- Ka thënë Katadeja: “Kur’ani iu flet për sëmundjen dhe shërimin tuaj: sëmundja juaj janë mëkatet ndërsa shërimi juaj kërkimfalje (istigfari).”
- Ka thënë Aliu r.a.: “Çudi me atë që shkatërron veten ndërsa në dorë e ka ilaçin! Cili ilaç është ky? – e pyetën. Tha: Istigfari (kërkimfalja).”
- Ka thënë Fudajl ibni Ijjadi: “Kërkimfalja duke mos braktis mëkatet është pendim i gënjeshtarëve.”
- Ka thënë Ibni Tejmije: “Istigfari (kërkimfalja), (si vepër) është më e madhja ndër veprat e mira. Dera e saj është e gjerë. Kushdo që ndien se ka bërë lëshime në fjalët, veprat dhe gjendjen e tij, apo ka probleme me furnizimin dhe stabilitetin e zemrës së tij, le t’i kthehet Teuhidit (njëshmërisë) dhe istigfarit (kërkimfaljes) ngase në këto të dyja ka shërim nëse veç iu është qasur me sinqeritet dhe korrektësi.”
- Ibnul-l-Kajjimi e kishte pyetur Ibni Tejmijen: Njerëzit po pyesin, a më i dobishëm është tesbihi (madhërimi) apo istigfari (kërkimfalja)? Ibni Tejmije iu përgjigj: “Nëse rroba është e pastër, atëherë temjani dhe uji i luleve (parfumet dhe erërat e mira) janë më të dobishme për të, por nëse është e njollosur, atëherë uji dhe sapuni janë më të dobishme për të.”
- Ka thënë Ebu el-Ferexh Ibn el-Xheuzijj: “Na vjen keq për një rob, të cilit i është shtuar barra (e mëkateve) ndërsa i është pakësuar istigfari.”
- Ka thënë Ibni Rexhebi: “Nëse nuk mund të garosh me të mirët në veprat e tyre atëherë garo me mëkatarët në kërkimfaljen (istigfarin) e tyre.”