Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.
Të dashur vëllezër!
Hutbeja e sotme e mban titullin: “Gjithçka e ramazanit çon në magfiret“
Sot është dita e dymbëdhjetë e ramazanit. Kemi hyrë në të tretën e dytë të ramazanit, që siç e dimë është magfiret. Kjo e treta e ka emrin falje, por në thelb gjithçka e ramazanit të çon në magfiret. Përmbajtjet e tij këtë e dëshmojnë dhe vërtetojnë qartë.
Agjërimi çon në magfiret. Kur vjen nata e parë e ramazanit, Pejgamberi (a.s.) thotë se Allahu i Plotfuqishëm e urdhëron Ridvanin, rojtarin e Xhenetit, që t’i hapë dyert e Xhenetit për agjëruesit. Agjërimi çon në magfiret dhe, këtë e lexojmë qartë nga hadithi: “Kush e agjëron ramazanin me besim dhe llogari në shpërblimin e Allahut, do të dalë nga ramazani i pastër nga mëkatet”, si dhe nga hadithi: “Allahu i Plotfuqishëm e ka urdhëruar agjërimin, kurse unë me sunetin tim e kam vendosut teravinë si namaz nate të ramazanit, kështu që kush agjëron ditën dhe fal namaz natën, do të dalë nga ramazani i pastër nga mëkatet si në ditën kur ka lindur.” Për të ecur drejt magfiretit duhet ta forcojmë devotshmërinë dhe bindjen në mënyrë që të ruhemi nga mëkatet, sepse mos kryerja e mëkateve është rruga dhe vërtetimi i devotshmërisë së mirëfilltë. Pejgamberi (a.s.) thotë: “Largohu nga harami, do të jeni njerëzit më të devotshëm.”
Edhe xhemati çon në magfiret. Ardhja në vendet ku mësohet e mira, ku veprohet e mira, ku porositet dhe rekomandohet e mira është rruga drejt magfiretit, faljes. Ky, dhe të gjitha vendet ku njerëzit mblidhen rreth së mirës, janë kopshte të Xhenetit. Nxitoni tek ato, ka thënë Pejgamberi (a.s.). Ardhja në xhemat, dhënia selam vëllait, vëllezërve, shtrëngimi i dorës me ta, kjo është rruga e faljes nga mëkatet, sepse Pejgamberi (a.s.) na mëson që sa herë që t’i shtrëngojmë duart me vëllanë tonë musliman dhe ta përqafojmë, Allahu i Plotfuqishëm na i shlyen mëkatet. Le të na inkurajojë dhe mësojë ky xhemati i ramazanit, që të jemi xhemat çdo ditë të vitit për shkak të nevojës për falje, që do të thotë, të takohemi të gëzuar dhe të lumtur dhe t’i japim selam njëri-tjetrit.
Edhe namazi çon në magfiret. Njeriu çdo ditë është i ekspozuar ndaj rrezikut që të bëjë mëkate; prandaj çdo ditë, jo vetëm në ramazan, por gjithë vitin e ka obligim të falet, dhe namazi, siç thotë Pejgamberi (a.s.) i shlyen ato mëkate, të paktën mëkatet e vogla, që i kemi bërë nga namazi i mëparshëm. Përveç faktit që namazi na i shlyen mëkatet, ai me fuqinë e tij, të cilën e marrim nga namazi; duke filluar nga abdesi, na ndihmon për t’i rezistuar mëkatit, për t’i rezistuar shejtanit. Kur e përmenda abdesin, më lejoni të theksoj se Pejgamberi (a.s.) ka thënë se me çdo pikë uji të abdesit që pikon nga duart tona, ashtu edhe mëkatet tona pastrohen me abdes. Këto abdese dhe namaze të ramazanit, nëse nxitojmë drejt magfiretit, nuk duhet të ndalen me ardhjen e bajramit.
Pejgamberin (a.s.) e kanë pyetur kush është muxhahid, luftëtar në rrugën e Allahut? Ai ka thënë se muxhahid i vërtetë, dhe luftëtar i vërtetë është ai që është në betejë të vazhdueshme me vetveten. Njeriu është fushë betejë e vazhdueshme midis së mirës dhe së keqes. Një betejë e tillë është zhvilluar në Bedër, kështu që njeriu në të vërtetë është një skenë e Bedrit, dhe secili prej nesh është luftëtar i Bedrit. Kundër kujt, apo me çfarë luftojmë ne? Ne luftojmë që e mira të mbizotërojë tek ne, luftojmë kundër shejtanit, luftojmë që të kemi sa më pak mëkate, kurse tevbeja na çon në atë qëllim. Ajo na bën që të vetëdijësohemi për mëkatet tona dhe, me pendim të heqim dorë prej tyre; që t’i fshijmë ato me vendosmërinë tonë për të mos iu kthyer më. Kjo e treta (e dytë) e ramazanit, e cila quhet magfiret, le të na inkurajoë që drejt magfiretit të ecim duke bërë istigfar çdo ditë dhe duke kërkuar falje për mëkatet. Pejgamberi (a.s.) këtë e ka bërë shtatëdhjetë herë në ditë.
Por ne nuk bëjmë mëkate vetëm ndaj Krijuesit, kurse dita e njëzetë e ramazanit na kujton një ngjarje kolosale. Ishte dita e çlirimit të Mekës, atëherë Pejgamberi na tregoi se cilën rrugë duhet ta ndjekim për ta fituar faljen nga Zoti i botëve, duke u thënë atyre që e persekutuan dhe keqtrajtuan atë dhe shokët e tij: „Unë as që do t’ju qortoj juve sot!“, kurse neve na tha: “Nëse doni që Allahu t’ju falë, edhe ju falni.” Le të na inkurajojnë ditët e të tretës së dytë të ramazanit, e cila quhet falje (magfiret), që të falim dhe të dalim nga ramazani më të fortë, më të fuqishëm dhe më të bashkuar.
Kur meleku Xhibril dhe melekët tjerë zbresin në Tokë në natën e Kadrit, ata, siç thotë Pejgamberi (a.s.) u japin selam atyre që i gjejnë në ibadet, i shtrëngojnë duart me ta dhe thonë amin për lutjet e tyre. Dhe kur përfundon nata e Kaderit, Xhibrili u thotë se atë natë, Allahu i Lartësuar ua fali të gjithëve, përveç alkoolistit kronik, atij që nuk i respekton prindërit, atij që nuk i viziton të afërmit dhe atij që nuk flet me vëllain e tij musliman. Pra, ramazani ka ardhë që të na inkurajojë dhe të na mësojë që t’i mposhtim pasionet, epshet tona dhe, që të shohim se lumturia nuk është në kënaqjen e trupit pakufishëm, se lumturia nuk është të jesh rob i gjërave kalimtare, por se lumturia është në sakrifikim për të tjerët dhe në bamirësi për të tjerët.
O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo që nga kjo e treta (e dytë) e ramazanit, e cila quhet falje (magfiret), të mësojmë se cilën rrugë duhet ta ndjekim, dhe çfarë duhet të bëjmë që të dalim para Teje me sa më pak mëkate. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić;
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)