Nga ENES IBN MALIKU(r.a.) transmetohet se Muhamedi (alejhi selam) ka thënë:
“Kërkimi i diturisë është farz (obligim) për çdo musliman.”
DIJETARËT ISLAMË KANË DHËNË DISA MENDIME PËR DITURITË QË DUHET TË MËSOHEN
- Fukahatë kanë thënë se dituria që duhet të mësohet është fikhu, sepse nëpërmjet fikhut dihet çka është hallall e çka haram.
- Mufesirët dhe muhadithinët kanë thënë se dituria që duhet të mësohet ka të bëjë me Kur’anin dhe Muhamedin (alejhis selam).
- Dijetarët sufistë kanë thënë se dituria në fjalë nënkupton diturinë e sinqeritetit dhe dobësive të (zemrës së) njeriut.
- Dijetarët e akaidit kanë thënë se këtu është për qëllim ILMU KELAMI – mësim besimi në ALLAHUN xheleshanuhu.
DIJETARËT ISLAMË I KANË NDARË OBLIGIMET NË DY GRUPE:
1. Farzi Ajn – Obligimi personal
2. Farzi Kifaje – Obligim shoqëror
FARZI AJN: Është ai farz të cilin duhet ta zbatojë patjetër çdo musliman, p.sh.: theksimi i shehadetit, falja e namazit, agjërimi i ramazanit, zeqati dhe haxhi (kush ka mundësi).
FARZI KIFAJE: Është ai farz i cili bartet si detyrë mbi tërë bashkësinë muslimane. Nëse një grup e kryen atë punë, të tjerët lirohen, p.sh.: mësimi i medicinës, matematikës, falja e namazit të xhenazes, xhihadi për mbrojtjen e atdheut etj.
Në Islam disa dituri janë të lavdëruara e disa të urryera, p.sh. lavdërohet mësimi i historisë, biologjisë etj., ndërsa urrehet mësimi i sehireve dhe i çdo gjëje që është në dëm të shoqërisë.
DITURIA E SHERIATIT NDAHET NË DY GRUPE:
1. EL USUL – BAZAT E SHERIATIT – dituria rreth Kur’anit dhe Hadithit (fjalëve të Muhamedit alejhi selam).
2. EL FURU’E – DEGËZIMET, sikurse edhe mësimi i Nahvit – Sintaksës. Këto
konsiderohen metodat për të kuptuar Kur’anin dhe Hadithin. Në përgjithësi, dituritë e sheriatit, me të gjitha degëzimet e tij, janë të lavdëruara tek Allahu xhel-le-shanuhu (EL ULUM EL MAHMUDETU).
Zemra e muslimanit duhet të ketë frikë vetëm ndaj Allahut (xhel-le-shanuhu), duhet t’i lutet vetëm Atij, duhet të jetë i kënaqur me caktimin e Tij, duhet të jetë e mbushur me drejtësi dhe sinqeritet etj.
Prej dijetarëve islamë, që i kanë poseduar këto cilësi, mund të përmendim: SUFJAN ETH – THEURIUN, IMAM EBU HANIFEN, SHAFIUN, MALIKIUN, AHMEDIN etj.
Disa dijetarë islamë, kur flasin për ligjet e sheriatit, trajtojnë në përgjithësi disa probleme që ndodhin rrallë, si p.sh. shkurorëzimi, mirazi etj. Ata iu kushtojnë më shumë rëndësi këtyre problemeve, e kur vjen puna te sinqeriteti i muslimanit ndaj caktimit të Allahut xhel-le-shanuhu dhe te ruajtja ndaj formalitetit, ata flasin pak për këto probleme të rëndësishme.
IMAM HASAN EL BASRIU thotë:
“I mençur është ai i cili nuk e lidh zemrën e tij me këtë dynja (jetë), por synon ahiretin, e ruan fenë e tij, është i saktë në ibadete, e ruan gjuhën e tij nga cenimi i nderit të muslimanëve, nuk lakmon pasurinë e të tjerëve dhe i këshillon të tjerët për të mirë.”
DITURITË E LAVDËRUARA
Dituritë e lavdëruara ndahen ne dy grupe:
1. DITURIA tepër e lavdëruar – është ajo dituri e cila ka të bëjë me qenësinë e Allahut (xhel-le-shanuhu), me cilësitë dhe me punët e Tij. Këtë dituri duhet ta kërkojë secili, sepse nëpërmjet kësaj diturie ai fiton kënaqësinë e ahiretit. Kjo dituri është një det i pafundmë, të cilit nuk kemi mundësi t’i dalim në skaj, mirëpo secilit duhet t’i mësojmë sa t’ia bëjë nasib Allahu (xhel-le-shanuhu).
2. DITURIA e lavdëruar pjesërisht – është ajo dituri e cila i përket farzit kifaje, prandaj bëhuni njëri prej dy personave: ose ndihmoje veten tënde ose ndihmoji tjetërkujt, mbasi e ke kryer punën tënde. Mjerë për ty të punosh për tjetërkënd pa përmirësuar veten tënde.
Mundohu që, së pari, ta përmirësosh dhe ta pastrosh brendinë tënde nga cilësitë e urryera, si: zilia (HASEDI), formaliteti (RIJA), mendjemadhësia (KIBRI), syri i pangopur lakmitar (El HISR) etj.
Nuk bën ta zbatojmë farzin kifaje pa i kryer obligimet e lartpërmendura AJN, sepse është çmenduri ta përmirësosh tjetërkënd dhe ta lësh pa pastruar veten tënde,
sikurse p.sh. një njeri që i janë futur akrepat dhe insektet në rrobat e tij dhe ai mundohet t’ia largojë mizat tjetërkujt.
Së pari duhet të fillosh me librin e Al1ahut (xhel-le-shanuhu), mandej me sunetin e Muhamedit (alejhi selam), pastaj me dituritë rreth Kur’anit (Tefsir), më pas me Texhvidin.
Po ashtu, duhet të vazhdosh me termat e posaçëm: MUHKEM dhe MUTESHABI – ajetet e qarta dhe të paqarta, NASIH dhe MENSUH – anulues dhe i anuluar, ES BAB EN NUZUL – shkaqet e zbritjes së ajeteve. Më pas duhet të vazhdosh me njohuritë rreth sunetit MUSTALAHU EL HADITH – Terminologjia rreth hadithit.
Mundi nuk duhet të shpenzohet veç në një drejtim, sepse dituria është e madhe, kurse jeta është e shkurtër. Dituritë që i përmendëm janë mjete ndihmëse për një qëllim më të lartë, e ky qëllim është kënaqësia e Allahut (xhel-le-shanuhu).
DIJETARI QË NUK E SHEH DOBINË E DIJES SË VET
Duhet ta kesh gjithmonë parasysh se çdo polemikë apo dialog, që bëhet me qëllimin e mburrjes apo mendjemadhësisë, është burim kryesor për vetitë e këqija. Zemra e personit të këtij lloji është shumë vështirë që të shpëtojë nga KIBRI.
Për çfarë arsye ?
Për shkak se qëllimi i tij është që ta mposhtë kundërshtarin. Ai mendon për veten e tij se kinse po di diçka. Por zemra e tij është shumë vështirë të shpëtojë nga RIJA (formaliteti), sepse shumica e atyre që bëjnë dialog me shokët e tyre kanë për qëllim që të tregojnë se fituan dhe i mposhtën të tjerët, dhe nuk synojnë që të tregohet e vërteta – haku.
Ata kanë për qëllim që të lavdërohen prej njerëzve kur korrin sukses ndaj kundërshtarit. Ata e shkrijnë jetën e tyre për disa çështje të çuditshme, vetëm për të dialoguar me shokët e tyre se kinse dinë diçka, e jo për të mësuar diturinë e ahiretit.
Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA