HUTBEJA E DITËS NDËRKOMBËTARE TË AMBIENTIT

 

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Vëllezër besimtarë!

Njeriu është pjesë e ambientit, dhe domosdo, sikur që ka të drejta në të, ka po kështu edhe përgjegjësi. Kjo për shkak të natyrës së tij, të cilën Allahu e veçoi nga krijesat tjera. Thotë Allahu:

“(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!Ata thanë: “A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!”. (El-Bekare, 30)

Pastaj juve ju bëmë zëvendësues pas tyre në Tokë për t’ju parë si do të veproni”. (Junus, 14)

Bazuar në këtë, njeriut i është ndaluar çdo veprim që i sjell dëm ambientit, duke nënkuptuar me ambientin këtu tokën, kafshët, bimët, pemët, ujin, etj. Thotë Allahu:

Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj…”. (El-A’rafë, 56)

Besimtarë të nderuar!

Islami si fe gjithëpërfshirëse, ambientit, si faktor shumë me rëndësi për një jetë të shëndetshme, i ka dhënë vend të merituar. Para së gjithash, përkujdesjen për të e ka cilësuar shenjë besimi. Pejgamberi [alejhiselam] duke rrëfyer për pemën e besimit thekson se:

Imani (besimi) është gjashtëdhjetë e disa apo shtatëdhjetë e disa degë: Më e vlefshme është fjala: “La ilahe il-lall-llah” (nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut), kurse më e ulëta është të larguarit nga rruga e asaj që i mundon kalimtarët. Edhe turpi është një degë e imanit.” (Transmeton Muslimi)

Pra, edhe përkujdesja për ambientin, gjegjësisht pastrimi i rrugëve nga pengesat që pamundësojnë qarkullimin normal të njerëzve, qenka pjesë e besimit.

Ambienti për një besimtar është fushë e përfitimit të sevapeve. Mbjellja e pemëve, si shembull ilustrues, është diçka që është porositur Fetarisht, për shkak se ka të shumtë që përfitojnë prej tyre: njerëzit, kafshët, shpezët. Është një vepër, shpërblimi i të cilës është rrjedhës, madje edhe pas vdekjes. Për këtë shkak, Pejgamberi [alejhiselam] aq shumë i dha rëndësi kësaj çështjeje saqë tha:

Nëse dikë prej jush e zë kiameti ndërsa në dorë ende ka ndonjë fidan (të hurmës apo diç tjetër) le të mos e lëshojë pa e mbjellë.” (Shih: Sahihu-l-xhami, 1424.)

Pastërtia është hap tjetër drejt ambientit të shëndoshë. Duke filluar nga gjërat  e imta e deri tek ato qenësore, Islami porosit njeriun të jetë i pastër. Madje, pastërtia është kusht për kryerjen e adhurimeve dhe lutjeve. Nga këtu, ujit, një elementi tjetër të rëndësishëm të ambientit, në Islam i është kushtuar një rëndësi e veçantë. Allahu ia kujton njeriut se uji është burimi i jetës:

“… dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë?”. (El-Enbija, 30)

Dhe meqë uji është i tillë, atëherë u ndaluar rreptësisht keqpërdorimi i tij apo edhe harxhimi i tepërt qoftë edhe në gjëra të lejuara.

Xhematlinjë të nderuar!

Aspekti edukativ, që synon ndërgjegjësimin e njeriut për çdo gjë, është agjendë e përhershme e Islamit. Duke ia përkujtuar se toka është krijimtari e Allahut, dhe duke qenë se as ajo dhe asgjë tjetër që Allahu krijoi nuk është krijuar shkel e shko, atëherë atij i mbetet shfrytëzimi racional i saj. Allahu ka thënë:

Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar.” (El-Kamer, 49)

Mbështetur në këtë, atij i ndalohet keqpërdorimi i ambientit dhe dëmtimi i tij në çdo aspekt. Çdo pengesë, çfarëdo që të jetë, duhet eliminuar. Pejgamberi [alejhiselam] ka thënë:

Keni frikë nga dy mallkueset! E cilat janë ato? Ai që kryen nevojën në rrugë apo hije të njerëzve.” (Transmeton Ebu Davudi.)

Gjërat e dëmshme, që shkatërrojnë ambientin, duhen asgjësuar në mënyrat adekuate. Plehrat, ujërat e zeza dhe çdo gjë tjetër që shqetëson njeriun, duhen larguar nga ambienti me format përkatëse.

Myslimanë të respektuar!

Ka thënë Pejgamberi [alejhiselam]:

Allahu është i bukur dhe e do të bukurën…”. (Transmeton Muslimi.)

Myslimani, duke mishëruar parimin hyjnor të mirësjelljes në çdo gjë, interesohet për gjelbërimin e vendit të tij, gjelbërim që krahas dobive shëndetësore, zbukuron edhe ambientin. Allahu ka thënë:

A nuk e sheh se All-llahu lëshon nga qielli ujë, e Ne nxjerrim me të fruta, ngjyra e të cilëve është e ndryshme, e edhe nëpër kodra ka vija të bardha e të kuqe ngjyrash të ndryshme, e ka edhe shumë të zeza. 28. Edhe nga njerëzit, nga gjallesat, nga kafshët po ashtu ka të ngjyrave të ndryshme. Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët, All-llahu është mbi gjithçka, është mëkatfalës.” (Fatir, 27-28)

Pra, ruajeni ambientin tuaj që të keni jetë të shëndoshë dhe të shpërbleheni tek Allahu!

Dr. Sedat Islami