Njerëzit në këtë botë kanë shije të ndryshme, për gjëra të ndryshme. Kënaqësinë e tyre e ndiejnë në gjëra të ndryshme, varësisht prej shijeve dhe qëllimeve që kanë. Njerëzit jetojnë për të qenë të kënaqur dhe ai është qëllimi i tyre në këtë botë.
Kënaqësitë dhe shijet e njerëzve janë të ndryshme, prej tyre:
Kënaqësia ndijuese, prekëse. Sikur që është ushqimi, pija, veshja etj.
Kënaqësia iluzione, mashtruese. Sikur që është posti, urdhrat, ndalesat etj.
Kënaqësia e zemrës. Sikur që është kënaqësia ndaj shkencave dhe njohurive të ndryshme.
Ne nuk do të flasim për këto kënaqësi që njerëzit i kanë në këtë botë. Por do të flasim për kënaqësinë e imanit (besimit), për shijen e imanit të cilën e ndien besimtari. Do të flasim për kënaqësinë që besimtari e ndien me imanin e tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Ndoshta dikujt veprimet e besimtarit në raport me adhurimin i duken absurde dhe të çuditshme. Dikush habitet me atë i cili rrinë një orë e më shumë në namaz, i drejtuar kah Krijuesi i tij. Dikush thotë mos të paqa borxh se unë nuk mundem të qëndroj gjithë ditën e gjatë të verës pa ngrënë dhe pa pi. Këto veprime janë të çuditshme për atë i cili nuk e ka shijuar kënaqësinë të jesh rob i Allahut dhe ta shijosh me zemrën tënde ëmbëlsinë e adhurimit që ti e kryen. Allahu thotë në Kuran: “Por Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen. Pikërisht ata janë të udhëzuarit drejt (Huxhurat 7).
Njeriu nuk shijon kënaqësinë përmes mëkateve, përveç ai i cili është i sëmur në zemrën e tij, ose mëkati ka mbuluar zemrën e tij dhe është bërë i dashur te ajo zemër. Kjo gjendje i ngjanë ati i cili ka ndonjë sëmundje dhe sa do që i afron atij ushqim të mirë, atij prapë ushqimi i duket i hidhur.
Ka një dallim të madh mes kënaqësive të kësaj bote dhe kënaqësive të ahiretit:
-Kënaqësitë e kësaj bote ndërpriten, ndërsa kënaqësitë e ahiretit janë të vazhdueshme, dhe asnjëherë nuk ndërpriten. Për këtë Allahu për banorë e xhenetit ka thënë: “Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet”. (Bejjine 8).
-Kënaqësitë e kësaj bote,sa do me pas shije në to, njeriu lodhet prej tyre, dhe mes kënaqësisë dhe asaj që ishte më herët duhet të ketë një pauzë. Ndërsa kënaqësitë e ahiretit, njeriu nuk lodhet asnjëherë prej tyre,asnjëherë nuk bëhet monoton, edhe nëse vijnë njëra pas tjetrës.
-Kënaqësitë ndaj të mirave të ahiretit shtohet sa herë që shtohet e mira. Ndërsa ndaj kënaqësive të kësaj bote njeriun e ndien në fillim një lezet, pastaj ajo fillon të bëhet një gjë e zakonshme te njeriu.
-Kënaqësitë e kësaj bote shpesh herë sjellin turbullira dhe probleme. Ndërsa kënaqësitë e ahiretit në to është lumturia dhe rehatia e besimtarit.
-Kënaqësitë e kësaj bote mundë të shkaktojnë dëm, apo frikë nga ndonjë sëmundje. Ndërsa në kënaqësitë e ahiretit nuk ka asnjë frikë. Besimtari është i sigurt në shijimin e këtyre kënaqësive.
Kënaqësitë e besimtarit janë të lidhura me ahiretin, me shpërblimin e madh që do ta fitoj nga Allahu.
Besimtari e ndien kënaqësinë e besimit, njëshmërisë së Allahut. I Dërguari i Allahut thotë: “Tri gjëra nëse i posedon besimtari ka shijuar ëmbëlsinë e imanit. Që të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më i dashur te ai se çdo gjë tjetër. Ta dua një njeri vetëm për Allah dhe për asgjë tjetër. Ta urrej kthimin në mosbesim ashtu sikur e urren hedhjen në zjarr”. Nëse imani vendoset në zemrën e njeriut dhe e realizon atë në jetën e tij atëherë ka shijuar ëmbëlsinë e tij. Imani për besimtarin është më i dashur se uji i freskët në etjen e madhe. Dalja nga imani është më e urryer për besimtarin se sa hedhja në zjarr.
Besimtari kënaqësinë e tij e shijon në namaz. I Dërguari duke treguar kënaqësinë e namazit ndaj kënaqësive tjera tha: “ dhe namazi është bërë bebëza e syrit tim”. Namazi ka shije kur njeriu qëndron para Krijuesit të tij, i nënshtruar, me frikë respekt. Besimtari kur është në këtë gjendje, në namazin e tij, nëse ndahet prej tij, ndahet i mërzitur. Sepse, në namaz ka gjet qetësi, gjallëri, lumturi, dhe çdo njeri nëse e arrin këtë gjendje në namaz, nuk ka dëshirë të largohet nga ai. Namazi për të është bebëza e syrit të tij, është begatia e shpirtit të tij, është xheneti i zemrës së tij. Besimtari e ndien ngushtimin dhe problemet e kësaj bote, derisa sa futet në namaz dhe aty e gjen qetësimin e shpirtit. I Dërguari i Allahut i thoshte Bilallit, myezinit të tij: “ thirre ezanin o Bilall, ta qetësojmë vetën me namaz”. Njëri prej të parëve mysliman, nga dashuria e madhe që kishte për namazin, i bënte këtë lutje Allahut: “ O Zot nëse dikujt i ke mundësuar që edhe në varr të bëjë namaz, ma mundëso një gjë të tillë”.
Besimtari kënaqësinë e tij e shijon në namazin e natës. Ebu Hanifes ju fryheshin damarët e këmbëve për shkak të qëndrimit të tij në namazin e natës. Thotë Ibn Munkedir: “S’ka mbet prej kënaqësive të kësaj bote përveç në tri gjëra, namazi i natës, takimi me vëllezër dhe namazi e xhemat”.
Besimtari kënaqësinë e tij e ndien në agjërim. Është e vërtetë se agjërimi shkakton etje, uri, lodhje, por me kalimin e kohës të gjitha këto shndërrohen në shije dhe kënaqësi. Kënaqësia e besimtarit në agjërim shihet edhe në kohën e iftarit. Ndërsa më e madhja do të jetë atë ditë kur do ta takoj Allahun me agjërimin e tij.
Besimtari e shijon kënaqësinë e tij në përmendjen e Allahut. Besimtari në përmendjen e Allahut e gjen një kënaqësi të veçantë, që nuk e gjen diku tjetër. Si mos ta ndiej këtë kënaqësi, kur vendet kur përmendet Allahu janë quajtur kopshtet e xhenetit. Përmendja e Allahut e zbut zemrën, edhe nëse trupi ndien uri dhe etje.
Besimtari e shijon kënaqësinë e tij në leximin e Librit të Allahut, Kuranin. Thotë Uthman b. Affani: “Sikur zemrat tona të pastroheshin, asnjëherë nuk do të ngopeshin prej fjalës së Allahut”. Nuk ka diçka më të dashur për ata që e duan Allahun se sa leximi i fjalëve të Atij që e duan.
Besimtari kënaqësinë e tij e shijon kur ka mundësi ti ndihmoj dikujt, ndonjë nevojtari, bonjaku, të varfrit. Besimtari kënaqësinë e tij e shijon kur fiton një dije të dobishme, dije e cila i bënë dobi në këtë botë dhe në botën tjetër.
Prej shkaqeve që i mundësojnë besimtarit ta shijoj kënaqësinë në vepra të mira janë: Ndjesia e besimtarit se Allahu e përcjell atë haptas dhe fshehtas, angazhimi dhe përpjekja për vepra të mira, meditimi i Kuranit dhe njohja e Emrave dhe Cilësive të Allahut, shoqërimi me njerëz të mirë, kujdesi në adhurime individuale, sinqeriteti në punë, nijeti i paster.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati