Kam vënë re se shumica e hoxhallarëve angazhohen me formën e dijes, kështu që meraku i hoxhës është mësimdhënia dhe ai i ligjëruesit, këshilla.
I pari kujdeset për mësimin e tij dhe gëzohet me pjesëmarrësit e shumtë që e dëgjojnë, hedh baltë mbi fjalën që e kundërshton, kalon kohën duke menduar për kontradiktat, që të mposhtë debatuesin dhe syri nuk i sheh gjë tjetër veçse të qenit në pararojë dhe të qëndruarit lart nëpër kuvende. Ndoshta tundohet edhe nga dëshira për të mbledhur fundërrinat e kësaj bote dhe të shoqërohet me pushtetarët.
Kurse ligjëruesi, merakun e ka tek gjithçka zbukuron fjalët e tij, të shtojë të pranishmit, të afrojë zemrat e njerëzve për ta madhëruar dhe, nëse ka ndonjë koleg në punën e tij, fillon dhe e kritikon.
Këto zemra janë të pavëmendshme ndaj Allahut dhe, nëse me të vërtetë do të kishin qenë të pajisura me njohuri, do të kujdeseshin për Të, do të qetësoheshin me praninë e Tij, do të sakrifikonin për adhurimin e Tij dhe do të përgjëroheshin para Tij në vetminë me Të. Por kur këto zemra hoqën dorë prej këtyre gjërave, u morën me dynjanë e ulët, siç janë vetë ata. Kur vetmohen në shërbim të Allahut të Lartësuar, ata nuk ndiejnë shije, tubimi i njerëzve është gjëja më e dashur për ta, të vizitohen nga krijesat është gjëja më e parapëlqyer për ta, e kjo është shenjë e poshtërimit.
E kundërta e kësaj është kur hoxha i përgjërohet Allahut të Lartësuar dhe është i dhënë pas adhurimit të Tij. Gjëja më e vështirë për të është të takohet me krijesat dhe të flasë me ta, ndërsa gjëja më e dashur për të është vetmia. Gjithashtu, ai ka me çfarë të merret para sharjes së kolegëve apo kërkimit të postit, sepse synimi me të cilin e ka lidhur ambicien e tij për botën tjetër, është shumë më lart se kaq.
Vetja duhet domosdo të merret me diçka dhe kush e angazhon atë në shërbim të krijesave, largohet nga e Vërteta dhe nuk bën gjë tjetër, veçse edukon synimin për pushtet, e kjo e bën të largohet nga i Vërteti.