Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Pjesa e parë

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë.Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që keni besuar, kini frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni vetëm se duke qenë muslimanë!” Ali Imran, 102.

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.” Nisa, 1.

“O ju besimtarë, kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” Ahzab, 70-71.

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

Vëllezër dhe motra besimtarë! Vërtet kemi përmendur në shumë rytbe për sëmundjet që ka umeti islam. Një prej sëmundjeve të rrezikshme e cila e ka dëmtuar dhe do ta dëmtojë umetin islam, nëse ai nuk kthehet drejt parimeve dhe bazave të Islamit, është hipokrizia.

Në ambientet shoqërore, në ambientet vëllazërore apo në ambiente të ndryshme familjare ne mund t’i shprehemi njeri-tjetrit me terma: ti je hipokrit, ti je kështu e të tjera të ngjashme me to. Por, nëse do të kthemi në bazën tonë, në Islamin e Muhamedit -salallahu alejhi ue selem-, do të shikojmë se hipokrizia është një ndëshkim i madh që Allahu aze ue xhel e ndëshkon atë, i Cili thotë: “Me të vërtetë, hipokritët janë në shtresën e fundit të zjarrit (të xhehenemit).”

Duke parë në këtë ajet, çdokush prej nesh duhet që të tregojë kujdes, jo vetëm në mënyrën e të etiketuari ndaj tjetrit, por duhet të tregojë kujdes se a është brenda parimeve të Islamit, pasi nëse nuk do të jetë në to mundet që të jetë brenda një hipokrizie.

Por ç’thonë dijetarët?

Bilal bin Sad –Allahu e mëshiroftë!- thotë: “Hipokrizi është që të flasësh me atë çka njihet, të flasësh atë që është e vërtetë dhe të veprosh atë që është e urryer.”

Çdokush prej besimtarëve duhet që ta ketë në qendër të vëmendjes këtë lloj sëmundje, e cila ka vetëm rrugëdalje kthimin e pastër në rrugën e Allahut aze ue xhel, pasi nëse do të futemi në rrjedhën e parimeve të Islamit, do të shohim se na janë holluar dhe cilësitë e hipokrizisë .

Ebu Hurejra -kënaqësia e Allahut qoftë me të!- thotë se ka thënë Profeti -salallahu alejhi ue selem-: “Shenjat e hipokrizisë janë tre (në një transmetim tjetër thuhet se janë katër): kur flet gënjen, kur premton nuk e mban premtimin, kur i besohet diçka tradhton.” Buhariu.

Ndërsa Muslimi shton se edhe sikur të agjërojë, edhe sikur të falet, edhe sikur të jetë prej muslimanëve, në qoftë se i ka këto cilësi, ai ka cilësitë e munafikut, ka cilësitë e hipokritit.

Pra, duhet të kemi kujdes, pasi kjo lloj hipokrizie, kjo lloj sëmundje, është me të vërtetë sëmundje e rrezikshme, është dëm i madh, pasi disa prej dijetarëve, prej tyre Zejd el Ensarij thotë: “Hipokrizia është të hysh në Islam me një pamje dhe të dalësh prej tij me një pamje tjetër.”

Ndërsa unë do të përmend përkufizimin e saj siç e kanë thënë dijetarët islamë, të parët tanë që e kanë zbërthyer në mënyrë të hollësishme, me qëllim që çdokush prej nesh të largohet prej kësaj sëmundjeje. Por, çfarë është ajo? Hipokrizia është të shfaqësh Islamin dhe të fshehësh kufirin, të fshehësh mohimin. Të veprosh vepra të dukshme, siç ishte njëherë Profeti -salallahu alejhi ue selem- duke u lidhur në namaz, ku pas tij në saf ishte një malësor. Profeti -salallahu alejhi ue selem- ishte në kohën kur do të merrte tekbirin fillestar. Ky personi malësor, para se të lidhej tha: “O Zot, më mëshiro mua dhe Muhamedin, asnjë tjetër.” Pasi Profeti -salallahu alejhi ue selem- mbaroi namazin, dha selamin, i tha këtij personi: “Pse e ngushton mëshirën e Allahut?” Pra, mëshira e Allahut është e madhe, por ajo ishte thjesht një syefaqësi, sepse thotë Allahu aze ue xhel: “Ka prej njerëzve që thonë: ‘Ne besuam Allahun dhe Ditën e Gjykimit’,  por në të vërtetë ata nuk janë prej besimtarëve. Kërkuan që të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë nuk kanë mashtuar askënd, vetëm se vetveten e tyre. Në zemrat e tyre ka sëmundje dhe Allahu këtë sëmundje ua shton edhe më tepër dhe ata kanë dënim te dhembshëm” Pra,  ata Allahu jo vetëm që i mashtoi, por i dha edhe dënim të dhembshëm. Pse? Sepse i thanë Allahut aze ue xhel, kur i tha Allahu: “Mos bëni shkatërrime në tokë. Ata thanë: ‘Ne jemi rregullues’.” Allahu u tha: “Ju jeni shkatërruesit në tokë.”

Ju shpeshherë keni dëgjuar për hipokrizinë (ai që i njeh parimet e Islamit arrin që ta konceptojë atë shumë shpejt). Keni dëgjuar se sa herë e sa herë është folur me urrejtje kundrejt besimtarëve të sinqertë, sa herë e sa herë është folur për Islamin e vërtetë dhe asnjëherë nuk është ndjekur ky Islam i vërtetë. Vetëm e vetëm shfaqin një lloj hipokrizie që të duam njerëzit dhe të na duan njerëzit dhe të harrojmë dashurinë e Allahut aze ue xhel, vetëm e vetëm të fitojnë kënaqësinë e njerëzve. Sa herë e sa herë janë ofenduar dhe sharë besimtarët e sinqertë me shprehje nga më të ndryshmet, si terroristë, mjekrroshë etj., vetëm e vetëm që moshat e mëdha (pleqtë) të urrenin besimtarët e sinqertë.

Mos harroni diçka: vërtet hipokrizia është një sëmundje  e tmerrshme, por ai i cili është i sinqertë tek Allahu aze ue xhel, di që të largohet prej saj, do të mbrohet prej saj, do ta mbrojë Allahu  aze ue xhel ashtu sikurse mbrojti Muhamedin -salallahu alejhi ue selem-.

Le të shikojmë se çfarë ndodhi në kohën e Muhamedit -salallahu alejhi ue selem- midis ensarëve[1] dhe muhaxhirëve, në kohën kur shkuan muhaxhirët[2] nga Meka në Medine, në kohën që kishin nevojën më të madhe për medindasit, doli koha e munafikëve Abdullah bin Ubejd bin Sulul. Në kohën kur kishin nevojë muhaxhirët Bin Sulul nuk pranonte që t’u jepej ndihma, vetëm e vetëm që Muhamedi -salallahu alejhi ue selem- të ngushtohej, të ngushtohej e vërteta, jo vetëm Muhamedi -salallahu alejhi ue selam- si individ, por ajo që përcillte Muhamedi -salallahu alejhi ue selem-. Kur Profeti  -salallahu alejhi ue selem- u kthye nga lufta, Zejd bin Arkam i shkon pranë Profetit -salallahu alejhi ue selam- dhe i thotë se kështu e kështu ka vepruar Bin Sulul. Profeti -salallahu alejhi ue selam- mori Bin Sululin dhe i përballi njeri me tjetrin dhe i tha se ke vepruar këtë e këtë, por ai nuk e pranoi. Atëherë u quajt mashtrues Zejd bin Arkam, i cili nga kjo u izolua në shtëpi dhe thoshte se nuk dal më në rrugë sepse do më thonë njerëzit mashtrues. Një ditë prej ditësh Allahu i Lartësuar i nxori të vërtetën. Ka zbritur një ajet kuranor vetëm për këtë çështje: “Kur të erdhën ty hipokritët, të thanë: ‘Ne dëshmojmë se vërtet ti je i dërguar i Allahut!” E, Allahu e di se ti je i dërguar i Tij, por Allahu dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë”. Munafikun, 1.

Menjëherë pas kësaj Profeti -salallahu alejhi ue selem- dërgoi njerëz tek Zejd bin Arkam që t’i thonë se Allahu e ka nxjerrë në shesh të vërtetën.

Allahu i Lartësuar do ta ndihmojë të vërtetën, por kush e merr këtë sëmundje, ai nuk shpëton dot prej Allahut në shtresën e fundit të zjarrit të xhehenemit. Munafikët mundohen ta mashtrojnë Allahun e Lartësuar, por Allahu i Lartësuar i zhyt ata në mashtrimin e tyre. Si i zhyt? Shumë e lehtë: kur ngrihen për të falur namazin ngrihen me përtesë, me qëllim që t’i shohin njerëzit, me qëllim që njerëzit të thonë: ja, ky falet, ky adhuron, ky agjëron. Kjo është prej llojit të hipokrizisë. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Hipokritët dhe hipokritet janë miq të njeri-tjetrit”. Përse janë miq të njeri-tjetrit, sepse urdhërojnë për të këqija dhe ndalojnë nga të mirat, siç thotë Allahu i Lartësuar. Por çfarë ndodh? Ata e harruan Allahun dhe Allahu i harroi ata, sepse hipokritët janë të pabindur , kanë dalë prej rrugës së Allahut të Lartësuar.

I lutem Allahut të Lartësuar të na mbrojë nga kjo sëmundje!

Pjesa e dytë

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e tij të fundit, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër besimtarë! Nëse duan të jemi të sinqertë para Allahut të Lartësuar, nëse duam që të jemi të sinqertë për çdo vepër që kryejmë, duhet patjetër që ne jo të etiketojmë njeri-tjetrin si hipokritë, por duhet të  mbrojmë njeri-tjetrin që të largohemi prej hipokrizisë, duhet që të largohemi prej mbrojtjes së hipokrizisë, pasi Allahu i Lartësuar kur merr në ndëshkim hipokritin merr në ndëshkim edhe mbrojtësin e hipokritit.

Çdokush prej nesh duhet të ketë kujdes, duhet t’i frikësohet Allahut në veprimet e tij që kryen, pasi shumë dijetarë kanë thënë se hipokrizia është t’i frikësohet robit trupit dhe mos t’i frikësohet zemra. Kjo është me të vërtetë sëmundje për të ardhur keq. Të frikësohet trupi e mos të frikësohet zemra është me të vërtetë për të ardhur keq.

Tek hipokritët do të ndeshni gjëra që duken interesante kur ata zbukurojnë shprehitë e tyre, por ne duhet të tregohemi të kujdeshmë dhe të matur, sepse kështu na këshillon Allahu, Profeti -salallahu alejhi ue selem-, kështu na këshillojnë dhe ndjekësit e profetit -salallahu alejhi ue selem-, të parët tanë.

Pra, urtësia mbi të gjitha, të tregohemi durimtarë, pasi ata të cilët hipokrizinë e tyre e kanë bazën e besimit të tyre, natyrisht që, ne nuk do t’i përgjigjemi me të njëjtën me hipokrizi, do t’i japi përgjigje Allahu i Lartësuar.

Çdokush le t’i lutet Allahut të Lartësuar që hipokritët të marrin ndëshkimin e Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër. Për ta ka shpëtim, siç thotë Allahu, nëse pendohen sinqerisht tek Allahu.

I Lutem Allahut të na falë gjynahet dhe gabimet, të na udhëzojë në rrugën e drejtë, në rrugën e të parëve tanë. I lutem Allahut të na bashkojë në xhenet dhe t’i ndihmojë besimtarët kudo që ndodhen.

Përgatiti: Tomor Boriçi

Burimijetes.com

19.10.2007


[1]Medinasit u quajtën ensarë.

[2]Ata që erdhën nga Meka për në Medine u quajtën muhaxhirë.


Pin It

Burimi