ISLAMI NË MBËSHTETJE TË TË MBIJETUARVE TË DHUNËS SEKSUALE GJATË LUFTËS
Hyrje
Viktimat seksuale të luftës vazhdojnë të jenë kategori e margjinalizuar në shoqëri. Tani edhe kur kanë kaluar dy dekada nga mbarimi i luftës, kjo kategori vazhdon të mbetet plagë e pashëruar. Nuk është statusi material ai që zgjidh çdo problem të kësaj kategorie. Ajo që vuan kjo kategori nuk ka të bëjë apriori me mungesë të mirash materiale, por me pranim. Femrat e dhunuara vazhdojnë të jenë të refuzuara, madje edhe në rrethe të ngushta familjare. Për pasojë, ato vazhdojnë të jetojnë me plagën, me turpin që vret, me fajin e një mëkati të imponuar.
Konsideroj se, ndër arsyet e shumta, pse duhet të përshpejtojmë dhe të mobilizohemi në rrethe të gjëra për ta shëruar këtë plagë, është edhe fakti se disa motra tona nga kjo kategori duke pritur për drejtësi dhe pranim, kanë kaluar në amshim, andaj të nxitojmë që të tjerat ta kalojnë pjesën e mbetur të jetës me dinjitet dhe krenari.
Konferenca që organizoi BIRK-u këtë fillimjavë dhe kjo hutbe janë shprehje e vullnetit për të kontribuar konkretisht në këtë drejtim. Konsideroj se roli ynë, për shkak të natyrës së plagës, është primar dhe i domosdoshëm. Askush sikur feja nuk mund ta trajtojë një plagë me bazë morale, andaj, më lejoni të prezantoj para jush në mënyrë të përmbledhur konceptin islam për viktimat e dhunës seksuale.
Mëkati i imponuar nuk konsiderohet mëkat
Fillimisht, para të flasim për gjykimin islam për të dhunuarat, duam të shpjegojmë diçka doktrinare sa i përket mëkatit. Njeriu jep përgjegjësi për veprën e kryer vetëm në rastet kur kjo e fundit kryhet me vullnet dhe vetëdije. Në rastet e tjera kur një vepër kryhet nga harresa, pa vetëdije apo me imponim, përgjegjësia për të bie. Pejgamberi Muhammed a.s., ka thënë: “Allahu nuk merr në përgjegjësi ithtarët e mi për veprat që bëjnë gabimisht, nga harresa apo imponimi.” (Sahih Ibn Maxheh, nr. 1677)
Kështu, nëse një mëkat nuk është kryer me dëshirë, nuk konsiderohet mëkat. Kjo ka rëndësinë e vet për shkak të pasojave juridike që ka, veçmas kur të bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me nderin dhe moralin.
Gratë e dhunuara janë të ndershme
Viktimat e dhunës seksuale kanë tretman të grave të ndershme. Në Kuranin Fisnik, përkatësisht në kaptinën Nur, verseti 33, Allahu i Madhëruar, duke na folur për një kastë hipokritësh që detyronin vashat të ushtrojnë prostitucionin, na mëson se të tillat janë të falura pasi që nuk e kanë kryer këtë punë të pistë me vetëdëshirë:
﴿وَلَا تُكْرِهُوا فَتَيَاتِكُمْ عَلَى الْبِغَاءِ إِنْ أَرَدْنَ تَحَصُّنًا لِّتَبْتَغُوا عَرَضَ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا ۚ وَمَن يُكْرِههُّنَّ فَإِنَّ اللَّـهَ مِن بَعْدِ إِكْرَاهِهِنَّ غَفُورٌ رَّحِيمٌ ﴾
“…Mos i detyroni vashat tuaja të bëjnë kurvëri, që të arrini ju dobi të përkohshme të kësaj bote, nëse ato dëshirojnë jetë të ndershme. Nëse ndokush i detyron ato, Allahu do të jetë Falës dhe Mëshirëplotë për to.”
Rëndësia shpirtërore dhe emocionale e këtij verseti kuranor për femrat e dhunuara ka të bëjë me shfajësimin e tyre prej këtij mëkati. Rrjedhimisht, të akuzohen këto femra për këtë mëkat që iu është imponuar është gabim. Juridikisht, ato konsiderohen të pastra, të ndershme, andaj çfarëdo forme e linçimit të tyre është e refuzuar. Duhet të jenë familjarët të parët ata që pranojnë për të këtilla, të ndershme e me dinjitet këto viktima, për të vazhduar më pas me shoqërinë dhe institucionet.
Refuzimi i viktimave të dhunës seksuale të luftës nga shoqëria përbën shkelje të rëndë të integritetit të tyre. Refuzimi është thikë pas shpine, është goditje dhe plagë e re për shpirtin e tyre. Ndërsa flasim për integrimin, ka një detaj tjetër që duhet ta kemi parasysh. Si proces, integrimi duhet të ndodhë krejtësisht natyrshëm dhe në gjendje normale. Këtyre femrave nuk duhet t’u vëmë një flamur që t’i dallojmë dhe më pas t’i integrojmë. Jo, duhet ta ruajmë privatësinë e tyre, në mënyrë që lapërdharët të mos kenë rastin të nëpërkëmbin emrin dhe as krenarinë e tyre.
Përfundim
Luftimi i këtyre dukurive dhe angazhimi për mirëqenien e këtyre viktimave janë gjëra që duhet të na bëjnë bashkë pa dallim feje, ngjyre, etnie, përkatësie politike, etj. BIRK-u, siç përmendëm më lart, në fillim të kësaj jave, ka organizuar një konferencë në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale të luftës, ku përveç të tjerash është miratuar dhe nënshkruar një deklaratë e përbashkët e të gjitha institucioneve fetare në Kosovë për mbështetjen e viktimave në fjalë. Me urdhër të Myftiut të Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, sot në të gjitha xhamitë do ta lexojmë këtë deklaratë.
D E K L A R A T Ë
Ne, prijësit e bashkësive fetare të Kosovës, nëpërmjet kësaj deklarate, shprehim dhimbjen tonë për trishtimin dhe përbuzjen që kanë përjetuar të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Të mbështetur në doktrinën dhe mësimet tona fetare, e ndiejmë të nevojshme që gjithë së bashku të sqarojmë edhe një herë, të mbijetuarit, familjet e tyre, dhe tërë shoqërinë, se: viktimat e dhunës seksuale, nuk bartin asnjë lloj përgjegjësie para Perëndisë që na ka krijuar dhe na ka dhanë jetën. Këndej, ato nuk duhet të ndiejnë asnjëlloj faji apo përgjegjësie për atë që u ka ndodhur dhe askush nga ne nuk ka të drejtë të shprehë kurrfarë dyshime ose gjykimi për ta.
Ne të gjithë, si pjesë e kësaj shoqërie dhe qytetarë të këtij vendi, sidomos ata që këto viktima i përcjellin në përditshmërinë e jetës së tyre si familje, si bashkëshortë, si prindër, si bij e bija, kemi përgjegjësi që t’i ngushëllojmë me dhuntitë tona shpirtërore, t’i mbështesim me mundësitë tona njerëzore, po edhe t’u sigurojmë përkrahje institucionale dhe profesionale. Në mënyrë që viktimat të arrijnë të shërojnë plagët e tyre, të mos bartin peshën e një faji që nuk u përket, por të ndiejnë dashurinë e secilit prej nesh.
Ne, prijësit e bashkësive fetare në Kosovë, nëpërmjet kësaj deklarate, përveçse shprehim qëndrimin tonë në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës së fundit në vendin tonë, njëkohësisht shprehim mbështetjen për të gjithë ata që individualisht, nëpërmjet organizatave të tyre, apo përfaqësimeve ligjvënëse angazhohen që këtyre viktimave t’u njohin të drejtën që të kenë përkrahjen institucionale dhe ligjore. Po edhe ne, prijësit fetarë të të gjitha besimeve, zotohemi se nëpërmjet institucioneve tona dhe besimtarëve tanë, do të bëjmë gjithë atë që mundemi për të ndihmuar këto viktima. Sidomos do të jemi gjithnjë pranë nevojave të tyre shpirtërore.
Secili në mënyrën e vet, i lutemi Zotit, Krijuesit të përbashkët, i Cili nuk kërkon asnjëlloj llogarie nga viktimat, por fal e shfajëson ato, që t’i bekojë, t’i ngushëllojë dhe t’u kthejë paqen e shpirtit dhe gëzimin e jetës. Po ashtu i lutemi Zotit edhe për gjithë neqë të mos biem në tundim për t’i përbuzur, por të na shndritë të gjithë që, me dashurinë e zemrave tona, t’i kurojmë plagët e tyre.
Prishtinë, 1 korrik 2019
Bashkësia Islame e Kosovës
Myftiu Naim Tërnava
Ipeshkvia e Kosovës
Ipeshkvi Dodë Gjergji
Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës
Pastor Femi Cakolli
Bashkësia Hebraike e Kosovës
Votim Demiri