Ndodhia e hixhretit është një ndodhi madhështore. Për kronologjinë e sajë shpjeguam në hytbën e kaluar. Ndërsa sot do të mundohemi të nxjerrim mësimet dhe dobitë e kësaj ngjarje. Por, para se të fillojmë me mësimet e hixhretit, do të shpjegojmë disa nga kuptimet e fjalës hixhret.
Hixhreti në kuptimin fetarë nuk është vetëm shpërngulja nga një vend në një vend tjetër, ose braktisja e vendlindjes në një vend tjetër. Por, hixhret do të thotë braktisje e çdo gjëje që Allahu ka ndaluar, braktisje e mëkateve, braktisje e punëve të liga, braktisje nga pasimi i epshit, braktisje nga dyshimet e shumta, braktisje e vendeve ku veprohen punë të liga, braktisje nga ngushtimi i kësaj bote në gjerësinë e ahiretit.
I Dërguari i Allahut thotë: “Mysliman i vërtetë është ai nga dora dhe gjuha e të cilit të tjerët janë të shpëtuar. Ndërsa muhaxhir i vërtetë është ai i cili braktis dhe largohet nga ajo që Allahu ka ndaluar”.
Ndodhia e hixhretit është e mbushur plotë me mësime dhe këshilla që na bëjnë dobi në jetën tonë.
Prej mësimeve të hixhretit janë:
– Thuaj jo pesimizmit
I Dërguari i Allahut qëndroi në Meke trembëdhjetë vite duke i thirr njerëzit në besimin në Allahun. Nuk besuan në të vetëm se një pakicë. Gjatë këtyre viteve jetoj në trysni dhe pengesa të shumta. Ai me shokët e tij disa herë shijuan dënime të dhembshme, por kjo nuk e largoi nga misioni i tij. Kjo sakrificë, Pejgamberit dhe shokëve të tij i shtoi edhe më shumë vendosmërinë dhe bindjen. Nga të gjitha këto trysni ai nuk u dorëzua, filloi të kërkoj zgjidhje alternative. Shkoi në Taif në kërkim të një vendi më të sigurt për misionin e tij. Por, aty u ballafaqua me një situatë të rëndë dhe të pa pritur. U keqtrajtua, u poshtërua dhe u gjuajt me gurë. Doli prej Taifit i dëbuar, i mërzitur. Edhe pse kishte kaluar të pesëdhjetat, synimet e tij të larta për ta vazhduar misionin e tij nuk ndaleshin. Filloi ta paraqes vetën e tij në te të gjitha fiset, gjatë sezonit të haxhit,duke ju thënë: “ a nuk ka ndonjë njeri që më strehon mua te populli i tij, sepse, Kurejshitët po më pengojnë që ta kumtoj fjalën e Zotit tim”. I Dërguari i Allahut vazhdoi kështu gjersa Allahu hapi gjokset e banorëve të Medinës, pranuan islamin dhe e ftuan Pejgamberin në vendin e tyre për ta zgjeruar misionin e tij. Jo vetëm që i ofruan strehim, por edhe i garantuan siguri, sikur ai të jetë prej banorëve vendas të Medinës. Kështu duhet të jetë besimtari. Ti tejkaloj çdo sprovë dhe çdo sfidë. Besimtari duhet të jetë aktiv dhe i vendosur në misionin e tij. Atë nuk guxon ta kaploj pesimizmi, në çfarëdo situate që gjendet. Me durim, bindje dhe i vendosur në misionin e tij, do të dal fitimtarë. Allahu thotë: Sigurisht, Ne do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe besimtarët, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Ditën, kur do të sillen dëshmitarët. (Gafir 51).
– Mbështetu në Allahun dhe kapu për litarin e Tij
Ky udhëtim i Pejgamberit ishte i mbushur plotë me rreziqe. Shpatat e djelmoshave kurejshit kishin rrethuar Pejgamberin në shtëpinë e tij. Mes tij edhe këtyre djelmosha i ndante vetëm dera e shtëpisë. Gjatë qëndrimit në shpellë, ndjekësit ishin mbi shpellë, mjaftonte një shikim te këmbët e tyre për ta hetuar Pejgamberin. Pas largimit nga shpella, kalorësi Suraka kishte zbuluar vendin e Pejgamberit dhe ishte vënë në ndjekje të tij. Afrohej aq afër te Pejgamberi sa që dëgjonte zërin e Pejgamberit duke lexuar Kuran. I Dërguari i Allahut në të gjitha këto situata të rënda, kishte një mbështetje të plotë , se Allahu do ta ndihmoj atë. Fjala e tij e vetme gjatë këtyre situatave ishte “ mos u pikëllo se Allahu është me ne”. Mbështetja në Allahun është rruga e garantuar e fitores. Besimtari nuk duhet ta harroj asnjëherë se gjithmonë ai ka nevojë për mbështetje në Allahun. Vetëm Allahu është Ai i Cili është në ndihmën e robit të Tij, kur ai ka nevojë. Njihe Allahun në rehati, Ai të njeh ty në vështirësi.
– Ja mrekullitë e Allahut
A keni parë ndonjë njeri i rrethuar nga armiqtë, të kaloj para tyre dhe ata mos ta shohin, të vendos mbi kokat e tyre dhe, dhe ata mos ta hetojnë fare? A keni parë merimangën ta lëshon rrjetin e saj në derën e shpellës, për një moment të caktuar? A keni par armiqtë të qëndrojnë mbi shpellë, te dera e shpellës dhe mos ti shkoj mendja askujt të shikoj te këmbët e tij? A keni parë ndonjë kalorës në ndjekje të dikujt, të ecë mbi një tokë të fort , të thatë dhe për momentin ti fundosën këmbët e kalit në tokë. Këto mrekulli të Zotit janë argumenti më i fortë që tregon fuqinë e Allahut. Nëse Allahu dëshiron ta ndihmoj robin e Tij thyen ligjet e natyrës. “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet. (Jasin 82).
– Kështu duhet të jetë dashuria
Ka thënë i Dërguari i Allahut: “ nuk ka arrit dashurinë e vërtetë asnjëri prej jush gjersa unë të jem më i dashur te ju se fëmija, prindi dhe njerëzit në përgjithësi. Kjo dashuri e shtyri Ebu Bekrin të qajë nga gëzimi për shoqërimin e Pejgamberit. Kjo dashuri bëri Ebu Bekrin që ta përballoj edhe kafshimin e akrepit në shpellë, sepse i Dërguari i Allahut flinte në prehrin e tij. Kjo dashuri bëri që Ebu Bekri të vendos vetën e tij, familjen dhe tërë pasurinë në dispozicion të Pejgamberit. Kjo dashuri i nxirrte banorët e Medinës në vapën përvëluese të mesditës, ku trupi digjej nga vapa e madhe, për ta prit të Dërguarin e tyre.
– Kështu duhet të jetë dashuria për vendin tënd
Kur i Dërguari i Allahut mori rrugën e shpërnguljes nga Meka, kur doli në periferi të saj, ktheu sytë kah vendi i tij dhe tha: “ Pasha Allahun, ti je vendi më i mirë që Allahu të ka zgjedh. Dhe vendi më i dashur te Allahu. Sikur populli im të mos më nxirrte nga ky vend, asnjëherë nuk do të largohesha nga ky vend”. Sa mendojmë ne për vendin ton? Sa kontribuojmë për vendin ton? Sa kujdesemi për popullin dhe pasurinë e vendit ton? Për shumë prej nesh populli është bërë mundësi për të manipuluar me ta dhe për ti arrit qëllimet tona personale. Për shumë prej nesh pasuria e vendit është bërë mundësi për tu pasuruar ne në formë të paligjshme. Kjo është tradhtia e vërtetë ndaj popullit dhe vendit tënd. I Dërguari i Allahut u largua nga vendi i tij, qëndroi në Medine dhjetë vite, vetëm me një qëllim, që një ditë të kthehet në vendin e tij dhe ta çliroj nga zullumi dhe padrejtësitë që kishin kapluar vendin e tij.
– Mendjemprehtësia dhe planet e Pejgamberit
I Dërguari i Allahut kishte një mbështetje të plotë në Zotin e tij, ishte i bindur në fitoren e Tij. E dinte se Allahu do ti ndihmoj. Por, me gjitha këto ai bëri një projekt, një planë se si të zbatohet ky udhëtim. Udhëheqës ishte Muhamedi alejhi selam. Ndihmëtarë ishte shoku i tij Ebu Bekri. Ai i cili duhej të flijohej ishte Aliu. Ajo e cila i sillte ushqimin ishte Esma, bija e Ebu Bekrit. Për ti sjell lajmet e kurejshitve kishte zgjedh Abdullahun, djalin e Ebu Bekrit. Për të mbuluar gjurmët e Esmas dhe Abdullahit kishte bariun i cili vinte me del dhe mbulonte gjurmët e tyre. Për udhërrëfyes kishte zgjedh Abdullah b. Urejkit. I Dërguari i Allahut e dinte se jobesimtarët do të vihen në kërkim të tij dhe për qëndrim të përkohshëm zgjodhi shpellën. Takimi i nisjes nga shpella ishte pas tre ditëve. Për rrugë kishte zgjedh anën bregdetare, jo rrugën e zakonshme që të shpie në Medine. Të gjitha këto dëshmojnë për mendjemprehtësinë e Pejgamberit. Kjo është një thirrje në planin dhe projektin që duhet të bëjë besimtari kur synon të arrij deri te një qëllim. Ti marr shkaqet më të lehta dhe më të favorshme dhe pastaj të mbështetet te Allahu, Krijuesi i shkaqeve.
– Kështu duhet të jetë sinqeriteti në jetë
Ebu Berki për shpërnguljen e Pejgamberit kishte përgatitur çdo gjë, vetën e tij, familjen e tij dhe pasurinë e tij. Kur Ebu Bekri i afroi devenë Pejgamberit, ai nuk prano përveç se me qira. A thua pse Pejgamberi nuk pranoi devenë e Ebu Bekrit, përveçse me çmim, me qira?! Sepse, shpërngulja e Pejgamberit ishte një adhurim dhe zbatim i urdhrit të Allahut. Dëshironte që ky udhëtim të jetë prej pasurisë së tij,që të realizohet sa më shumë sinqeriteti në këtë udhëtim.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati,