Ramazani filloi. Mysafiri i cili para disa ditëve trokiti nëpër dyert tona duke kërkuar konak, i kemi dëshiruar mirëseardhje. Për te kemi hapur dyert e zemrave dhe shpirtit tonë sepse ai është mysafirë i Zotit. Me këtë mikpritje që po i bëjmë ramazanit po e dëshmojmë se me gjithë vështirësitë dhe sfidat që i ka ky muaj për shkak sezonit në të cilën gjendet, ne i respektojmë dhe i çmojmë lart simbolet e Allahut. Ndërsa Allahu në Kuran thotë: Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij. ( Haxhxh 32).

 

Agjërimi i muajit të Ramazanit po dëshmon besimin tonë dhe gatishmërinë për t’iu nënshtruar urdhrave të Zotit . Nuk mendoj që dikush prej nesh do të qëndronte 30 ditë rresht pa ngrënë dhe pa pi dhe pa kënaqësitë që Zoti na i ka lejuar në jetë edhe sikur të kishte një çmim shumë të lartë materialisht. Sikur ti thuhej dikujt se ti ke kaq shpërblim material por gjatë tërë jetës tënde një muaj në vit nuk ke me ngrënë, as me pi, e as me pas marrëdhënie intime gjatë ditëve të këtij muaji, nuk mendoj se dikush do ta bënte një gjë të tillë. Nuk besoj se dikush do ta qonte këtë marrëveshje deri në fund. Ndërsa ti me agjërimin tënd që po e bënë sot, i ke dhënë besën Allahut, dhe gjendja e jote kësisoj sikur po i thotë Allahut: “ O Zot edhe sikur njëmijë vite ymër ti kamë unë prapë njëmijë muaj do të agjëroj”.

Të nderuar besimtarë dhe besimtare:
Agjërimi nuk është vetëm traditë. Nuk është vetëm një çështje që i ke parë njerëzit duke vepruar ashtu dhe ti dëshiron të veprosh si ta. Agjërimi nuk është një rutinë që ti je mësuar me të dhe të është bërë normale një gjë e tillë. Por, agjërimi është adhurim i veçantë mbi të cilin janë ngritur shpërblime të mëdha. Allahu shpërblimin e agjëruesit e ka lënë në sekretin e Tij, që ky shpërblim të jetë surprizë për ty në ditën kur do ta takosh Allahun. Mos u çudit se pse myslimani gëzohet për ardhjen e Ramazanit dhe mos të habit angazhimi i jashtëzakonshëm i myslimanëve në këtë muaj. Sepse, ky muaj në vetën e tij është i jashtëzakonshëm. Vlera e ditëve dhe netëve të këtij muaji nuk matet me javë, as me dit, as me orë, por matet me minuta dhe sekonda.

Pasi që koha qenka shumë e shtrenjtë në këtë muaj, atëherë besimtari me plotë të drejtë i vendos disa prioritete për këtë muaj, që të ketë mundësi ta shfrytëzoj maksimalisht këtë muaj.

Prioriteti i parë: Shoqëruesi dhe shoku im me të cilin do të ulem dhe do të bisedoj, do të jetë libri i Allahut. Shumicën e kohës do të ja kushtoj librit të Allahut, sepse Allahu ia ka kushtuar këtë muaj Librit të Tij, duke filluar zbritjen e tij në këtë muaj. Me shoqërimin me Kuran do të fitoj mëshirën e Allahut, do ta shëroj zemrën time, do ta freskoj shpirtin tim. A e din se një xhuz ( pjesë e Kuranit që ka 20 faqe) ka 7000 shkronja, ndërsa leximi i një shkronje shpërblehet me dhjetë fish?! Do të thotë 70. 000 shpërblime. Ndërsa në Ramazan shpërblimi është edhe më i madh, ndërsa ti brenda një ore, ose gjysmë ore do të kesh mundësi ta lexosh këtë pjesë të Kuranit. Zemrat tona kanë nevojë që të meditojnë fjalët e Zotit. Andaj, bëje leximin tënd, lexim meditimi dhe mendo se je në bisedë me Zotin tënd.

Prioriteti i dytë: Do ta bëjë një Umre ( vizitë në Qabe jashtë kohës së haxhit). Kjo arrihet duke qëndruar në xhami pas namazit të sabahut, për ta përmendur Allahun dhe duke falur dy rekat namaz pas lindjes së diellit. I Dërguari i Allahut na tregon se ai i cili falë namazin e sabahut në xhami dhe pastaj ulet dhe bënë dhikër, përmend Allahun deri në lindjen e diellit dhe pas lindjes së diellit falë dy rekat namaz ka shpërblimin e një umreje.

Prioriteti i tretë: do të prezantoj me kohë në namaz. Do të shkojë me kohë në namaz që të kem mundësinë të fali namazet vullnetare para se të filloj farzi dhe ti drejtoj duart kah qielli,q ë të kërkoj faljen, mëshirën dhe begatit e Allahut.. Do të garoj se a do të jam i pari apo i dyti në shkuarjen në xhami. I Dërguari i Allahut na ka porositë që të garojmë në këtë çështje.

Prioriteti i katërt: Qetësimi dhe rehatia ime do të jetë në namazin e teravive. Sa gëzohen xhamitë me prezantimin e myslimanëve në namazin e teravive, duke dëgjuar fjalët e Allahut. Sa gëzohen myslimanët kur shohin të mbushura xhamit në namazin teravive. Kush kalon netët e Ramazanit me namaz, Allahu do ti falë mëkatet e mëhershme. Qëllimi i namazit tim do të jetë afrimi te Krijuesi im. Musa alejhi selam i tha Allahut: unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”. ( Ta Ha 84).

Prioriteti i pestë: Dy momente të Ramazanit do të jam shumë i kujdesshëm që mos ti anashkaloj, por ti shfrytëzoj me lutjet e mia. Momenti para iftarit, që është kohë e begatshme dhe i Dërguari i Allahut na ka përgëzuar se është koha e pranimit të lutjeve. Po ashtu Allahu për çdo ditë para iftarit liron robërit e Tij nga zjarri i xhehenemit, dhe kështu veprohet çdo ditë. Ndërsa momenti i dytë është kur të ngritëm në syfyr. Ky është momenti i zbritjes së Allahut në qiellin e kësaj bote duke iu përgjigj nevojave të njerëzve. E fal filanin, plotëson nevojën e filanit, largon pikëllimin e filanit dhe realizon kërkesat që i parashtrojnë robërit e Tij. Si mos të kujdesem për këto dy momente me kaq mirësi të shumta.

Prioriteti i gjashtë: Do të ripërtërijë lidhjet me farefisin tim, me akraballëkun tim. Do ti forcoj lidhjet me ta duke i vizituar, duke u sjell mirë me ta. Sa i mangët kamë qenë në vizitat e tyre, ndërsa erdhi Ramazani dhe më përkujtoj për obligimet që kamë ndaj tyre.

Prioriteti i shtatë: Do të pastroj zemrën time. Do të largoj nga zemra xhelozinë, urrejtjen. Ramazani do të jetë shansi im në përmirësimin mes meje dhe atyre që i kamë urryer. Nuk do ta bëjë këtë vetëm pse kamë shpërblime për të. Por, do ta bëjë sepse me pastrimin e zemrës unë e bëjë jetën time të lumtur, shpirtërisht ndihem i qetë.

Prioriteti i tetë: Do të distancohem nga shokët e këqij. Ata ma kanë shkatërruar jetën time dhe më kanë penguar nga veprat e mira. Kisha dëshirë të udhëzohem ata me pengonin. Kisha dëshirë të kamë një shokë të mirë ata më pengonin. Nuk dëshiroja të veproj mëkate ata ma hijeshonin. Për këtë kamë vendosur të distancohem prej tyre. Ndoshta Ramazani do të jetë fillimi i implementimit të këtij vendimi.

Prioriteti i nëntë: Koha ime në Ramazan është shumë e shtrenjtë, nuk do ta humbi kotë. Ramazani ka disa ditë të caktuara, të gjitha do të jenë për Allahun. Mjaftë kamë humbur nga koha e ramazanave të kaluar. Shejtani shumë ka bërë shaka me të kaluarën time. Sa arsyetimet mi gjente vetëm që ta humbi muajin e Ramazanit. Kamë vendosur që këtë vit mos ta humbi kohën në këtë muaj.

Prioriteti dhjetë: Do ti ruaj gjymtyrët e mia nga veprat e liga, që mos ti asgjësoj veprat e mira. I Dërguari i Allahut na thotë: “ Kush nuk len fjalët e kota dhe veprimin me to, Allahu nuk është i nevojshëm që ai ta lë ushqimin dhe pijen e tij”. Agjërimi im nuk do të jetë vetëm braktisje e ushqimit dhe pijes. Qëllimi i agjërimit tim është më i lartë se ky. Agjërimi dëshiron përmirësimin e shpirtit dhe unë do të jam ai i cili do ti përgjigjem kërkesës së agjërimit. Do të ju them lamtumirën mëkateve. Turpi ndaj Zotit më ka mbuluar. Sa mëkate i kamë bërë e Ai mi ka mbuluar. Sa luftën i shpalli Allahut me mëkate, ndërsa Ai nuk po ngutet ndaj meje. Ndoshta Ramazani do të jetë fillimi i kthimit te Allahu. Tash e kamë kuptuar se mëkatet janë ato që më privojnë nga rruga e Krijuesit tim. Unë nuk jam i kënaqur nga ky privim që mëkatet më kanë kapluar.

Në fund thuaj shpirtit tënd o shpirti im koha e gjumit ka kaluar. Mjaftë më e kamë kaluar jetën time sikur të jam në gjumë. Erdhi koha e zgjimit. Andaj o Zoti im merre zemrën time në kënaqësinë Tënde. Shpirti im ka nevojë për kujdesin Tënd. Mos me le në valët e errësirave. Mos me le të notoj në ujërat e turbullta. Në këtë muaj kërkojmë faljen dhe mëshirën Tënde. Largona nga zjarri i xhehenemit. Bashko zemrat tona dhe forcoj këmbët tona në rrugën Tënde. AMIN

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati