Komponentet e urtësisë
Folëm në hutben e kaluar për domethënien dhe definicionet e urtësisë që ta kuptojnë kuptimin e vërtetë të saj, kurse sot vazhdojmë me sqarimin e komponenteve përbërëse të urtësisë, me qëllim të përmbylljes dhe rumbullaksimit të kësaj teme.
Urtësia ka komponente përbërëse, andaj duhet ti dimë dhe posedojmë nëse dëshirojmë që ti ikim defekteve që mund të na ndodhin në rrugën e thirrjes në fe të All-llahut, pasiqë çdo defekt në këtë drejtim vjen nga mungesa e urtësisë. Për këtë, njerëzit më të plotë në këtë sferë janë ata që kanë më shumë hise në urtësië, kurse njerëzit më të mangët në këtë sferë janë ata që kanë më pak hise në urtësi.
Komponentet e urtësisë janë tre gjëra:
– dija;
– butësia;
– mosnxitimi.
Kurse defektet e urtësisë janë gjërat e kundërta:
– injoranca;
– anarkia;
– nxitimi.
Në vazhdim do të mundohemi të flasim pak më gjërësisht mbi këto komponente.
Komponenti i parë: dija.
Dija është komponenti më i madh i urtësisë, andaj All-llahu, azze ve xhel-le, e ka bërë obligim dhe ka urdhëruar në te para veprës, duke thënë:
“Atëherë, dije se nuk ka zot tjetër pos All-llahut, kërko falje për mëkatin tënd, për të besimtarëve e të besimtareve, All-llahu e di për lëvizjet tuaja (për veprat) dhe për vendin tuaj”. (Muhammed: 19).
Pra, nga ky ajet shihet qartë se All-llahu në pjesën e parë e urdhëron Muhammedin, alejhisselam, që të di, e pastaj të vepron, që tregon se grada e dijes i paraprin gradës së veprës dhe se dija është kusht për saktësinë e fjalës dhe veprës, pa te edhe nuk mirren në konsideratë, sepse e përmirëson nijetin dhe veprën.
Dije është ajo që ka për të argument, kurse dije e dobishme është ajo që na vjen nga Muhammedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Dija mund të na vjen edhe nga tjetër kush përpos Muhammedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, mirëpo në gjëra të kësaj dynjaje, siç është medicina, llogaritja, bujqësia, tregtia, etj. (shiko: “El-Fetava”, 13/136 dhe 6/388).
Një thirrës nuk mund të jetë i urtë gjatë thirrjes në fe të All-llahut në mungesë të dijes fetare, andaj nëse një thirrës që nga dita e parë që vëndon këmbën e tij në këtë rrugë nuk e shoqëron dijen, nuk ecë në rrugë të shëndoshë dhe nuk do të arrijë në qëllimin e caktuar, është larguar nga rruga e udhëzimit dhe shpëtimit.
Ibën Kajimi, rahimehull-llah, thotë:
“Nga dija të largon vetëm hajni, delegati i Iblisit dhe polici i tij”. (Shiko: Medarixhus-Salikin”, 2/434).
Ajetet dhe hadithet që flasin për vlerën e dijes janë të shumta, mirëpo neve na intereson dija si komponent i urtësisë, që domethënë dije dhe vepërim sipas saj.
Sipas Ibën Tejmiut, rahimehull-llah, dija ndahet në tre kategori:
– Dija mbi All-llahun, Emrat, Cilësit dhe gjërat që kanë të bëjnë me këtë. Për këtë e ka zbritur suren El-Ihla, Ajetul-Kursinë, etj.
– Dija mbi atë që ka lajmëruar All-llahu për të kaluarën dhe për të ardhmen. Në këtë drejtim kanë ardhur tregimet, premtimet, kërcënimet, përshkrimi i xhennetit dhe xhehenemit, etj.
– Dija mbi urdhërat e All-llahut që kanë të bëjnë me veprat e zemrës dhe gjymtyrëve. Këtu hyn dija mbi shtyllat e islamit dhe imanit, dija mbi fjalët dhe veprat e brendshme dhe të jashtme, dija mbi rregullat e fikhut, etj.
Ka shumë njerëz që i kuptojnë emrat që përmenden në Kur’an dhe Sunnet, mirëpo nuk i kuptojnë të vërtetat që gjinden brenda tyre, andaj ka njerëz që i mësojnë shkronjat e dijes, sikur ai që i mëson shkronjat e Kur’anit, mirëpo nuk ka aspak hise në kuptim dhe besim, gjëra me të cilat do të dallon nga tjerët “. (Shiko: “El-Fetava”, 11/396).
Në një vend tjetër Ibën Tejmia dijen e ndanë në pesë kategori:
– Dija që është jeta e fesë: dija mbi tevhidin;
– Dija që është ushqim i fesë: dija e përkujtimit me kuptimin e Kur’anit dhe Hadithit;
– Dija që është shërim i fesë: dija mbi vendimet e fesë për raste të ndryshme që i ndodhin njeriut;
– Dija që është sëmundje e fesë: dija mbi shkencat e shpikura, sikur ilmul-kelami;
– Dija që është shkatërrim i fesë: dija e magjisë, fallit, etj. (shiko: “El-Fetava”, 10/145).
Dija duhet të ze vend në zemrën e këtij njeriu dhe ta pranoje ate, pastaj të veprojë sipas asaj që kërkon dija, sepse dija e dobishme, e cila është komponenti kryesor i urtësisë, është ajo që shoqërohet me vepër, kurse dija pa vepër është argument kundër këtij personi në Ditën e Kijametit, andaj All-llahu ua ka tërhjekur vërejtjen njerëzve të flasin atë që nuk e veprojnë, në shenjë mëshire për ta dhe mirësie ndaj tyre:
“O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!”. (Es-Saff: 2- 3).
Pastaj i ka urdhëruar ta publikojnë dijen dhe mos ta fshehin ate, përndryshe i pret mallkimi i All-llahut dhe të gjith atyreve që kanë hise në atë dije:
“Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon All-llahu, i mallkojnë edhe ata që mallkojnë”. (El-Bekare: 159).
Duke patur parasysh këto gjëra e kuptojmë edhe rëndësinë e madhe që i kanë dhënë selefit dijes të shoqëruar me vepra të mira.
Sufjan Ibën Ujejne, rahimehull-llah, thotë:
“Njeriu më injorant është ai që lë veprën sipas asj që di, kurse njeriu më i ditur është ai që vepron sipas asaj që di, kurse njeriu më i mirë është ai që më shumë i frikohet All-llahut”. (transmeton Daremiu).
Gjithashtu thotë: “Me dije nënkuptohet: kujtesa, veprimi, dëgjimi me vëmendje dhe përhapja e saj”. (Daremiu).
Abdullah ibën Mesudi, radijall-llahu anhu, ka thënë:
“Mësoni dijen, e pasi ta mësoni, veproni sipas saj”. (transmeton Ibën abdul-Berri në “Xhamiu Bejanil-Ilmi ve fadlihi).
Gjithashtu ka thënë: “Të gjith njerëzit din të flasin mirë, mirëpo fjala e cilit përputhet me veprën e tij ai ka fituar shumë, kurse ai që kundërshton vepra fjalën e tij, ai e qorton veten”. (Po aty).
Aliu, radijall-llahu anhu, thotë:
“O ju bartësit e dijes, veproni sipas asaj që dini, sepse dijetar është ai që din e pasatj vepron dhe përputhet vepra me dijen e tij. Do të ketë njerëz që bartin dije, mirëpo dija e tyre nuk do të kalon fytin e tyre dhe do ta kundërshton jeta e tyre e brendshme atë të jashtmen, vepra e tyre do të jetë në kundërshtim me fjalët e tyre. Do të bëjnë tubime të tyre dhe secili do ti lavdërohet tjetrit me tubimin e vet, saqë njeriu do të hidhërohet nëse një bashkëulës i tij shkon te tubimi tjetër dhe e le këtë të parin. Veprat e tyre nga këto tubime nuk do t’ju ngriten te All-llahu, azze ve xhel-le”. (po aty).
Ebu Derda, radijall-llahu anhu, ka thënë:
“Nuk mund të jesh i devotshëm nëse nuk je i ditur, dhe nuk mund të zbukurohesh me dije përderisa nuk vepron me te”. (po aty).
Si arrihet dija?
Për të arritur dijen e dobishme ka disa shkaqe dhe mënyra, prej më të rëndësishmëve janë:
1- Lutja drejtuar All-llahut për ti dhënë dije të dobishme.
All-llahu, subhanehu ve teala, e ka urdhëruar Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, që ti lutet All-llahut për tia shtuar dijen duke thënë:
” thuaj: “Zoti im, më shto dituri!”. (Taha: 114).
Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thoshte:
“All-llahu im më bën dobi me atë që më mëson, më mëso atë që më bën dobi dhe më shto dijen”. (sahih, Tirmidhiu).
2- Hulumtimi dhe kërkimi i dijes, mallëngjimi për te dhe dëshira e flaktë për grumbullimin e tij.
E pyetën një njeri të urtë duke i thënë: si të arrijë të fitoj dije? Ai iu përgjigj duke thënë: “hulumto me kujdes, dëgjo me dashuri, grumbullo me përkushtim, mësoja dijen tëende atij që nuk di dhe mëso nga ai që di. Nëse vepron kështu e mëson atë që nuk ke ditur dhe e ruan në kujtesë atë që kë mësuar”. (Xhamiu Bejanil-Ilmi ve fadlihi).
3- Ik nga mëkatet dhe ji i devtoshëm.
Ska dyshim se devotshmëria është prej shkaqeve më të mëdhaja për të arritur dijen.
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
” Kini frikë All-llahun se All-llahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), All-llahu është i gjithëdijshëm për çdo send”. (El-Bekare: 282).
“O ju që besuat, nëse keni frikë All-llahun, Ai do t’ju jep dije ( me të cilën e ndan të kotën nga e vërteta) “. (El-Enfal: 29).
Abdullah ibën Mesudi, radijall-llahu anhu, thotë:
“Besoj se një njeri e haron dijen që ka mësuar nga shkaku i mëkatit që ban”. (Xhamiu Bejanil-Ilmi ve fadlihi).
Poezia e Imam Shafiut, me të cilën e tregon këtë problem, duke iu ankuar mësuesit të vet për dijen është mjaft e njohur për ju.
Imam Maliku i drejtohet nxënësit të tij Imam Shafiut, rahimehumull-llah, duke i thënë:
“Shoh se All-llahu ka bërë dritë në zemrën tënde, andaj mos e fik me erësirat e mëkatit”. (Ed-Dau ved-Devau).
4- Mos je mendjemadh e as i trupshëm gjat kërkimit të dijes.
Aisheja, radijall-llahu anha, ka thënë:
“I mëshiroftë All-llahu gratë e ensarëve, të cilat nuk i pengoi turpi nga mësimi i fesë”. (Buhariu).
Imam Muxhahid ibën Xhebri, radijall-llahu anhu, ka thënë:
“Dy kategori njerëzish nuk arrijnë dijen: mendjemadhi dhe i turpshmi”. (Buhariu).
5- Sinqeriteti.
Ky është shkaku më i madh dhe kryesor për nxënie të dijes.
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Ai që mëson dijen, e cila duhet të mësohet sinqerisht për All-llah, për të fituar me të të mira të kësaj dynjaje, nuk do të nuhat aromën e xhennetit”. (Sahih, Ebu Davudi).
6- Veprimi sipas dijes.
Nga tërë kjo që treguam na bëhet e qartë se dija nuk mund të bëhet komponente e urtësisë nëse nuk shoqërohet me vepër, sinqeritet dhe pasim.
Në hutben tjetër do të vazhdojmë të flasim për dy kompenentet tjera që janë përbërëse të urtësisë, me lejen e All-llahut.
Përgaditi: Bekir Halimi
Bekir Halimi,
1.4.2005