkë, ose të bëj padrejtësi ndaj një muslimani apo një të mbrojturi jo-musliman.” (E transmetojnë Ibnul-Xheuzi dhe Ibn Asakir)

Krahasoni, Allahu ju mëshiroftë,  gjendjen e këtij njeriu të besueshëm, Allahu qoftë i kënaqur me të, me realitetin e shumicës së muslimanëve sot, kur ata e shikojnë postin si nder dhe jo si përgjegjësi. Shumë prej tyre, për ta marrë një post, falin fenë, krenarinë dhe moralin; derdhin turpin dhe ulen dinjitetin e tyre. Kur e marrin postin, e kthejnë atë në pronë të vetën, për fëmijët e tyre dhe familjarët e tyre, duke i privuar prej tij ata që realisht e meritojnë. Pozitat, privilegjet, paratë dhe makinat i rezervojnë për veten, të afërmit dhe ata që u servilosen. Kontratat ua  japin kompanive të grave ose ortakëve të tyre që të mos zbulohen. Konkursët janë formale, dhe shkelja e kushteve të kontratave është tërësisht e pranishme, sepse marrësi i projektit është vetë zbatuesi dhe përfituesi i tij. Pastaj ndodh një katastrofë pas disa kohësh, dhe gjaku i viktimave humbet ndërmjet institucioneve të ndryshkura nga korrupsioni administrativ dhe financiar. Secili ia hedh fajin tjetrit. Me kalimin e brezave të korruptuar, nuk ka më të lehtë sesa t’ia hedhin fajin të vdekurve për t’i shpëtuar përgjegjësisë.

Mirëpo një e drejtë që humbet në dunja nuk humbet te Allahu. Palët do të mblidhen Ditën e Kiametit para gjykimit të Tij, sepse Ai është Gjykatësi i Drejtë. Le ta ketë frikë Allahun secili që është sprovuar me një përgjegjësi, qoftë e vogël apo e madhe. Le ta përmbushë amanetin në të dhe t’u japë të drejtat njerëzve, sepse nëse i mashtron, i ndalohet xheneti, siç ka ardhur në hadith. Të drejtat e njerëzve janë të bazuara në kërkim të plotë, ndërsa të drejtat e Allahut janë të bazuara në falje. Dhe tek Allahu nuk humbet asnjë e drejtë.

Hutbja e dytë:

Falënderimi i takon Allahut me një falënderim të mirë, të shumtë dhe të bekuar, ashtu siç e do dhe është i kënaqur Zoti ynë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm dhe pa shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin në udhëzimin e tyre deri Ditën e Gjykimit.

Robër të Allahut,  frikësojuni Allahut dhe bindjuni Atij, dhe shtrëngoni fort amanetin, sepse ai është kursori i fetarisë, dëshmi e besimit, dhe është rruga drejt përmirësimit të gjendjes së individëve dhe shoqërive.

Profeti ﷺ ka treguar se amaneti do të humbasë në fund të kohës. Në hadithin e Hudhejfes, Allahu qoftë i kënaqur me të, vjen: “Njerëzit do të merren me tregti dhe mezi do të gjendet ndokush që e jep amanetin, deri sa të thuhet: ‘Në filan fisin ka një njeri të ndershëm.’” Hadith i saktë te Buhariu dhe Muslimi.

Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ për kohën e Kiametit. Ai i tha: “Kur të humbet amaneti, prite Kiametin.” Ai pyeti: “E si humbet amaneti?” Profeti tha: “Kur çështjet t’u besohen atyre që nuk janë të zotët për to, prite Kiametin.” E transmeton Buhariu. Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “Gjëja e parë që do të humbisni nga feja juaj është amaneti.”

Kjo është vërtet një kohë e humbjes së amanetit, pakësimit të mbikëqyrjes dhe dobësimit të llogaridhënies. Kjo është arsyeja më madhore e prapambetjes së vendeve islame, sepse kur u përhap padrejtësia dhe kur u hodh poshtë amaneti, u shtrinë veset e këqija: ryshfetet, mashtrimet, gënjeshtrat, falsifikimet dhe vonesat e padrejta, duke shkaktuar probleme të shumta socioekonomike, që e penguan ngritjen e umetit dhe ua hapën rrugën hajdutëve për t’i plaçkitur.

Ndërsa një nga arsyet më të mëdha të përparimit të Perëndimit të krishterë dhe Lindjes idhujtare është vendosja e drejtësisë, dhënia e amanetit dhe rreptësia në llogaridhënie; derisa këto veti u bënë natyrë te njerëzit e tyre, edhe pse ata nuk presin shpërblim hyjnor për to.

Në botën e prapambetur ku përgjegjësia e amanetit ka humbur, edhe ngjarjet e zakonshme natyrore shkaktojnë katastrofa të mëdha me të vdekur e të plagosur, duke humbur pasuri të mëdha, dhe të dobëtit janë viktimat e para. Përndryshe, kush do ta mendonte se reshje të zakonshme shiu do të përmbytnin lagje të tëra, do të shkatërronin jetë njerëzish dhe pasuri të mëdha, po të mos ishte lakmia, pangopësia dhe korrupsioni i atyre që nuk ruajnë amanetin, tradhtojnë popullin, vendosin njerëzit në shtretër lumenjsh dhe lugina, dhe nuk planifikojnë dalje të ujërave?

Ajo që ndodhi në Xheda nuk ishte as stuhi, as uragan, as përmbytje e madhe, as cunami. Ishte një shi i bekuar që zgjati disa orë, por zbuloi neglizhencën dhe tradhtinë e atyre që kishin ngrënë pasuri të mëdha në emër të projekteve të domosdoshme, të cilat nuk i realizuan.

Në disa vende islame të prapambetura ku korrupsioni është përhapur, ndërtesat kanë rënë mbi kokat e banorëve për shkak të dobësisë së ndërtimit dhe mashtrimit në kontrata, duke zhdukur familje të tëra nën rrënoja.

Në vende të tjera toka lëkundet pak dhe vdesin njerëz të shumtë për shkak të planifikimit dhe ndërtimit të keq.

Në shumë vende, mashtruesit kapitalistë i joshin njerëzit me investime të caktuara, dhe kur ato arrijnë kulmin, tërhiqen, duke lënë pas një masë të varfërish, borxhlinjsh dhe të sakatosurish. Lista e veprave të ngrënësve të haramit dhe atyre që shkatërrojnë jetët e njerëzve është e gjatë.

Ndër shkaqet më të mëdha të përhapjes së këtij korrupsioni financiar e administrativ në vendet muslimane është mungesa e llogaridhënies, këshillimit dhe qortimit të tyre, derisa ata u ndjenë të sigurt nga ndëshkimi dhe mbushën xhepat e tyre me pasuri duke cenuar jetën dhe nevojat themelore të njerëzve.

Për ta ndalur këtë korrupsion që solli këto katastrofa, është e domosdoshme llogaridhënia dhe kontrolli, njësoj siç kontrollohen të këqijat e tjera. Ajo që u ndodh njerëzve në jetesën e tyre nuk është më e lehtë sesa ajo që u ndodh atyre në moral e Fe, sepse njeriu nuk mund të kryejë obligimin tij   ndaj Allahut nëse nuk siguron jetesën e dinjitetshme. Përndryshe, përhapen sjellje të këqija dhe katastrofa të mëdha.

Dërgoni salavate dhe selame të shumta  mbi Profetin tuaj…

Shejh Dr. Ibrahim bin Muhamed el-Hukajl

Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve