Selman el-Farisi r.a. njihej me kunjen Ebu Abdil-lah. Ai ishte nga Isfahani, ku kishte jetuar më parë brenda mjediseve të mazdeizmit, krishterimit dhe judaizmit para se të shfaqej Islami. Gjatë gjithë jetës së tij kërkoi fenë e vërtetë derisa Allahu e udhëzoi, dhe kështu ai e përqafoi Islamin me ardhjen e Profetit ﷺ në Medinë. Robëria e kishte penguar të merrte pjesë në Bedër dhe Uhud, ndërsa beteja e parë që e përjetoi së bashku me Profetin ﷺ ishte ajo e Hendekut, dhe pikërisht ai ishte propozuesi i idesë së gërmimit të hendekut që e bëri atë betejë të paharruar.
Imam Dhehebiu për Selmanin thoshte se ishte njeri i mençur, prej më të urtëve dhe më të devotshmëve të kohës së tij. Ibn Asakiri e përshkruante si “Selmani i Islamit”, Ebu Abdillah el-Farisi, i pari nga persët që hyri në Islam, i cili shoqëroi Profetin ﷺ, i shërbeu atij dhe transmetoi prej tij.
Historia e pranimit të Islamit nga Selmani është një nga ngjarjet më domethënëse, plot mësime dhe reflektime, dhe tregon qartë se sa i zhytur në humbje ishte njerëzimi para dërgimit të Profetit ﷺ.
Nga Abdullah ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, transmetohet se ai tha:
Më tregoi Selmani vetë për veten e tij dhe tha:
“Isha një burrë persian nga Isfahani, nga një fshat i saj që quhej Gejj. Babai im ishte dehkan (i pari i fshatit), dhe unë isha njeriu më i dashur për të. Dashuria e tij ndaj meje ishte aq e madhe sa më mbylli në shtëpi ashtu siç mbyllet një vajzë, dhe më angazhoi në mazdeizëm (adhurimin e zjarrit) aq shumë sa u bëra kujdestari i zjarrit që e ndizte atë vazhdimisht, pa e lënë të fiket as edhe një çast.
Babai kishte një pronë të madhe (çiftlig). Një ditë u ungazhua shumë me një ndërtim dhe më tha: ‘O biri im! Sot jam i zënë me këtë ndërtim dhe nuk mund t’i kushtoj kohë pronës sime. Shko dhe shikoje atë, dhe bëj aty këto gjëra që po të porosis.’ Unë dola për të shkuar tek prona e tij, por duke kaluar pranë një kishe të të krishterëve, dëgjova zërat e tyre teksa luteshin. Unë nuk dija asgjë për njerëzit, sepse babai më mbante të mbyllur në shtëpi. Kur i dëgjova zërat e tyre hyra tek ata për të parë se çfarë bënin. Lutja e tyre më pëlqeu shumë dhe u mahnita nga çka pashë prej fesë së tyre. Thashë: ‘Pasha Allahun, kjo është më e mirë sesa feja jonë.’ Dhe, për Allahun, nuk i braktisa deri sa perëndoi dielli, ndërsa pronën e babait e lashë pa shkuar fare tek ajo.
U thashë atyre: ‘Ku është burimi i kësaj feje?’ Thanë: ‘Në Sham.’ U ktheva te babai, i cili tashmë kishte dërguar njerëz për të më kërkuar, dhe i kisha prishur gjithë punën e ditës.
Kur shkova, ai më tha: ‘O biri im, ku ishe? A nuk të porosita?!’ Thashë: ‘O babai im! Kalova pranë disa njerëzve që faleshin në kishën e tyre. Më pëlqeu shumë ajo që pashë prej fesë së tyre. Prandaj qëndrova tek ata derisa perëndoi dielli.’ Ai tha: ‘O biri im! Nuk ka të mirë në atë fe. Feja jote dhe e të parëve të tu është më e mirë.’ Thashë: ‘Jo, pasha Allahun! Ajo është më e mirë se feja jonë.’
Ai u frikësua për mua, e më vuri një prangë në këmbë dhe më mbylli në shtëpi. Unë u dërgova një lajm atyre të krishterëve dhe u thashë: ‘Kur të vijë ndonjë karvan nga Shami, prej tregtarëve të krishterë, më njoftoni.’ Kur erdhi një karvan nga Shami, ata më njoftuan. U thashë: ‘Njoftomëni kur të mbarojnë punët dhe të kthehen drejt vendit të tyre.’ Kur u nisën për t’u kthyer, më njoftuan. E hoqa prangën e hekurit nga këmba dhe dola me ta derisa arrita në Sham.
Kur arrita atje, thashë: ‘Kush është më i miri prej njerëzve të kësaj feje?’ Thanë: ‘Peshkopi i kishës.’ Shkova tek ai dhe i thashë: ‘Kam dëshirë për këtë fe dhe dua të jem me ty, të të shërbej në kishën tënde, të mësoj prej teje dhe të falem me ty.’ Ai më pranoi, dhe unë hyra tek ai.
Por ai ishte njeri i keq. Porosiste njerëzit për sadaka, i motivonte, por kur ata sillnin të mirat e tyre, ai i grumbullonte për veten e tij dhe nuk u jepte të varfërve asgjë. Mblodhi shtatë qypa të mëdha të mbushura me ar dhe argjend. E urreva shumë për atë që bënte. Kur ai vdiq, të krishterët u mblodhën për ta varrosur. Unë u thashë: ‘Ky njeri ishte i keq. Ju porosiste për sadaka dhe kur ia sillnit, ai i mbante për vete dhe nuk u jepte të varfërve.’ Thanë: ‘Si e di ti këtë?’ U thashë: ‘Ua tregoj vendin ku i ka fshehur.’ Ua tregova vendin. Ata i nxorën shtatë enët e mbushura me ar dhe argjend. Kur e panë, thanë: ‘Pasha Zotin, nuk do ta varrosim kurrë.’ E kryqëzuan, pastaj e goditën me gurë. Pastaj sollën një tjetër dhe e vendosën në vendin e tij.
Selmani thotë: ‘Nuk kam parë burrë që nuk falej pesë herë në ditë më të mirë se ai (peshkopi i ri): më i zoti në asketizëm ndaj dynjasë, më i eturi për ahiretin, më i përkushtuar ditë e natë. E desha me një dashuri që nuk e kisha ndjerë për askënd para tij. Qëndrova me të për një kohë deri sa i erdhi vdekja.
Kur i erdhi vdekja, i thashë: ‘O filan! Kam qenë me ty dhe të kam dashur me një dashuri që nuk ia kam dhënë askujt para teje. Tani që po të vjen ajo që sheh prej caktimit të Allahut, te kush po më porosit? Çfarë më urdhëron?’ Ai tha: ‘O biri im! Pasha Allahun, nuk njoh askënd sot që të jetë në atë gjendje në të cilën isha unë. Njerëzit janë shkatërruar dhe kanë ndryshuar, kanë braktisur shumicën e asaj që kishin. Por është një burrë në Mosil, filani, që është në gjendjen time. Shko e bashkangjitju atij.’”
Ai tha: Kur vdiq, shkova tek njeriu i Mosulit dhe i thashë: “O filan, filani më ka lënë testament që të ndjek ty dhe më ka thënë se ti je në gjendjen e tij.” Ai më tha: “Qëndro tek unë.” Unë u vendosa tek ai dhe e gjeta njeriun më të mirë mbi gjendjen e të parit të tij. Por, shpejt i erdhi edhe këtij vdekja. Kur ishte në prag të vdekjes, i thashë: “O filan, filani më ka lënë testament që të ndjekja ty dhe të bëj atë që më ka urdhëruar, dhe tani ti ty të është afruar nga çësthja e Allahut atë çfarë sheh. Te kush po më porosit? Çfarë po më urdhëron?” Ai tha: “O biri im, pasha Allahun nuk njoh askënd në këtë botë që të jetë në gjendjen tonë përveç një njeriu në Nisibin, ai është filani, shko tek ai.”
Kur ky vdiq dhe u zhduk, shkova tek njeriu i Nisibinit, i tregova lajmin dhe atë që më kishte urdhëruar shoku im. Ai tha: “Qëndro tek unë.” Unë u vendosa tek ai dhe e gjeta mbi gjendjen e të parëve të tij. Qëndrova me njeriun më të mirë. Pasha Allahun, nuk vonoi shumë dhe i erdhi vdekja. Kur ishte në prag të vdekjes, i thashë: “O filan, filani më ka lënë testament tek filani, pastaj filani më la tek ti. Te kush po më porosit? Çfarë po më urdhëron?” Ai tha: “O biri im, pasha Allahun nuk njoh askënd që të jetë mbi gjendjen tonë përveç një njeriu në Amurijeh. Ai është po ashtu në gjendjen tonë. Nëse dëshiron, shko tek ai; se ai është si ne në këtë gjendjen tonë.”
Kur ai vdiq, shkova tek njeriu i Amurijes dhe i tregova lajmin. Ai tha: “Qëndro tek unë.” Unë qëndrova me një burrë që ishte mbi udhëzimin e shokëve dhe i përmbahej urdhrave të tyre. Aty punova dhe fitova pak dele dhe lopë. Pastaj erdhi urdhri i Allahut mbi të. Kur ishte në prag të vdekjes, i thashë: “O filan, unë kam qenë me filanin, pastaj filani më la testament tek filani, pastaj filani më la tek ti. Te kush po më porosit? Çfarë po më urdhëron?” Ai tha: “O biri im, nuk njoh askënd sot që të jetë mbi gjendjen tonë e të urdhëroi që të shkosh tek ai përveçse është afruar koha e një profetit, i dërguar me fenë e Ibrahimit. Ai do të dalë në tokën e Arabisë, duke emigruar drejt një toke mes dy shkretëtirash me gurë të zinj ndërmjet të cilave ka palma. Ai do të ketë shenja që nuk do të humbasin; han nga dhuratat dhe refuzon sadakën. Mes shpatullave të tij do të ketë vulën e profetësisë. Nëse mund të arrish tek ajo tokë, bëje.”
Kur ai vdiq, unë qëndrova në Amurijeh aq sa deshi Allahu. Pastaj kaluan disa tregtarë nga Kelbi, dhe i thashë: “A mund të më dërgoni në tokën e Arabisë dhe unë do t’ju jap këto bagëti dhe pasurinë që kam?” Ata thanë: “Po.” U dhashë e ata më morën, por kur arritëm në Vadi l-kura, ata më tradhtuan dhe më shitën tek një hebre si skllav. Kur arrita tek ai, pashë palmët dhe shpresova që të ishte toka që më kishte përshkruar shoku im, por që nuk isha i sigurt. Ndërsa isha tek ai, erdhi kushëriri i tij nga Medina, nga Benu Kurejdhah, më bleu dhe më mori drejt Medinës. Pasha Allahun, sapo mbërrita dhe e pash e njoha nga përshkrimi që më kishte dhënë shoku im, dhe qëndrova atje.
Ndërkohë Allahu dërgoi të Dërguarin e Tij, i cili qëndroi në Mekë sa qëndroi, dhe unë nuk pata dëgjuar asgjë për të për shkak të shërbimit tim pranë zotërisë tim si skllav. Pastaj ai emigroi në Medinë. Pasha Allahun, përderisa unë isha në majë të një palme të lartë pranë zotërisë sim duke punuar diçka aty, dhe zotëria im ishte ulur, kur hyri kushëriri i tij dhe qëndroi para tij. Ai i tha: “O filan! Allahu i mallkoftë bijtë e Kajles! Pasha Allahun, ata janë mbledhur tani në Kuba, rreth një njeriu nga Mekka që erdhi tek ta sot, duke pretenduar se është profet.”
Kur e dëgjova këtë, më kaploi një dridhje e rrënqethje e madhe, saqë mendova se do të bija mbi zotërinë tim. Zbrita nga palma dhe fillova t’i them kushëririt të tij: “Çfarë thua? Çfarë thua?” Zotëria im u zemërua dhe më goditi fort me grusht, pastaj më tha: “Çka ke ti me këtë çështje?! Ktheju punës tënde ti.” Unë i thashë: “Asgjë, vetëm doja të verifikoja atë që tha.”
Unë, ndërkohë pata tubuar diçka me vete, dhe kur erdhi mbrëmja e mora e shkova me të tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili ishte në Kuba. Hyra tek ai dhe i thashë: “Më ka arritur lajmi se ti je njeri i mirë, dhe ke me vete shokë të huaj që kanë nevojë, dhe kjo është diçka që kisha për sadaka. Mendova se ju jeni më të denjë për këtë se të tjerët.” Ia dhashë, por i Dërguari i Allahut ﷺ ua shtyu para shokëve të tij dhe iu tha: “Hani,” ndërsa vet e përmbajti dorën e tij pa ngrënë. Unë mendova në vetvete: “Kjo është e para.” U largova dhe mblodha diçka tjetër e shkova tek i Dërguari ﷺ, i cili ishte duke u nisur për në Medinë. I thashë: “Të pashë që nuk haje sadakën, dhe kjo është një dhuratë për ty.” Atëherë i Dërguari ﷺ hëngri dhe urdhëroi shokët e tij të hanin me të. Unë mendova në vetvete: “Kjo është e dyta.”
Pastaj shkova tek i Dërguari ﷺ në Beki‘ ul-Garkad, ku po përcillte një xhenaze të shokut të tij, me një pelerinë mbi supe, duke qenë ulur mes shokëve. U përshëndeta me të, pastaj u ktheva të shikoja pas shpinës së tij për të parë vulën që më kishte përshkruar shoku im. Kur më pa i Dërguari ﷺ, ktheu shpinën, duke kuptuar se po përpiqesha të verifikoja diçka që më ishte përshkruar. Ai hodhi pelerinën e tij nga shpatulla, ku pashë vulën dhe e njoha. Nuk u përmbjata më, dhe u hodha mbi të, e putha dhe qava. I Dërguari ﷺ më tha: “Dil përpara”. Lëviza, dhe i tregova tërë historinë time, ashtu siç të tregova, o Ibn Abbas!
I Dërguari i Allahut ﷺ pëlqeu që ta dëgjojnë shokët e tij këtë histori.
Pastaj shërbimi i Selmanit tek zotëria i tij e pengoi që të merrte pjesë me të Dërguarin ﷺ në Beder dhe Uhud.
Ndërkohë i Dërguari i Allahut ﷺ, tregon vet Selamni, më tha : “ Kontrakoje veten tek pronari yt, o Selman.” Unë pranova ti paguaj pronarit tim treqind palma që do t’i mbillja për të në një tokë shkretinore dhe dyzet okë ar. I Dërguari ﷺ tha: “Ndihmoni vëllain tuaj.”
Shokët e mi më ndihmuan për palmët: një njeri me tridhjetë, një tjetër me njëzet, një tjetër me pesëmbëdhjetë, një tjetër me dhjetë, derisa u mblodhën treqind filiza palmash. Pastaj i Dërguari ﷺ më tha: “Shko, o Selman! Përgatiti ato, dhe kur të kesh mbaruar, eja më trego që t’i vendos unë me dorën time.”
Unë përgadita tokën dhe shokët e mi më ndihmuan. Kur përfundova, shkova tek i Dërguari ﷺ dhe e njoftova. Ai erdhi me mua atje, dhe bashkë afruam palmët që t’i vendoste me dorën e tij. Pasha atë që jetën e Selmanit ka në dorë, asnjë palmë prej tyre nuk u tha ( zunë që të gjitha); unë e përmbusha kushtin e parë por ende më mbeti ari.
Tek i Dërguari ﷺ nga disa prej fitimeve të luftërave sollën një sasi ari sa një vezë pule, dhe ai pyeti: “Çfarë bëri Persiani që ka kontratë (për lirim)?” Unë u thirra për të, dhe më tha: “Merr këtë dhe përfundo detyrimet e tua, o Selman!” Unë i thashë: “ Çfarë bën kjo, o i Dërguar i Allahut, në krahasim me ato që kam obligim të përmbush?” Ai tha: “Merre, se Allahu me të do të përmbushë detyrimet e tua.” E mora, dhe ia peshuam atyre, pasha atë që jetën e Selmanit ka në dorë, dyzet okë ari, dhe i përmbusha të gjitha. Kështu u lirova, dhe unë isha dëshmitar me të Dërguarin ﷺ në betejën e Hendekut dhe më pas nuk më iku asnjë ngjarje.
Nga historia e islamit të Selman Farisiut mund të nxirren shumë mësime, përfshirë: theksimin e Profetit ﷺ mbi nevojën për bashkëpunim në të mirën dhe devotshmërinë, dhe bashkëpunimin për të përmbushur borxhet ndaj të huajve. Kjo nxirret nga vepra e Profetit ﷺ dhe e shokëve të tij – ata ndihmuan Selmanin për të liruar veten nga skllavëria. I Dërguari ﷺ i tha shokëve të tij: “Ndihmoni vëllain tuaj,” duke iu referuar Selmanit.
Jeta e Profetit ﷺ ka qenë e pasur me shembuj të shkëlqyer të atyre që u udhëhoqën nga e vërteta, njerëz që ngritën aspiratat e tyre për të kërkuar fenë e drejtë dhe dhanë gjithçka në rrugën e saj, duke u bërë shembuj të mrekullueshëm dhe argument për Allahun ndaj krijesave të Tij. Kjo tregon se kush nis kërkimin e së vërtetës me sinqeritet ndaj Allahut, Ai do ta udhëzojë atë dhe do ta shpërblejë me dhuratën më të madhe në këtë ekzistencë: fenë islame.
Një nga shembujt më të shkëlqyer të kërkimit të së vërtetës është Selman Farisiu, Allahu qoftë i kënaqur me të.
Rëndësia e historisë së islamit të Selmanit qëndron në faktin se ajo dëshmon për vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit ﷺ. Selmani kërkonte me ngulm profetin e vërtetë, të cilin e njihte përmes një murgut në Amurije, që i përshkroi karakteristikat dhe virtytet e profetit të kohës së fundit duke i thënë:
“Por, tashti është afruar veçmë koha e profetit të dërguar me fenë e Ibrahimit; ai do të dal nga toka e Arabisë duke emigruar drejt një vendi mes dy shkretëtirave me gurë të zinj ku ka palma (Medina), me shenja që nuk mund të fshihen, ai do të hajë dhuratën e nuk do të pranojë sadakën, dhe mes shpatullave të tij ka vulën e profetësisë. Nëse mund të arrish tek ai vend, bëje.”
Selmani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, gjeti këto tipare tek Profeti ﷺ, dhe më në fund arriti të kuptoi se ai është profeti i vërtetë, madje është Vula e të gjithë Profetëve, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.



