Me ecjen pas gjurmëve të grave më të mira që jetuan në kohën më të mirë, dhe në periudhën më të mirë, dhe u edukuan në shtëpinë më të mirë, shtëpinë e profecisë, gruaja muslimane është gruaja më e lumtur në mesin e grave tjera. Allahu grave që jetuan në shtëpinë e profecisë ua ngriti pozitat, dhe ua rriti vlerën, dhe zbriti ajete në Kuran me lavdërimin e tyre. Allahu tha: “O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse I frikësoheni Allahut”. Ahzab 32. Ishin bashkëshorte të bekuara dhe gra madhështore!
E para nga ato ishte Hadixhe bint Huvejlid, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo. Një grua e mençur, mendjemprehtë, me fe e me moral dhe me prejardhje të mirë. U rrit duke u pajisur me cilësi të moralit të mirë dhe duke u edukuar me edukatë të lartë. U përshkrua me ndershmëri dhe me turp, dhe thirrej në mesin e grave të Mekës si e “Pastërta”. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e martoi dhe ishte me te vërtetë grua e bereqetshme për të. E strehoi me veten e saj dhe me pasurinë e saj dhe me mendjemprehtësinë e saj. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur pikëllohej strehoj tek ajo dhe ia rrëfente brengat e veta. Në fillim kur zbriti shpallja u kthye te ajo, me zemër të frikësuar nga ajo që e pa, dhe i tha: “Kam frikë se do të më ndodhë gjë.” Ndërsa Hadixhja i tha: “Kurrë! (Betohem) për Allah! Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë, sepse ti, me të vërtetë, mban lidhje të mira me farefisin, ndihmon të varfrit dhe i mban të këputurit, i pret mirë miqtë dhe u gjendesh pranë nevojtarëve në fatkeqësi”.
Ishte e para që besoi nga ky umet! Ibën Ethiri, Allahu e mëshiroftë, tha: “Hadixhja ishte krijesa e parë e Allahut, që u bë muslimane, dhe në këtë janë unik të gjithë muslimanët. Para saj nuk kishte as burrë e as grua që ishin muslimanë”.
Kur ju shtuan vështirësitë të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në fillim të thirrjes së tij dhe ju shtuan dhembjet, ajo ishte me të zemërbutë dhe e vendosur. Çdo herë kur dëgjonte nga njerëzit diçka të keqe, kthehej tek ajo, dhe ajo e qetësonte dhe e përforconte. I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të, tha: “Besoi tek
unë kur të tjerët më mohuan, pohonte se ç’thoja kur të tjerët më lanë në baltë, më ndihmoi me pasurinë e saj dhe Zoti caktoi të kisha me të fëmijë.”
Grua madhështore dhe respektuese e burrit të saj dhe nënë e dashur. Të gjithë fëmijët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishin nga ajo, përveç Ibrahimit. Edukata e saj ishte e lartë dhe morali i saj madhështor. Asnjë ditë na ditët nuk e ngriti zërin ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk e dëmtoi në asnjë lloj mënyre! I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të, tha: “Më erdhi Xhibrili, alejhi selam, dhe më tha: Përgëzoje me Xhenet ku nuk do të ketë as zhurmë e as ushtimë!”.
Suhejlij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “E përgëzoi me shpi në Xhenet sepse ajo nuk e kishte ngritur zërin e saj ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk e kishte munduar asnjë ditë nga ditët, dhe nuk i kishte bërtitur dhe asnjëherë nuk e kishte dëmtuar”.
Ishte e dashur tek Zoti i saj. I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të, tha: “Xhibrili më tha: Nëse vjen Hatixheja dërgoji selam nga Zoti i saj dhe nga unë”.
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Kjo është nder që nuk i është dhënë ndonjë gruas tjetër.
Allahu e donte dhe e donin melekët dhe e donte i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe thoshte: “Më është dhuruar dashuria e saj”
Kur e përmendte e lartësonte emrin e saj dhe e falënderonte shoqërimin e saj. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk ndalej nga të lavdëruarit e saj dhe të kërkuarit falje për të.
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk e harronte dashurinë e saj dhe sakrificën e saj, dhe pas vdekjes së saj ishte bujar me shoqet e saj. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, thoshte se kur therte dele, i copëtonte pjesët e saj, e pastaj ia dërgonte shoqeve të saj. Unë i thosha sikur se të mos ketë grua tjetër në dynja, përveç Hadixhes, e ai ma kthente: “Ajo ishte dhe ishte, dhe fëmijët i kisha me të”.
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e dëgjoi zërin e motrës së saj pas vdekjes së saj, dhe u mërzit tepër dhe tha: “Ma rikujtoi Hadixhen”.
Ishte e përsosur në fenë e saj dhe në mendjen e saj dhe në moralin e saj. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Nga burrat janë përsosur shumë syresh, por nga gratë nuk janë përsosur veçse tri:”Asija, gruaja e faraonit, Merjeme bint Imran dhe Hadixhja bint Huvejlid”..
Ia tejkaloi grave të këtij umeti në meritë. I Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Gruaja më e mirë e kohës së saj është Mejrem bint Imrani, kurse gruaja më e mirë e kësaj kohe është Hadixhe bint Huvejlidi”.
E përmirësoi veten dhe e përmirësoi shtëpinë e saj dhe erdhi edhe fryti i mundit të saj. Ajo dhe vajza e saj janë ndër gratë më të mira të botëve në Xhenet. I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Gratë më autoritative në Xhenet janë Merjemi, nëna e Isait, alejhi selam, Fatimja, bija e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Hadixhja, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, dhe Asija, gruaja e Faraonit”.
Ishte madhështore në zemrën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Nuk e martoi asnjë grua tjetër para saj, dhe deri sa ishte me të nuk martoi grua tjetër dhe u mërzit tepër kur ndërroi jetë. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ishte grua e mençur, madhështore, me fe të pastër, e ndershme, fisnike nga banorët e Xhenetit”.
Në shtëpinë e drejtësisë dhe devotshmërisë lindi Aisha e bija e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me ta. U rrit në një shtëpi ku dominonte imani dhe feja. Nëna e saj ishte sahabeshë, motra e saj ishte Esmaja sahabeshë, dhe vëllai i saj ishte sahabij, kurse prindi i saj ishte “i sinqerti” i këtij umeti. U rrit me një shtëpi ku dominonte dituria. Prindi i saj ishte dijetari i Kurejshëve dhe ishte njohësi më i mirë i gjenealogjisë së tyre. Allahu i kishte dhuruar mençuri dhe mundësi për të nxënë përmendësh. Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka pasur nëpër umete si Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, në nxënie përmendësh, dhe në dituri, dhe oratori dhe mençuri”.
Ia tejkaloi grave me dituri dhe urtësi, dhe ju dhurua të kuptuarit e thellë të fesë dhe të nxëniesh përmendësh të poezive. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Aisha ishte gruaja më e ditur e umetit, dhe nuk di grua, jo vetëm se në umetin Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, po në përgjithësi, më të ditur se sa ajo”.
Ia tejkaloi grave me meritat e saj dhe me shoqërimin e saj të mirë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Aisha është superiore ndaj grave tjera sikurqë tharidi (një lloj gjelle që bëhet në Arabi) është superior ndaj ushqimeve tjera”.
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e donte shumë. Amru ibën As, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se kush nga njerëzit është më i dashur tek ti?! U përgjigj: “Aishen”. Amru ibën Asi i tha edhe një herë: “Ndërkaq, kë e do më së shumti prej meshkujve?” . Iu përgjigj: “Babën e saj, Ebu Bekrin!”.
Nuk martoi beqaresh nga gratë përveç se atë. Ishte e ndershme, adhuruese, nuk dilte nga shtëpia e saj përveç se natën që mos ta shohin burrat, Thotë për vetveten e saj: “Nuk dilnim përveç se natën”. Kështu e realizonin dhe e nxjerrin në vepër fjalën e Allahut: “Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes”. Ahzab 33.
Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: Sheriati urdhëron gratë që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, dhe të ruajnë veten e tyre dhe mos të dalin nga to përveç se kur kanë nevojë. Dhe nëse kanë nevojë për të dalë jashtë le të mbulohen plotësisht”.
Allahu e sprovon atë që e donë dhe sprova vjen sipas imanit të robit. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, u sprovua me shpifje në nderin e saj. Ajo vet thotë: “Gjithë atë ditë unë vazhdova të qaj, aq sa lotët nuk m’u ndalën dhe nuk vura gjumë në sy. Në mëngjes prindërit e mi ishin me mua. Kisha qarë dy net dhe një ditë, aq sa mu duk se nga e qara do të më plaste mëlçia”.
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu xhelozoi për të. E shfajësoi në dhjetë ajetet që do të lexohen deri Ditën e Kiametit, dhe ia ngriti çështjen e saj, dhe ia mbrojti nderin e saj, dhe dëshmoi se është nga të ndershmet dhe i premtoi falje dhe furnizim të bollshëm”.
I shërbeu të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe e shoqëroi atë derisa ndërroi jetë në shtëpinë e saj dhe në natën e saj dhe në prehrin e saj.
Seudah bint Zumah, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, ishte gruaja që e martoi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, pas vdekjes së Hatixhes. Ishte grua me zemër të pastër, e ndershme dhe bujare. Nga dashuria që e ndjente ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ia dhuroi natën e saj Aishes, duke shpresuar për këtë vepër shpërblim tek Allahu.
Hafsa, e bija Omer ibën Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur nga ata, ishte gruaja tjetër që e martoi i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të. Njihej si grua që e adhuron Allahun tepër dhe u rrit në shtëpi ku dominonte feja dhe e vërteta. Shtatë anëtarë nga familja e saj ishin pjesëmarrës në luftën e Bedrit. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, për të thoshte: “Hafsa ishte ajo që më konkurronte nga gratë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të”.
Zejneb bint Huzejme el Hilalijeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, e njohur si dorëdhënëse e madhe dhe si e shpejtë në adhurime. Jetoi me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vetëm se dy muaj dhe pastaj ndërroi jetë.
Remleh bint Ebu Sufjan, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, e cila njihej me emrin Ummu Habibeh. Njihej me durimin e saj dhe ishte nga të gjitha gratë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, më afër tij me prejardhje. Dallohej nga gratë e tjera për ka lëmosha, jepte më shumti se sa të tjerat.
Hind bint Ebu Umujes, e njohur me emrin Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo. Ishte nga gratë e para që emigroi për në Medine, mirëpo kur deshi të niset me burrin e saj Ebu Seleme, populli i saj i ndau Ummu Selemen dhe burrin e saj dhe fëmijën e saj. Thotë: Për çdo ditë dilja dhe ulesha me një luginë dhe qaja, dhe kështu vazhdova për një vjet apo afër një viti, derisa ju erdh keq për mua dhe ma kthyen fëmijën.
Bindja e saj në Allahun ishte e madhe. Burri i saj i ndërroi jetë dhe ajo u mërzit tepër. Iu drejtua Zotit të saj me një lutje profetike dhe Allahu ia zëvendësoi me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për burrë. Thotë e dëgjova të Dërguarin e
Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Çdo person, të cilin e godet një fatkeqësi dhe thotë: “Të Allahut jemi dhe etëm tek Ai do të kthehemi. O Zot më jeep shpërblim nga fatkeqësia që më ka rënë dhe ma zëvendëso këtë (fatkeqësi) me një më të mirë”, padyshim Allahu ka për ta shpërblyer dhe ka për t’ia zëvendësuar me një më të mirë se ajo”. Dhe kur ndërroi jetë Ebu Seleme thashë në vete se ku ka musliman më të mirë se sa Ebu Seleme, i cili ishte prej të parëve që emigroi për te i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?! Pastaj e bëra atë lutje dhe Allahu ma mundësoi të martohem për të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Pra ruaje këtë dua dhe thuaje kur të sprovohesh me qëllim që Allahu ta zëvendëson me diçka më të mirë!
Zejneb bint Xhehsh, që njihej si nëna e të mjerëve, Allahu qoftë i kënaqur me të. E martoi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me citat prej Kuranit prej anës së Allahut, pa përgjegjës dhe pa dëshmitarë. Allahu tha: “E, pasi Zejdi bashkëjetoi me gruan e vet dhe u nda prej saj, Ne ta dhamë ty për bashkëshorte”. Ahzab 37. Martesa e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është e bekuar për gratë muslimane deri Ditën e Kiametit, sepse pasi që e martoi u detyrua hixhabi për të gjitha bijat e Havës, që të jetë mbrojtje për nderin e tyre dhe dëlirësi për shpirtrat e tyre!
Ishte bujare ndaj të varfërve dhe të mjerëve, jepte shumë lëmoshë dhe ishte bamirëse. Edhe përskaj pozitës së lartë që e kishte, ajo vet punonte dhe jepte lëmoshë nga përfitimi i saj. Aisha, Allahu qoftë i kënaur nga ajo, thoshte: Nuk kam parë grua më të mirë në fe se Zejnebi. I frikohej shumë Allahut dhe ishte e sinqertë në fjalimin e saj, e vizitonte shumë farefisin dhe jepte shumë lëmoshë!
Xhuvejrije bint Harith, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, nga fisi Beni Mustalik. Ishte adhuruese e madhe e Allahut. Prindi i saj ishte zotëri që respektohej në fisin e vet, kurse ajo ishte e bekuar në veten e saj dhe për familjen e saj. Aisha, Allahu qoftë i kënaur me të, për të thotë se nuk kam parë grua më të bekuar për popullin e saj se sa Xhuvejrija!
Ajo ishte që e adhuronte Allahun tepër, ulej në faltoren e saj dhe e përmendte Allahun deri në drekë. Ajo thotë se një ditë më erdhi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut
qofshin mbi të, e unë isha duke bërë dhikër, e pastaj shkoi për nevojat e veta, dhe më vonë u kthye afër drekës dhe tha: “Ende vazhdon të jesh ulur”, dmth. ende vazhdon ta përmendsh Allahun. I thash: Po!
Safije bint Hujej, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, e cila ishte prej pasardhësve të Harunit, alejhi selam. Ishte e ndershme, e mençur, mendjemprehtë dhe me fe dhe me pozitë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Ti je bija e Pejgamberit (qëllimi është je prej pasardhësve të Harunit, alejhi selam), dhe mixha i jot ka qenë Pejgamber (Musa, alejhi selam) dhe ti je martuar me Pejgamber”.
Dasma e tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me Safijen ishte shumë e thjeshtë dhe modeste, mirëpo e bereqetshme!
Mejmune bint Harith, Allahu qoftë i kënaqur me të. Njihej si grua që e respektonte shumë farefisin dhe ishte nga gratë më madhështore. Allahu i kishte dhuruar zemër të pastër dhe shpirt të mirë dhe ishte e kapur për adhurime. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, për të thotë dallohej nga ne për ka frika ndaj Allahut dhe për ka vizita e farefisit!
O ju musliman, kjo ishte biografia e grave më të ndershme, ë nënave të besimtarëve. Meritat e tyre janë madhështore, dhe gratë e muslimanëve detyrohen t’i marrin ato si shëmbëlltyrë jete, dhe t’i pasojnë ato në fe dhe në moral dhe në respekt, dhe në dhënien e lëmoshës, dhe në bamirësi, dhe në adhurime, dhe në përmbajtjen e gjuhës, dhe në durim, dhe në kërkim të diturisë, dhe në dëlirësi dhe në nder, nëse donë lumturi.
Gratë e të Dërguarit të Allahut jetuan me të në shtëpi modeste, të ndërtuara me qerpiç dhe me kulm nga fletët e pallmës, mirëpo të mbushura me iman dhe devotshmëri. Ishin durimtare së bashku me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në varfri dhe skamje. Kishte rast kur një muaj apo dy muaj nuk ndizej zjarri në shtëpinë e tyre. Kishte ditë kur nuk kishin në shtëpitë e tyre përveç se një hurmë, dhe kishte raste kur kalonte një periudhë dhe nuk kishin përveç se ujë pa ushqim. Të gjitha i duronin me bindje dhe shpresë në premtimin e Allahut: “Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë”. Duha 4.
Shpërblimet e tyre janë të dyfishuara: “Ndërsa atyre prej jush që binden ndaj Allahut e të Dërguarit të Tij dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’u japim shpërblim të dyfishtë e u kemi përgatitur begati të mëdha”. Ahzab 31.
Pesë nga ato i martoi duke qenë ato në moshë mes të dyzetave dhe të gjashtëdhjetave. Me këtë e realizoi përkujdesjen e të vejave dhe të fëmijëve të tyre jetimë. E martoi Hadixhen dhe ajo ishte dyzet vjeçare, dhe ajo i kishte tre fëmijë me burrë tjetër, kurse ai ishte i pamartuar. E martoi Zejnebin dhe ajo ishte e vejë dhe ishte afër të gjashtëdhjetave. E martoi Ummu Selemen dhe ajo ishte e vejë me gjashtë fëmijë, dhe e martoi Seudën dhe ajo ishte e vejë dhe i kishte pesëdhjetë e pesë vite.
Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte burrë i butë, fisnik, bujar, bamirës, i butë me to dhe i sjellshëm me to. Kush kërkon lumturinë le ta merr si yrnek Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe çdo grua që kërkon lumturinë le t’i merr si yrnek nënat e besimtarëve në adhurim, në nder, në devotshmëri dhe në bamirësi.
SHEJH DR. ABDULMUHSIN EL KASIM
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
Burimi: albislam.com