Sedat G. Islami
Falënderimet tona më të sinqerta qofshin për Allahun, Zotin e qiejve dhe tokës, dhe çdo gjëje tjetër. Dëshmojmë dhe deklarojmë se nuk meriton adhurim, me të drejtë, askush përveç Allahut të Vetëm, që nuk ka shok, Atij i takon pushteti dhe falënderimi; Ai ngjall dhe vdes robërit e Tij ndërsa Vet është i Gjalle dhe Vigjilent!
Ndërsa përshëndetjet më të ngrohta ia dërgojmë, si gjithherë, Muhammed Mustafasë, zotëriut te njerëzimit, vulës se profetëve dhe imamit të të devotshmëve. Dëshmojmë se ai është rob dhe i dërguar i Allahut!
Vëllezër besimtarë!
Feja Islame ka vlerësuar, njohur dhe ruajtur të drejtën e të dobëtëve, miskinëve, fukarave, të vejave dhe jetimëve. Sa mirë do të ndikonte përkujdesi ynë për ta e sidomos për jetimin, që ka humbur njërin apo te dy prindërit. Ai ka nevoje me se shumti për përkujdesjen dhe mbikëqyrjen tone ngase ne shtëpi nuk ka dore qe e përkëdhel dhe zemër qe e mëshiron, dhe nëse dikush nuk e edukon gjersa është fëmijë, ai do te rritet i mishëruar me tipare te ulta morali; shoqërinë do ta shikoje me sy urrejtës, ngase ajo e harroi, apo e përbuzi, nënçmoi dhe anashkaloi çështjen e tij. Kështu ai, ne vend se te jete i dobishëm për shoqërinë e tij, ai do te jete mjerim, shkatërrim dhe imazh i keq për të.
Muslimanë të nderuar!
Islami i ka kushtuar rëndësi te madhe çështjes se jetimit nga aspekti i edukimit, trajtimit dhe sigurimit te ekzistencës se tij, ne mënyrë qe ai te jete një element dobiprurës për shoqërinë; te kryeje obligimet ndaj saj dhe te jete përgjegjës për veprimet në raport me të.
Islami ka urdhëruar qe jetimi te respektohet e assesi te mos shqetësohet. Thotë Allahu: “Pra, mos e përul jetimin!”. (ed Duha, 9).
Mospërkujdesjen për jetimin e ka bërë si një shenje qe tregon se ai njeri e ka përgënjeshtruar Ditën e Llogarisë. Thotë Allahu: “A e ke parë ti (a e sheh) atë, që përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër? Po ai është që e përzë në mënyrë të vrazhdë bonjakun”. (Maun, 1-2)
Në Kur’an, paralel me urdhrin për besim të pastër në Allahun dhe bamirësinë për prindër, ka ardhur edhe urdhri për përkujdesjen për jetimin. Thotë Allahu: “Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet “. (en Nisa, 36)
Pejgamberi, alejhi’s selam ka përmendur një mori hadithesh përkitazi me jetimin, qe i tillë ishte edhe vet, alejhi’s selam, ne te cilat sa porositë, këshillon dhe urdhëron për bamirësi ndaj jetimit, po aq edhe garanton shpërblime për këtë gjë. Mjafton shpërblim për ne shoqërimi i tij ne Xhennet, siç thotë vet ai, alejhi’s selam: “Unë dhe kujdestari (i mirë) i jetimit do te jemi së bashku në Xhennet kështu, duke bërë me shenje me gishtin tregues dhe atë të mesëm dhe duke i ndarë pak”. (Transmeton Buhariu)
Në hadithe tjera përmenden gjera te mrekullueshme për atë që përkujdeset për jetimin, dhe kërcënime për atë që nuk përkujdeset për të, e prej të cilave ne do të veçojmë:
– Vlera e atij muslimani apo muslimaneje, qe marrin në përkujdesje dhe mbikëqyrje ndonjë jetim është sikurse vlera e një besimtari shume te devotshëm, qe falet natën e agjëron ditën dhe që del për të luftuar në rrugën e Allahut. Ja teksti:
Ai që ndihmon gruan e vejë dhe meskinin është sikurse muxhahidi në rrugën e Allahut, ose sikur ai që agjëron ditën e falet natën”. (Buhariu)
– Prej të parëve që do të hyjnë në Xhennet do të jenë ata që përkujdesen për jetimet. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
Unë – thotë Pejgamberi, alejhi’s selam – do të jem i pari që hapi derën e Xhennetit kur ja një grua nxiton:
Çfarë ke dhe kush je ti – e pyes.
Thotë: Unë jam grua, që kam ruajtur disa fëmijë që më patën mbetur jetimë”. (Hadithin e ka përmendur Ibni Haxher ne Fet’hul Bari)
– Pejgamberi, alejhi’s selam ka cilësuar si mëkat mospërkujdesjen për jetimet e ka thënë:
O Allah! Unë e cilësoj si të keqe dhe mëkat shkeljen apo anashkalimin e të drejtës së dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas”. (Hadith ka graden e hasen-it. Shih: Silsiletu’s sahihah, 1015)
– Në një hadithi të regjistruar nga Buhariu dhe Muslimi e të transmetuar nga Ebu Hurejre, Muhammedi, alejhi’s selam ngrënien e pasurisë së jetimit e kishte radhitur në mesin e 7 mëkateve që shkatërrojnë njeriun e kishte thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese:…(në mesin e tyre numëroi edhe) ngrënia e pasurisë së jetimit”.
Robër të Allahut!
Të drejtën e jetimit për përkujdesje dhe mbikëqyrje e kane vërtetuar Kur’ani dhe Sunneti. Kur Pejgamberin, alejhi’s selam e pyeten përkitazi me çështjen e jetimit, Allahu shpalli në Kur’an: “Dhe të pyesin ty për bonjakët. Thuaj: “Po t’i ndihmoni në punët e tyre është më mirë, e nëse i përzieni (pasurinë e tyre me tuajën), ata janë vëllezërit tuaj. All-llahu di të dallojë qëllimkeqin nga qëllimmirin. E sikur të dëshironte All-llahu do t’ju rëndojë. All-llahu është më i fuqishmi, më i urti”. (el Bekare, 220)
Allahu aludoi në të drejtën e patjetërsueshme të jetimit për përkujdesje e tha: “Le të frikësohen ata (në prag të vdekjes) sikur të linin pas vete pasardhës të paaftë për të cilët kanë dro (si do të jetë gjendja e tyre) le t’i ruhen All-llahut (dënimit të Tij) dhe le t’ju thonë (jetimëve) fjalë prindore”. (en Nisa, 9)
Nëse dikush ka ne përkujdesje ndonjë jetim le të jetë i sjellshëm me të në çdo gjë, madje edhe në të folur. Kur ta thërras le ta thërras me emra përkëdhelës, si: O biri im!, ashtu siç i thërret fëmijët e tij.
Frikësojuni Allahut o besimtarë dhe bëhuni të njerëzishëm ndaj jetimëve dhe tërë nevojtarëve. Përkujtoni ditën që do të dilni para Tij, atë dite kur çdo kush, pa asnjë padrejtësi, do të shpërblehet për atë që ka bërë.
Vëllezër muslimanë!
Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu do ta llogarisë çdokënd qe ka shkelur te drejtën e jetimit, ka keqpërdorur pasurinë e tij dhe ka shfrytëzuar atë në gjëra që nuk janë të ligjshme për të. Allahu urdhëron e thotë: “Provoni bonjakët derisa të bëhen për martesë, e nëse vëreni te ta pjekuri, atëherë dorëzonju atyre pasurinë e tyre. Mos e hani atë duke shkapërderdhur dhe duke u ngutur para se të rriten ata. Kush është i pasur le të ruhet (shfrytëzimit të pasurisë të jetimëve), e kush është i varfër, le të hajë me maturi. E kur t’ju dorëzoni atyre pasurinë e vet, dëshmoni atë (që ju dorëzoni). Mjafton që All-llahu është llogaritës”. (en Nisa, 6)
Krahas kësaj, në Kur’an, është përmendur edhe ndëshkim i madh për ata që keqpërdorin pasurinë e jetimit. Thotë Allahu: “Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në zjarrin e xhehennemit.” (en Nisa, 10)
Edhe Pejgamberi, alejhi’s selam e ka cilësuar të tillë ngrënien e pasurisë së jetimit, siç përmendëm më lartë, e ka thënë:
” Largohuni nga shtatë mëkate shkatërruese! Cilat janë ato?-pyetën njerëzit. Tha:
• T’i bësh Allahut shok,
• Magjia,
• Mbytja në mënyrë mizore,
• Ngrënia e kamatës,
• Ngrënia e pasurisë së jetimit,
• Ikja nga fushëbeteja, dhe
• Shpifja për gratë besimtare të ndershme dhe të mbrojtura nga mëkatet”. (Transmetim unanim)
O Allahu ynë! Na bë bamirës për jetimët!
O Allahu ynë! Na bashko në Xhennet me të dashurin Tënd, Muhammedin, dhe të gjithë pejgamberët, alejhimu’s selam, dëshmorët dhe të sinqertit, ngase ata me të vërtetë janë shokë të mirë!
O Allahu ynë! Na udhëzo ne dhe udhëzo me ne, na bë pionier të dritës islame dhe prijës të të devotshmëve!
O Allahu ynë! Na mundëso që të këshillohemi me fjalën Tënde, ta pasojmë atë dhe të jemi prej atyre që flasin dhe veprojnë drejt!
O Allahu ynë! Dërgo përshëndetjet më të ngrohta për Pejgamberin tonë, Muhammedin, familjen, shokët dhe mbarë pasuesit e tij!
Amin! Amin! Amin!, dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!