Periudha e xhahilijetit (ajo periudha para se të dërgohej Muhamedi a.s.), në histori, është koha kur vlerat humane kishin filluar përmbysjen dhe fundosjen me ritmin më të madh të parë ndonjëherë[1]. Marrja përsipër parandalimin e degradimit të mëtejmë të vlerave, në njërën anë, dhe gdhendjen e përsosjen e tyre, në anën tjetër, Islamin e klasifikon si mëshirë të Zotit për njerëzimin. Kështu edhe e ka përshkruar Allahu misionin e Pejgamberit Muhammed a.s. në Kuran:
وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ
“Dhe nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) veçse si mëshirë për krejt botët.” [Kurani: Enbija: 107]
Ky mision human e moral i Islamit duhet të vazhdojë edhe sot, kur mbetjet e xhahilijetitkanë filluar ta ngulfasin humanen dhe njerëzoren, sot kur urrejtja, mosdurimi, verbëria intelektuale dhe vobektësia morale e shpirtërore janë duke minuar paqen dhe sigurinë, janë duke shuar ëndrra në realizim dhe jetë të pafajshme…
Islami fe e paqes
Islami, vështruar nga të gjitha anët, është paqe. Emri i tij nënkupton paqen, përshëndetja e tij reflekton paqen, mësimet e tij promovojnë paqen, Krijuesi është quajtur edhe me emër paqeje (Selam), xhenneti, vendi i shpërblimit, po kështu.
Pra, paqe në thelb, mësime, moral e veprime, dhe jo vetëm. Paqja është edhe një nga begatitë kryesore që i jepen besimtarit. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush gdhin në mëngjes ndërsa disponon siguri personale e familjare, shëndet e furnizim për atë ditë, ai është sikur ta ketë në pronësi tërë dynjanë.”
Nisur nga këtu, angazhimi për paqen, konsiderohet si imazh i fetarisë së vërtetë, fetarisë së gjallë, asaj që reflekton pozitivisht në përditshmërinë tonë. Pejgamberi a.s. fetarinë e vërtetë e shihte në realizimin e paqes dhe të raporteve të ndërsjella mbi bazën e paqes: “…Myslimani është vëlla i myslimanit: nuk i bën padrejtësi…” Në një hadith tjetër thotë: “Mysliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt të tjerët…”
Këtë klimë paqeje Pejgamberi a.s. ishte i interesuar ta siguronte nga çdo gjë dhe ta shihte të manifestuar në çdo gjë. Në një hadith urdhëron për t’u përshëndetur me njëri tjetrin: “O ju njerëz, përhapeni selamin!”[2], si formë e shprehjes kolektive të kësaj paqeje që mbretëron ndërmjet besimtarëve.
Islami fe e mëshirës
Siç mësuam më lart, mëshira është kryefjalë dhe sinonim i misionit islam. Nxjerrja e fesë jashtë këtyre parametrave nënkupton nxjerrje prej natyrës dhe misionit të saj. Ebu Hurejre transmeton se dikush i paska thënë Pejgamberit a.s.: Lutu kundër idhujtarëve. Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Unë nuk jam dërguar mallkues, jam dërguar mëshirë!”
Pra, Pejgamberi Muhammed a.s., ka refuzuar të mallkojë, sepse është mëshira dhe jo mallkimi ajo që karakterizon misionin e tij. Këtë e gjejmë të ilustruar praktikisht edhe në jetën dhe veprimtarinë e tij. Pjesëtarët e një fisi të quajtur “deus” në fillim refuzonin pranimin e Islamit. Në fakt, ishte vetëm njëri, Tufejli, ai që ishte bërë mylsiman. Kishte shkuar ta ftonte fisin e vet në Islam, por ata kishin refuzuar dhe e kishin keqtrajtuar. Ishte kthyer i përlotur te Pejgamberi a.s. dhe kërkonte që të lutej kundër tyre, sepse ata e kishin mohuar Zotin. Pejgamberi a.s. u kthye kah kibla, ngriti duart dhe, në kohën kur njerëzit prisnin që të lutej kundër tyre, ai tha: “O Allahu im, udhëzoji deusasit, udhëzoji deusasit dhe bëji myslimanë!”. Pasi kreu duanë, u kthye kah Tufejli dhe i tha: Kthehu tek populli yt dhe thirri me butësi në Islam![3]
Pra, është lutja për udhëzim e jo shkatërrim ajo që identifikon Pejgamberin Muhammed a.s. dhe mision e tij, kurrsesi lutja për shkatërrim.
Islami fe e udhëzimit në më të mirën
Karakteristikë e mësimeve islame është përputhja e plotë me natyrshmërinë njerëzore. Duke e adhuruar vetëm Allahun, ne, në të vërtetë, rikthejmë dinjitetin e vjedhur nga ata që robërojnë shpirtrat dhe mendjet e njerëzve, nga ata që fenë e shndërrojnë në mjet për të përfituar e ushtruar pushtet. Islami ka ardhur për ta udhëzuar njerëzimin në atë që është më e mira, më e bukura, më e përsosura…Allahu thotë:
إِنَّ هَـٰذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ
“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…” [Kurani: Isra: 9]
Pavarësisht kësaj, Islami nuk imponon besimin. E parashtron atë me të gjitha argumentet e mundshme, por përzgjedhjen e tij e lë në vullnetin e secilit njeri. “Nuk ka imponim në fe!” nuk është thjesht një ajet kuranor[4], por edhe një koncept bazë i kësaj feje. Detyra jonë është t’i thërrasim njerëzit në fe [Kurani: Al Imran: 20], ndryshe, nëse ata insistojnë në fenë e tyre, atëherë u themi siç na mëson Kurani: “Ju keni fenë tuaj, e unë kam fenë time!” [Kurani: Kafirunë: 6] [Dhuna dhe hakmarrja nuk janë islame]
Paqja dhe toleranca nuk janë dobësi. Ato thjesht promovojnë shpirtin e madh dhe frymën humane të kësaj feje. Qasja jonë karshi së keqes dhe luftimi i saj duhet të jetë me paqe, mu ashtu siç na mëson Kurani për robërit e dalluar të Zotit.
وَعِبَادُ الرَّحْمَنِ الَّذِينَ يَمْشُونَ عَلَى الْأَرْضِ هَوْنًا وَإِذَا خَاطَبَهُمُ الْجَاهِلُونَ قَالُوا سَلَامًا
“Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”.” [Kurani: Furkan: 63]
Mospajtimi me të tjerët, qoftë edhe nëse i urrejmë e nuk i duam, nuk guxon të na shtyjë në padrejtësi e veprime të gabuara [Kurani: Maide: 8]. Për të treguar përkushtimin tonë paqësor, këtë moral duhet të shfaqim edhe nëse jemi në luftë. Nëse pala armike jep shenja për të ndalur luftën e për të lidhur paqe, duhet të lidhim paqe [Kurani: Enfalë: 61], sepse misioni i kësaj feje është shpëtimi i njerëzve, jo mbytja e tyre.
Lutja për viktimat e sulmit terrorist në dy xhami në Zelandën e Re
Javën që lamë pas (15 mars 2019), pikërisht në kohë të namazit të xhumasë, në Zelandën e Re, u sulmuan dy xhami ku ngelën të vdekur 50 besimtarë myslimanë dhe shumë të tjerë të plagosur. Një terrorist, i indoktrinuar, ofroi para botës mbarë shembullin e atij që është pushtuar nga urrejtja dhe është zhveshur nga arsyeja aq shumë saqë nuk kurseu as atë që e priti me paqe në derë të xhamisë dhe as fëmijën që vrapoi në drejtim të tij duke mos e menduar kurrë si vrasës. Ai vrau pesëdhjetë, por jo edhe kauzën e tyre. Janë për t’u lëvduar reagimet e popullit dhe qeverisë së Zelandës së Re, që dënuan ashpër veprën makabre të atij monstrumi dhe terroristi famëkeq. Konsiderojmë se kjo është hakmarrja më e madhe ndaj tij. Terroristi fizikisht është gjallë, por me kauzë të vdekur, ndërsa ata pesëdhjetë besimtarë, fizikisht janë ndarë prej nesh, por kauza e tyre rron. Së këndejmi, çfarëdo reagimi i dhunshëm karshi këtij akti terrorist është gabim. Zëri i terrorit u mbyt nga reagimet dhe lotët e miliona njerëzve anembanë botës.
Për fund, le të shfrytëzojmë momentet e kësaj dite të madhe për ta lutur Allahun për të gjithë ata që ishin viktima të këtij akti terrorist.
O Allahu ynë,
Robërit e Tu iu përgjigjën thirrjes Sate për ta përmbushur detyrimin, erdhën në shtëpitë e Tua për të shprehur përulësinë e tyre para Teje, andaj fali dhe mëshiroji të vrarët duke ua bërë Xhennetin vendbanim të tyre, të lënduarit shëroji dhe jepu shëndet, kurse familjarëve të tyre jepu forcë dhe durim për ta përballuar këtë fatkeqësi!
O Allahu ynë,
Ne begato me siguri dhe paqe, na ruaj nga ata që duan të bëjnë fesat, nga ata që nuk kursejnë as të pafajshmit, as fëmijët e madje as shtëpitë e Tua! Mos lejo që zëri i tyre frikësues të dominojë mbi zërin tonë paqësor, mbi lutjet tona, mbi jehonën paqësore të Fjalës Sate!
O Allah ynë,
Ruaje vendin dhe popullin tonë nga çfarëdo e keqe, nga çfarëdo e lige që dashakëqijtë e mendojnë për ne. Bëna prej robërve të Tu të sinqertë e të përkushtuar, të cilët janë të mëshiruar me mësimet e Librit Tënd, me mësimet e të Dërguarit Tënd, bëna prej atyre që “…kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: Paqe qoftë!
[1] Shih: Nedvi, Ebu-l-Hasen Ali Nedvi, Ma dha hasire el-alem bi-n-hitati el-muslimine, (Indi: El-mexhmeu el-islamij el-ilmij, 2008), f. 66.
[2] Transmetojnë Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi.
[3] Ebu Halil, Sheuki, dhe Ebadheh, Nezzar, Leuhat mudieh min el-hadareti el-islamijjeh, (Damask: Dar el-fikr, 2007), f. 22.
[4] Kurani: Bekare: 256.