“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)…” (Surja Bekare, ajeti 185)

Ky ajet përfshin atë për të cilën është në të vërtetë Kurani: argument dhe udhëzim. Pasi të besojmë në Allahun e Madhërishëm dhe në Profetin Muhamed ﷺ, shikojmë nga Kurani dhe suneti për udhëzim për të maksimizuar veprat tona të mira dhe për të fituar kënaqësinë e Krijuesit tonë.

Tani mendo pak: kur dëshiron të afrohesh me një person, përpiqesh të jesh sa më shpesh aty për të kaluar kohë cilësore me të. Do të siguroheni që të kapni çdo fjalë që ata thonë në mënyrë që të kuptoni se çfarë po përqojnë. Ky shembull është vetëm sa për ilustrim pasi marrëdhënia jonë me Allahun e Lartësuar është e pakrahasueshme me atë që kemi me qeniet njerëzore; megjithatë, kur kërkojmë t’i afrohemi Atij ne duhet të përqendrohemi në kalimin e kohës cilësore sa më shpesh të jetë e mundur me Librin e Tij.

Në Ramazan, shumë prej nesh përpiqen ta bëjnë këtë. Ne e fillojmë Ramazanin plot energji dhe padurim për të hequr shpërqendrimet, në mënyrë që të mund t’i kushtojmë vëmendjen tonë të pandarë zhvillimit të besimit dhe të kuptuarit tonë. Disa njerëz luftojnë për të gjetur këtë eksitim sepse nuk e kanë idenë se ku të fillojnë. Edhe ata që fillojnë me zell, shohin një rënie të këtij entuziazmi me kalimin e ditëve.

Gjëja e parë që duhet të bëni në lidhje me këtë: duhet të mbani mend që vazhdimisht t’i kërkoni Allahut që të drejtojë mendjen dhe zemrën tuaj që të keni një kuptim të pastër të Fjalëve të Tij. Njëlloj, është jetike të kontrolloni dhe rinovoni synimet tuaja për të lexuar, mësuar përmendësh dhe medituar mbi Kuranin.

“Vërtet, veprat vlerësohen sipas qëllimeve (nijeteve) dhe çdo njeriu i takon ajo që ka pasur për qëllim…” (Buhariu dhe Muslimi)

Ky hadith i famshëm është ai që u jep ngushëllim atyre që përpiqen të kuptojnë gjuhën dhe aftësinë e recitimit dhe të kuptuarit të Kuranit. InshaAllah, me qëllime të sinqerta, Allahu i Madhërishëm do t’ju ndihmojë të keni sukses në qëllimet tuaja dhe do t’ju shpërblejë me bollëk për to.

Kur mendojmë se si duhet t’i qasemi Kuranit në Ramazan, ka tre fusha kryesore në të cilat duhet të përqendrohemi: recitimi, memorizimi dhe reflektimi/ meditimi. Në këtë artikull, ne do të ofrojmë katër këshilla praktike për të praktikuar në Ramazan në secilën prej këtyre kategorive.

  • Leximi i Kuranit
  1. Vendosni qëllime dhe bëni një orar

Jetët e të gjithëve janë të ndryshme; disa janë punonjës me kohë të plotë, ndërsa të tjerët janë studentë ose prindër që qëndrojnë në shtëpi. Pavarësisht nga rrethanat tuaja, nuk duhet të bini në dëshpërim nga ideja e “mungesës së kohës” për të lexuar Kuranin. Cilësia e kohës që kaloni me Kuranin është shumë më e rëndësishme se sasia që e lexoni. Duke u nisur nga kjo, sigurohuni që të formuloni një orar që është i përshtatshëm për atë që jeni të zënë gjatë Ramazanit. Shkruani atë në ditarin tuaj ose në ‘kalendar Ramazani’ në të cilin mbani evidencë të aktiviteteve tuaja shpirtërore gjatë këtij muaji. Bazojeni këtë rreth qëllimeve tuaja; a dëshiron ta lexosh të gjithë Kuranin njëher? Ose më shumë? Dëshironi të përqendroheni më shumë në përsosjen e texhvidit tuaj sesa në recitimin e pjesëve të gjata? Sido që të vendosni, pasja e një plani të shkruar do t’ju ndihmojë të siguroheni që t’i rishikoni dhe t’i arrini rregullisht këto qëllime, inshaAllah.

  1. Jini të rregullt

Ne duhet të jemi realistë se sa jemi në gjendje të plotësojmë ose të bëjmë, duke pasur parasysh rrethanat tona. Sidoqoftë, është e rëndësishme të mbani mend hadithin e mëposhtëm:

Profeti ﷺ u pyet: “Cilat vepra janë më të dashura tek Allahu?” Ai tha: “Veprat e vazhdueshme edhe pse mund të jenë të pakta”. Ai shtoi: “Mos merrni përsipër, përveç veprave që janë brenda mundësive tuaja”. (Buhariu)

Pra, jini të rregullt në leximin tuaj, edhe nëse është 10 minuta (ose 1-2 faqe) në ditë. Kjo do të sigurojë që ju të gjeni kohë për Kuranin në baza ditore, dhe jo vetëm atëherë kur mendoni se keni një orë për t’ia kushtuar Kuranit. 10 minutat e rregullta mund të bëjnë një ndryshim të jashtëzakonshëm në aftësitë tuaja të leximit, të kuptuarit e Kuranit dhe mirëqenies së përgjithshme shpirtërore. Të kesh një sasi të caktuar në ditë do t’ju ndihmojë të arrini qëllimin tuaj në mënyrë të qëndrueshme. Ka aplikacione të disponueshme për t’ju kujtuar të lexoni dhe të bëni vepra të tjera të mira gjatë këtij muaji të bekuar. Kjo do t’ju ndihmojë gjithashtu të zhvilloni një zakon të leximit të përditshëm që do të vazhdojë pas Ramazanit, inshaAllah.

  1. Shoku

Nëse nuk jeni mësuar të lexoni rregullisht ose mendoni se nuk do t’i përmbaheni qëllimeve dhe planit tuaj, gjeni një shok. Të kesh dikë tjetër me të cilin lexoni ka shumë përfitime. Jo vetëm që po e ndihmoni njëri-tjetrin rregullisht për të fituar shpërblimin e përkujtimit të Allahut të Madhërishëm, ju gjithashtu jeni në gjendje të ndihmoni njëri-tjetrin me lexim dhe qëllime të tjera. Kjo është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyeshme për të kaluar kohë me dikë tjetër gjatë Ramazanit, duke bërë diçka që do t’ju rrisë shpërblimet në këtë botë dhe në botën tjetër.

  1. Gjeni një vend të qetë

Kur lexoni, përpiquni të gjeni një vend të qetë. Kur jeni në një vend që është shumë i zhurmshëm dhe ndikon në përqëndrimin tuaj gjatë leximit, ka më pak gjasa të përfitoni. Respektoni kohën që keni me Kuranin dhe largohuni nga çdo gjë që do t’ju shpërqendrojë ose do ta vështirësojë leximin tuaj. Kur të lexoni Kuran, bëjeni këndimin sa më të bukur, sepse Profeti ﷺ ka thënë:

“Zbukurojeni zërin kur lexoni Kuran.” (Nesaiu)

  • Memorizimi
  1. Bëni dua

Për të arritur çdo aspiratë, ne duhet të kërkojmë udhëzim dhe ndihmë nga Allahu i Madhërishëm pasi çdo gjë arrihet vetëm me vullnetin e Tij. Kur bëhet fjalë për mësimin përmendësh të pjesëve të Kuranit, kërkohet shumë durim dhe vetëdisiplinë. Gjithashtu kërkohet që ju të qëndroni modest dhe të përulur me arritjet tuaja. Të gjitha këto cilësi janë ato që duhet t’i kërkojmë vazhdimisht Allahut që të na ndihmojë t’i zhvillojmë dhe ruajmë. Me vullnetin e Tij jemi në gjendje t’i vulosim Fjalët e Tij në kujtesë, kështu që gjithmonë mbani mend që t’i drejtoheni Atij kur gjërat janë të vështira ose nuk shkojnë ashtu siç keni planifikuar. InshaAllah, me këtë në mendje, ju do të rriteni jashtëzakonisht shumë dhe do t’i arrini qëllimet tuaja të mësimit përmendësh të Kuranit.

  1. Mbani një ritëm të qëndrueshëm

Pavarësisht nëse planifikoni të mësoni përmendësh të gjithë Kuranin ose vetëm një sure, sigurohuni që të keni një ritëm të qetë dhe të strukturuar për të përfunduar memorizimin. Shpesh, ne fillojmë plot energji dhe përpiqemi të sprintojmë deri në fund. Përkundrazi, ne duhet ta trajtojmë udhëtimin tonë me Kuranin si një maratonë ku duam që energjia jonë të jetë konstante për një periudhë të gjatë kohore. Me fjalë të tjera, ne nuk duam ta djegim veten në gjysmë të rrugës duke mësuar përmendësh një sure të caktuar ose një pjesë të Kuranit. Keni një qasje të qëndrueshme dhe mos e shtyni veten shumë shpejt.

  1. Shoqërohuni me recituesit e njohur të Kuranit gjatë rrugëtimit tuaj

Dëgjimi i shpeshtë i Kuranit luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e tij në kujtesë. Gjeni recitues që kanë një ton të qartë dhe dëgjoni me një shpejtësi të ngadaltë deri në mesatare, në mënyrë që të dëgjoni shqiptimin e saktë për t’ju ndihmuar me qëllimet tuaja të memorizimit. Ka aplikacione dhe burime në internet të disponueshme ku mund të zgjidhni të dëgjoni disa ajete në mënyrë që të fokusoni memorizimin tuaj. Sa më shpesh t’i dëgjoni fjalët, aq më shumë ka gjasa që ato të mbeten në kujtesën tuaj.

  1. Kushtojini kohë përsëritjes

Sigurohuni që të lini kohë të mjaftueshme për të përsëritur dhe rishikuar ajetet dhe suret që keni mësuar përmendësh më parë. Ndonëse është e mrekullueshme të ecësh përpara dhe të mësosh përmendësh më shumë nga Kurani, kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të harrimit të asaj që tashmë është memorizuar. Jini të rregullt në përsëritjen tuaj, qoftë 10-15 minuta në ditë ose një ditë të tërë jashtë orarit tuaj të memorizimit. Për më tepër, lexoni rregullisht suret e ndryshme që i dini përmendsh në namaz ose në makinë ose bëni ndonjë punë pasi kjo është një mënyrë e dobishme për t’i mbajtur ato të freskëta në mendjen tuaj.

  • Reflektoni dhe përvetësoni
  1. Përveç leximit të ajeteve të Kuranit lexojeni edhe përkthimin dhe tefsirin

Ndërsa shpërblimet janë të pamasë për recitimin e Kuranit, ne duhet të sigurohemi se kuptojmë atë që kemi lexuar. Në fund të fundit, Kurani nuk është dërguar vetëm për t’u lexuar, por për të qenë udhërrëfyes për njerëzimin.

Transmetohet nga Abdullah Ibn Mesud Allahu qoftë i kënaqur me të në lidhje me gjendjen e selefit në raport me Kuranin: “Kur një njeri prej nesh mësonte dhjetë ajete (nga Kurani), nuk kalonte (në ajetet vijuese) pa e kuptuar domethënien t yre dhe pa filluar punën me to.” (Taberiu)

Këtë Ramazan sigurohuni që të lini kohë për të lexuar përkthimin dhe tefsirin e pjesës që keni recituar. Në mënyrë ideale, nëse kjo bëhet gjatë ose menjëherë pas recitimit, do të jeni në gjendje të reflektoni dhe të përvetësoni atë që sapo keni lexuar. Kjo gjithashtu ju ndihmon të zhvilloni një marrëdhënie më të mirë me Kuranin pasi jeni plotësisht të vetëdijshëm për atë që keni lexuar. Jepini një rëndësi të barabartë leximit të tefsireve, siç është tefsiri i Ibn Kethirit (ose çdo tefsir ose koment tjetër autentik që ju duket i lehtë ose preferoni) ndërsa jeni duke recituar.

  1. Regjistroni reflektimet tuaja

Bëjeni zakon të kaloni pak kohë duke menduar për mësimet që keni nxjerrë nga suret që lexoni çdo ditë. Bëni një listë të tyre në mënyrë që të jeni në gjendje t’i shikoni me kalimin e ditëve. Edhe nëse është diçka që e keni lexuar dhe kuptuar më parë, rifreskimi i mendjes rreth mësimeve të paraqitura në Kuran është një mënyrë e mirë për t’u siguruar që po i ruani detajet.

  1. Bëni ndryshime

Në vijim të reflektimit, pas leximit dhe kuptimit të mësimeve nga Kurani, është shumë e rëndësishme të mendojmë për mënyrat se si mund ta zbatojmë atë që kemi mësuar nga Kurani, pasi ky është qëllimi përfundimtar i shpalljes së tij. Duke marrë listën e përshkruar më sipër, është një ide e mirë të shënoni se si mund të bëni ndryshime aktive në jetën tuaj si rezultat i kësaj. Për shembull, nëse keni lexuar vargje rreth përgojimit, mendoni se si mund të shmangni përfshirjen në situata të tilla. Jini proaktiv dhe të vendosur për ta zbatuar Kuranin në jetën tuaj. Zhvilloni karakterin tuaj bazuar në Kuran.

Gjithmonë mbani mend fjalët e Aishes Allahu qoftë i kënaqur me të kur ajo u pyet për karakterin e Profetit ﷺ:

“Karakteri i të Dërguarit të Allahut ﷺ ishte Kurani.” (Ebu Davudi)

  1. Bëni dua

Ka shumë mësime të ndryshme që do të hasim gjatë studimit të Kuranit. Disa mund të duken të thjeshta dhe të drejtpërdrejta për t’i kuptuar, ndërsa të tjerët mund të kërkojnë që ne t’i meditojmë për ca kohë. Kërkojini Allahut të Madhërishëm që t’ju ndihmojë të përmirësoni të kuptuarit tuaj dhe të keni sukses në të qenit aktiv në ndryshimin e jetës suaj bazuar në mësimet që mësoni nga Kurani. Nuk mund të theksohet mjaftueshëm rëndësia e kthimit te Allahu i Lartësuar për t’ju ndihmuar të keni sukses në këtë përpjekje për të forcuar imanin dhe karakterin tuaj nëpërmjet studimit të Kuranit.

Profeti ynë i bekuar ﷺ i mësoi Ali ibn Ebi Talibit Allahu qoftë i kënaqur me të disa fjalë madhështore që shprehin atë që shumë prej nesh dëshirojnë t’i kërkojnë Allahut. Pra, mbani mend këto fjalë dhe bëni dua Allahut të MAdhëruar me to gjatë gjithë udhëtimit tuaj të çmuar me Kuranin. Pejgamberi ﷺ i kërkoi Aliut të lutet me fjalët:

“O Allah, Krijues i qiejve dhe i tokës, Zotërues i lavdisë, bujarisë dhe nderit që nuk tejkalohet. Të lus, o Allah, o Rahman, me lavdinë Tënde dhe Dritën e Fytyrës Tënde, ta bësh zemrën time të qëndrueshme në përkujtimin e Librit Tënd ashtu siç më mësove dhe më jep që ta lexoj atë në atë mënyrë që do të të bëjë të kënaqur me mua. O Allah, Krijues i qiejve dhe i tokës, Zotërues i lavdisë, bujarisë dhe nderit që nuk tejkalohet. Të lus, o Allah, o Rahman, me lavdinë Tënde dhe Dritën e Fytyrës Tënde, të ma ndriçosh shikimin me Librin Tënd dhe të ma lirosh gjuhën me të, të ma lehtësosh zemrën me të dhe të më zgjerosh gjoksin me të dhe të ma pastrosh trupin tim me të. Me të vërtetë, askush nuk më ndihmon në të vërtetën përveç Teje, dhe askush nuk e jep atë përveç Teje, dhe nuk ka forcë dhe fuqi përveç Allahut, të Lartësuarit, Madhështorit.” (Tirmidhiu)

Qoftë ky Ramazan i atillë që zemrat tona thithin mësimet e Kuranit dhe gjymtyrët tona veprojnë sipas tij. U bëftë Kurani një konstante fikse në jetën tonë si burimi ynë kryesor i forcës dhe udhëzimit.

Aisha Muhamed

Përktheu:

Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org

 

Rubrika e informacioneve sjell lajme nga aktivitetet që organizojnë institucione islame, organizata islame, thirrës apo ngjarje të tjera me interes për komunitetin musliman. Sjellja e informacioneve nuk nënkupton pajtueshmëri të redaksisë së Thirrja.org me ngjarjet apo përmbajtjen e informacioneve që sillen.