Nuk ka mundësi që ky Ummet të përparoj dhe ta rikthen rolin e tij udhëheqës, vetëmse duke e njohur “fikhun” e avancimit dhe zhvillimit, pastaj këto njohuri t’i bën pjesë të realitetit të saj në vepër, ndërsa prej parimeve kryesore të kësaj që e thamë është praktikimi i Shura[1]-së.

Ky koncept medoemos të jetë metodologji e jetës e cila do t’i regulloj lidhjet dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe medoemos të jetë kulturë e shoqërisë, cilësi e përhapur dhe të jetë sjellje, para se të bëhet ligj dhe parim juridik.

Shoqëritë Islame sot kanë nevojë të madhe për këtë lloj kulture, përhapjen e saj dhe implementimin e saj në çdo aspekt shoqëror, që të jetë ky parim fetar, realitet të cilin e jetojnë njerëzit dhe me qëllim që shoqëria ta ndjen vlerën e saj.

Ky koncept Islam dhe pozita e tij nuk ka mundësi të anashkalohet prej dikujt që i bindet Allahut apo nga ai i cili e studion dhe e mëson Kur’anin dhe Sunnetin, sepse kjo është diçka që është përmendur qartë dhe në shumë vende (në Kur’an dhe Sunnet).

Shura është prej ligjeve të para shoqërore të cilat i ka ligjësuar Allahu për krijesat dhe robërit e Tij, që t’a pasojnë dhe të jenë të udhëzuar, thotë Allahu:

(وإذ قال ربك للملائكة إني جاعل في الأرض خلفية)

“Dhe kur Zoti yt u tha melekëve: Unë do të përcaktoj në tokë mëkëmbës”[2], në këtë Ajet ka një lloj dialogu, i cili njëkohësisht mundet të llogaritet edhe si një lloj konsultimi, duke ua bërë me dije njerëzve rëndësinë e Shura-së dhe në këtë formë Allahu i nderoi melekët dhe na mësoi neve, edhepse çështja është për diçka e cila është e prerë dhe e vendosur.

Ngjashëm me këtë Ajet është edhe fjala e Ibrahimit (alejhi selam) birit të tij:

(قال يا بني إني أرى في المنام أني أَذْبَحُكَ فَانْظُرْ ماذَا ترى)

“O biri im, kam parë në ëndër se duhet të të therë! Shiko pra, çka mendon ti?”[3] Është konsultuar me të, edhepse çështja është e vendosur, është shpallje prej Allahut. Këto ajete janë argument se edhe në çështjet e prera dhe të vendosura ka mundësi që të bëhet konsultim, ngase kjo është prej moralit të mirë dhe prej njohjes se mirë, kështuqë njeriu ta bën këtë gjë zakon në çështjet e qarta, e mos të flasim për gjërat e imta dhe të vështira.

Nëse Kur’ani e ka përmendur Shura-në në rastin e të atit me birin e tij, e bashkëshortit me bashkëshorten e tij, në çështje private dhe personale, atëherë si do të ishte obligueshmëria e saj në çështje të përgjithshme që kanë të bëjnë me tërë Ummetin.

Ai i cili dëshiron ta dijë realitetin e vërtetë të Shura-së, le të mediton rreth Fjalës së Allahut:

(والذينَ استجابوا لربهِمْ وأقاموا الصلاة وأمرهم شورى بينهمْ وممّا رزقنَاهم ينفقون)

“Edhe ata që i përgjigjen Zotit të tyre dhe kryejnë namazin edhe që konsultohen për punët e veta dhe një pjesë nga ajo që ua japim e shpërndajnë”[4]. Shiko sesi Allahu e ka përmendur Shura-në mes bindjes (përgjigjes) ndaj Allahut, e cila është esenca e Imanit dhe Namazit dhe mes dhënies, e cila është Zekati, kështuqë Allahu e ka vendosur mes dy shtyllave të mëdha të Islamit. Kjo Kaptinë (Sure) në të cilën është përmendur ky Ajet është quajtur me emrin esh-Shura, si nderim për këtë koncept Islam, kurse ky ajet i tregon disa cilësi të besimtarëve siç janë largimi nga mëkatet e mëdha dhe praktikimi i shtyllave dhe obligimeve fetare.

Ndërsa në jetën e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) ka shumë shembuj të këtillë, e si mos të jetë ashtu kur ai është i urdhëruar që t’a praktikon këtë gjë në jetën e tij me shokët dhe ithtarët e vet, edhe pse Allahu e ka mbrojtur prej gjynaheve dhe gabimeve të mëdha, thotë Allahu:

(فاعف عنهم واستغفر لهم وشاورهم في الأمر)ِ

“…andaj ti falju atyre dhe kërko falje tek Allahu për ta, e konsultohu me ta në çështje (të ndryshme)”[5], ky Ajet e cilëson Pejgamberin (sala Allahu alejhi ue sel-lem) si prijës, udhëzues, edukator, komandant dhe shembëlltyre, ndërsa urdhëri për konsultim me shokët e tij që përmendet në këtë ajet, vlen për çdokënd i cili e zë vendin e tij, edhe pse mes tyre ka dallim të madh.

Andaj ky ajet llogaritet prej parimeve më të rëndësishme të udhëheqësisë, administrimit, politikës, të raportit mes udhëheqësit dhe të tjerëve, të raportit mes komandantit dhe ushtarëve, për këtë shkak themi që Shura është prej shtyllave të Sheriatit dhe dispozitave të prera.

Për këtë shkak Ibn Atijjeh[6] në Tefsirin e tij[7], e llogaritë atë[8] që nuk konsultohet me dijetarët, njerëzit me përvoje dhe ekspertët në lëmi të ndryshme, se është njeri larg Sunnetit dhe se largimi i tij nga posti është obligim, pa polemikë mes dijetarëve.

Metodologjia e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) dhe konsultimet e shumta që i bënte me shokët e tij, na bën me dije se kjo duhet të jetë gjë e zakonshme edhe për të tjerët që vijnë pas tij, thotë ebu Hurejra (radijAllahu anhu): Nuk kam parë dikë që konsultohet më shumë me shokët e tij, sesa Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem). Si shembull për këtë është konsultimi i tij në Betejën e Bedrit, kur thotë: “Më propozoni[9] o ju njerëz!”. Poashtu kur u konsultua për robërit e luftës dhe tha: “Çfarë mendimi keni për këta robër lufte?”

Andaj themi që Shura në qenien e Ummetit, në të gjitha çështjet, politike, ushtarake, shoqërorë, është udhëzim Kur’anor dhe metodologji profetike, ai cili e len, devijon dhe ka një ves prej veseve të tagutave.

Ndërsa sa i përket shfaqjes së këtij simboli fetar pas vdekjes së Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem), ka shumë raste dhe shembuj, në kohën e katër Halifëve të drejtë dhe pas tyre, thotë Aliu (radijAllahu anhu): “Konsultimi është udhëzim dhe e ka rrezikuar veten ai i cili mjaftohet me mendimin e tij.” Pas Halifëve të drejtë, udhëzimin e tyre e pasuan udhëheqes tjerë të mirë, si Umer bin AbdulAziz i cili kishte si këshilltarë dijetarë dhe njerëz të ditur dhe intelegjent, të cilët i mblodhi dhe ua bëri me dije se nuk do të veprojë asgjë pa mos u këshilluar me ata. Ai është pronari i kësaj thënie të njohur: “Konsultimi dhe dialogu janë derë e mëshirës dhe çelës i bereqetit…”

Ky është realiteti i Shura-së, ndërsa ai i cili lexon historinë e diktatorëve, tiranëve dhe faraonëve, e sheh se nëpërmes lënies së këtij parimi Kur’anor këta njerëz janë bërë të tillë. Allahu na ka përmendur një shembull të këtij lloji në Kur’an, është fjala për thënien e Faraonit, i cili kur ariti kulminacionin e tiranisë dhe arrogancës së tij, tha:

(قَالَ فرعونُ مَا أُرِيكُمْ إلا مَا أرى وَمَا أَهْدِيكُمْ إِلَّا سَبيلَ الرَّشَادِ)

“Faraoni tha: Unë ju rekomandoj vetëm atë që e konsideroj të drejtë (mendimin tim) dhe nuk ju shpie në tjetër rrugë veçse në rrugë të drejtë”[10]. Shiko sesi tirania ia verbëroi zemrën Faraonit, derisa kufrin në Allah e shihte si rrugë të drejtë dhe i detyronte njerëzit me dhunë ta bëjnë të njejtën gjë, duke mos kundërshtuar askush, kurse e gjithë kjo erdhi si rezultat i veçimit të tij me mendim. Ai që dëshiron ta ruan veten dhe shoqërinë e tij nga kjo sëmundje shkatërruese, atëherë le të kapet për udhëzimin e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) në praktikimin e Shura-së.

Këtio ishin vetëm disa mendime që i erdhën në mëndje një robi, të cilat mendime i shkruajti. Çka të ishte prej këtyre mendimeve të shkruara e saktë, është vetëm prej Allahut, çka të ishte prej tyre gabim është prej meje dhe Shejtanit, ndërsa Allahu dhe Pejgamberi i Tij janë larg tyre.

Ebu AbduRrahman Es-Suri

Përktheu me disa shkurtesa: Ali Ashani


[1] Esh-Shura, arabisht (الشورى): d.t.th. konsultim, apo paraqitje e mendimeve të ndryshme, pastaj zgjedhje e mendimit më të saktë dhe më të volitshëm. Sh.P.

[2] El-Bekare:30

[3] Es-Saffat:102

[4] Esh-Shura:38

[5] Aal-I’mran:159

[6] Ebu Muhammed AbdulHakk ibn Temam ibn Atijjeh el-Endelusij el-Muharibij. Sh.P.

[7] El-Muharrer el-uexhiz fi tefsiri el-Kitab el-Aziz. Sh.P.

[8] D.m.th. njeri i cili ka ndonjë post, apo udhëheqësi. Sh.P.

[9] Me fjalë tjera: Unë konsultohem me ju, andaj jepni mendimet tua. Sh.P.

[10] Gafir:29