Falënderimi i takon Allahut të Gjithëdijshëm, i cili mësoi me pendë, i mësoi njeriut atë që nuk e dinte. Ne e lavdërojmë Atë me një lavdërim që i shkon madhështisë së Fytyrës së Tij dhe madhërisë së Sundimit të Tij. Ai na krijoi prej hiçit, na udhëzoi në Islam, na ushqeu e na dha të pimë, na mjaftoi dhe na strehoi, dhe çdo të mirë e dhunti që e kemi kërkuar, Ai na e ka dhënë. Dëshmoj se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i Vetëm, që s’ka ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, i cili e përcolli mesazhin, e kreu amanetin,  këshilloi Umetin, luftoi në rrugën e Allahut siç duhet, dhe na la në një rrugë të ndritur, nata e saj është si dita, e nuk shmanget prej saj veçse i shkatërruari. Paqja, nderimi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, deri në Ditën e Gjykimit.

E më pas:

Kini frikë Allahun, o robër të Allahut, sepse Ai thotë: “Kini frikë Allahun, e Allahu do t’ju mësojë juve” (El-Bekare: 282).

Ja, fillon një vit i ri i mirësisë- viti shkollor, ku nxënësit kthehen në bankat e shkollave, instituteve dhe universiteteve. Ky është kthim  i lavdërueshëm, me lejen e Allahut,  dhe shpresa është që Allahu i Madhëruar ta bëjë këtë vit, vit mirësie dhe begatie, e t’iu dhurojë nxënësve dhe studentëve  dije të dobishme dhe vepra të mira.

Viti i ri shkollor përbën një etapë të rëndësishme jetësore për çdo nxënës e nxënëse, të cilën secili e jeton me vendosmërinë për të përfituar prej saj në aspektin shkencor dhe edukativ, në mënyrë që pas saj nxënësi të përgatitet për etapa më të larta të arsimit, duke u ngritur kështu në shërbim të fesë, atdheut dhe shoqërisë së tij.

Viti i ri shkollor është një rrugë që fillimi i saj  gëzon , e fundi i së cilës nderon dhe lartëson, dhe përfundimi i saj është suksesi në këtë botë dhe fitorja në botën tjetër. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush ecën në një rrugë duke kërkuar dituri, Allahu s.v.t. me të ia lehtëson atij rrugën për në Xhenet.” (E transmeton Muslimi).

Viti i ri shkollor i përket të gjithëve: prindërve -nënave e baballarëve dhe tërë shoqërisë, sepse arsimi ka rëndësi të madhe në jetën e kombeve, ngaqë mbi rezultatet e tij ndërtohet atdheu, lartësohet krenaria e tij, zhduket padituria dhe shlyhet errësira e injorancës.

Duhet që vendosmëria të shoqërohet me planifikim për etapat e vitit shkollor që nga dita e parë, në mënyrë që nxënësi të ecë me hapa të vazhdueshëm ditë pas dite, orë pas ore, pa vend për neglizhencë apo përtaci. Ky planifikim është një përgjegjësi e përbashkët mes shkollës dhe familjes, mes mësuesve dhe prindërve. Secili ka pjesën e tij të përgjegjësisë, por për prindërit pjesa është më e madhe, siç thotë Allahu i Lartësuar:“O ju që besuat! Ruani veten dhe familjet tuaja nga një zjarr, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Mbi të qëndrojnë engjëj të ashpër dhe të fortë, që nuk kundërshtojnë Allahut në atë që Ai u urdhëron dhe e kryejnë atë që u urdhërohen.” (Et-Tahrim: 6).

Aliu,  Allahu qoftë i kënaqur me të,  ka thënë për fjalën e Allahut “Ruani veten dhe familjet tuaja”: “Mësoni  dhe edukoni ata” (E ka transmetuar Hakimi dhe e ka vlerësuar si Sahih). Ndërsa ed-Dahhaku dhe Mukatili,  Allahu i mëshiroftë,  thanë: “Është detyrë për muslimanin që t’i mësojë familjes së tij nga të afërmit dhe shërbëtorët, çfarë ka obliguar Allahu për ta dhe nga çfarë i ka ndaluar.” (Ibn Kethir, 8/167).

Prindërit janë edukues të fuqishëm dhe me ndikim. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Çdo i porsalindur lind në natyrën e pastër bazike –fitrah, pastaj janë prindërit e tij që e bëjnë atë hebre, të krishterë ose zjarrputist.”
Po ashtu ka thënë ﷺ:
“Urdhëroni fëmijët tuaj për namaz që në moshën shtatë vjeç, dhe rrihni ata ( si  çortim) për të në moshën dhjetë vjeç.”

Djaloshi   mes nesh të gjithëve veten zhvillon,
Por  në atë që babai i tij e ka edukuar ai qëndron.

Dhe nuk është mendja e fëmijës që ia jep fenë atij,
Por e mësojnë me devotshmëri të afërmit e tij.

Të gjithë janë të thirrur për edukimin e brezit të ri, ashtu siç ishte edukimi i brezit të parë. Transmetohet nga Sa’d ibn Ebi Uekkasi,  Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë: “Ne u mësonim fëmijëve tanë ngjarjet dhe betejat e të Dërguarit të Allahut ﷺ, ashtu siç u mësonim atyre një sure nga Kur’ani.”

Prindi i nxënësit dhe i nxënëses është faktori nxitës, ndihmues i mësuesit dhe i shkollës; roli i tij është i madh dhe me ndikim të fortë në mbjelljen e dashurisë për dijen, në respektimin e mësuesit, në bashkëpunimin me të dhe në mësimin e sjelljes së mirë për fëmijët para se të ulen në mjediset e dijes dhe të kërkimit të saj.

Dhe ja, ju jeni kthyer,  o nxënës të nderuar,  në bankat e shkollës; prandaj, rinovoni nijetin dhe pastrojeni atë, përkujtoni gjithnjë devotshmërinë ndaj Allahut të Lartësuar, dhe dijeni se edukata është çelësi i diturisë.

Mos mendo kurrë se vetëm dituria mjafton,
nëse me moral ajo  kurorën se plotëson.

E kush nuk duron nënçmimin e mësimit për një kohë,do të mbetet në poshtërimin e padijes përgjithmonë. Kushdo që nuk ka një fillim të zjarrtë entuziast, nuk do të ketë një fund të ndritshëm e të shkëlqyer.

Mësuesi është ai mbi të cilin mbështetet gjithçka, pas Allahut,  në formimin e nxënësit. Ky mësues ka qenë gjithmonë objekt nderimi në Islam; ai është babai shpirtëror i nxënësve të tij. Prandaj mësuesi e meriton plotësisht këtë nderim nga shoqëria dhe familja, sepse virtytin e njerëzve të virtytshëm nuk e njeh askush tjetër përveç atyre që vetë posedojnë virtyte,  siç ka thënë poeti:

Ngrihu për mësuesin, jepi nder të vërtetë,
se mësuesi u kosiderua gati sa Profet  të jetë.

O mësues e edukatorë të nderuar, profesioni juaj është nga më të çmuarit, ai është detyrë e profetëve dhe e të dërguarve. Prandaj, zbukurone këtë profesion me përkushtim, përpjekje, përmbushje të amanetit dhe realizim të drejtësisë, si dhe shoqërojeni fjalën me veprën.

Më e rëndësishmja që duhet të ruhet është edukimi moral dhe kulturor, i cili fillon së pari nga shembulli i mirë, para mësimit dhe instrukcioneve, sepse studenti ndikohet dhe imiton sjelljen para se të dëgjojë informacionin.

Ky edukim në sjellje duhet të jetë i pranishëm në shtëpi dhe në shkollë e në çdo detaj. Profeti ﷺ ishte mësues i sjelljes me vetë shembullin e tij, ashtu siç ishte mësues me udhëzimet e tij; “Karakteri i tij ishte Kur’ani”, siç ka rrëfyer nëna e besimtarëve-Aisheja r.a., duke qenë se Kur’ani u përfaqësua në udhëzimet etike të Profetit, i cili i praktikoi ato në mënyrë të drejtpërdrejtë midis njerëzve, në sjelljen, marrëdhëniet dhe misionin e tij.

Nga më të rëndësishmet në edukimin kulturor është të mbjellim konceptet e përkushtimit ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ndaj besimtarëve, ndjenjën e përkatësisë ndaj atdheut dhe ruajtjen e kulturës dhe resurseve të tij, në mënyrë që këto vlera të jenë pjesë e sjelljes së përditshme pa nevojën e instruksioneve apo testimeve. Kudo ku këto vlera mungojnë në çfardo  vendi apo shoqërie, aty shohim shkatërrimin e atdheut, përhapjen e krimeve dhe humbjen e energjive, sa që s’mund të riparohen ato  dëmtime aq të  mëdha.

Kërkojmë nga Allahu dije të dobishme dhe vepra të mira; O Zot i botëve mësona atë që na sjell dobi dhe shtona dijen dhe veprat e  mira.

Qoftë i bekuar për mua dhe për ju Kur’ani Famëlartë, dhe Allahu më bëftë mua dhe juve të përfitojmë prej atyre ajeteve që gjenden në të  dhe prej përkujtimit të urtë. Kërkoj falje nga Allahu për veten time dhe për ju, prandaj kërkoni falje prej Tij, vërtet Ai është Falës dhe Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon Allahut dhe kjo mjafton; Allahu  atë që lutet e dëgjon.

Pas kësaj: Druajuni Allahut, o robër të Allahut me të vërtetë, dhe mësone fenë tuaj, duke u ndjekur nga shembulli i Mësuesit të Parë ﷺ në mësimdhënie, edukim dhe sjellje. Është e domosdoshme për mësuesit dhe edukatorët të ndjekin hapat e tij dhe të udhëhiqen nga udhëzimi i tij, sepse  në të gjendet e mira e gjithë e mira.

Dhe lutuni për nderime  bekime e dërgoni selamet mbi  mëshirën e dërguar dhe begatinë e dhuruar, Pejgamberin tuaj Muhamedin s.a.v.s., i Dërguar i Allahut, sepse Zoti ju ka urdhëruar me  këtë, duke thënë në Librin e Tij të Madhërishëm  në fjalët e tij të vërteta:  ”Me të vërtetë Allahu dhe engjëjt e Tij nderojnë   Profetin me salate. O ju që besoni, lutuni me salat për të dhe përshëndeteni me selam.﴾ [Ahzab: 56]

O Allah, dergo salavat dhe selam, dhe beko  robin tënd, Muhamedin, Pejgamberin e zgjedhur dhe të përzgjedhur, mbi familjen e tij të pastër dhe të mirë, mbi bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve, dhe kënaqu o Allah, me katër kalifët e drejtë: Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të tjerët nga dhjetsheja e përgëzuar me Xhennet, e me të gjithë sahabët në përgjithësi, si dhe pasuesit tabiinë  dhe ata që i ndjekin me mirësi deri në Ditën e Gjykimit, e bëna edhe neve  të jemi me ta me faljen, bujarinë dhe mirësinë tënde, o më Bujari i bujarëve.

O Allah, forco Islamin dhe myslimanët, dhe poshtëro idhujt dhe idhujtarët.

O Allah, mbrona nga sprovat e ftinet e ndryshme,  ato që janë të dukshme dhe ato të fshehta.