Konfrontimi mes njeriut dhe shejtanit

Ky konfrontim ka filluar në Xhennet nga dita kur shejtani refuzoi t’i nënshtrohet urdhrit të Zotit [subhanehu ve teala] që t’i përulet Ademit [alejhisselam]. Si rezultat i këtij refuzimi, All-llahu e përzuri nga mëshira e Tij dhe e mallkoi. Ai u betua para All-llahut se do ta shmangë nga rruga e drejtë atë dhe pasardhësit e tij.

“Ai tha: “Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, “. (Sad: 82).

Hapi i parë ishte lajthitja e prindërve të njerëzimit, në të cilin hap shejtani arriti sukses dhe i nxori nga Xhenneti.

“(All-llahu) tha: “Zbritni, jeni armik i njëri-tjetrit. Në tokë ju e keni vendqëndrimin (vendbanimin) dhe përjetim deri në një kohë”. (El-A’raf: 24).

Zbriti Ademi [alejhisselam] në tokë që të ballafaqohet ai dhe pasardhësit e tij me shejtanin, kurthet e tij dhe luftën për të lajthitur njerëzimin. Në këtë betejë shejtani është armatosur me lloj-lloj arme, siç janë:

1- Mundësia për t’i zbukuruar gjërat dhe për t’i devijuar ato.

“(Iblisi) Tha: “Zoti im, për shkak që më përzune (më largove), unë do t’ua zbukurojë (të këqijat) atyre sa të jenë në tokë (në këtë botë) dhe të gjithë ata do t’i largojë nga rruga e drejtë!”. (El-Hixhr: 39).

“Pasha All-llahun, Ne dërguam edhe para teje të dërguar ndër popuj, po veprat e tyre (të këqija) ua hijeshoi djalli, se ai është mik i tyre, e ata kanë një dënim të idhët”. (En-Nahl: 63).

2- Gënjeshtra dhe mashtrimi.

“Shejtani i nxiti ata të dy (i mashtroi), që t’ua zbulojë atyre pjesët e turpshme që u ishin të mbuluara dhe tha: “Zoti juaj nuk ua ndaloi ju dyve atë pemë vetëm që të mos bëhi meleqë (engjëj), ose të mos bëheni prej të përjetshmëve. Dhe ju bëri be atyre (duke u thënë) se: unë jam këshillues për ju”. (El-A’raf: 20- 21).

“Ai u premton atyre dhe i bën të shpresojnë, por djalli nuk premton tjetër vetëm se mashtrim”. (En-Nisa: 120).

“Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija, e All-llahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; All-llahu është Dhurues i Madh, i Dijshëm”. (El-Bekare: 268).

3- Ky armik na sheh, kurse ne nuk e shohim.

“Vërtetë ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk e shihni. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë”. (El-A’raf: 27).

Qarkullon nëpër damarët tonë të gjakut.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

“Shejtani qarkullon te njeriu nëpër damarët e tij të gjakut”. (Buhariu dhe Muslimi).

4- Mundësi e tij të mësojë disa gjëra të fshehta e t’ua tregojë miqve të vet.

Aisheja [radijall-llahu anha] tregon se ka dëgjuar Pejgamberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë:

“Melaqet zbresin në re dhe i përmendin gjërat që janë caktuar në qiell, kurse shejtanët i përvjedhin këto lajme e ua tregojnë fallxhorëve, e kësaj të vërtete ata ia shtojnë edhe njëqind gënjeshtra”. (Buhariu dhe Muslimi).

Mirëpo sërish kurthet e shejtanit janë të dobëta.

“Luftoni pra miqtë e djallit, s’ka dyshim se intriga e është e dobët”. (En-Nisa: 76).

Kjo ndodh kur muslimani i mbështetet Zotit të vet dhe kapet për besimin e Tij.

Qëllimi dhe synimet e shejtanit

Qëllimi përfundimtar i shejtanit është që ta sheh njeriun në zjarr të Xhehennemit, siç na tregon All-llahu [subhanehu ve teala]:

“Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsideronie armik, ai e thërret atë grupin e vet, vetëm për t’i bërë banues të zjarrit”. (Fatir: 6).

“E djalli dëshiron t’i humbë në pafundësi”. (En-Nisa: 60).

E nëse e arrinë këtë qëllim dhe nuk arrinë t’i bëjë mbarë njerëzit pabesimtarë, ai nuk dëshpërohet, por dakordohet me disa mëkate dhe lajthitje.

Sebure ibn Fakihe tregon se ka dëgjuar Pejgamberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë:

“Shejtani i del birit të Ademit në çdo rrugë përpara. I del në rrugën e tij të Islamit e i thotë: po bëhesh musliman dhe po e le fenë e prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve. Ky nuk e dëgjon dhe bëhet musliman. Pastaj i del në rrugën e tij të shpërnguljes e i thotë: po shpërngulesh dhe po e lë tokën dhe qiellin tënd. Shembulli i shtegtarit është sikurse shembulli i kalit në gjatësi, ky nuk e respektoi dhe u shpërngul. Pastaj i del në rrugën e tij të xhihadit dhe i thotë: do të dalish në luftë, e lufta është harxhim i energjisë dhe pasurisë, do të luftosh dhe do vritesh, e të martohet gruaja dhe të ndahet pasuria. Ky nuk e respektoi dhe shkoi në luftë. Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Kush e bën këtë All-llahu e ka obligim që ta fusë në xhennet. Kush vritet All-llahu e ka obligim që ta fusë në Xhennet, kush fundoset All-llahu e ka obligim që ta fusë në Xhennet ose e rrëzon kafsha, All-llahu e ka obligim që ta fusë në Xhennet”. (sahih, Nesaiu dhe Ahmedi).

Njeriu pyetet vallë sa është i suksesshëm shejtani në qëllimet dhe synimet e veta. Përgjigjja është e tillë që e trishton njeriun. Prej një mijëve vetëm një shpëton.

Ebu Seid Hudriu [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“All-llahu thotë: “Adem! I përgjigjet: të përgjigjem i lumtur, kurse çdo e mirë është në duar Tuaja. I thotë: nxjerre grupin e Xhehennemit. I tha cili është grupi i Xhehennemit? Tha: nga çdo një mijë veta nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë persona. Atëherë thinjet i vogli, çdo grua shtatzënë e nxjerr foshnjen e saj, i sheh njerëzit si të dehur, edhe pse ata nuk janë të dehur, mirëpo denimi i All-llahut është shumë i rëndë”. (Buhariu).

DISA FORMA TË KURTHËS SË SHEJTANIT KUNDËR NJERIUT

Beteja e shejtanit me njeriun fillon që nga lindja.

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Secila foshnje që lindë e ngacmon shejtani, përveç Isait dhe nënës së tij”. Pastaj Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tha: lexoni nëse doni: ” e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar”. (Ali Imran: 36)”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon dhe thotë:

“Britma e fëmijës kur lindë është nga ngacmimi i shejtanit”. (Muslimi).

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] na ka treguar lutje me të cilat i mbrojmë fëmijët tanë, madje para se të lindin.

Ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Po qe se keni kontakt me gruan tuaj thoni: “Bsmil-lah, All-llahumme xhenibnash-Shejtane ve xhenibishejtane ma rezektena”- në Emër të All-llahut, All-llahu ynë na e largo shejtanin prej nesh dhe na e largo shejtanin nga ajo që na e furnizon, e lind nga ajo natë fëmijë, nuk mundet ta dëmtojë asgjë”. (Buhariu dhe Muslimi).

Gjatë jetës së njeriut vazhdojnë format e kurthës së shejtanit kundër njeriut në shumë gjendje.

Xhabiri [radijall-llahu anhu] tregon se ka dëgjuar Pejgamberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë:

“Shejtani është i pranishëm në çdo gjë prej çështjve të tij”. (Muslimi).

1- NË NAMAZ.

Aisheja [radijall-llahu anha] e ka pyetur Pejgamberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem] për shikimin djathtas dhe majtas në namaz, e ai i është përgjigjur:

“Vjedhje të cilën e bën shejtani nga namazi i një besimtari”. (Buhariu).

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Kur të thirret ezani për në namaz, ikë shejtani duke pordhur, që mos ta dëgjojë ezanin, e kur të përfundojë ezani kthehet. Kurse kur të thirret ikameti ikë e kur të përfundojë kthehet sërish, saqë qëndron mes njeriut dhe vetvetes duke i sjellë mendime: përkujto këtë e këtë, gjëra të cilat nuk i ka përkujtuar aspak, derisa mos të dijë njeriu se sa rekate ka falur”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Kur ndokush prej jush ngritet të falë namaz i vjen shejtani dhe ia pështjellon saqë nuk di se sa ka falur. Nëse e gjenë këtë ndonjëri prej jush, le ti bëjë dy sexhde duke qenë ulur”. (Tirmidhiu).

Enes ibn Maliku [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Mbushni rreshtat (safat), afroni mes tyre, barazoni qafat, sepse pasha Atë në Dorë të të Cilit është shpirti im, e shoh shejtanin se si hyn mes safeve, si të jetë edh”. (Nesaiu dhe Ebu Davudi).

Ebul-Ala tregon se Othman ibn Asi ka shkuar te Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe e ka pyetur: O i Dërguar i All-llahut, shejtani më pengon në namaz dhe në lexim, atëherë Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Ai është shejtani i cili quhet hinzeb, nëse e ndien këtë gjë, kërko strehim te Zoti prej Tij dhe pështyje në të majtë tre herë”. Tha: kështu veprova, kurse All-llahu e largoi prej meje këtë ngacmim. (Muslimi dhe Ahmedi).

Abdull-llah ibn Omeri [radijall-llahu anhu] e pa një njeri duke luajtur me një guralec në namaz. Kur e kreu namazin i tha:

“Moz e lëviz guralecin duke qenë në namaz, sepse kjo është prej shejtanit, por vepro ashtu si ka vepruar Pejgamberi. Tha: si ka vepruar Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem]? Tha: e vëndonte dorën e djathtë mbi kofshën e djathtë, kurse me gishtin tregues tregonte në drejtim të kibles dhe e shikonte me sy. Tha: kështu e kam parë Pejgamberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem] duke vepruar”. (Nesaiu).

2- PËRTACIA DHE PËRTESA.

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Hapja e gojës është prej shejtanit, nëse i hapet goja le ta refuzojë sa të ketë mundësi, sepse po tha: ha, qeshet me të shejtani”. (Buhariu).

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“All-llahu e do teshtitjen dhe e urren hapjen e gojës. Nëse ndonjëri prej jush kur të teshtitet e falënderon All-llahun, secili musliman që e dëgjon këtë duhet t’i thotë: “jerhamukall-llah”. Kurse hapja e gojës është prej shejtanit andaj le ta refuzojë sa të mundet, se po qe se tha: ha, qeshet me të shejtani”. (Buhariu).

3- SHEJTANI MUNDOHET TA ZOTËROJË EDHE PARA GJUMIT EDHE GJATË GJUMIT.

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Shejtani secilit prej jush kur të bien të flejë ia lidhë tre nyje dhe në secilën nyje thotë: bëfsh gjumë të thellë. E nëse zgjohet dhe e përmend All-llahun, zgjidhet një nyje, nëse merr abdest zgjidhet edhe nyja tjetër, e nëse falet zgjidhet edhe nyja e tretë, andaj zgjohet i gjallë dhe shpirtëmirë, përndryshe shpirtkeq dhe përtac”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ebu Katadeja [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Ëndrra e mirë është prej All-llahut, kurse e keqja është prej shejtanit. E nëse ndokush sheh ëndërr që e frikëson le të pështyje në të majtë tre herë dhe le të kërkojë strehim prej All-llahut nga e keqja e saj, se ajo nuk mundet ta dëmtojë”. (Buhariu dhe Muslimi).

Një bediun erdhi dhe i tregoi Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem] një ëndërr, ku e kishte parë veten me kokë të këputur dhe duke vrapuar pas kokës së tij. Atëherë Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ia tërhoqi vërejtjen duke i thënë:

“Mos trego lojën e shejtanit me ty në ëndërr”. (Muslimi).

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Kur ndonjëri prej jush zgjohet prej gjumit e të merr abdest le të shpërlajë hundën tre herë, sepse shejtani flenë në hundën e tij”. (Buhariu dhe Muslimi).

Nga shkaku i nyjeve të shejtanit muslimanit i ikë namazi i natës.

Një herë te Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] e përmendën një njeri i cili tërë natën ka fjetur, nuk është falur deri në namaz të sabahut. Atëherë Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Këtë e ka përmjerrë shejtani në vesh”. (Buhariu dhe Muslimi).

4- SHEJTANI BËN KURTHE EDHE NË USHQIM DHE PIJE.

Xhabiri [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Kur njeriu hynë në shtëpi dhe e përmend All-llahun kur të hyjë dhe kur të fillon ngrënien, shejtani thotë: nuk keni vend për fjetje e as ushqim, e nëse hynë në shtëpi dhe nuk e përmend emrin e All-llahut gjatë hyrjes, shejtani u thotë: keni gjetur vend për fjetje, e kur nuk e përmend emrin e All-llahut gjatë ngrënies, shejtani thotë: keni gjetur edhe vend për fjetje edhe ushqim”. (Muslimi).

5- NË TREG.

Selmani [radijall-llahu anhu] thotë:

“Mos u bë i pari që hynë në treg e as i fundit që del prej tregut. Sepse aty është vendi i betejës së shejtanit dhe aty e ngritë flamurin e vet”. (Muslimi).

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“O ju tregtarë! Shejtani dhe mëkati janë të pranishëm në shitblerje, andaj ngjyrosni shitblerjen tuaj me vërtetësi”. (Tirmidhiu dhe Nesaiu).

6- VAZHDON KURTHA E SHJTANIT KUNDËR NJERIUT DERI NË ÇASTET E FUNDIT TË JETËS.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] na ka mësuar lutje që na mbrojnë edhe në këtë gjendje.

Ebul-Jusri tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“All-llahu im, kërkoj mbrojtje prej Teje që mos të rrëzohem (e të mbytem), mos të më zënë gërmadhat, mos të fundosem, mos të digjem. Kërkoj mbrojtje prej Teje që mos të më devijojë djalli duke dhënë shpirt. Kërkoj mbrojtje prej Teje që të vdes në rrugën Tënde duke u tërhequr dhe kërkoj strehim te Ti që mos të vdes i kafshuar (prej kafshëve helmuese)”. Hadithi është sahih, transmeton Nesaiu.

GJËRAT QË E SHPËTOJNË NJERIUN NGA KURTHET E SHEJTANIT

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] na i ka treguar gjërat që na mbrojnë nga kurthet e shejtanit dhe nga e keqja e tij, prej tyre janë:

1- Sinqeriteti.

“(Iblisi) Tha: “Zoti im, për shkak që më përzune (më largove), unë do t’ua zbukurojë (të këqiat) atyre sa të jenë në tokë (në këtë botë) dhe të gjithë ata do t’i largojë nga rruga e drejtë!” Përveç robërve të Tu, të cilët i ke bërë të sinqertë”. (El-Hixhr: 39- 40).

Pra, shejtani na lajmëroi se robërit e sinqertë do të shpëtojnë.

2- Adhurimi i mirë.

“Se ndaj robëve të Mi (të sinqertë) nuk ke kurrfarë force (as fizike as mendore), përveç atyre të humburve që vijnë pas teje”. (El-Hixhr: 42).

3- Kërkim i strehimit nga All-llahu dhe mbrojtje me Madhërinë e Tij.

“E nëse të godet shejtani me ndonjë vesvese, ti kërko strehim te All-llahu, sepse vërtet Ai dëgjon e di”. (El-A’raf: 200).

Kërkimi i strehimit nga All-llahu është i ligjshëm në çdo rast edhe pse në disa raste është me i preferuar, siç janë:

a) Gjatë trishtimit.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] i mësonte sahabet t’i thonë këto fjalë gjatë trishtimit:

“Kërkoj strehim te Fjalët e All-llahut të plota nga Hidhërimi i Tij, e keqja e robërve të Tij dhe nga ngacmimet e shejtanit ose prania e tij”. (Tirmidhiu dhe Ebu Davudi).

b) Gjatë daljes nga shtëpia.

Enes ibn Maliku [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Kur të del njeriu prej shtëpisë e të thotë: bismil-lah, tevekeltu alall-llah, ve la havle ve la kuvvete il-la bil-lah- në Emër të All-llahut, All-llahut i mbështetem, s’ka mundësi e forcë vetëm se me All-llahun, atëherë i thuhet: qofsh i udhëzuar, i mjaftuar dhe i ruajtur, atëherë largohen shejtanët dhe i thonë njëri-tjetrit: çka mund t’i bësh njeriut i cili është i udhëzuar, i mjaftuar dhe i ruajtur”. (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).

c) Gjatë hyrjes në xhami.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] kur hynte në xhami thoshte:

“Kërkoj strehim te All-llahu i Madh, me Fytyrën e Tij Fisnike, Pushtetin e Tij të vjetër nga shejtani i mallkuar”. Tha a për çdo herë? Tha: po, kur ta thotë njeriu këtë, shejtani thotë: është mbrojtur prej meje tërë ditën”. (Ebu Davudi).

ç) Gjatë leximit të Kur’anit.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Kur të lexosh Kur’anin kërko mbrojtjen e All-llahut prej djallit të mallkuar”. (En-Nahl: 98).

d) Gjatë hyrjes në nevojtore.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] kur hynte në nevojtore thoshte:

“All-llahu im, strehohem te Ti nga shejtanët meshkuj dhe femra”. (Buhariu dhe Muslimi).

dh) Gjatë hidhërimit.

Sulejman ibn Serdi [radijall-llahu anhu] tregon dhe thotë: Isha ulur me Pejgamberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem], kurse dy persona shaheshin mes vete, e njërit iu skuq fytyra dhe iu frynë damarët.

Atëherë Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Unë di një fjalë nëse e thotë i kalon ajo që e ndien. Po të thoshte: strehohem te All-llahu nga shejtani, do t’i kalojë ajo që e ndien. I thanë: Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: Kërko strehim nga All-llahu prej shejtanit. Kurse ai tha: nuk jam i çmendur!”. (Buhariu).

e) Kur të dëgjosh palljen e gomarit.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Kur të dëgjoni këndimin e gjelit, kërkoni nga të mirat e Zotit, sepse ai ka parë melaqe, kurse kur të dëgjoni palljen e gomarit, kërkoni strehim te All-llahu nga shejtani, sepse ai e ka parë shejtanin”. (Buhariu dhe Muslimi).

ë) Në namaz.

Xhubejr ibn Matami thotë se ka parë Pejgamberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem] duke u falur namaz. E filloi namazin me fjalët:

“All-llahu ekber kebiren, tre herë, elhamudlilahi kethiren, tre herë dhe subhanall-llahi bukreten ve esila, tre herë. Pastaj tha: kërkoj strehim te All-llahu nga shejtani, mendjemadhësia, poezia dhe ngacmimet e tij”. (Tirmidhiu dhe Ebu Davudi).

4- Leximi i Kur’anit.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Mos i bëni shtëpitë e juaja varreza, sepse shtëpia ku lexohet surja Bekare, nuk hyn shejtani”. (Muslimi).

Abdull-llah ibn Mes’udi [radijall-llahu anhu] thotë:

“Kush i lexon katër ajetet e para të sures Bekare, ajetul-Kursinë, dy ajete pas ajeti kursisë, tre ajetet e fundit të sures Bekare, nuk i afrohet atë ditë shejtani as tij e as familjes së tij, po as ndonjë e keqe. Nëse ia lexojnë ndonjë të sëmuri shërohet”. (Daremiu).

5- Përmendja e All-llahut.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

“Kush thotë: la ilahe il-lall-llah vahdehu la sherike lehu lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-li shejin kadir gjatë ditës një qind herë, i vlen si të kishte liruar dhjetë robër, i shkruhen një qind të mira, i shlyhen një qind të këqija dhe i bëhen mbrojtje nga shejtani tërë ditën deri në mbrëmje. Askush nuk vjen me punë më të mirë përveç atij që bën më shumë se ky”. (Buhariu dhe Muslimi).

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Kur të vjen mbrëmja largoni fëmijët (nga rruga) sepse përhapen shejtanët, e kur të kalon pjesa e parë e natës lejoni, mbyllni dyert dhe përmendni Emrin e All-llahut, sepse shejtani nuk e hap derën e mbyllur”. (Buhariu dhe Muslimi).

6- Abdesti.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

“Shejtani secilit prej jush kur të bien të flejë ia lidhë tre nyje dhe në secilën nyje thotë: bëfsh gjumë të thellë. E nëse zgjohet dhe e përmend All-llahun, zgjidhet një nyje, nëse merr abdest zgjidhet edhe nyja tjetër, e nëse falet zgjidhet edhe nyja e tretë, andaj zgjohet i gjallë dhe shpirtmirë, përndryshe shpirtkeq dhe përtac”. (Buhariu dhe Muslimi).

7- Përmbajtja e xhematit.

Midan ibn Ebi Talha tregon: Një herë Ebu Derda [radijall-llahu anhu] më tha: Ku banon? I thashë: Në fshatin Devin të Himsit. Ai më tha: Kam dëgjuar Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë:

“Nëse në një fshat ose fushë gjenden tre veta, e nuk falin namaz, i ngërthen shejtani. Përmbajuni xhematit, sepse ujku e han delen e ndarë”. (d.m.th namazit me xhemat). (Nesaiu dhe Ebu Davudi).

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] kur ndalej ndokund të pushonte, shokët e tij ndaheshin nëpër kodrina dhe lugina, andaj thoshte:

“Kjo shpërndarje e juaj nëpër kodrina dhe lugina është prej shejtanit”. Pastaj aq shumë mblidheshim njëri afër tjetrit saqë po të hedhnin një pëlhurë mbi ne do të na mbulonte. (Ebu Davudi dhe Ahmedi).

Ibn Omeri [radijall-llahu anhu] tregon: Omeri [radijall-llahu anhu] na e mbajti një hutbe në Xhabije, mes tjerash tha:

“O ju njerëz, kapuni për bashkësinë dhe keni dro përçarjen, sepse shejtani është me një, kurse është më larg prej dy muslimanëve. Ai që dëshiron gjerësinë e Xhennetit, le të kapet për xhemat”. (Tirmidhiu dhe Ahmedi).

VEGLAT E SHEJTANIT NË LAJTHITJEN E NJERIUT

Shejtani posedon vegla dhe delegatë të cilët i ndihmojnë kundër njeriut, siç janë:

1- Hidhërimi.

Sulejman ibn Serdi [radijall-llahu anhu] tregon: Isha ulur me Pejgamberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem], kurse ndërkohë dy persona u shanë mes vete, e njërit iu skuq fytyra dhe iu frynë damarët. Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha:

“Unë di një fjalë, nëse e thua ta largon këtë hidhërim: po të thoshte: eudhu bil-lahi minesh-shejtanir-raxhim (strehohem te All-llahu nga shejtani) do t’i kalonte”. I thanë se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë kërko strehim te All-llahu nga shejtani. Kurse ai u përgjigj: vallë mos jam i sëmurë”. (Buhariu).

Atije [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Hidhërimi është prej shejtanit, kurse shejtani është krijuar nga zjarri, e zjarri shuhet me ujë, andaj kur të hidhërohet ndonjëri prej jush le të merr abdest”. (Ebu Davudi dhe Ahmedi).

Hidhërimi është mjet për tu zënë njerëzit mes vete dhe për tu përçarë, kurse ky është qëllimi i shejtanit.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedh armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?”. (El-Maide: 90- 91).

“E ti robve të Mi thuaju: “Le ta thonë ata që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut”. (El-Isra: 53).

Prej ndërsimeve të tij është edhe atë që e bëri mes Jusufit [alejhisselam] dhe vëllezërve të tij:

” e juve u solli nga fshati pasi djalli pat futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mij”. (Jusuf: 100).

Xhabiri [radijall-llahu anhu] thotë: Kam dëgjuar Pejgamberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë:

“Shejtani është dëshpëruar nga adhurimi i tij nga ana e namazlinjve në Gadishullin Arabik, mirëpo i ngacmon mes tyre”. (Muslimi).

Në këtë hynë edhe ndërsimi i bashkëshortëve mes vete dhe prishja e zemrës së tyre.

Xhabiri [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Iblisi e vëndon fronin e vet mbi ujë, pastaj i dërgon njësitët e veta, e më i afërti me të është ai që bën më shumë të keqe. Vjen njëri dhe tregon çka ka bërë, kurse i thotë s’ke bërë gjë. Pastaj vjen një tjetër dhe tregon se nuk është ndalur derisa nuk ndava një burrë nga gruaja e tij. Këtë e afron dhe i thotë: po ti je më i miri (i keqi). A’meshi thotë: më duket se edhe e përqafon”. (Muslimi).

2- SPROVA E GRAVE.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

“Gruaja është auret (pjesë që duhet mbuluar) e kur del nga shtëpia shejtani e zbukuron”. (Tirmidhiu, hadithi është sahih).

Xhabiri [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] pa një grua, andaj erdhi te gruaja e tij, Zejnebeja, e cila ishte duke fërkuar një lëkurë të rregjur. E kreu nevojën e tij me të e pastaj doli te shokët e tij dhe tha:

“Gruaja vjen e shkon në formë të shejtanit, kur ndokush prej jush shikon ndonjë grua (joshëse) le të shkojë te gruaja e vet, se kjo vepër ia largon atë që e ndien në shpirtin e vet”. (Muslimi).

Imam Neveviu thotë: “Dijetarët kanë thënë se hadithi aludon në epshin dhe ftesën në sprovë, pasi që All-llahu ka bërë në shpirtat e burrave që të anojnë kah gratë”. (Shiko: “Komenti i Sahih-Muslimit”, 9/ 178-179).

Omeri [radijall-llahu anhu] e mbajti një hutbe në vendin e qujatur Xhabije e tha se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka qëndruar në këtë vend të njejtë dhe ka thënë:

“Silluni mirë ndaj shokëve të mi mos të vetmohet burri me një grua, sepse i treti është shejtani”. (Tirmidhiu dhe Ahmedi, hadithi është sahih).

Seid ibn Musejjebi [rahimehull-llah] thotë:

“Kur të dëshpërohet Iblisi nga lajthitja e ndonjërit i afrohet nëpërmjet gruas”.

3- MUZIKA.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Dhe me atë alarmin e zërit tënd, mashtroje atë që mundesh prej tyre, me kalorësit e këmbësorët tu thirri (bërtitu) ata, përzieju me ta në pasuri dhe në fëmijë dhe premtoju atyre, po shejtani nuk u premton tjetër, përveç mashtrim”. (El-Isra: 64).

Muxhahidi duke e komentuar këtë ajet thotë: “Ajo është muzika dhe instrumentet muzikore”. (shiko: “Telbisu Iblis”, f. 232).

Aisheja [radijall-llahu anha] thotë: Hyri te unë Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem], kurse aty ishin të pranishme dy vasha të cilat këndonin këngë të ditës së Buathit. Ai u shtri në shtrat dhe na e ktheu fytyrën. Kur hyri Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] më qortoi dhe tha: fyej të shejtanit në shtëpinë e Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem], atëherë Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] u kthye e i tha: Lëri o Ebu Bekr, se çdo popull ka festat e veta, kurse kjo ditë është festa jonë “. (Buhariu).

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk e ndaloi Ebu Bekrin nga emërtimi i muzikës “fyell i shejtanit”, mirëpo e lejoi në këtë ditë pasi që është festë.

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Zilja (këmbana) është fyell i shejtanit”. (Muslimi).

4- Nxitimi, i cili të shpien në gabime dhe mëkate.

Sehl ibn Sadiu [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

“Ngadalësia është nga All-llahu, kurse nxitimi nga shejtani”. (Tirmidhiu, hadithi është sahih).

5- Harresa.

“Ata i ka nënshtruar djalli dhe ua ka qitur në harresë porositë e All-llahut. Ata janë shoqëri e djallit, e dinë se ithtarët e djallit janë më të dëshpëruarit”. (El-Muxhadele: 19).

“Kur sheh ata se janë thelluar (me tallje) në çështjet Tona, largohu prej tyre derisa të kalojnë në bisedë tjetër. Nëse djalli të bën të harrosh (e rri me ta), pasi të bie ndërmend, mos rri me popullin mizor”. (El-Enam: 68).

“Po djalli e vuri në harresë ta përkujtonte te zotëriu i tij, “. (Jusuf: 42).

6- Vesvesja dhe hedhja e dyshimeve në zemër.

Ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] tregon se një njeri erdhi te Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] e i tha: O i Dërguar i All-llahut ndonjërit prej nesh i vijnë disa mendime, më shumë kam dëshirë të mbeten të tilla se sa ti shpreh ato. Atëherë Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha:

“All-llahu ekber, All-llahu ekber, All-llahu ekber, e falënderoj All-llahun, i cili kurthen e shejtanit e ka sjellë në cytje (vesvese)”. (Ebu Davudi, hadithi është sahih).

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Ndonjërit prej jush i vjen shejtani e i thotë: kush e ka krijuar këtë? Kush e ka krijuar këtë? Derisa të thotë: Kush e ka krijuar Zotin Tënd? Nëse arrinë në këtë gradë le të kërkojë strehim te All-llahu dhe le të ndalohet nga ky mendim”. (Buhariu dhe Muslimi).

Abdull-llah ibn Mes’udi [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Shejtani e sulmon (i afrohet) njeriun po edhe meleku e sulmon (i afrohet) njeriun. Sulmi i shejtanit është premtim për të keqe dhe përgënjeshtrim të vërtetës, kurse sulmi i melekut është premtim për të mirë dhe vërtetim i të vërtetës. Ai që e gjenë këtë le ta dijë se është prej All-llahut dhe le ta falënderojë All-llahun për këtë, e kush gjenë tjetër gjë, le të kërkojë strehim te All-llahu nga shejtani i mallkuar”.

Pastaj lexoi ajetin:

“Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija, e All-llahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; All-llahu është Dhurues i Madh, i Dijshëm”. (El-Bekare: 268).

Ebu Tajjibi thotë se sulmi dhe afrimi janë vesveset që mbijnë në zemër nëpërmjet shejtanit”. (Tuhfetul-Ahvedhi”, 8/ 265).

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Thuaj: “Mbështetem në Zotin e njerëzve! Sunduesin e njerëzve, Të adhuruarin e njerëzve, Prej të keqes së cytësit që fshihet. I cili hedh dyshime në zemrat e njerëzve, Qoftë ai nga xhinët ose nga njerëzit”. (En-Nas).

7- Gradualizimi në lajthitje dhe pasimi i politikës “hap pas hapi.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“O ju që besuat, mos shkoni gjurmëve të djallit, pse kush ndjek gjurmët e djallit ai urdhëron për të shëmtuara e të irituara, ..” (En-Nur: 21).

Kështu ka vepruar me popullin e Nuhit [alejhisselam], siç tregon Imam Buhariu nga Ibn Abbasi [radijall-llahu anhuma].

Siç ka ndodhur me adhuruesin nga izraelitët, të cilin e solli deri te marrëdhënia jashtëmartesore (zina), pastaj e solli në kufër, e pastaj u largua prej tij dhe e la të vetmuar. Këtë tregim e sjellin dijetarët e tefsirit gjatë komentit të ajetit:

“Ata (hipokritët) janë shembull si djalli, kur i thotë njeriut: “Refuzo besimin!”, e kur ai të ketë refuzuar, ai (djalli) tërhiqet prej teje; e thotë: unë i frikohem All-llahut, Zotit të gjithësisë!” (El-Hashr: 16).

All-llahu na mbroftë nga kurthet e shejtanit, na e mësoftë fenë e tij, na mundësoftë të veprojmë me mësimet e Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem] që të mbrohemi dhe të ngadhnjejmë në këtë betejë shumë me rëndësi dhe vendimtare kundër tij.

All-llahu e mëshiroftë dhe e bekoftë Pejgamberin, familjen dhe shokët e tij.

Përgatiti: Bekir Halimi

17.8.2002

Bekir Halimi,
9.8.2002