Herë pas here në historinë e gjatë islame ka pasur njerëz herë dashakeqës, herë të paditur, e herë gjysmakë, që janë munduar të hedhin baltë dhe të zhbëjnë autenticitetin dhe pozitën e traditës profetike apo Sunetit, që përcillet përmes haditheve. Dhe sigurisht këto goditje i janë adresuar së pari atij që konsiderohet historikisht mes muslimanëve, si libri më i saktë pas Kuranit, që është përmbledhja e haditheve autentike nga Imam Buhariu, e njohur ndryshe edhe si Sahih Buhari.
Këto sulme mjerane, në thelb të tyre kanë treguar padijen e thellë jo thjesht për Buhariun dhe Sahihun e tij, por për mbarë korpusin e shkencës së hadithit, që përbën burimin e dytë themelor dhe më të gjerë, mbi të cilën ndërtohet e gjithë ngrehina e dijeve islame.
Për ruajtjen, shkrimin, transmetimin, verifikimin dhe interpretimin e haditheve kanë punuar, sakrifikuar dhe i kanë kushtuar jetën me mijëra muhadithinë dhe me qindra dijetarë e imamë, duke ndërtuar një dije që kurrë nuk ka ekzistuar më parë në historinë e njerëzimit dhe ndoshta s’ka për të ekzistuar kurrë më pas. Dija e verifikimit të autenticitetit të hadithit është kaq e pasur me rregulla, detaje dhe imtësi të vogla, të paimagjinueshme për shumicën e njerëzve që nuk e njohin atë, dhe është derdhur aq shumë mund dhe punë, sa vetëm ata që e kanë ndjerë si adhurim dhe përkushtim ndaj Zotit mund ta bënin diçka të tillë. E themi pa asnjë hezitim, se historia e njerëzimit nuk ka parë kurrë një përkushtim të tillë për ruajtjen e saktësisë së fjalëve të një profeti apo ndonjë njeriu të madh, siç kanë bërë muslimanët për të ruajtur traditën dhe fjalët e profetit të tyre. Sigurisht, këto nuk janë fjalë boshe të hiperbolizuara që thuhen thjesht si apologji për hadithet, por një e vërtetë që e ka shijuar dhe ndjerë cilido që është kredhur në këtë det madhështor dijeje.
Transmetuesit e haditheve llogariten me qindra mijëra, koleksionet e larmishme hadithore përgjatë gjithë historisë islame janë me mijëra, të tilla janë edhe veprat që merren me verifikimin dhe filtrimin e transmetuesve dhe të teksteve që ato përcjellin. Është një korpus kaq i stërmadh dhe i larmishëm veprash, saqë akoma deri më sot nuk janë botuar të gjitha dorëshkrimet që ekzistojnë në këtë fushë, edhe pse janë botuar shumë të tilla. Sigurisht që çdo individ i vetmuar mund të gabojë, por pikërisht për këtë arsye, kjo dije nuk është ndërtuar nga një njeri i vetëm, qoftë ky edhe gjeni, siç ishte Imam Buhariu, por nga aq shumë dijetarë dhe kolosë të dijes, para dhe pas tij, sa praktikisht dija e hadithit me të gjitha nëndisiplinat e saj formësojnë një mal shkëmbor gjigant dijeje, që nuk e shemb dot asnjë qenie njerëzore në këtë botë, apo edhe xhind qoftë.
Duke qenë e tillë, të gjithë ata që orvaten të hedhin baltë mbi të, nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm se iniciojnë sulme sporadike, amatoreske, qesharake dhe injorante, sigurisht shumë periferike, jometodike dhe sharlatane.
Duke huazuar nga një fjalë e urtë arabe, do të thoshim se nëse do të ishin desh me brirë, do t’i kishin thyer brirët e tyre tek tentonin të mateshin me një mal të tillë shkëmbor, siç është korpusi i dijes së hadithit, sepse kësaj dijeje, asgjë nuk kanë çfarë t’i bëjnë. Me gjithë vetëpërmbajtjen për të mos fyer asnjë të paditur apo gjysmak, më duhet të them, për hir të realitetit, se shumica edhe e atyre që studiojnë në shkolla për dijet islame, e njohin fare përciptazi këtë dije dhe shpesh as që ia kanë haberin e metodologjisë dhe përmasës reale të kësaj dijeje gjigante për nga përmbajtja dhe rregullat që e përbëjnë. Kështu që duke i kursyer -edhe pse nuk e meritojnë justifikimin me padijen e tyre- nuk mund të themi vetëm se: o Zot udhëzoji dhe mësoji se nuk dinë se çfarë flasin!
Sigurisht, dilemave dhe pikëpyetjeve për detaje të ndryshme që mund të ketë një njeri dashamirës, iu duhet dhënë përgjigje, por gjithsesi, ajo që duhet kuptuar në thelb, është se një të padituri, sidomos një gjysmë të padituri që hiqet si kompetent pas dëshmisë së një shkolle fetare, nuk mund t’i kurohet padija dhe paqartësia që ka, me dy fjalë replikë, sepse sëmundja e injorancës gjysmake shërohet përmes të mësuarit dhe njohjes metodike të dijes, për të cilën flitet.
Replikat, qoftë edhe të stërgjata, mund të mbyllin një vrimë të injorancës së këtij personi në atë fushë, ku ai flet pa kompetencë, por injoranca e tij do të prodhojë përsëri vrima të tjera, aq sa sigurisht e vetmja gjë që mund t’i mbushë dhe mbyllë ato zgavra një herë e mirë, është pikërisht të studiuarit metodik dhe me themel, në këtë rast të dijes së hadithit, sepse përndryshe, t’i përgjigjesh me detaje çdo piskame që lëshohet herë pas herë nëpër rrjete sociale, qofshin edhe nga persona që kanë me mijëra ndjekës, është njëlloj si të fusësh devenë në një vrimë gjilpëre.
(Vijon në një postim tjetër…)
Justinian Topulli