Shumë njerëz sot në kohën tonë përdorin termin “Islami mesatar”, me të cilin nënkuptojnë se ata i përmbahen Islamit sipas një vizioni të caktuar, i cili nuk përmban ekstremizëm apo ashpërsi. Ky kuptim në vetvete nuk është problematik, sepse ti përmbahesh Islamit ashtu siç është vetë Islami, i mesëm, dhe të refuzosh ekstremizmin e ashpërsinë nga njëra anë, dhe degradimet dhe lehtësimet nga ana tjetër; kjo është rruga e duhur dhe askush nuk e kundërshton këtë.
Por problemi faktikisht qëndron diku tjetër, ai është në marrjen dhe trajtimin me lehtësi të kësaj thënie, apo të këtij termi, dhe se kjo është thjesht një shprehje e rastit si nevojë për t’iu përmbajtur Islamit, dhe për të refuzuar devijimet e ndryshme, siç është ekstremizmi, apo ashpërsia. Përkundrazi, me këtë thënie ne jemi përballë disa konteksteve të cilat e implikojnë Islamin, që patjetër duhet të shqyrtohen dhe të zbulohen problemet e saj.

Këtu do të përmendim dy kontekste të rëndësishme:

➖ Konteksti i parë themi se:
Cila është arsyeja e personalizimit të Islamit me këtë përshkrim, si “Islam i mesëm”? Ose me fjalë të tjera, pse nuk thuhet: ne i përmbahemi Islamit, i përmbahemi Sunetit, ose i përmbahemi Sheriatit Islam, dhe akoma më mirë nëse kësaj i shtojmë sipas metodologjisë së saktë, ose sipas udhëzimit të Profetit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ose sipas metodologjisë së paraardhësve të drejtë, e kështu me rradhë.
Pra, cili është sekreti i personalizimit të Islamit si “i mesëm”, dhe kjo të bëhet si e pandarë nga Islami, sikur Islami në vetvete nuk mjafton për ta shpalosur këtë kuptim?
Në fakt, specifikimi i shpeshtë i Islamit si i mesëm dhe refuzimi i ekstremizmit ka ngjyrime negative. Sjellja dhe përmendja e këtij përshkrimi gjithmonë, në çdo bisedë rreth Islamit, duke u krenuar me të dhe për vlerat e tij, duke bërë thirrje për të gjykuar nëpërmjet tij dhe për t’u kthyer tek ai; kjo mbart me vete një qëndrim negativ ndaj Islamit, nëse e ndjen apo jo ky person, duke e nxjerrë Islamin të dyshueshëm, dhe se ekstremizmi dhe tejkalimet janë bërë tipar i Islamit në kohën tonë. Prandaj që ky mentalitet duhet me të patjetër që të mohohet, dhe të mos jetë prezent në bisedat rreth Islamit. Kjo që të mos mendohet keq për ata muslimanë që e përdorin këtë thënie, ose përndryshe ata vetë kërkojnë që thirrja e tyre në islam të kufizohet në atë që ata e quajnë Islami i mesëm.

Një pjesë tjetër e problemit këtu qëndron se disa njerëz bien nën presionin e makinës së tmerrshme mediatike të kohës tonë, e cila kërkon me çdo mënyrë që ta lidhë Islamin me ekstremizmin dhe ashpërsinë. Dhe për të ardhur keq në konfirmimin e kësaj akuze kontribuojnë edhe mjetet apo logjika e disa muslimanëve që e kanë rrënjosur këtë përshtypje negative në shpirtrat e muslimanëve, me disa praktika ekstreme që ia atribuojnë fesë, duke i hapur telashe fesë dhe identitetit të tyre, duke i bërë ato objekt akuze dhe turpi. Pastaj disa muslimanë të tjerë kontribuojnë në konfirmimin e kësaj përshtypjeje negative duke treguar kujdes të madh ndaj këtij përshkrimi “i mesëm”, kur përmendin Islamin, duke i bërë një shërbim të madh vëzhguesve të shumtë dhe duke e forcuar te ata akuzën se Islami në vetvete nuk përfaqëson vlerat e të qenurit i mesëm.
E vërteta është se kufizime të tilla e çlirojnë personin nga stigma e ekstremizmit dhe ashpërsisë por jo se mbrojnë Islamin. Ky sikur thotë: “Unë jam larg çdo islami tjetër. Unë në jetën time eci sipas një Islami të veçantë dhe ai është Islami mesatar, që ndryshon nga çdo islam tjetër.”
Në fakt ky perceptim e shton përjetësimin e kësaj thënie të padrejtë dhe të shëmtuar në sulmin që i bëhet Islamit, nga ku deluzion se po dëshiron ta mbrojë atë.
Pra, feja jonë islame është fe e mesme, kështu që nuk ka nevojë që ne ta kufizojmë atë me përshkrimin “e mesme”. Dhe kur themi Islami, ai është Islami me rregullat dhe parimet e tij.
Islami është feja e drejtësisë, e maturisë, e mëshirës dhe e shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër. Ne me këtë krenohemi, për këtë ngrejmë zërin, dhe as nuk na vjen turp dhe as nuk ulim kokën, për shkak të presionit mediatik që vjen këndej apo andej. Ndërsa prezenca e atyre që shkojnë nga një ekstrem në tjetrin, apo devijojnë, nuk do të thotë që Islami është bërë i dyshimtë, i frikshëm apo i paqartë, kështu që ai duhet të personalizohet si “i mesëm”, sepse këto devijime prej tij, duhet të qartësohen, dhe të sqarohet falsiteti i tyre, pa qenë nevoja që ato të bëhen ndikues në konceptin e vetë Islamit, në mënyrë që Islami në vetvete të bëhet subjekt akuze, dhe përkatësia ndaj tij pa rregulla dhe kufizime bëhet e dyshimtë.


➖ Konteksti i dytë:
Lidhet me konceptin e termit “të mesëm”, të cilin e lidhin me Islamin, çfarë është ky i islam i mesëm?

E mesmja përfaqëson një nga tiparet e pranishme në rrymat dhe tendencat e ndryshme intelektuale bashkëkohore, ku të gjithë bëjnë thirrje për të mesmen dhe refuzimin e ekstremizmit. Porse kjo nuk mjafton, por e bën të nevojshme njohjen e përkufizimit të së mesmes dhe referencën specifike mbi të. Pa këtë përkufizim, mesatarja nuk ka asnjë kuptim dhe do të jetë një shabllon nëpër të cilin kalojnë devijime të ndryshme, në sjellje dhe perceptim, pastaj këto devijime i atribuohen Islamit me pretekstin se përfaqësojnë Islamin e mesëm.
Kriteri për të njohur mesataren e lavdërueshme është vetë Sheriati islam, sepse Islami mbart në vetvete përgjigjen rreth kufijve të mesatares. Kështu që kushdo që i përmbahet Islamit me vendimet, legjislacionin dhe kufijtë e tij, atëherë ai është në të mesmen, larg nga manifestimet e ekstremizmit dhe format e ashpërsisë. Kriteri i mesatares nuk është ai që frymëzohet nga standardet jashtë Islamit që përcaktojnë konceptin për mesataren e Islamit. Nuk i takon muslimanit që të gjykojë nëpërmjet zakoneve, traditave, apo tekave të tij personale, ose të përkulet ndaj dominimit të një kulture të huaj mbi Islamin, duke nxjerrë nga praktika e tyre këto manifestime të mesmen e synuar me të cilën krenohet, por është e detyrueshme t’i gjykojmë të gjitha këto sipas parimeve të Sheriatit dhe vendimeve të tij. Kështu që çdo gjë që është në përputhje me të është mesatare, dhe çdo gjë që është kundra saj nuk është mesatare, edhe nëse ai i cili e merr përsipër të bëj çmos për të mbushur botën, me fjalime rreth mesatares së Islamit. Kjo pra është qasja që duhet të rrënjoset thellë në vetëdijen e çdo muslimani. Nuk mjafton vetëm të ngrihet parulla e së mesmes dhe të merret si slogan, por ky pretendim duhet të shqyrtohet sipas qasjes së Sheriatit, për të njohur të vërtetën nga e pavërteta. Zgjidhja e çdo lloj problemi, dhe i problemit të ekstremizmit, është adresimi dhe të gjykuarit në Librit e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, për të njohur çështjet e ekstremizmit dhe ashpërsisë nga njëra anë, apo të lehtësimeve dhe mangësive nga ana tjetër.
Që ne ta arrijmë ta kuptojmë mesataren e vërtetë dhe të njohim kufijtë e saj, kërkohet që gjithsecili të dëshmojë për mbështetjen e tij në argumentet e Kuranit dhe Sunetit, dhe jo përmes parullave dhe pretendimeve boshe.
Mesatarizmi në konceptimin juridik Islam është rezultat i tël përmbajturit Kuranit dhe Sunetit. Kushdo që i përmbahet Sheriatit Islam ai është në të mesmen, e kushdo që e kundërshton atë, ai nuk është në të mesmen.
Pra, çështja nuk është ashtu sikurse mund të përfytyrohet, si qëndrimi i një personi që shkon në mes dy palëve në konflikt dhe vendos veten e tij mes tyre, por mesatarizmi është efekt i ndjekjes së Sheriatit Islam.
Nga këtu e kuptojmë se rruga e mesme nuk është në marrjen e një pozicioni të mesëm ndaj dy palëve edhe pse kjo e mesme mund të jetë e lavdërueshme, ose mund të mos jetë, porse kjo pastaj mund të hulumtohet dhe vërehet përmes qëndrimit të Kuranit rreth çështjes së mesatarizmit.

🔎..

Islami i mesëm

4⃣

Po të shikojmë në tekstet e Kuranit dhe të Sunetit do të gjejmë se mesatarja në dritën e shpalljes, në fakt nuk është një, por dy:
○ 1- Mesatare e kërkuar dhe e pranuar.
○ 2- Mesatare e refuzuar dhe e dënuar.

🔎 Prej shembujve të mesatares së kërkuar në Kuran është mesatarja e atyre besimtarëve që Allahu u ka dhënë të mira, dhe që i luten Zotit të tyre duke thënë:

{ٱهۡدِنَا ٱلصِّرَ ٰ⁠طَ ٱلۡمُسۡتَقِیمَ صِرَ ٰ⁠طَ ٱلَّذِینَ أَنۡعَمۡتَ عَلَیۡهِمۡ غَیۡرِ ٱلۡمَغۡضُوبِ عَلَیۡهِمۡ وَلَا ٱلضَّاۤلِّینَ}
“Na udhëzo në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që i Ti i begatove. E jo në rrugën e atyre që merituan zemërimin (Tënd) dhe as në rrugën e të humburve.” [El-Fatiha: 6, 7].

Gjithashtu Fjala e Allahut:

{وَلَا تَجۡهَرۡ بِصَلَاتِكَ وَلَا تُخَافِتۡ بِهَا وَٱبۡتَغِ بَیۡنَ ذَ ٰ⁠لِكَ سَبِیلࣰا}
“E mos e ngrit zërin (duke kënduar) në namazin tënd dhe as mos e ul tepër në të, por kërko mes kësaj një rrugë mesatare.” [El-Isra: 110].

Edhe Fjala e Allahut:

{وَٱلَّذِینَ إِذَاۤ أَنفَقُوا۟ لَمۡ یُسۡرِفُوا۟ وَلَمۡ یَقۡتُرُوا۟ وَكَانَ بَیۡنَ ذَ ٰ⁠لِكَ قَوَامࣰا}
“Ata janë që kur shpenzojnë nuk e teprojnë, e as nuk janë duar dorështrënguar, por mbajnë një rrugë mesatare e janë të matur.” [El-Furkan: 67].
Dhe plot argumente të tjera kuranore, të cilat zbulojnë pozicionin e mesatarizmit sipas Islamit.

🔎 Për sa i përket mesatarizmit të refuzuar, nga argumentet e tij kuranore është Fjala e Allahut rreth hipokritëve:

{مُّذَبۡذَبِینَ بَیۡنَ ذَ ٰ⁠لِكَ لَاۤ إِلَىٰ هَـٰۤؤُلَاۤءِ وَلَاۤ إِلَىٰ هَـٰۤؤُلَاۤءِۚ}
“Ata luhaten me mëdyshje, nuk janë as me këta as me ata.” [En-Nisa: 143].

Gjithashtu argument për këtë është edhe Fjala e Allahut:

{وَیَقُولُونَ نُؤۡمِنُ بِبَعۡضࣲ وَنَكۡفُرُ بِبَعۡضࣲ وَیُرِیدُونَ أَن یَتَّخِذُوا۟ بَیۡنَ ذَ ٰ⁠لِكَ سَبِیلًا}
“Dhe ata thonë: “Ne disa i besojmë e disa nuk i besojmë”, dhe duam të zgjedhim një rrugë të ndërmjetme.” [En-Nisa: 150].

Kurse nga Suneti i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është hadithi:
(مَثَلُ المُنافِقِ كَمَثَلِ الشَّاةِ العائِرَةِ بيْنَ الغَنَمَيْنِ؛ تَعِيرُ إلى هذِه مَرَّةً، وإلَى هذِه مَرَّةً)
“Shembulli i hipokritit është si Shembulli i deles, që sillet mes dy tufave, një herë shkon te njëra, njëherë te tjetra.”

Dhe dallimi midis këtyre dy mesatareve, në fakt, është për shkak të natyrës së dy palëve, nëse ajo është mes dy të pavërtetave, atëherë ajo është e lavdërueshme, e nëse është mes së vërtetës dhe të pavërtetës, atëherë ajo është e dënueshme.

🔎 Si përfundim: me gjithë këtë lumë akuzash dhe gjithë këtë mllef, dhe mënyrat e shumta që ata përdorin për të treguar rëndësinë e mesatares që ata duan, muslimani mund të mos e kuptojë se disa nga këto akuza synojnë që ta kufizojnë Islamin në mesatarizmin që ata dëshirojnë: mesatarizëm i përshkruar nga jashtë Islamit, dhe paraprakisht bindje të ndikuara nga referenca të ndryshme, të cilat ia mveshin Islamit për të formuluar prej tij atë që ata e quajnë më pas Islam mesatar.
Liberali, për shembull, vendos perceptimet e tij mbi lirinë, nëpërmjet së cilës nuk njeh asnjë ndalim fetar, përkundrazi lejon çdo marrëdhënie të ndaluar, dhe ia atribuon Islamit bindjen e tij të formuar në dritën e këtij referimi. Dhe kështu fillon predikon dhe përkujton njerëzit për rëndësinë e Islamit mesatar; dhe Islami në të vërtetë është larg dhe i pastër ndaj kësaj mesatarje dhe këtij mesatarizmi.

/HoxhëHarizAllkoçi/