Të dashur xhematlinjë! Haxhi është njëra ndër shtyllat e Islamit dhe është obligim për çdo mysliman që ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë. Thotë Resulullahi: “Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla): Mbi dëshminë se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, kryerjen e haxhit, dhe në agjërimin e muajit të Ramazanit.”
Shkuarja në Mekë, për ta vizituar Qabenë, në ditë të caktuara, duke iu përmbajtur dispozitave të caktuara, quhet Haxh.
Qabeja është kible dhe udhërrëfim për mbarë njerëzimin
Qabeja është qendër ku myslimanët mblidhen një herë në vit. Myslimanët nga të gjitha anët në namazet e tyre kthehen në drejtim të qabesë. Ajo është kible dhe orientim për çdo mysliman.
إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِي بِبَكَّةَ مُبَارَكًا وَهُدًى لِّلْعَالَمِينَ فِيهِ آيَاتٌ بَيِّنَاتٌ مَّقَامُ إِبْرَاهِيمَ ۖ وَمَن دَخَلَهُ كَانَ آمِنًا
“Sigurisht, shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo në Mekë, e bekuar dhe udhëzuese për mbarë njerëzimin. Në të ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit. Dhe kush hyn në të, është i sigurt.”
Haxhi obligohet një herë në jetë!
Haxhi në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut është një ibadet që lidhet me pasurinë dhe me trupin. Allahu e ka bërë të detyrueshëm një herë gjatë jetës së njeriut.
وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنِ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلًا ۚ وَمَن كَفَرَ فَإِنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ عَنِ الْعَالَمِينَ
“Njerëzit që kanë mundësi të përballojë rrugën, duhet ta vizitojnë këtë shtëpi për hir të Zotit. E kush mohon, atëherë Allahu nuk ka nevojë për askënd”.
Kryerja e haxhit është obligim një herë gjatë jetës, nëse personi i ka mundësitë për një gjë të tillë. I Dërguari i Allahut ka thënë: “O ju njerëz, Allahu ju ka nderuar juve me kryerjen e haxhit, andaj kryejeni atë.” Njëri nga të pranishmit tha: “A nënkupton çdo vjet, o i Dërguar i Allahut?” i Dërguari heshti derisa personi i njëjtë këtë pyetje e bëri tre herë. E pas kësaj i Dërguari i Allahut tha: “Sikur të thosha “po”, do të bëhej obligim, ndërsa ju nuk mund ta kryenit.”
Megjithëse është obligim një herë në jetë, ky obligim nuk duhet shpërfillur e nuk duhet vonuar, mirëpo duhet kryer atëherë kur janë mundësitë për një gjë të tillë.
Haxhi llogaritet prej punëve më të mira
S’ka dyshim se haxhi është një vepër e madhe dhe me shpërblim të madh. Ebu Hurejre përcjell se i Dërguari i Allahut është pyetur se cila është vepra më e mirë, e ai iu përgjigj: “Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij!” Pastaj u pyet prapë se cila vjen pas besimit, e i Dërguari iu përgjigj: “Lufta dhe angazhimi në rrugën e Allahut!” Pastaj cila vjen pas tij, pyeti pyetësi, përderisa i Dërguari i Allahut ia ktheu: “Haxhi i pranuar!”
I Dërguari i Allahut e ka sqaruar vlerën e madhe të haxhit në hadithin:
مَنْ حَجَّ فَلَمْ يَرْفُثْ وَلَمْ يَفْسُقْ رَجَعَ كَمَا وَلَدَتْهُ أُمُّهُ
“Ai që e kryen haxhin dhe nuk bënë veprime të pahijshme dhe as mëkate, ai kthehet (në gjendjen) sikur ditën kur e ka lindur nëna”
A ka diç më me vlerë se sa një vepër e cila e kthen njeriun në origjinën e tij ashtu siç e ka krijuar Allahu, pa mëkate dhe pa gabime. E ja ky është haxhi që nëse kryhet si duhet, atëherë njeriun e pastron dhe nuk i lë mëkate.
Në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut na tregoi se ai që e kryen haxhin në formën më të mirë të mundshme, duke e ruajtur veten nga mëkatet dhe gjërat tjera të këqija, për të nuk ka shpërblim tjetër përpos xhenetit!
العمرة إلى العمرة كفَّارة لِما بينهما، والحجُّ المبرور ليس له جزاء إلاَّ الجنَّة
“Pasimi i umres me umre i shlyen ato (gjynahe) që janë mes tyre, kurse për haxhin mebrûr (të kryer mirë) nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit!”
Allahu na mundësoftë ta kryejmë haxhin