Islami përmban elemente të rëndësishme të qëndrueshmërisë dhe fleksibilitetit, duke pasur të qëndrueshme parimet thelbësore dhe duke qenë fleksibël në çështjet dytësore juridike dhe ato të bazuara në interpretim. Ky kombinim i jep Islamit aftësinë për të ruajtur identitetin dhe esencën e tij, duke u përgjigjur në të njëjtën kohë ndaj ndryshimeve të kohës dhe zhvillimeve shoqërore.

Qëndrueshmëria në parimet bazë
Qëndrueshmëria në Islam reflektohet në besimet e tij themelore, ritet fetare dhe çështjet personale. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
“Nuk është mirësi të ktheni fytyrat tuaja nga lindja apo perëndimi, por mirësi është besimi në Allahun, Ditën e Fundit, melekët, Librin dhe të dërguarit”
 (El-Bekare: 177).
Gjithashtu, Allahu thotë: “O ju që keni besuar, besoni në Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe në Librin që ia zbriti të Dërguarit të Tij dhe në Librin që zbriti më parë. Kushdo që mohon Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditën e Fundit, ka humbur në një humbje të madhe” (En-Nisa: 136).
Qëndrueshmëria del në pah edhe në disa adhurime personale, si falja e namazit, agjërimi, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit, dhe rregullat e martesës e divorcit. Allahu i Madhëruar thotë:
“Fjala e Zotit tënd është e plotë në të vërtetën dhe drejtësinë. Askush nuk mund të ndryshojë fjalët e Tij” (El-En’am: 115).
Gjithashtu, Ai thotë: “Nuk do të gjesh asnjë ndryshim në ligjin e Allahut dhe nuk do të gjesh asnjë devijim në ligjin e Allahut” (Fatir: 43).
Pejgamberi ﷺ ka thënë në hadithin e Xhibrilit: “Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh Haxhin nëse ke mundësi.” (Muslimi).
Gjithashtu, Pejgamberi ﷺ tha: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: dëshmia se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e Haxhit dhe agjërimi i Ramazanit.” (Buhariu dhe Muslimi).

Fleksibiliteti në zbatimin e rregullave
Islami, duke qenë një fe gjithëpërfshirëse, ofron fleksibilitet në çështje të ndryshme. Ky fleksibilitet mund të shihet në rrethana të caktuara ku ndalimet e përhershme mund të përjashtohen për arsye të domosdoshmërisë ose detyrimit. Allahu thotë: “Ju është ndaluar të ngrënia e ngordhësirës, gjaku dhe mishi i derrit, si dhe çdo gjë e therur në emër të tjerëve përveç Allahut. Por nëse dikush është i detyruar (për të mbijetuar), pa e kaluar masën, nuk ka mëkat për të, sepse Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë” (El-Bekare: 173).

Në raste të tjera, Islami merr parasysh mundësitë dhe aftësitë e individit. Allahu thotë:
“Haxhi është detyrë për njerëzit ndaj Allahut, për ata që kanë mundësi të shkojnë” (Ali Imran: 97), dhe gjithashtu: “Frikësohuni Allahut sa të mundeni” (Et-Tegabun: 16).

Pejgamberi ﷺ tha: “Falu duke qëndruar në këmbë; nëse nuk mundesh, ulu, dhe nëse as kështu nuk mundesh, falu shtrirë” (Buhariu).

Një shembull tjetër i fleksibilitetit të Islamit është lehtësimi në raste të vështirësive ose udhëtimit. Allahu thotë: “Nuk është mëkat të shkurtoni namazin kur jeni në udhëtim” (En-Nisa: 101).
Në raste të caktuara, personi nuk mbahet përgjegjës për veprime të cilat i vepron gabimisht apo i ka harruar. Allahu thotë: “Zoti ynë, mos na ndëshko nëse harrojmë apo bëjmë gabime!” (El-Bekare: 286).

Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu ka hequr përgjegjësinë nga umeti im për gabimet, harresën dhe atë për të cilën janë detyruar” (Ibn Maxhe dhe Taberani).

Në përfundim, Islami shfaq një harmoni të veçantë midis qëndrueshmërisë dhe fleksibilitetit, duke ruajtur esencën e tij të pandryshueshme dhe njëkohësisht duke lejuar përshtatje të arsyeshme në situata të ndryshme, duke përmbushur nevojat e kohës dhe rrethanave të ndryshme.

 

Nga: Neda Ebu Ahmed
Përktheu dhe përshtati: Ali Ashani / rizgjimi.com