Zoti i Madhëruar thotë në Kuran:
قُل لِّلَّهِ ٱلۡمَشۡرِقُ وَٱلۡمَغۡرِبُۚ يَهۡدِي مَن يَشَآءُ إِلَىٰ صِرَٰطٖ مُّسۡتَقِيمٖ وَكَذَٰلِكَ جَعَلۡنَٰكُمۡ أُمَّةٗ وَسَطٗا لِّتَكُونُواْ شُهَدَآءَ عَلَى ٱلنَّاسِ وَيَكُونَ ٱلرَّسُولُ عَلَيۡكُمۡ شَهِيدٗاۗ
Thuaju: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi. Ai udhëzon në rrugën e drejtë atë që do”. Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull të ekuilibruar, për të qenë dëshmitarë për popujt. Edhe i Dërguari ka për të qenë dëshmitar për ju. (el-Bekare: 142-143)
Fjala kyçe e përdorur në këtë ajet, për të përshkruar cilësinë e bashkësisë së muslimanëve, është fjala arabe وَسَطٗ (uesat), që në arabisht do të thotë i mesëm, i ekuilibruar, diçka që gjendet mes dy skajeve, por vjen edhe në kuptimin: më e mira, e zgjedhura, e drejta.
Edhe komentet e ndryshme të Kuranit nuk dalin nga këto kuptime, madje ajo që vihet re, është se brezat e parë e kanë komentuar këtë fjalë më së shumti me fjalën i drejtë. Dhe kjo, sepse e drejta është e mesmja, larg skajeve dhe ekstremeve të çdo forme. Ndërkohë, e drejta është origjina dhe norma, dhe janë ekstremet ato që shmangen dhe devijojnë më pas prej saj, prandaj e drejta ngelet e mesmja e vërtetë dhe jo thjesht e mesmja mes ekstremeve.
Pra, nuk janë ekstremet të parat, ato që përcaktojnë të mesmen dhe të drejtën, por është e drejta ajo që përcakton skajet dhe për rrjedhojë është e mesme.
Ajeti i mësipërm e pasqyron mjaft mirë këtë kuptim, duke nisur fillimin me një ajet më përpara, ku flitet për drejtimin e faljes (kibles), ku thuhet se Zotit i përkasin edhe Lindja edhe Perëndimi, dhe është Ai që i udhëzon njerëzit në rrugën e drejtë.
Dhe cila është kjo rrugë e drejtë?
Është pikërisht të qenit një bashkësi fetare e mesme, e ekuilibruar, larg ekstremeve, pra, e drejtë, sepse kjo është norma, kjo është e drejta dhe e vërteta, si dhe e mira për njerëzit. Dhe duke qenë e tillë, e drejtë, ka aftësinë dhe meritën për të qenë edhe dëshmitare, pra edhe gjykuese për të tjerët. Kjo, sepse ai që është i drejtë, i larguar nga ekstremet, mund të gjykojë drejt mes njerëzve.
Por ndërkohë, edhe muslimanët janë njerëz si gjithë të tjerët, edhe ata mund të gabojnë e mund të shkojnë në skaje të ndryshme, duke mos qenë të drejtë dhe të mesëm, edhe pse ngelen përsëri muslimanë. Prandaj, ai, i cili i gjykon ata dhe është dëshmitar për ta, është njeriu më i drejtë dhe i mesëm mes tyre, që padyshim është i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam).
Ai është modeli i drejtësisë dhe mesatarisë, për këtë dhe ndjekësit rigorozë të udhëzimit të tij janë njerëzit më të drejtë dhe të mesëm të Umetit islam. Prandaj dhe dijetarët shprehen se ndjekësit e Sunnetit të tij janë të mesmit në mesin e muslimanëve, ashtu siç muslimanët janë të mesmit mes feve të tjera.
Këtë mesatari dhe drejtësi do ta ilustrojmë me një sjellje shembullore në një ngjarje nga jeta e të Dërguarit të Zotit.
Përcillet nga nëna e besimtarëve, Aishja (radijAllahu anha), por edhe të tjerë, se disa jehudë në Medinë, kur e përshëndesnin Profetin (alejhi salatu ue selam) i thoshin: “es-Samu alejke!”.
Nëse thuhet shpejt dhe pa u përqendruar shumë në të, kjo fjalë ndoshta nuk vihet re nga ai që nuk e ka arabishten gjuhën e tij, por për arabët, fjalët ‘sam’ dhe ‘selam’ kanë dallim të madh mes tyre. Nëse ‘selam’ do të thotë paqe dhe është edhe një nga emrat e Zotit, ‘sam’ do të thotë vdekje. Dhe duke qenë se dallimi mes tyre në të folur është vetëm një shkronjë, atëherë artikulimi i saj për ata që duan të tallen apo janë dashakeqës, është shumë i lehtë.
Kur Aishja e dëgjoi këtë fjalë, iu përgjigj atyre duke iu thënë: “Edhe mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi!” Por i Dërguari i Allahut reagoi dhe i tha: “O Aishe! Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë.” Por Aishja reagon duke i thënë: “A nuk e dëgjove se çfarë thanë?!” Dhe Profeti iu përgjigj: “Po ti a nuk e dëgjove se çfarë u thashë? U thashë: edhe mbi ju (ue alejkum)!”
Hadithi në fjalë ka disa transmetime autentike, dhe në një rast tjetër që përcillet nga Enesi, kur Profeti ndodhej me shokët e tij, një jehud kaloi dhe e përshëndeti në të njëjtën mënyrë. Kur shokët e Profetit (alejhi salatu ue selam) e morën vesh, i kërkuan leje për ta vrarë jehudin, por ai iu tha jo, por i udhëzoi se nëse ata i përshëndesnin (në atë mënyrë), t’iu përgjigjeshin duke iu thënë: “Edhe mbi ju!”.
Siç shihet, rasti në fjalë është një shembull tipik i sjelljes mesatare dhe fisnike, karshi njerëzve dashakeqës dhe ofendues. Në njërën anë, ofendimi nuk merr të njëjtin reagim vulgar si ai që sulmon, dhe as nuk mirëpritet dhe tolerohet tërësisht, por merr një përgjigje që është sa e hollë dhe etike, po aq edhe kuptimplotë.
Dhe mos harrojmë që i Dërguari i Zotit ishte në Medinë, ku ai ishte i pari i vendit dhe kishte pushtetin ekzekutiv dhe ligjor në të, e megjithatë u soll në këtë mënyrë. Por ndërkohë, çfarë mund të themi për sjelljen e tij në Mekë, apo besimtarëve që gjenden në situata të ngjashme apo të përafërta me të?
Pra, të qenit i drejtë dhe mesatar në sjellje me njerëzit, lidhet me atë që është më e mira dhe gjithashtu, edhe me atë që është më e përshtatshmja dhe më e duhura, në varësi të kontekstit mjedisor, politik, social dhe kulturor. Besimtari musliman duhet të jetë njeri i mençur, që nuk lejon të nëpërkëmbet, për aq sa ka mundësi, por nuk është as vulgar dhe pa etikën e duhur të sjelljes. Kjo do të thotë të jesh i mesëm dhe i drejtë, dhe drejtësia është devotshmëri ndaj Zotit.
Hoxhë Justinian Topulli