Allahu i madhëruar thotë: “e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet.” Sureja Araf, 157.
Të nderuar besimtarë Allahu i madhëruar është i Vetmi i Cili krijon, urdhëron, gjykon, sundon universin, e njerëzit, që të gjithë, nuk lejohet që të dalin nga rruga dhe ligji i Allahut, sepse ata janë të autorizuar dhe mëkëmbës në tokë, ata kanë të drejta dhe obligime, e Allahu është Sunduesi i gjithësisë, Poseduesi i çdo gjëje, Ai njeriut i mundësoi dhe i dha në shërbim riskun dhe të mirat, fuqitë dhe mundësitë tjera.
Nuk e la njeriun në bredh në këtë tokë pa synim, e të veprojë njeriu çfarë të dojë, si të dojë, por e bëri mëkëmbës që të udhëheq paralelisht me metodologjinë e Atij që e bëri mëkëmbës.
Kështu që hallall është çdo punë që Allahu dhe i dërguari i Tij e bëri hallall, po edhe haram është vetëm ajo që Allahu dhe i dërguari i Tij e bëri haram.
Allahu thotë: “Thuaj: “Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të hapta ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t’i mvishni All-llahut shok pa patur për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për All-llahun atë që nuk e dini se është e vërtetë”.” Sureja Araf, 33.
I dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Vërtetë, hallalli është i qartë edhe harami është i qartë, e mes këtyre dyjave ekzistojnë gjëra të dyshimta, që nuk i dijnë shumë njerëz, kushdo që ruhet prej gjërave të dyshimta ai vetëm se ka ruajtur fenë dhe nderin e tij, e kushdo që nëpërkëmb dyshimet ka mundësi që të bije në haram; njejtë sikur një bujk i cili ruan kopenë rreth kufijve, ka frikë se mos po biejnë aty, vërtetë në trup është një copë mishi nëse ajo përmirësohet i gjithë trupi përmirësohet, e nëse ajo prishet i gjithë trupi prishet.” E shënon Buhariu dhe Muslimi
I dërguari i Allahut i kategorizoi gjërat dhe veprat e njerëzve në tri kategori: një kategori që është hallall i qartë, duke se është hallall dhe se argumenti për këtë është shumë i qartë, dhe për arsyen se njeriu e kupton shumë mirë këtë gjë dhe praktikimi i asaj është gjë e mirë. Kategorinë tjetër e shpjegoi se është harami i qartë, për arsye se egzistojnë argumente të qarta që tregojnë se ajo vepër është haram, po edhe njeriu e kupton shumë mirë këtë argument kur ai ballafaqohet me vepra të tilla.
E kategoria e tretë është mes hallallit dhe haramit, e që mund të mos jetë e qartë se cilës kategori i takon, ose për arsye se mungon argumenti, ose që argumenti nuk është i kuptueshëm, ose për shkak të një ajeti të përgjithshëm, apo të një hadithi të përgjithshëm, e bëhet ajo gjë e dyshimtë për ta kuptuar, e nuk e di se argumenti a aludon në hallall apo aludon në haram, e për shkak të këtij dyshimi njeriu nuk e di se është hallall të veprohet apo është haram të veprohet
Këto gjëra janë pjesa e mospajtimeve në mesin e njerëzve, kështu që sheh dikush e bën një gjë hallall e tjetri e bën haram, e tjetri ndalet dhe nuk jep një përgjigje, e tjetri e elaboron në detaje.
Shkaku pse njerëzit biejnë në dyshime, janë:
- Mungesa e diturisë: kështu që mungesa e diturisë të shtye në dyshime, sepse ai që ka dituri të gjërë i di gjëra që të tjerët nuk i dijnë.
- Kuptimi i cekët: pra kuptimi i dobët, dhe atë se ndokush mund të ketë dituri të gjërë, por ndodh që të mos kuptojë, e këtij pastaj gjërat i bëhen të paqarta.
- Mungesa e përsiatjes: përshembull njeriu nuk e lodh veten që të meditojë, të kërkojë, e t’i njeh kuptimet, me argumetin se ai nuk obligohet me një gjë të tillë.
- Qëllimi i keq: e që është një prej arsyeve më të mëdha pse njeriu bije në dyshime, atëherë kur njeriu përpiqet që ta ndihmojë fjalën e tij, pa marrë parasysh se a është e saktë a nuk është e saktë, e kush e ka këtë nijet, ai nuk arrin diturinë, Allahu na ruajtë, sepse ky njeri e ka për synim që të ndjek epshin e tij.
Është me rëndësi të kuptohet se ky dyshim nuk u ndodh të gjithë njerëzve, dhe atë bazuar në dy arguemente: i pari nga fjala e të dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): “nuk i dijnë shumica e njerëzve”. Që nënkupton se ekzistojnë të tjerë shumë që i dijnë. Dhe argumenti i dytë nga kuptimi, që nëse tekstet janë të paqarta për të gjithë njerëzit, dhe Kurani të mos jetë i qartë sipas këtij pretendimi, atëherë do mbeten nga sheriati gjëra të paqarta, e kjo është e pasaktë dhe e pamundur.
Urtësia e Allahut të madhëruar në përmendjen e gjërave të dyshimta është që të sqarohet se kush do të jetë i kujdesur për të kërkuar dituri, e kush nuk do të ketë kujdes.
Njeriu duhet të ketë kujdes gjërat e dyshimta, por kjo me një kusht, që nëse ekziston fakt se është gjë e dyshimtë, përndryshe nëse nuk ekziston asnjë fakt atëherë është vesvese, por vetëm atëherë kur ekziston dyshimi atëherë njeriu duhet të jetë i devotshëm, e ta braktis dyshimin.
Sepse ai që e vepron dyshimin ai ka vepruar me haram: “kush bie në dyshime ai ka rënë në haram.”
Nga ky aspekt; i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) po ecte në rrugë dhe gjeti një hurmë, e mori, e pastroi dhe nuk deshi ta hajë, u ruajt prej saj, dhe ju tha shokëve të tij: Merrne hajeni, ngaqë po të mos ishte hurmë e sadakasë, do ta haja edhe unë.
Në fakt kjo hurmë nuk dihej se a është prej zeqatit, por ishte një shprehje e kujdesit dhe maturisë nga i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), dhe nuk e hëngri ngaqë kishte mundësi të jetë prej zeqatit.
Ai që vepron me gjërat e dyshimta ai i është afruar kufijve, dhe ka mundësi që të vepron me haram, sepse kufijtë e Allahut janë haramet, e kështu që ai që vepron me dyshime është i njejtë me bujkun i cili po ruan kopenë e tij rreth kufijve.
Në fund i dërguari i Allahut na sqaron se esenca në përmirësimin e njeriut, në përqendrimin e gjymtyrëve të tij, në lumturinë dhe shpëtimin e veprave të tij, në largimin prej harameve dhe ndjekjen e urdhrave të Allahut; shtyllë e përmirësimit është zemra, atëherë kur zemra të përmirësohet të githë gjymtyrët përmirësohen, e nëse zemra prishet, mbushet me injorancë, me mosnjohje të së vërtetës, mosnjohje të hallallit dhe haramit, ajo zemër nuk arrin ta kuptojë haramin, ose e njeh hallallin dhe haramin por nuk i kushton rëndësi, e braktis hallallin dhe merr guximin ta veprojë haramin, kështu që gjymtyrët e tij janë gjymtyrë të prishura që nuk janë të udhëzuara në rrugën e vërtetë e në fenë e Allahut.
E lusim Allahun të na e bëjë të mundshme ta shohim të vërtetës si të vërtetë dhe ta ndjekim atë, dhe ta shohim të pavërtetën si të pavërtetë dhe të largohemi prej saj.
Përktheu: Hoxhë Shpend Zeneli