“Kur po i falënderoja myslimanët, duke shtuar se më vinte shumë keq që nuk më gjendej asgjë për t’iu përgjigjur në të njëjtën mënyrë mirësjelljes së tyre, ata m’u përgjigjën me fjalët e mëposhtme shumë të gjetura, të cilat i dëgjova me dhimbje dhe do t’i ruaj gjatë në kujtesën time sepse më therën në zemër: Mos e vrit mendjen zotëri – ma kthyen me fytyrat e qeshura në gjuhën shqipe – është zakon të thuhet: bëj të mirën e harroje; shko me Zotin dhe ku i dihet nëse një ditë nuk të kthehet njëqindfish, qoftë edhe pas një viti!”

Vlerat e islamit dhe ndikimi i tyre në shoqërinë shqiptare

Gjatë periudhës së rivalitetit të kishave të Perëndimit dhe Lindjes, dhe kërcënimit të zhdukjes së shqiptarëve nga presioni sllav, grek dhe latin, shqiptarët gjetën mbrojtje tek Islami, për shkak të vlerave të tij. Inkuizicioni mesjetar veproi edhe në Shqipëri që nga viti 1236, por nuk pati sukses, për faktin se kishte dy kisha dhe po përhapej Islami. Nëse priftërinj apo besimtarë katolikë do të goditeshin nga inkuizicioni, ata kalonin me lehtësi në kishën ortodokse ose në Islam, duke dalë jashtë juridiksionit të Papatit. Me ardhjen e osmanëve në territoret shqiptare, u zhdukën edhe inkuizitorët dominikanë nga Shqipëria.

Për vlerat e Islamit në Shqipëri kanë shkruar autorë të shumtë të huaj, që punonin në territoret shqiptare gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. Në librin “Vilajeti i Shkodrës”, i botuar më 1899, ish-drejtori i shkollave laike italiane në Vilajetin e Shkodrës, Gaetano Giordani dhe i biri, Vittorio, mësues në ato shkolla, shkruanin midis të tjerash se myslimanët janë krenarë për lirinë, janë humanë, bamirës e po ashtu mirënjohës për shërbimet e kryera për ta. Mikpritja tek ata është nder i madh. Nga momenti që ka kapërcyer pragun e shtëpisë së tyre, mysafiri është i shenjtë…(1)

Giuzepe Schiroi, arqipeshkv i Durrësit, më 20 shkurt 1737, kur do të largohej në një vend tjetër, i shkruante atit të Përgjithshëm të Bazilianëve, për disa dhurata që kishte marrë nga disa myslimanë: “Kur po i falënderoja myslimanët, duke shtuar se më vinte shumë keq që nuk më gjendej asgjë për t’iu përgjigjur në të njëjtën mënyrë mirësjelljes së tyre, ata m’u përgjigjën me fjalët e mëposhtme shumë të gjetura, të cilat i dëgjova me dhimbje dhe do t’i ruaj gjatë në kujtesën time sepse më therën në zemër: Mos e vrit mendjen zotëri – ma kthyen me fytyrat e qeshura në gjuhën shqipe – është zakon të thuhet: bëj të mirën e harroje; shko me Zotin dhe ku i dihet nëse një ditë nuk të kthehet njëqindfish, qoftë edhe pas një viti! Mbeta një herë duke u menduar prej fjalëve të tyre e pastaj iu përgjigja, duke shpresuar me gjithë zemër: Ashtu e bëftë Zoti, bijtë e mi! – dhe u ndava prej tyre”.

Marrëdhënieve të ngushta shoqërore ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë u ka munguar çdo ngjyrë ndasie e përçarje. Duke qenë shumicë e popullsisë e besimit islam, e duke mbrojtur pakicën e krishterë, Islami mbronte në këtë mënyrë, vetë kombin shqiptar. Konsulli i Rusisë në Manastir, në një raport drejtuar eprorëve të tij, më 6 gusht 1864, vinte në dukje: “Asnjë lloj fanatizmi fetar në drejtim të fesë myslimane nuk shfaqet tek ata. Sipas konsullit, deri në Reformat e Tanzimatit (1839), “Manastiri i Shën Naumit, jo vetëm mbrohej nga aristokracia myslimane e vendit nga çdo lloj violence, por edhe e ndihmonin me dhurata të mëdha.”(2)

Myslimanët i respektonin jo vetëm objektet e kishave dhe manastireve, por edhe ritet e tyre. Në një deklaratë të at Bonaventura Nikaj – famullitar i Laçit-Sebaste (të Kurbinit), theksohej: “Unë jam edhe administratori i Shenjtores së Shën Antonit të Kurbinit, Shenjtorja më e dëgjuar e Arbërisë së mesme dhe e vetmja kishë e shuguruar e Kryepeshkopatës (shuguruar më 1557 nga kryepeshkopi Bruno nga Tivari). Atje dynden më shumë muhamedanët sesa të krishterët. Ditën e Shën Antonit, më 13 qershor, famullitari i Laçit, sipas zakonit të vjetër, duhet të dërgojë njoftimin e festës në qytetin plotësisht muhamedan të Krujës, ku nëpërmjet një lajmëtari shpallet festa e Shën Antonit, dhe me këtë rast vjen një turmë e madhe muhamedanësh, që merr pjesë në shërbimin hyjnor.”(3) Sjellje të tilla ishin të natyrshme e të përhershme.

Islami, mbrojtës i kombit nga asimilimi

Besimin islam, që e kishte bërë të vetin shumica e popullsisë shqiptare, luajti rol vendimtar në ruajtjen e shqiptarëve nga asimilimi i kombeve fqinjë, që i përkisnin besimit ortodoks. Islamizmi i rezistoi sllavizmit, duke ia dedikuar fitoren e tij vetëm nga fakti që qeveria osmane kishte për bazë parimet e Kuranit.(4)

Dallimi fetar me fqinjët ruajti gjuhën shqipe, elementin thelbësor të identitetit kombëtar. Në gadishullin ballkanik, religjioni islam paraqitej esencialisht unitar nga pikëpamja politiko-religjioze.

Religjioni islam, nëpërmjet një procesi historik pak a shumë të gjatë, rrjedhojë e kohës dhe hapësirës, rriti midis individëve zhvillimin e ideve, hodhi baza të thella për krijimin e një elite të këtij komuniteti, elitë e mendimit kombëtar. Nëpërmjet veprës së religjionit islam e të përbërjes shoqërore krijuar prej tij, veproi fuqishëm nacionalizmi. Emra të njohur të besimit islam që i dhanë formë dhe frymë Rilindjes Kombëtare janë dëshmia më e mirë.

Krahas mendimit politik të Rilindjes, ideja e krenarisë kombëtare si popull, që përbënte një tjetër bazë të shpirtit shqiptar, ishte produkt i mirëfilltë i mendimit religjioz, nocioni i të cilit ishte shumë i përhapur nga xhamitë midis myslimanëve. Autorë studimesh për çështjet e kombit dhe religjionit janë të shumtë dhe nga kombe të ndryshëm. Islami, sipas Giovanni Amadori Virgilj, i jepte besimit të tij një superioritet domethënës. Nga fusha religjioze, kjo ndjenjë superioriteti zhvillohej në raportet politiko-sociale e në shumë forma në Rumelinë Perëndimore. Nga pikëpamja politiko-religjioze, religjioni islam është një mjet i fuqishëm harmonie dhe bashkimi për besimtarët. “Islamizmi, sipas Virgilj, nga pikëpamja e autoritetit shpirtëror prezanton një shkallë të lartë uniteti.”(5)

Sotir Kolea, njohës i çështjeve shqiptare, e në mënyrë të veçantë i gjuhës dhe religjionit, në një përmbledhje për historinë e Shqipërisë së Poshtme, midis të tjerash, shkruante për helenizimin e popujve të tjerë rreth Greqisë. Ai vinte në dukje se vetëm nga fundi i shekullit XVIII filluan të duken frutat e saj në gji të Ambraqisë (Vonicë, Artë etj)”. Preveza me rrethinë e saj qëndroi deri vonë, – theksonte Kolea, – “sepse myslimanët qenë të shumtë, në mos qenë shumica drejt për së drejti.” Helenizimi i shqiptarëve u intensifikua nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës. Gjatë këtij procesi, – shkruante Kolea, – greqizmi i vendit bëri përparime dhe shumica e të krishterëve humbën gjuhën, sidomos ndër viset ku myslimanët ishin pakicë. Vetëm në viset ku një pjesë e madhe e popullit kishin pranuar fenë e Muhamedit, “mbeti gjuha shqipe siç kishte qenë gjatë shekujve”. Pas largimit të osmanëve nga vilajeti i Janinës, në mars 1913, numri i shqiptarëve myslimanë erdhi duke u zvogëluar, derisa në 1945, në Çamëri do të vriteshin një numër i madh shqiptarësh myslimanë dhe pjesa tjetër do të dëbohej për në Shqipëri. Sotir Kolea, parashikonte ditë më të këqija për shqiptarët dhe se gjuha shqipe për pak kohë nuk do të dëgjohej më në ato vise.(6) Prof. Ahmet Gashi shkruante se greqizimi i Shqipërisë së Poshtme ishte arritur, në një farë mase, duke i greqizuar ortodoksët shqiptarë gjatë shekullit XIX dhe duke zhdukur elementin shqiptar mysliman.(7)

E drejta në islam dhe ndikimi i saj

Islami do të sillte risi edhe në fushën e së drejtës, e cila do të ndikonte në përhapjen e tij. Deri në shekullin e dytë hixhri, Kurani ishte i vetmi ligj i shkruar që kishin myslimanët. Në këtë epokë, shkrimtarët, filozofët dhe teologët e islamizmit arritën pak nga pak formimin e një pjese të rëndësishme të legjislacionit religjioz.

Pafundësia e shkrimeve të imamëve, apo filozofëve të shekujve të parë të islamizmit, do të formonin shumë herë burime të përbashkëta të së drejtës. Tek ato burime, magjistratët e juristët mbështesnin bazat e vendimeve të tyre dhe parimet në lidhje me teologjinë e jurisprudencën.(8)

E drejta myslimane kishte karakter religjoz dhe mbi atë ishte ndërtuar tërë sistemi politik, administrativ e juridik i Perandorisë Osmane. Burimi më i lartë dhe i paprekshëm i së drejtës ishte Kurani, rreth të cilit janë mbledhur në shekuj një numër i madh i parimeve legjislative, por që prezantohen të gjitha në një formë modeste e në një interpretim të thjeshtë.

Ato kishin edhe karakter të një të drejte të shenjtë, e ky ishte Sheriati, që përbënte pjesën më të rëndësishme të legjislacionit osman. Në legjislacionin juridik të Perandorisë, Sheriati nuk mund të interpretohej e të aplikohej veçse nga juristët e religjionit (kadiu), i cili ka qenë kreu suprem pas sulltanit, sheikul-islam. Ishte domethënës fakti që sheikul-islami, deri nga gjysma e dytë e shekullit XX, kryente funksionet e ministrit të Drejtësisë.(9)

Sipas të drejtës islame, gjendja natyrale e njeriut ishte konsideruar liri, ndërsa gruaja, në raport me situatën e saj në shoqërinë pagane dhe para islame, bënte me Islamin progres të madh.(10)

Nuk pranohej në asnjë rrethanë që një mysliman të kalonte nga gjendja e lirisë në atë të skllavit. Skllavi, sipas ligjit islamik, kishte shumë më tepër të drejta se ato të skllevërve që ekzistonin deri në shekullin XIX në vendet krishtere. Ai gëzonte liri të plotë besimi, mund të martohej ligjërisht. Lejohej martesa midis njeriut të lirë e skllavit, të skllaves me padronin e saj, i cili, nëse ishte i martuar, mund të bashkëjetonte me të. Skllevërit që nuk ishin të padronëve të tyre, mund të fitonin trashëgiminë ose ta refuzonin edhe kundër vullnetit të padronit. Këta ishin të detyruar t’i trajtonin me humanizëm, t’i furnizonin me ushqimet e nevojshme e t’i kuronin kur ishin të sëmurë e pleq. Në rast të kundërt, padroni mund të ndëshkohej nga gjykata e skllavi lirohej. Lirimi i skllavit konsiderohej nga Kurani dhe nga tradita një nga veprat më të mira të mundshme. Me aktin e emancipimit, që veprohej me procedurë të parashikuar në ligj, krijohej një trajtim i barabartë me efekte juridike të njëjta. Skllevërit dhe gratë e kuptuan se kjo fe u jepte atyre një mesazh shprese.(11)

Duke përfituar nga vlerat e Islamit edhe në fushën e së drejtës, njerëzit e paprivilegjuar kontribuuan në vetvete në afrimin shpirtëror midis tyre. Kjo ishte e dukshme edhe te shqiptarët që i përkisnin edhe etnisë së njëjtë.

Uniteti përballë rrezikut kombëtar dhe mbrojtja e territoreve

Traktati i Berlinit gjeti rezistencë të madhe te shqiptarët e të tre besimeve, por meqë objekti i këtij punimi janë myslimanët, po fokusohemi mbi ta. Duke qenë shumica e popullit shqiptar e besimit islam, diplomacia e vendeve kryesore të Perëndimit, përdori përçarjen e tyre, për të inkurajuar një lloj shkëputje ose në pamundësi, një lloj përçarje e copëtimi të Islamit në Shqipëri. Mbrojtja që Islami i bënte kombit shqiptar, ishte pengesë për të huajt në realizimin e projekteve të tyre. Sipas Roberto Maroco Della Roca, këtë plan u përpoqën ta realizonin me çdo çmim nëpërmjet bektashizmit. Ai theksonte se qëllimi i tyre ishte të thyenin kompaktësinë myslimane, duke e prezantuar si “fe” më tolerante në krahasim me Islamin.(12)

Sipas Nathalie Clayer, konsujt Johan Georg Hahn, konsulli francez Degrand dhe konsulli Ippen, ishin ndër të parët në mitizimin e bektashizmit. Perëndimorët, – theksonte ajo, – dhanë kontributin e tyre për të krijuar këtë imazh të dallimit që ekzistonte midis sunizmit/bektashizmit, të cilit i korrespondonin një sërë kundërshtish: fanatik/liberal, turk/shqiptar, aziatik/evropian, Vënia e bektashizmit përballë sunizmit si dallim kulturor dhe politik, në të vërtetë, nuk i përgjigjej realitetit në mjediset shqiptare. Sami Frashëri, qysh në vitet ’80-ta, vinte në dukje ekzistencën në mesin e shqiptarëve, të myslimanëve bektashi, jo përballë, siç dëshironin konsujt, por në krah të myslimanëve sunitë.”(13)

Lidhja e Prizrenit ishte, padyshim, dëshmia më e mirë që hidhte poshtë propagandën e të huajve dhe vërtetonte pohimin e Sami Frashërit. Suni dhe bektashi, bashkë me elitën shqiptare të besimit ortodoks dhe katolik, u përpoqën për mbrojtjen e vendit. Në mbledhjen që u zhvillua në Dibër, Asambleja e Përgjithshme dërgoi në Stamboll një memorandum ku kërkonin bashkimin e Shqipërisë në një provincë të vetme me Ohrin ose Manastirin për kryeqytet e me funksionarë shqiptarë. Memorandumi u firmos nga krerët më të shquar shqiptaro-myslimanë, si Xhemal Bej, Abdyl Bej Frashëri, Mustafa Aga, Dervish Mustafa Efendi, Sheh Ismail Efendi, e Myderiz Abdullah Efendi. Politikën e përçarjes së shqiptarëve e denoncoi prifti katolik, prof. D. Gasper Jakova-Mërturi, i akuzoi të huajt “se në Shqipëri … zbatonin aksiomën e njohur politike përça e sundo”.(14)

Konsulli Lippich i raportonte Vjenës se Sheh Mustafa i Tetovës, në korrik 1878, shkoi në Stamboll, i ngarkuar me një mision të veçantë prej Lidhjes, ku kishte takuar ministrin e Jashtëm dhe sulltanin. Me kthimin në Shqipëri kishte biseduar me valiun, Nazif Pashën, në Prishtinë e me krerët e Lidhjes, ndërsa në Gjakovë e Pejë me kadiun Ahmet Koronicën, e me tjerë “fanatikë”. Ky, – theksonte konsulli, – duket se ka për të marrë në dorë drejtimin e Lidhjes për ta riorganizuar. Sot u ka dërguar një telegram nga Prishtina të gjithë përfaqësuesve të degëve të Lidhjes dhe këtyre të Shkodrës që të mblidhen sa ma parë në Prizren.(15) Për takimin e Sheh Mustafa Tetovës me sulltanin raportonte edhe konsulli i Austro-Hungarisë në Prizren, Jelinek.(16)

Kur Komisioni për caktimin e kufijve në Shqipërinë e Poshtme shkoi në Janinë, u mblodhën disa hoxhallarë nën kryesinë e Qamil Efendiut dhe bashkë me Abdyl Frashërin, Mustafa Beun dhe Ahmet Pashën shkruan një lutje drejtuar Myftar Pashës. Midis të tjerave, ata e informonin se nuk i bindeshin aneksimit të tyre te Greqia. Në rast të tillë, – theksonin ata, “do të deklarojmë mëvetësinë tonë nën Portën e Lartë dhe do të luftojmë vetë kundra Greqisë, si një trup i vetëm. Ne dhe gjithë Shqipëria jemi të gatshëm të luftojmë gjer në pikën e fundit.”(17)

Më 13 korrik 1878, konsulli austriak në Janinë njoftonte kontin Andrashi se myslimanët ishin brengosur për faktin se traktati i dalë nga Kongresi i Berlinit kishte marrë vendimin për bashkimin e këtij Vilajeti me Greqinë.(18) Por marshalli çerkez, Abdi Pasha, i tha konsullit se ai dhe të gjithë shqiptarët, më parë kishin për të pranuar të shkriheshin në luftë, të derdhnin gjakun dhe të humbnin pasurinë, se sa t’i nënshtroheshin një vendimi të tillë të Kongresit.

Përballë presionit të Qeverisë greke për të zbatuar traktatin e Berlinit në Shqipërinë e Poshtme, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, kërkuan ndihmën e sulltanit. Më 23 qershor 1879, ata i dërguan një peticion në të cilin, midis të tjerash shkruanin: “Nëse bëhet copëtimi i Arnautllëkut, sipas kërkesave e aspiratave të parashtruara, atëherë pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare, që i takon konfesisë islame, do t’i ekspozohet terrorit dhe zhdukjes totale.”(19)

_____________________________________________

1. Gaetano Giordani e sua filio Vittorio, Il Vilajet di Scutari, Roma 1899, f. 57-58.

2. AQSH, fondi 143, dosja 1216, f. 15. Raport nr. 217, datë 6 gusht 1864 i konsullit të Rusisë në Rumeli eShqipërinë e Mesme, A. Rostovski.

3. Gjergj Gashi, Vatkani dhe Arbëria, 1700-1922, botim “Onufri” Tiranë 1998, f. 434. Raport i vizitës Apostolike bërë në vitin e zotit 1920 nga noteri apostolik Ernesto Cozzi në Peshkopatat e Arbërisë dhe Malit të Zi (f. 3), Dok. Nr. 67 (487), Vizita Apostolike, Shkodër, 21 shtator 1920, Kushtet fetare të Kryepeshkopatës së Durrësit sipas mendimit të Klerit Vendas.

4. Pietro Chiara, L’Epiro, Gli Albanesi e La Liga, Palermo 1880, f. 62.

5. Giovanni Amedori Virgilj, vepër e cituar, f. 32.

6. AQSH, fondi 6, dosja 66/1, f. 168- 169; Letër e Sotir Kolesë, datë 17 gusht 1940, dërguar Dr. Terenc Tocit.

7. AQSH, fondi Koleksioni i hartave, dosja 3, f. 20, Profesor Ahmet Gashi,

Shqipëria Etnike.

8. Giuseppe Calza, Saggio sulla religione de Maomettani, Venezia 1793, f. V 8-10.

9. Turchia, Lo straniero ed il regime delle sucessioni in diritto musulmano, f. 36-37.

10. Grande Dizionario Enciclopedico UTET, v. 10. F. 498.

11. Karen Armstrong, Muhamedi një biografi e Profetit, Tiranë 2006, f. 118.

12. Roberto Maroco Della Roca, Kombësia dhe fejanë Shqipëri 1920-1944, Tiranë 1994, f. 201-202.

13. Nathalie Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Tiranë 2009, f. 429-

430.

14. Prof. D. Gasper Jakova-Mërturi; La Questione d’Oriente e l’Albania, Froscati, 1905, f. 53-57.

15. AQSH, fondi 143, viti 1880, dosja 1056, f. 46-47.

16. Leka, viti 1938, nr. 10-12, f. 566-567, f. 559-560; Nr. 26 Pol, Prlzrend, 15- X-1878; Pr. 7-11-878; raport i konsullit të Austro Hungarisë në Prizren Jelinek dërguar kontit Andrashi, ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë.

17. Leka, viti 1938, nr. 10-12, f. 530.

18. Leka, 1939, nr. 7-12, f. 164, Njoftim Nr. 38 – Janinë, 13. 7.1878, i konsullit të Austro-Hungarisë në Janinë, dërguar ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë në Vjenë, Kontit Andrashi.

19. Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912 – 1913, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë, 1996, f. 59.

Xhafer Sadiku

Dituria Islame 382