Hixhreti (Me rastin e hyrjes në vitin e ri islamik)
Të nderuar besimtar gjindemi në prag të vitit të ri të muslimanëve. Ky vit fillon me muajin Muharem, i cili është muaji i parë në kalendarin islamik. Kalendari islamik ka filluar të llogaritet nga data e shpërnguljes së muslimanëve nga Mekeja për në Medinë.
Andaj në këtë hutbe tonën do të flasim pak për hixhretin, si një ndodhi vendimtare për ecurinë e ummetit islam.
Definicioni i hixhretit
Hixhreti – shpërngulja, në gjuhën arabe do të thotë lërja e një vendit dhe shkuarja në një vend tjetër, ose ikja nga një tokë në tokë tjetër. (Shiko: “Lisanul-Arab”, 8/ 4616; “Muxhemu Mekajisul-Luga”, 6/ 34)
Hixhreti mund të jetë me zemër, gjuhë dhe trup. (Shiko: “Et-Tekif ala Muhimatit-ta’rif”, fq. 738).
Hixhreti me trup përmendet në Kur’an:
” madje largohuni nga shtrati “. (En-Nisa: 34).
Hixhreti me gjuhë përmendet në fjalën e Aishes, radijall-llahu anha, kur i thotë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:
“Unë e di kur je e kënaqur me mua dhe kur je e hidhëruar. Kur je e kënaqur me mua thua: jo, pasha Zotin e Muhamedit, kurse kur je e hidhëruar me mua thua: jo, pasha Zotin e Ibrahimit”. Tha: po ashtu është. Pasha All-llahun, o i dërguar i Zotit vetëm emrin tënd e largoj”. (Buhariu).
Këto gjëra mund të mblidhen të gjitha në një njeri dhe të jenë një nga një.
Kurse në gjuhën e sherijatit hixhreti ka domethënie të caktuar.
Sipas shumë dijetarëve hixhret në gjuhën e sherijatit domethënë lëria e shtëpisë së Kufrit dhe ikja në shtëpinë e Islamit. (Shiko: “Et-Tarifat”, Xhurxhani, fq. 256, “Mufredat”, Ragib, fq. 537 dhe “Xhamiul-Ulumi vel-Hikem”, Ibn Rexheb, 1/ 72- 73).
Kurse më e përgjithshme se kjo është ajo që ka thënë Ibn Haxheri, rahimehull-llah: “Hixhreti në gjuhën e sherijatit domethënë: lëria e asaj që ka ndaluar All-llahu”. (shiko: “Fet’hul-Bari”, 1/ 16).
Duke u mbështetur në hadithin që e transmeton Imam Buhariu:
“Muhaxhir është ai që largohet nga ajo që ia ka ndaluar All-llahu”.
Kjo ngërthen hixhretin e brendshëm dhe të jashtëm. Hixhreti i brendshëm domethënë lëria e gjërave në të cilat të thërret shpirti që urdhëron në të keqe dhe në atë që ia zbukuron shejtani, kurse e dukshme domethënë ikje me fe nga telashet. E para është baza e të dytës. (shiko: “Fet’hul-Bari”, 1/ 54).
Pasiqë e dyta është shenja më e madhe dhe më e plotë e të parës, disa dijetar ashtu edhe e sqarojnë. Pastaj pasiqë hixhreti i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ishte hixhreti më i ndershëm dhe më i njohuri, vazhdimisht kjo nënkuptohet kur flasim për hixhretin.
Kur hasim në libra dy hixhretet është qëllimi hixhreti në Etiopi dhe hixhreti në Medinë. (shiko: “Lisanul-Arab”, 8/ 4617).
Vlera e hixhretit
Për vlerën e hixhretit flasin shumë ajete dhe shumë hadithe të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
A) Prej ajeteve janë këto:
“Ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e All-llahut, ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij. All-llahu falë shumë dhe është mëshirues”. (El-Bekare: 218).
Ibn Xheriri, rahimehull-llah, thotë:
“Ata që janë shpërngulur nga vendbanimet e idhujtarëve, fqinjësinë e tyre, kanë ikur prej tyre dhe prej fqinjësisë së tyre në vende tjera, hixhret nga një vend në vednin tjetër Shokët e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, janë emërtuar muhaxhirë për shkak të shpërnguljes së tyre nga shtëpitë dhe vendbanimet e tyre, nga urrejtja për të jetuar në mesin e idhujtarëve dhe nën pushtetin e tyre, pasiqë nuk kanë garancë nga sprova
Domethënia e ajetit është: ata që u shpërngulën nga pushteti i idhujtarëve në shenjë hixhreti, nga frika e sprovës në fenë e tyre dhe i kanë luftuar për hirë të fesë që ti fusin në fenë dhe në gjëra që e kënaqin All-llahun, “ata e shpresojnë mëshirën e Tij”, domethëne shpresojnë që All-llahu ti mëshirojë e ti fusë në xhennetin e Tij me mëshirën e tyre për ta”. (“Xhamiul-Bejan”, 2/ 355).
Imam Sadiu, rahimehull-llah, thotë:
“Këto tre vepra janë titulli i lumturisë, boshti i adhurimit, me to njeriu e di fitimin dhe humbjen. Sa i përket besimit, mos pyet se çfarë vlere ka kurse hixhreti ka kuptim të largimit nga i dashuri dhe i afërti për ta kënaqur All-llahun. Muhaxhiri largohet nga vatani, pasuria, familja e tij dhe miqtë e tij, për tiu afruar All-llahut, për ta ndihmuar fenë e Tij. Kurse xhihadi ka kuptim të dhënies së mundit për të zmbrapsur armikun, veprimtari të plotë për ta ndihmuar fenë e All-llahut dhe për ta eliminuar fenë e shejtanit. Është kulmi i veprave të mira edhe shpërblimi për këtë vepër është shpërblimi më i mirë. E meritojnë këta njerëz të jenë ata që shpresojnë mëshirën e All-llahut sepse kanë sjellur shkakun që shkakton mëshirën”. (“Tefsir Sadi”, 1/ 173- 174).
” por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t’ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t’i vejë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e All-llahut, se më i miri i shpërblimeve është tek All-llahu”. (Ali Imran: 195).
Ibn Xherir Taberiu, rahimehull-llah, thotë:
“Ata që u shpërngulën nga populli i tyre mosbesimtar dhe nga fisi i tyre për hirë të All-llahut dhe shkuan te vëllezërit e tyre besimtar, ata që i besuan Pejgamberit të All-llahut, ata që u dëbuan nga shtëpitë e tyre, që janë muhaxhirët që i larguan idhujtarët kurejshit nga Mekeja, “te All-llahu është shpërblimi i mirë për ta”, domethënë te All-llahu është shpërblimi për të gjitha llojet e veprave të tyre, është shpërblim, të cilin nuk mund ta përshkruan asnkush, sepse është ajo që syri nuk e ka parë, veshi se ka dëgjuar dhe ajo që zemra se ka parafytyruar”. (“Xhamiul-Bejan”, 3/ 216).
Ibn Kethiri thotë: “Janë larguar nga shtëpia e besimit, janë larguar nga të dashurit, miqtë, vëllezërit dhe fqinjët “Shpërblim nga Zoti”, është shprehur kështu All-llahu për të treguar madhësinë e shpërblimit, sepse I Madhi dhe Bujari japin shumë”. (“Tefsiri i Ibn Kethirit”, 2/ 166).
Sadiu thotë: “Ata grumbulluan besimin dhe hixhretin, ikjen nga të dashurat, qoftë vatani dhe pasuria për të kërkuar kënaqësinë e Zotit të tyre dhe për këtë luftuan në rrugë të All-llahut”. (Tefsir Sadi”, 1/ 306).
“Është e vërtetë se ata që besuan, u shpërngulën dhe luftuan me pasurinë e shpirtin e tyre në rrugën e All-llahut, dhe ata që strehuan (të shpërngulurit) dhe u ndihmuan, të tillët janë miq të njëri-tjetrit (në ndihmë dhe në trashëgim). Ata që besuan por nuk u shpërngulën, ju nuk keni përkujdes as ndihmë për ta derisa të shpërngulen edhe ata. “. (El-Enfal: 72).
Ibn Xheriri, rahimehull-llah, thotë:
“Muhaxhirët dhe ensarët janë njëri prej tjetrit, e ndihmojnë njëri tjetrin kundër idhujtarëve, janë unik kundër atyreve që kanë mohuar Zotin, janë vëllezër të njëri tjetrit, për dallim nga të afërmit e tyre mosbesimtar”. (Xhamiul-Bejan”, 6/ 51).
Ibn Kethiri, rahimehull-llah, thotë:
“All-llahu, subhanehu ve teala, i ka përmendur llojet e besimtarëve, i ka ndarë në muhaxhir, të cilët kanë dalur nga shtëpia dhe pasuria e tyre, kanë flijuar pasurinë dhe vetveten në këtë drejtim, dhe në ensar, të cilët janë musliman, prej banorëve të Medinës, të cilët strehuan vëllezërit e tyre muhaxhir në shtëpitë e tyre, u solidarizuan me ta, e ndihmuan All-llahun dhe Pejgamberin duke luftuar së bashku me ta, ata janë miqtë e njëri tjetrit”. (Tefsiri i Ibn Kethirit, 4/ 38).
Sadiu, rahimehull-llah, thotë:
“Kjo është akt lojaliteti dhe dashurie të cilën e ka kontraktuar All-llahu mes muhaxhirve dhe ensarëve, të cilët kanë besuar dhe janë shpërngulur në rrugë të Zotit; kanë lënë vatanet e tyre për të luftuar në rrugë të Zotit dhe mes ensarëve të cilët i kanë dhënë strehim Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe shokëve të tij dhe u kanë ndihmuar në kompenzimin e lërjes së vatanit dhe pasurisë. Ata janë miqt e njëri tjetrit, pasiqë kanë plotësuar besimin dhe janë në kontakt të plotë mes tyre”. (Tefsir Sadi, 2/ 219).
“Po, ata që besuan, migruan dhe luftuan për rrugën e All-llahut, dhe ata që strehuan dhe ndimuan, janë besimtarë të vërtetë. Atyre u takon falja (e mëkateve) dhe furnizimi në mënyrë të ndershme. Ndërsa edhe ata që besuan më vonë, e që u shpërngulën dhe luftuan së bashku me ju, janë të njëjtë me ju (në të drejta). “. (El-Enfal: 74- 75).
“Ata të cilët besuan, migruan dhe luftuan me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e All-llahut, ata kanë pozitë më të lartë te All-llahu dhe vetëm ata janë fatlumë. Zoti i tyre i përgëzon ata me mëshirë nga Ai, me disponim ndaj tyre, me xhennete ku ata do të kenë nimet (hirësi-mirësi) të pandërprerë. Ata aty do të jenë përjetë të pasosur e te All-llahu është shpërblimi i madh”. (Et-Teube: 20- 22).
Ibn Xheriri duke e komentuar këtë ajet thotë: ata që kanë besuar në All-llahun me besim të pastër, janë shpërngulur nga vatani i tyre dhe kanë luftuar idhujtarët për hirë të fesë me pasurinë dhe shpirtin e tyre kanë grada më të larta dhe më të mëdha se sa ata që u japin ujë haxhilerëve dhe që ndërtojnë qaben, përderisa jën idhujtar:. (Xhamiul-Bejan”, 6/ 97).
Sadiu, rahimehull-llah, thotë: “Nuk fiton të kërkuarën dhe nuk shpëton nga e urrejtura vetëm ai që i posedon këto cilësi dhe që i posedon këto vlera”. (“Tefsir Sadi”, 2/ 232).
“Ata që migruan për hir të All-llahut, e pasi që u torturuan, atyre gjithsesi do t’u mundësojmë vendbanim të mirë edhe në këtë botë, po shpërblimi i botës tjetër është edhe më i madh, sikur njerëzit ta dinin (për atë shpërblim)”. (En-Nahl: 41).
Ibn Xheriri duke e komentuar këtë ajet mes tjerash tha: “ata do të fitojnë vendbanime të cilat i pëlqejnë dhe të mira. Kurse shpërblimi i tyrë në ahiret për hixhretin e tyre është edhe më i madh, sepse shpërblim i tyre atje është xhenneti, begatitë e të cilit nuk përfundojnë asnjëher”. (“Xhamiul-Bejan”, 8/ 106- 107).
Sadiu, rahimehull-llah, thotë:
“Ata që shpërngulen për hirë të All-llahut, largohen nga pasuria dhe familja, duke ikur nga torturat dhe telashet në fe, kanë dy shpërblime, një shpërblim të shpejtë, në këtë botë, që personifikohet në furnizim të bollshëm dhe jetë komode, poqëse kanë edhe dije dhe bindje, te All-llahu, në ahiret kanë shpërblim edhe më të mirë dhe më të bollshëm”. (Tefsir Sadi”, 3/ 61).
“Pastaj Zoti yt, atyre që pasi u torturuan, migruan, mandej luftuan dhe qëndruan, dhe pas të gjitha këtyre vuajtjeve, s’ka dyshim se Zoti yt atyre do t’ua falë dhe do t’i mëshirojë (Ai është që fal, është mëshirues)”. (En-Nahl: 110).
Sadiu, rahimehull-llah, duke e komentuar këtë ajet thotë:
“Zoti yt, i cili i ka edukuar robërit e Tij të sinqertë me Bujarinë dhe Bamirësinë e Tij është Falës dhe Mëshirues për ata që janë shpërngulur për hirë të All-llahut dhe kanë lërë vendbanimin dhe pasurinë e tij, duke kërkuar kënaqësinë e All-llahut, i cili është sprovuar në fe, për tu kthyer në kufër, ka përqendruar në besim dhe me bindjen që ka pasur ka shpëtuar, pastaj ka luftuar armiqtë e Zotit për ti futur në fe, me dorën dhe gjuhën e tij, ka duruar në këto adhurime, të cilat janë të rënda për shumicën e njerëzve. Këto janë shkaqet më të mëdhaja, me të cilat fitohen dhuratat më të mëdhaja, e ajo është falja e mëkateve prej Zotit”. (Tefsir Sadi”, 3/ 87- 88).
“E ata që për hir të All-llahut braktisën atdheun e tyre, (e duke luftuar) u vranë ose vdiqën, All-llahu do t’i shpërblejë me shpërblimin më të mirë, e s’ka dyshim, All-llahu është më i miri shpërblyes”. (El-Haxh: 58).
Sadiu, rahimehull-llah, thotë:
“Kjo është myzhde e madhe për ate që ban hixhret në rrugë të Zotit, del nga shtëpia, vatani, fëmijët dhe pasuria duke shpresuar fytyrën e All-llahut dhe për ta ndihmuar fenë e Tij, ky njeri e ka fituar shpërblimin nga Zoti, pa marë parasysh a vdes në shtrat ose vritet në rrugë të Zotit”. (Tefsir Sadi”, 3/ 332).
“Kush shpërngulet për hirë (të fesë së) All-llahut, ai gjen mundësi të madhe dhe begati në tokë. E kush del prej shtëpisë si migrues te All-llahu dhe i dërguari i Tij, dhe e zë vdekja (në rrugë), te All-llahu është shpërblimi i tij. All-llahu është mëshirues, mbulon të metat”. (En-Nisa: 100).
Ibn Kethiri, rahimehull-llah, thotë:
“Ky ajet stimulon në hixhret dhe nxitë në largim nga idhujtarët dhe se besimtari kudo që shkon do të gjenë hapësirë dhe strehimore”. (Tefsir Ibn Kethir”, 2/ 344).
Abdur-Rahman Sadiu, rahimehull-llah, thotë:
“Ky ajet sqaron nxitjen dhe stimulimin për hixhret, sqaron interesin që gjindet në hixhret, premtoi, Ai që premtimet e Tija përherë janë të vërteta, se ai që shpërngulet për hirë të Kënaqësisë së Zotit se do të gjenë në këtë udhëtim strehim por edhe gjërësi, strehim në çeshtjet e fesë dhe gjërësi në çeshtjet e dynjasë”. (Tefsir Sadi”, 1/ 393).
“All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh”. (Et-Teube: 100).
Ibn Kethiri rahimehull-llah, thotë:
“All-llahu subhanehu ve teala, tregon se është i Kënaqur me të parët e muhaxhirëve dhe ensarëve dhe atyreve që i pasojnë në mënyrë të mirë duke u treguar se çfarë xhennete u ka përgaditur dhe çfarë begati të përhershme i presin”. (Tefsir Ibn Kethir”, 4/ 141).
B) Hadithet që flasin për vlerën e hixhretit janë këto:
1- “A nuk e din se Islami rrënon gjërat që ke bërë më parë?! Se hixhreti rrënon gjërat që ke bërë më parë?! Se Haxhi rrënon gjërat që ke bërë më parë?!”. (Muslimi).
Imam Neveviu duke e komentuar këtë hadith thotë:
“Ky hadith tregon pozitën e madhe që kanë Islami, Hixhreti dhe Haxhi dhe se secili prej tyre i rrënon mëkatet që janë bërë më herët”. (Sherhu Muslim”, 2/ 497).
2- Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i ka thënë Ebu Fatime Damiriut:
“Ban hixhret, se hixhreti ska rival në shpërblim”. (Sahih, Nesaiu).
3- Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Le të del imam i njerëzve ai që më mirë dhe më herët lexon Kur’anin, e nëse lexim janë të barabartë, le të del imam ai që më herët ka bërë hixhretin, e nëse në hixhret janë të barabartë, atëherë ai që është më i vjetër”. (Muslimi).
4- Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tregon e thotë:
“Kush i ban këto gjëra, (domethënë hyrjen në Islam, Hixhretin dhe Xhihadin) e vdes, All-llahu e ka obligim ta futë në xhennet, e nëse vritet, All-llahu e ka obligim ta futë në xhennet, ose fundoset, All-llahu e ka obligim ta futë në xhennet, ose e rëzon deveja, All-llahu e ka obligim ta futë në xhennet”. (Sahih, Ahmedi).
5- Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Unë i garantojë shtëpi në mes të xhennetit dhe në brendësi të xhennetit, ati që më ka besuar, ka hyrë në Islam dhe ka bërë hixhret”. (sahih, Nesaiu).
6- Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Ju urdhëroj me pesë gjëra, me të cilat më ka urdhëruar All-llahu: kapuni për xhematin, dëgjoni dhe respektoni, bëni hixhre dhe xhihad në rrugë të Zotit “. (Sahih, Ahmedi).
7- Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, pyet:
“A e dini cili është grupi i parë që hyn në xhennet?”. Thanë: All-llahu dhe Pejgamberi e dinë.
Tha:
“Në ditën e Kijametit muhaxhirët vinë te dera e xhennetit dhe kërkojnë që t’ju hapet. Shërbëtorët e xhennetit do të thonë: a jeni llogaritur a? ata do të thonë: për çka të llogaritemi? I kemi pasur shpatat në supet tona deri në vdekje. Do tu hapet dera e xhennetit, e do të pushojnë atje katërdhjet vjet para se të hyjnë njerëzit në xhennet”. (Hakimi, sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, këtë e thotë edhe Dhehebiu).
8- Xhabiri radijall-llahu anhu, tregon se një ditë erdhi te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, Tufejl ibn Amr ed-Dusiu, e i tha: o i Dërguar i Zotit, a dëshiron fortifikatë të fuqishme dhe mbrojtje? Një fortifikatë që kishin fisi Deus në injorancë. Mirëpo Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e refuzoi një gjë të tillë, gjë të cilën ua kishte rezervuar All-llahu ensarëve. Kur u shpërngul Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në Medinë me te u shpërngul edhe Tufejl ibn Amri, me to u shpërngul edhe një njeri nga fisi i tij. Hyrën në Medinë. Ky njeri u sëmur dhe nuk duroi, mori një shigjetë të sprehur dhe i preu enët e gjakut, derisa edhe vdiq. Tufejl ibn Amri e pa në ëndër në formë të mirë dhe me duar të mbuluara. I tha: çka bëri me ty Zoti yt? Tha: ma fali për shkak të hixhretit tim te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem”. (Muslimi në kapitullin: “Ai që ban vetvrasje nuk ban kufër”).
Llojet e hixhretit
Mund ta ndajmë hixhretin në dy lloje:
1- Hixhret shpirtëror:
Që domethënë shpërngulja nga kufri në Islam, nga bidati në sunnet, nga mëkati në adhurim, edhe kjo është rezultat i hixhretit te All-llahu dhe Pejgamberi, sepse hixhreti te All-llahu realizohet me besim në te, me tevhid, me frikë, shpresë dhe dashuri ndaj Tij, me ikje nga shirku i madh e i vogël, largimi nga mëkatet e mëdha dhe të vogla, shpeshtimin e istigfarit dhe pendimit, për ta ripërtërirë hixhretin, çdo herë që i dobësohet ecuria në këtë rrugë. Andaj çelësi i shpëtimit është tevhidi dhe istigfari. Kurse hixhreti te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, realizohet duke e pasuar Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke e arbitëruar ate, duke iu referuar atij dhe duke i dhënë përparësi para të gjitha epsheve, mendimeve dhe shijeve dhe duke i refuzuar bidatet dhe shpikjet, të cilat skanë lidhje me Islamin.
2- Hixhreti fizik:
Hixhreti fizik nënkupton:
a) Hixhreti te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në Medinë dhe kjo është hixhreti më i ndershëm dhe më i miri.
b) Hixhreti nga shtëpia e kufrit në shtëpinë e Islamit dhe vendimi i këtij hixhreti dallon me dallimin e gjendjes dhe situatës.
c) Hixhreti i mëkatarëve dhe bidatçive duke u larguar prej tyre dhe duke i izoluar në shenjë edukimi të tyre dhe duke e mbrojtur shoqërinë prej tyre.
d) Hixhreti në Sham në kohën e mbramë, kur do të shfaqen telashet dhe sprovat.
Abdull-llah ibn Amri tregon: kam dëgjuar Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë:
“Do të ketë hixhret pas hixhreti, njerëzit më të mirë në ruzullin tokësor është ai që kapet për vendin ku ka bërë hixhret Ibrahimi, alejhis-selam, atëherë do të mbeten në ruzullin tokësor njerëzit më të prishur, ata do ti gëlltitë toka e tyre, njerëz të degjeneruar, të cilët All-llahu do ti ringjallë me majmunat dhe derrat”. (Hasen, Ebu Davudi).
Vendimi i hixhretit
Hixhreti nga vendi i kufrit në vendin e Islamit dallon me dallimin e gjendjes së njerëzve që qëndrojnë në vendin e kufrit:
a) Mund të jetë obligativ. Për ate që ka mundësi të shpërngulet dhe nëse nuk ka mundësi të publikon fenë e tij atje ose nuk ka mundësi t’i realizojë obligimet e fesë atje. Argument për këtë është ajeti Kur’anor ku All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Engjëjt që ua morën shpirtin e atyre që ishin mizorë të vetvetës ju thanë: “Në çka ishit ju? – Ata thanë: “Ne ishim të paaftë në atë tokë!” (engjëjt) ju thanë: “A nuk ishte e gjërë toka e All-llahut e të migronit në të?” (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit). Vendi i tyre është xhehennemi dhe sa vend i keq është ai!”. (En-Nisa: 97).
Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Unë distancohem nga ai musliman që qëndron në mesin e mushrikëve (idhujtarëve). Zjari i tyre nuk duhet të shihet”. (hasen, Ebu Davudi).
Kuptimi i hadithit është që muslimani dhe idhujtari nuk duhet të jenë aq afër saqë të shihet zjari i njëri tjetrit. Pasiqë kyerja e obligimeve të fesë së tij është obligim, e nëse një obligim nuk kemi mundësi të plotësojmë ndryshe përveç se në një mënyrë të caktuar, atëherë edhe ajo mënyra është obligim.
b) Ky obligim bjer nga ai që është i sëmurë, ose i detyruar, ose i dobët, siç janë gratë e fëmijët. I paafti, për të nuk ka hixhret, sepse All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Përveç atyre që ishin të paaftë nga burrat, grat e fëmijët që nuk kishin mundësi të gjenin, as mënyrë, as rrugë (për shpërngulje). Atyre do t’iu falë All-llahu. All-llahu është që shlyen e falë shumë (gabime)”. (En-Nisa: 98- 99).
c) Është e pëlqyeshme për njeriun që ka mundësi të shpërngulet, mirëpo edhe e publikon fenë e tij dhe i kryen obligimet në atë vend të kufrit. Për këtë njeri është e pëkqyeshme shpërngulja që të ketë mundësi ti luftojë ata dhe që ta shumojë numrin e muslimanëve dhe tu ndihmojë atyreve, të ikë nga shtimi i jomuslimanëve, përzierja me ta dhe shikimi i negativiteteve mes tyre. Për këtë njeri nuk është obligim, pasiqë ka mundësi të publikojë fenë dhe ti kryej detyrat fetare pa u shpërngulur.
Abasi, axha i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, qëndroi në Mekë, para se të çlirohej, edhe pse ishte musliman. (shiko: “El-Mugni”, 13/ 151).
Nëse thuhet se çka është rregulli për publikimin e fesë?
Do të përgjigjemi me atë që ka thënë Shejh Muhamed ibn Ibrahim, Alu Shejh: “publikim i fesë nuk është thjesht vetëm falja e namazit dhe degëve tjera të fesë, ikja nga harami, qoftë kamatë ose ndonjë gjë tjetër, por publikim i fesë domethënë publikim i tevhidit dhe distancim nga gjendja e idhujtarëve, siç është idhujtaria në adhurim e shumë lloje tjera të kufrit dhe devijimit”. (Fetava ve resail semahati shejh Muhamed ibn Ibrahim”, 1/ 91- 92).
Disa dijetarë mendojnë se disa herë është e pëlqyeshme me qëndru në vendin e kufrit, nëse prej këtij qëndrimi ka dobi Islami ose muslimanët. Autori i librit “Mugnil-Muhtaxh” tregon se hyrja në Islam i Abbasit, radijall-llahu anhu, ka qenë para betejës së Bedrit, mirëpo ai e mbante këtë gjë sekret dhe i shkronte Muhammedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ku ia tregonte lajmet e idhujtarëve, kurse në Mekë muslimanët mbroheshin me autoritetin e tij. Ai dëshironte të shkojë te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem,, kurse ky i tha: qëndrimi yt atje është më mirë”. Pastaj publikoj islamin ditën e çlirimit të Mekës. (shiko: “Mugnil-Muhtaxh”, 4/ 239).
Pa dyshim se kjo nuk vlen për secilin njeri, sepse shumica e njerëzve shumë shpejt binë nën ndikimin e mosbesimtarëve, sidomos në këtë kohë kur mosbesimtarët dominojnë në botë. Në këtë kohë shumica e muslimanëve nxitojnë me të madhe në imitimin e mosbesimtarëve duke jetuar ne botën islame, e mos të flasim për ata që jetojnë në mesin e tyre, pa dyshim se sprovimi me ta do të jetë më i madh, kurse vendimet e fesë ngriten mbi të përgjithsmen dhe të zakonshmen e jo në të rrallën dhe përjashtimin.
Pra hixhreti qenka krejtësisht një shkollë në vehte, që duhet kuptuar dhe mësuar prej sajë, e nuk mjaftohet vetëm me festime ceremoniale dhe përkujtime të thata.
E lusim All-llahun e Lartmadhërishëm që të na e mësojë fenë, të na i shtojë veprat e mira, të na mbrojë nga sprovat që i dimë e që nuk i dimë, të na dhurojë sinqeritet në fjalë e vepra dhe të na bëjë nga banorët e xhennetit, e të na mbrojë nga zjari i xhehenemit.
Përgaditi: Bekir Halimi
Bekir Halimi,
20.2.2004